Për çdo vit muslimanët janë dëshmitarë të manifestimeve madhështore dhe gëzimit kolektiv, dëshmitar të gjallërisë e vizitave të ndërsjella që bëhen në këto ditë gëzimi e feste dhe disponimi mbarëpopullor që mbretëron me rastin e festës së Bajramit.
I Dërguari i Allahut, Muhamedi ,salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Çdo popull i ka festat e veta, e festat e muslimanëve janë dy: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami”.
Nga vetë fjala Kurban, kuptojmë se kemi të bëjmë me kurban, që do të thotë sakrificë për hir të Allahut.
Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:
“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira (kevtherin). Andaj ti falu dhe therr kurban për hir të Zotit tënd!” (Kevther: 1-2)
“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!” (En’am 162)
Duhet ta dimë se tek Allahu xh.sh nëpërmjet therjes së kurbanit nuk arrin mishi dhe as gjaku, por ajo që arrin te Allahu i Madhërishëm është pikërisht bindja dhe devotshmëria Islame, lidhja e robit me Zotin, plotësimi i një pjesë të nevojës te nevojtarët dhe forcimi i dashurisë dhe i bashkimit midis kontribuuesit dhe atij që ka nevojë për ndihmë materiale.
Kurban Bajrami, festohet në vazhdën e kryerjes së kushtit të pestë të Islamit-haxhit, demonstrimit të solidaritetit islam përmes kurbanit dhe përkujtimit për domosdoshmërinë e kryerjes së llogarive të veprave të njeriut gjatë periudhës njëvjeçare. Bile është një specifikë e këtyre dy festave të Bajramit se në namazin e sabahut besimtari del prej shtëpisë së tij duke lexuar me zë tekbire-duke e madhëruar Allahun, që në një mënyrë është një punë që kryhet gjatë ditëve të Bajramit.
Jo vetëm kaq, por ditët e Bajramit janë ditët më të shenjta për ne myslimanët dhe ndërkohë nga festat më të lumtura. Në këtë ditë besimtarët falënderojnë Zotin Fuqiplotë. Shprehin ndaj Tij mirënjohjet më të thella dhe më të sinqerta.
Bajramet për ne myslimanët janë festat Hyjnore të cilat fillojnë me tekbir (madhështi). Këtë e thekson një hadith fisnik i Muhamedit a.s ku thotë: “Zbukuroni bajramet (festat) tuaja me tekbir”, gjithashtu Allahu xh.sh thotë: “Të madhëroni Allahun për atë, se u udhëzoi dhe që të falënderoni”. (Bekare 185)
Tekbiri thuhet me qëllim që myslimani dhe myslimanja ta dijë se çdo gjë materiale në këtë botë lëndore që njeriu mund ta zotërojë nuk është më e madhe se Plotfuqishmëria dhe Madhëria e Allahut xh.sh.
Po ashtu myslimani dhe myslimanja gëzohet për mirësinë që i ka dhënë Zoti Fuqiplotë dhe për nënshtrimin që ai apo ajo ka bërë. Për këtë në një ajet Allahu thotë: “Thuaj: Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë”.
Për këtë është e nevojshme që të dëgjohen qartë dhe fuqishëm këto mesazhe të Bajramit:
-Vëre veten si peshojë të marrëdhënies me tjetrin!
-Dëshiroj vëllait atë që dëshiron për vete!
-Mos mendo për vëllanë atë që nuk mendon për vete!
-Mos e fshehë të mirën e vëllait tënd, sepse as ai nuk do ta fshehë tënden!
-Bëhu mbrojtës i vëllait tënd dhe ai do të bëhet mbrojtësi yt!
-Përveç obligimeve, vepra më e dashur te Allahu është ta gëzojë vëllanë e vet!
-Nëse mendon të flasësh për të metat e tjetrit, përkujto të metat tuaja!
-Cilësitë më të mira janë të përsëritësh lidhjet e ndërprera farefisnore, ti dhurosh atij që të ka lënduar, ta falësh atë që të ka bërë padrejtësi! Besnikëria pasuron, tradhtia varfëron!
-Ai i cili sheh se vëllai i tij poshtërohet, e ka mundësi ta pengoj, por nuk e bën këtë, Zoti nuk do ta falë!
E lus Allahun xh.sh që të na mëshirojë në këto ditë feste, na pranoftë çdo adhurim që kryejmë për hir të Tij, na forcoftë besimin, na përforcoftë gjithmonë në rrugën e drejtë, dhe Allahu xh.sh ua pranoftë të gjithë haxhilerëve të cilët gjinden në këto momente në vendet e shenjta Islame ibadetet dhe lutjet e tyre.

Me fat ju qoftë Kurban Bajrami!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi