"Betohem në Atë, që shpirtin tim ma ka në dorë se si ajo nuk ka zbritur as në Tevrat, as në Zebur, as në Inxhil dhe as në Kuran. Ajo është sure me shtatë ajete që përsëriten, e që më është dhënë njësoj si Kurani i Madhërishëm." (Muhamedi a.s.)
Vlera dhe rëndësia e sures Fatiha
Janë të shumta hadithet e Pejgamberit a.s. të cilat flasin për vlerën dhe rëndësinë e sures Fatiha. Transmeton Buhariu në koleksionin e tij nga Seid bin el-Mualaja, i cili ka thënë: "Isha duke u falur në xhami dhe më thirri i Dërguari i Allahut a.s., e të cilit nuk iu përgjigja derisa e kreva namazin. Pastaj kur shkova tek ai më tha: "Çka të pengoi për të mos ardhur?" "Isha duke u falur" — iu përgjigja. Ai tha: A s’ka thënë Allahu: “O ju që besuat përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret...”(1), pastaj shtoi: "Do të të mësojë një sure para se të dalësh nga xhamia, e cila është surja më e rëndësishme e Kuranit." Më mori pastaj për dore dhe kur deshi të dilte i thashë: "O i Dërguari i Allahut, a nuk më thatë se do të ma mësoje një sure, e cila është surja më me vlerë e Kuranit?" Ai më tha: "El-hamdu lahi Rab-bil alemin..., është me shtatë ajete të përsëritura, e cila më është zbritur ashtu si edhe Kurani i Madhërishëm."(2)
Gjithashtu, transmetohet nga Imam Ahmedi në Musnedin e tij, se Ubeje ibën Kabi ia ka lexuar Pejgamberit a.s. suren El-Fatiha, dhe ai ka thënë: "Betohem në Atë, që shpirtin tim ma ka në dorë se si ajo nuk ka zbritur as në Tevrat, as në Zebur, as në Inxhil dhe as në Kuran. Ajo është sure me shtatë ajete që përsëriten, e që më është dhënë njësoj si Kurani i Madhërishem."(3)
Zbritja e sures Fatiha
Surja Fatiha është njëra ndër suret që ka ngjallur diskutime të shumta te dijetarët për vendin e zbritjes së saj. Nga mendimet e tyre se a është e zbritur në Meke para hixhretit apo ka zbritur në Medine, dalin këto qëndrime:
Shumica e dijetarëve mendojnë se surja Fatiha është sure mekase, madje e para e zbritur komplet. Argument për këtë ata e marrin ajetin kuranor: "Ne t'i kemi dhënë shtatë (ajete) që përsëriten, si dhe Kuranin e Madhërishëm."(4)
Ky qëndrim rrjedh nga Aliu, Ibën Abasi, Ali ibën Husejni, Katadeja etj. Në grupin e dytë bëjnë pjesë dijetarët të cilët mbrojnë mendimin se kjo sure është medinase. Ky mendim rrjedh nga Ebu Hurejre, Ata bin Jesari, Muxhahidi, Zuhriu etj. Disa komentues të Kuranit mbrojnë mendimin se surja El-Fatiha ka zbritur dy herë, një herë në Meke para hixhretit, me rastin e obligimit të namazit, ndërsa herën e dytë ka zbritur në Medine, me rastin e ndërrimit të Kibles. Sipas këtyre dijetarëve, kjo sure do të duhej të quhej surja mekase-medinase.
Ebu Lejth es-Semarkandi mendon se gjysma e sures ka zbritur në Meke, ndërsa gjysma tjetër ka zbritur në Medine.(5)
Ibën Atije tregon se disa dijetarë mendojnë se Xhibrili a.s. nuk ia ka zbritur Pejgamberit a.s. këtë sure, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s., të cilin e transmeton Muslimi nga Ibën Abasi, i cili ka thënë: "Kanë qenë duke qëndruar së bashku Xhibrili a.s. me Pejgamberin a.s., dhe nga qielli është dëgjuar një zë. Xhibrili a.s. ngriti kokën e tij dhe tha: "Kjo derë e qiellit e hapur sot, nuk është hapur kurrë më pare”, dhe prej saj zbriti një melaqe dhe më pas Xhibrili tha: "Kjo melaqe e zbritur sot në tokë nuk ka zbritur asnjëherë më pare”, i përshëndeti dhe i tha: "Të përgëzojë me dy drita, të cilat të janë dhënë ty, e që nuk ju kanë dhënë asnjë pejgamberi para teje, e ato janë surja Fatiha dhe fundi i sures El-Bekare."(6)
Kjo sure në vete përmban shtatë ajete, në të cilat janë përmbledhur qëllimet themelore të cilat i synon Kurani fisnik, e që janë:
Besimi në Zotin Një, të Vetëm, Krijues të gjithësisë, i emëruar dhe i cilësuar me emrat dhe cilësitë më të bukura;
Besimi në ringjallje, në jetën e pasosur, në botën tjetër, në përgjegjësinë para Zotit, në Ditën e Gjykimit dhe në shpërblimin me të mira ose me ndëshkimin për veprat e këqija të bëra në këtë jetë;
Besimi dhe bindja e patundshme se vetëm Zotit i takon adhurimi dhe se të gjitha të mirat duhen kërkuar vetëm prej Tij;
Besimi në ligjin e Zotit, sipas së cilit të gjitha të mirat ua dhuroi atyre që ndoqën rrugën e drejtë dhe i ndëshkoi ata të cilët u larguan dhe humbën rrugën e drejtë.
Duke lexuar pjesën e parë të kësaj sureje, ajetet (1-5), besimtari dëshmon besimin e vet në njëshmërinë e Zotit, duke e përshkuar Atë me cilësitë e Tij më të bukura, njeh sundimin e Tij absolut mbi këtë botë e botën tjetër dhe e njëson Atë si të Vetmin që meriton adhurim dhe lutje për ndihmë. Në pjesën e dytë të kësaj sureje, ajetet (6-7), myslimani i lutet Allahut, Zotit të vet, që ta udhëzojë atë në rrugën e drejtë e ta largojë atë nga çdo gjë që shkakton zemërimin e Allahut dhe nga çdo humbje.
Emërtimet e sures Fatiha
Në emërtimin e kësaj sureje gërshetohen emra të ndryshëm, me atribute e cilësi të larta që dëshmojnë për rëndësinë e kësaj sureje. Kurtubiu në tefsirin e tij thotë se surja Fatiha është emërtuar me dymbëdhjetë emra,(7) ndërsa më të njohurit janë tre: El-Fatiha (hapja). Është quajtur kështu ngase me të fillon apo hapet libri i Allahut xh.sh. Taberiu ka thënë se quhet El-Fatiha, ngase me leximin e saj fillon leximi i Kuranit dhe këndohet në namaze.
Umul-Kitab (Surja e parë e Librit — Nëna e Librit). Quhet kështu për faktin se në vetvete përmbledh qëllimet kryesore të Kuranit, siç janë madhërimi dhe falënderimi i Allahut, vërtetimi i njëshmërisë së Allahut, adhurimi i Allahut, kërkesa për udhëzim në rrugën e drejtë dhe përforcimi në besim, tregime për popujt e mëhershëm, pasqyrimi i njerëzve që Zoti është i kënaqur me ta, vendi i atyre që Zoti është i hidhëruar me ta etj. Kjo është si një përmbledhëse që i përmbledh në vete të gjitha kaptinat.
Es-sebul methani (shtata e përsëritur). Kjo për faktin se janë shtatë ajete që përsëriten për çdo namaz.(8)
Dispozitat e sures Fatiha
Çdo ajet apo çdo sure e zbritur nga Allahu xh.sh. ka urtësitë, mësimet, dispozitat, të cilat nxirren nga ai ajet apo ajo sure. Edhe nga surja Fatiha, dijetarët siç i kanë nxjerrë urtësitë dhe mësimet, i kanë nxjerrë edhe dispozitat me të cilat ne jemi të obliguar.
A konsiderohet besmeleja ajet i Kuranit apo jo?
Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se besmeleja është pjesë e ajetit të Kuranit të sures En-Neml, 30, por ata janë të ndarë në mendime se a është besmeleja ajet i Fatihas dhe i çdo sureje tjetër?!
Mendimi i parë — Është ajet i Fatihas dhe i çdo sureje tjetër dhe këtë mendim e përkrahë medhhebi shafi. Argument i tyre është hadithi Pejgamberit a.s., të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a., i cili ka thënë: "Kur ta këndoni Elhamdulilahi rabil alemin... (Fatiha), këndojeni Bismil-lahirr-rrahmani-rrahim, ngase ajo është nëna e Kuranit, nëna e librit, shtata e përsëritur dhe besmeleja është një prej ajeteve të saj."
Mendimi i dytë — Nuk është ajet i Fatihas dhe i asnjë sureje tjetër, përveç i sures En-Neml dhe këtë mendim e përkrahë medhhebi Malikij. Këta për argument kanë hadithin e transmetuar nga Enesi r.a., i cili ka thënë: "Jam falur pas Pejgamberit a.s., Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe të gjithë kanë filluar me Elhamdulilah...” Në transmetimin e Muslimit thuhet: "Nuk kanë thënë bismilahin as në fillim e as në fund të leximit."
Mendimi i tretë — Është ajet i plotë i Kuranit, i cili ka zbritur për t'i ndarë suret dhe këtë mendim e përkrahë medhhebi hanefi. Këta thonë se përderisa janë të shkruara në Kuran, kjo do të thotë se janë ajete të Kuranit, mirëpo nuk është ajet i çdo sureje, ngase hadithet që argumentojnë se nuk e kanë filluar Elhamdulilahin me Bismilah, tregojnë se ajo nuk është prej Fatihasë. Sahabët kanë thënë se ne nuk kemi ditur t'i ndajmë suret derisa ka zbritur besmeleja.(9)
Cila është dispozita e besmeles në namaz?
Fukahatë janë të ndarë në mendime rreth dispozitës së besmeles në namaz, varësisht prej këndvështrimit se a konsiderohet besmeleja ajet i Kuranit apo jo?
Mendimi i parë — Malikitë e ndalojnë këndimin e besmeles në namaze farze, pavarësisht se a janë namaze me zë apo pa zë, as para Fatihasë, e as para sureve të tjera, ndërsa e lejojnë këndimin e saj në namaze nafile.
Mendimi i dytë Hanefitë vlerësojnë se leximi i besmeles duhet të bëhet në çdo rekat para Fatihasë, pa zë, e në qoftë se e lexon edhe para sureve të tjera nuk ka vërejtje.
Mendimi i tretë — Shafitë mendojnë se leximi i besmeles është vaxhib në çdo rekat, nëse namazi është me zë, atëherë lexohet me zë, e në qoftë se namazi është pa zë, atëherë lexohet pa zë.
Mendimi i katërt — Hanbelitë mendojnë se leximi i besmeles duhet të bëhet heshtas, pa zë dhe nuk është sunet që të lexohet me zë.
Shkak për këtë janë mospajtimet e tyre se a konsiderohet besmeleja ajet i Fatihasë, apo i fillimit të çdo sureje tjetër apo jo.
A duhet të lexohet Fatihaja në namaz?
Rreth kësaj çështje, dijetarët janë të ndarë në dy mendime:
Mendimi i parë — Xhumhuri (malikitë, shafitë, hanbelitë) janë të mendimit se leximi i Faihasë në namaz është i domosdoshëm, si kusht për pranimin e namazit, e nëse e lë atë edhe pse këtë mund ta bëjë, atëherë namazi i tij nuk pranohet. Argument i tyre është hadithi i Pejgamberit a.s., i transmetuar nga Ubade ibën Samiti, i cili ka thënë: "Nuk ka namaz për atë që nuk e këndon Fatihan e Librit."(10)
Mendimi i dytë — Hanefitë mendojnë se namazi pranohet edhe pa leximin e Fatihasë, mirëpo nuk duhet që të lihet ajo, porse namazi nuk prishet me lënien e Fatihasë, d.m.th. nuk është farz leximi i Fatihasë në namaz. Leximi i saj është vaxhib. Sipas hanefive, është farz leximi i një ajeti të gjatë apo i tri ajeteve të shkurtra. Argument për këtë ata marrin ajetin kuranor që Allahu ka thënë: "Pra, lexoni sa t'ju vjen më lehtë nga Kurani."(11) Ndërsa nga Suneti kemi hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre r.a., në rastin e personit të cilit Pejgamberi a.s., ia mësoi namazin dhe në këtë hadith ceket: "Pastaj lexo sa t'ju vjen më lehtë prej Kurani.”(12)
A duhet të lexojë xhemati pas imamit?
Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se kur xhemati e arrin imamin në ruku atij i hiqet barra e të lexuarit të Kuranit të atij rekati. Mirëpo, ata janë të ndarë në mendimet se a duhet të lexohet Fatihaja pas imamit apo jo?
Mendimi i parë - Shafitë dhe hanbelitë janë të mendimit se leximi i Fatihas nga xhemati pas imamit është i detyrueshëm - vaxhib, pavarësisht se a është namazi me zë apo pa zë. Këtë e argumentojnë me hadithin e cekur më lartë se: "Nuk ka namaz për atë që nuk e këndon Fatihan e Librit."(13)
Mendimi i dytë - Malikitë janë të mendimit se Fatihaja lexohet pas imamit nëse namazi është pa zë, e nëse namazi është me zë, atëherë ajo nuk lexohet. Argument për këtë përmendin hadithin e lartcekur, kur namazi është pa zë, ndërsa kur namazi është me zë, atëherë ata argumentojnë me ajetin kuranor: "Kur lexohet Kurani, dëgjojeni atë me vëmendje dhe heshtni."(14)
Mendimi i tretë - Hanefitë janë të mendimit se xhemati nuk duhet të lexojë asgjë, as në namazet e zëshme e as në ato të pazëshme. Si argument për këtë ata marrin ajetin kuranor: "Kur lexohet Kurani, dëgjojeni atë me vëmendje dhe heshtni" si dhe hadithi i Pejgamberit a.s., që ka thënë: "Kush lidhet pas imainit, leximi i tij (imamit) është edhe leximi i tij."(15)
A lejohet të këndohet Fatihaja në gjuhën jo arabe në namaz?
Dijetarët janë në konsensus se nuk lejohet këndimi i Kuranit në gjuhët e tjera në namaz, përveç në gjuhën arabe, pa marrë parasysh se a e di ta këndosh atë me rregulla në gjuhën arabe apo jo, ngase Kurani është mrekulli e Allahut me fjalët e tij origjinale, dhe nëse ndryshohet del nga sistemi dhe mrekullia që ka.(16)
Thënia e aminit pas Fatihasë
Shprehja e aminit ka ardhur në kuptim të foljes në mënyrën urdhërore "Pranoje o Zot lutjen tonë." Është sunet që të thuhet amini pas përfundimit të sures Fatiha, ani pse kjo nuk është pjesë përbërëse e sures Fatiha. Kjo është vërtetuar nga Pejgamberi a.s., i cili ka thënë se: "Më ka mësuar Xhibrili a.s. të them amin me rastin e përfundimit të kësaj sureje."
Dijetarët janë pajtuar unanimisht se secili duhet ta thotë aminin vetmas pas sures Fatiha, mirëpo janë të ndarë në mendime se a duhet të thuhet me zë apo pa zë.
Mendimi i parë - Hanefitë dhe shumica e malikive janë të mendimit se imami duhet ta thotë aminin pa zë, pa marrë parasysh se a janë namazet me zë apo pa zë, ngase kjo është vetëm dua. Këta argumentojnë me veprimin praktik të Pejgamberit a.s., e të cilin e transmeton Enesi r.a., ku thotë se amini i pazëshëm nuk bie në kundërshtim me mësimet e Pejgamberit a.s., i cili në fillim e thoshte aminin me zë me qëllim të mësimit dhe të udhëzimit se si duhet vepruar në namaze.
Mendimi i dytë - Shafitë dhe hanbelitë mendojnë se thënia e aminit duhet të bëhet me zë kur namazet janë me zë dhe duhet të bëhet heshtas kur namazet janë pa zë. Si argument për këtë ata marrin hadithin e transmetuar nga Vail bin Haxheri r.a., i cili ka thënë: "E kam dëgjuar Pejgamberin a.s., i cili pasi e ka lexuar "gajril magdubi alejhim ve le dalin", thoshte: "Amin", duke zgjatur zërin.(17)
___________
1. El-Enfalë, 24.
2. Zuhejli, Vehbetu, Tefsiru-l Munir; Damask, 2003, fq. 57.
3. Zuhejli, Vehbetu, Tefsiru-l Munir; Danzask, 2003, fq. 57.
4. El-Hixhr; 87.
5. Behrami, Emin, Përkthimi dhe komentimi i El- Istiadhesë, El -Besmelesë dhe i suretu -l- Fatihasë, Prishtinë, 1998, fq. 212-215.
6. Tefsiru-l-Kurtrbij-ji el-xhamiu li ahkami-l-Kuran, Ebu Abdullah Muhamed bin Ahmed el-ensarij, el-Kurtubij, Vëllimi I. fq. 92.
7. Tefsiru-l-Kurtubij el-xhamiu li ahkamil-Kuran, Ebu Abdullah Muhamed bin Ahmed el-ensarij el-Kurtubij, Vëllimi I, Kajro, fq. 88.
8. Muhamed Ali Sabuni, Tefsirul Ajetu el-ahkam, Vëllimi I, Damask, 1993, fq. 13-14.
9. Muhamed Ali Sajis Tefsiru ajeti-l-ahkam, Vëllimi I, Damask, 1999, fq. 18-21.
10. El Buhari, nr. 756, 1/151; Muslimi, nr. 394,1/395
11. Muzemil, 20
12. El Buhari, mr. 793, 1/158; Muslimi, nr. 397, 1/398
13. El-Buhari, nr: 756, 1/151; Muslimi, nr: 394, 1/295.
14. Araf, 204.
15. Muhamed Ali Sabuni, Tefsirul Ajetu el-ahkam, op. Cit. Fq. 47-59.
16. Zuhejli, Vehbetu, Tefsirul Munir; Damask, 2003, fq. 70.
17. Behrami, Emin. Përkthimi dhe komentimi i El-Istiadhesë, El -Besmelesë dhe i suretu-l Fatihasë, Prishtinë, 1998, fq. 210-211.