Krimi sipas Kuranit dhe Synetit
Vlera e jetës është në krye të vlerave të mbrojtura në Sheriat (jeta, besimi, arsyeja, pasardhësit, nderi dhe pasuria). Të gjitha rregullat e Islamit kanë për qëllim mbrojtjen e kësaj dhe vlerave të tjera të nevojshme dhe duhet të interpretohen si të tilla. Çdo veprim apo interpretim që kërcënon apo shkatërron këto vlera themelore është mëkat dhe devijim nga Rruga e Drejtë. Allahu xh.sh., është Krijuesi i jetës dhe vdekjes dhe vetëm Ai ka të drejtë t'i marrë jetën dikujt.
Për sa i përket qartësisë së kuptimit dhe forcës së mesazhit për rëndësinë dhe vlerën e jetës njerëzore, ajeti i 32-të i sures El-Maide është veçanërisht domethënës dhe tregues, në të cilin vrasja e paligjshme e një personi barazohet me vrasjen e të gjithë njerëzve: “…Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur gjithë njerëzit…”. Ky ajet në suren El-Maide vjen menjëherë pas ajeteve që flasin për krimin e parë të vrasjes që ka ndodhur në gjininë njerëzore, d.m.th. për vrasjen e kryer nga njëri prej djemve të Ademit a.s., duke vrarë vëllain e tij.
Ka shumë ajete kuranore në të cilat vrasja është e ndaluar në mënyrë eksplicite dhe vendoset një sanksion moral në formën e vuajtjes së përjetshme në zjarr. Në ajetin e 93-të të sures En-Nisa thuhet: “Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgaditur dënim të madh.” Në suren El-Furkan, ajeti 68, në kontekstin e numërimit të cilësive të robërve të virtytshëm dhe të zgjedhur të të Gjithëmëshirshmit, thuhet kjo karakteristikë e tyre: “Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin…”. Në këtë ajet përmendet vrasja e një personi të pafajshëm së bashku me mëkatin më të madh - t'i atribuohet Zotit një shok në adhurim (shirk).
Edhe në hadithe të shumta të transmetuara nga Muhamedi a.s., theksohet dhe dënohet ashpër vrasja e njerëzve të pafajshëm, përdhosja e hurmetit (paprekshmërisë dhe shenjtërisë) të jetës së tyre, nderit dhe dinjitetit. Në Haxhin Lamtumirës, Muhamedi a.s., theksoi: “Jeta, nderi dhe pasuria juaj janë të paprekshme dhe të mbrojtura siç është e shenjtë dita e sodit, ky muaj dhe ky vend”. Në hadithin e shënuar nga Buhariu dhe Muslimi thuhet: “Ai që drejton armën kundër nesh nuk është prej nesh”. Gjithashtu, në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit, ekziston një hadith në të cilin Muhamedi a.s., paralajmëron për shtatë mëkatet më të rënda: “Ruajuni nga shtatë mëkatet shkatërruese”. Cilat janë ata - pyetën sahabët? “Përshkrimi i Allahut shok në adhurim (shirk), sihr, vrasja e paligjshme...”.
Gjenocidi në Srebrenicë!
Me 11. korrik të vitit 1995 ndodhi gjenocidi në Srebrenicë. Gjykata ndërkombëtare në Hagë, në vitin 2007 nxori Aktgjykim me të cilin masakrën në Srebrenicë, ku janë masakruar e vrarë mbi 8. mijë persona, duke e kualifikuar si akt gjenocidi.
Gjenocidi është metoda më ekstreme - më drastike për nga ashpërsia, shpesh më e egër dhe më shkatërruese për nga pasojat të diskriminimit racor. Kjo "mbytje njerëzore" (d.m.th., "krimi i gjenocidit") është, ekstremi më i rëndë i "krimeve kundër njerëzimit" që synon shfarosjen dhe shkatërrimin e grupeve të tëra racore, etnike, kombëtare, fetare dhe grupeve të tjera. Së bashku me çrrënjosjen biologjike të viktimës së grupit, fshihen edhe gjurmët e njohura të kulturës së saj materiale dhe shpirtërore të quajtur si “kulturocid”.
Ky gjenocid është planifikuar në nivelet më të larta politike dhe ushtarake të qeverisë së atëhershme, të cilët kishin mbështetjen e institucioneve fetare dhe të udhëheqësve, dhe të gjitha materialet, mediat, burimet njerëzore, ushtarake dhe burimet e tjera u mobilizuan për ta realizuar atë. Megjithatë, përkundër gjithçkaje që është bërë, gjenocidi i kryer mohohet në të gjitha mënyrat e mundshme. Nuk dëshirohet që të miratohet rezoluta që njeh dhe dënon gjenocidin, madje kundërshtohen vendet e tjera që e kanë miratuar rezolutën e tillë, siç kanë bërë shumë shtete, e së fundmi edhe Mali i Zi dhe Kosova.
Ata duan të shënojnë gjenocidin në Srebrenicë si një fitore kombëtare! Ata që e konceptuan gjenocidin në mendjet e tyre të sëmura dhe autorët e krimit konsiderohen heronj kombëtar! Kujdesen për familjet e tyre nga buxheti i financuar nga shteti, dhe kur të kthehen nga "robëria" i mirëpresin ata si heronj! Kjo, sigurisht, nuk është rruga që çon drejt drejtësisë dhe pajtimit.
Masakrat dhe krimet në Kosovë!
Prej fillimit të luftës në Kosovë, e deri në përfundimin e saj, shteti serb përmes të gjitha forcave ushtarake e policore, përpos që zbatoi politikën e “tokës së djegur”, nuk kurseu as pleq, plaka, gra, fëmijë; me një fjalë, nuk kursente asgjë nga popullata civile e paarmatosur.
Janë të tmerrshme masakrat që i ka zhvilluar Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë. Kjo do të tregohej më së miri në përshkrimin e secilës nga këto masakra, se si ka ndodhur, ku ka ndodhur, ndaj kujt ka ndodhur, saqë për çdo masakër do të duhej shteti i Kosovës të inkurajonte njerëzit e vullnetit të mirë dhe t’i obligonte në njëfarë mënyre institucionet e ndryshme të shkencës, të artit, e të kulturës që të shkruheshin libra të veçantë për secilën nga këto masakra, pastaj edhe që të përktheheshin në gjuhët e huaja me qëllim të plasimit të së vërtetës.
Sipas një studimi të përbashkët të kryer në vitin 2008 nga Qendra Ligjore Humanitare (Humanitarian Law Center), Komisioni Ndërkombëtar i Njerëzve të Humbur dhe nga Komisioni i Njerëzve të Humbur të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë u vranë 13.421 persona, respektivisht nga 1 janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Nga ky numër, thuhet në studim, 10.533 ishin shqiptarë, 2.238 serbë, 126 romë, 100 boshnjakë dhe të tjerë.
O Allah i dashur, ki mëshirë për viktimat e Srebrenicës dhe viktimat e tjera të vëllezërve dhe motrave tona që u ekzekutuan tmerrshëm në luftën e fundit në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ki mëshirë edhe për viktimat e masakrave dhe krimeve kundër njerëzve të pafajshëm këtu në Kosovë, na bëj që të kthjellemi dhe të nxjerrim mësime dhe të mos harrojmë të kaluarën tonë të hidhur, e cila, për fat të keq, u përsërit disa herë në këto treva tona, duke iu lutur Zotit që të mos përsëritet më kurrë dhe ndaj askujt, këtu e në mbarë botën! Amin