Nabil Ennasri, francez me origjinë marokene, mbërriti së fundmi në Arabinë Saudite pasi përshkoi një distancë prej mbi 5000 km me biçikletë.
Ai e filloi udhëtimin e tij në Paris më 22 prill dhe ka përshkuar 11 vende duke përfshirë Italinë, Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Greqinë, Jordaninë dhe Turqinë.
Ennasri është një analist francez, shkrimtar dhe aktivist i shoqërisë civile që fokusohet në një sërë çështjesh sociale, duke përfshirë diskriminimin dhe arsimin.
Ndërsa ndante përditësime nga udhëtimi i tij në mediat sociale, 41-vjeçari tha se donte të ringjallte përvojën tradicionale të pelegrinazhit që muslimanët ndoqën në të kaluarën dhe gjithashtu të tërhiqte vëmendjen ndaj ngrohjes globale.
Ennasri ndau një video emocionuese të mbërritjes së tij në xhaminë e Pejgamberit a.s., në Medine, në të cilën ai tha: “Është vështirë t’i shprehësh këto ndjenja sepse lutja jote nuk është e njëjtë me atë kur ke qenë në një udhëtim 57-ditor për të ardhur dhe për t'u falur në xhaminë e Pejgamberit dhe kur të merrni një fluturim shtatë-orësh.”
Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Jeddah, rrugës për në Mekë, çiklisti francez u mirëprit ngrohtësisht nga Federata Saudite e Çiklizmit dhe mbajti një seancë praktike me anëtarët e klubit në Jeddah Corniche.
Duke u nisur për në Mekë të shtunën, Ennasri ishte në gjendje të rikthejë rrugën e ngadaltë të bërë nga muslimanët dhe disa nga të afërmit e tij në të kaluarën.
“Disa anëtarë të familjes sime kanë udhëtuar edhe në këmbë. Mund të duheshin muaj apo edhe vite. Disa humbën jetën gjatë udhëtimit”, tha ai.
“Kur kujtoj këto momente, gjej forcën tek unë.”
Duke shpjeguar rëndësinë e udhëtimit të tij, ai shtoi: “Objektivi im i parë është të shpjegoj ngrohjen globale; është shumë e rëndësishme për fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm.
“Qëllimi im i dytë është të kuptoj se çfarë lloj vështirësish (përjetonin) njerëzit në pelegrinazh në kohët e lashta, për të kuptuar udhëtimet e tyre të gjata në këmbë.”
Në një video tjetër të xhiruar në Medine, Ennasri tha: “Kam marrë një mesazh nga miku im Thomas, i cili nuk është musliman. Ai thotë se edhe nëse nuk ka besimin tim, ai është entuziast për projektin tim, për faktin se ne përpiqemi të ndërgjegjësojmë rreth ekologjisë dhe mjedisit.
“Më pëlqeu mesazhi i tij dhe u përgjigja duke thënë se është përtej dallimeve tona filozofike apo fetare, sepse besimi ynë në qeniet njerëzore na ribashkon. Planeti ynë është shtëpia jonë dhe ne duhet ta ruajmë atë për brezat e ardhshëm.”
Sipas Ennasrit, ngrohja globale është një problem madhor me të cilin përballet njerëzimi sot.
“Për mua është e rëndësishme të mbroj natyrën dhe botën tonë dhe t'ia shpjegoj këtë komunitetit mysliman. Mendoj se ka një keqkuptim për ngrohjen globale; njerëzit nuk e kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë.”
Ennasri shpreson se udhëtimi i tij do të frymëzojë muslimanët e tjerë dhe anëtarët e komunitetit që të rimendojnë qasjet e tyre për të udhëtuar.