Format e fitimit të urtësisë dhe mesatares në dave

Islami çmon lart vlerën e urtësisë, ai nxit në këtë objektiv në kuadër të formimit të personalitetit të imamit (thirrësit) në sferën e kumtimit të mesazhit të Allahut xh.sh.

Fitimi i urtësisë dhe praktikimi i mesatares bëhet në dy forma:
1. Urtësia natyrale, e cila është dhunti dhe mirësi nga ana e Allahut xh.sh, të cilën ia dhuron atij që dëshiron prej robërve të Tij.
2. Urtësia e fituar; këtë urtësi njeriu e përmbush duke vepruar shkaqet e saj dhe duke i braktisur pengesat e saj. Këto ia lehtësojnë rrugën, i ndjek urtësitë e thëna dhe njerëzit ia dëshmojnë lëvizjet dhe butësinë e tij.

Rrugët e fitimit të urtësisë dhe mesatares

1. Besimi në fe

- Kjo është mirësia më e madhe e njeriut, të cilën e sinjalizon edhe ajeti kuranor, ku Allahu thotë: Ia dhuron hikmetin atij që do, e kujt i është dhënë hikmeti, i është dhënë mirësi e shumtë, por nuk përkujtohet askush pos të mençurve. (El Bekare,269)
Ajo po ashtu konsiderohet fryt nga frytet e edukatës së lartë islame dhe rezultat prej rezultateve të saj. Sejid Kutubi vlerëson se urtësia është fryt i arsimimit duke u bazuar në Kuran. A është mbretëreshë e cila me anë të vendosen në vendin e tyre të saktë dhe peshohen me peshore të saktë. Po ashtu me të arrihen synimet e çështjeve dhe udhëzimeve. Në këtë kuadër përmbushen edhe këto fryte të pjekura për ata që edukohen nën hijen e fjalëve të tij.
Kjo çështje argumentohet me thënien e Omerit r.a., i cili me anë të një letre iu drejtua Ebu Musa el Eshariut duke i thënë: Urtësia nuk është kur njeriu arrin moshën e pleqërisë, por ajo është dhunti e Zotit që ia dhuron atij që do.

2. Ndeja me njerëz të mirë dhe përfitimi nga dija e tyre. Kjo ishte edhe një ndër këshillat e Llukmanit me të cilën iu drejtua birit tëtij duke i thënë: Biri im: Rri me njerëz të dijshëm dhe shoqërohu me ta, ndoshta zbret mbi ta mëshirë e të përfshin edhe ty. Shko në mësimet dhe tubime me dijetarët, se me të vërtetë Allahu i Madhëruar i ngjall zemrat me dritën e urtësisë sikurse e ngjall tokën me shi të furishëm.

3. Adhurimi i vërtetë i Allahut dhe lidhja shumë e fortë me të, si dhe largimi nga mëkatet, egoja. Këto të gjitha janë rrugë lehtësuese për të fituar urtësinë. Atij që kryen ibadetin me përpikëri në rini, atij Allahu në pleqëri i jep urtësi. Ibn Xhevziu thoshte: Çdo derë ka çelës e çelësi i urtësisë është lënia e egos dhe arritja në radhët e të urtëve, dijetarëve. Ashtu siç thuhet edhe në Kuran: E pasi ai (Musai) e arriti moshën madhore dhe u bë i pjekur, Ne i dhamë urtësi e dituri. Kështu ne i shpërblejmë bamirësit. (El Kasas,14).

4. Përvojat e begatë dhe përfitimi nga përvoja e jetës. Nga gurra e urtësisë janë: përfitimi nga jeta, përvojat, dhe marrja e preventivave në fe dhe jetën e përditshme. Përvoja e shumtë është ajo që e bën njeriun të jetë i urtë dhe i butë.Thotë Muhamedi a.s.duke konfirmuar rolin e përvojave në jetë. Ebu Hurejre përcjell nga Pejgamberi a.s.: Besimtari nuk kafshohet nga e njëjta vrimë dy herë.(1)

5. Ngrënia, pirja, veshmbathja nga e lejuara të gjitha këto janë faktorë që ngrenë njeriun drejt radhëve të urtësisë.

6. Mos të mbështetet vetëm mbi mendimin e vet, por të shikojë mundësitë e konsultimit me njerëz që kanë eksperiencë, praktikë nga radhët e njerëzve të mirë me qëllimin që e ardhmja të jetë më e ndritshme.

7. Tejkalimi në heshtje i gjërave të cilat s’kanë ndonjë peshë të theksuar. I urti njihet me heshtje dhe se është fjalëpak. Ai kur flet, flet të vërtetën dhe të mirën ose zgjedh heshtjen. Prandaj këshillat profetike janë xhevahirë për jetën e besimtarit. Transmeton Ebu Hurejre se i Dërguari a,s, ka thënë: Ai që beson në Zotin dhe Ditën e fundit të flasë të vërtetën, ose le të heshtë. Kush e beson Zotin dhe Ditën e fundit, le ta nderojë fqinjin. Kush e beson Zotin dhe Ditën e fundit, le ta nderojë mysafirin.(2)
Kështu, është me rëndësi të ceket se sipas mjekësisë koka e shërimit është dieta, kurse të urtët mendojnë se koka e urtësisë është heshtja. Omer ibn Abdulazizi thoshte: Nëse shihni një njeri i cili hesht gjatë dhe largohet nga njerëzit, atëherë afrojuni atij se ai të jep urtësi. Bukuria e gruas është turpi, ndërsa bukuri e të urtit është heshtja.(3)
Po ashtu ndër rrugët e fitimit të urtësisë dhe praktikimit të mesatares janë: dituria e dobishme, butësia, vetëpërmbajtja, karakteri i butë, mirësi, sinqeriteti, devotshmëria, durimi, këmbëngulja, sjellja e urtë, veprim me dituri dhe me qëndrueshmëri, lufta ndaj vetvetes dhe shejtanit, drejtësia, duaja, namazi istihare, konsultimi, të ketë qëllime të larta etj.
Thirrësi në islam, i cili është besnik dhe i devotshëm në rini, gjithmonë do të jetë kryelartë dhe krenar në jetë dhe assesi armiqtë e tij nuk mund të gjejnë shkas për ta sulmuar të kaluarën e tij të afërt apo të largët. Nëse thirrësi islam ka një histori të ndershme, imazh perceptues të mirë te masa dhe sjellje të matur, atëherë këto janë elemente përbërëse që ai do të jetë i fortë dhe i suksesshëm në thirrjen dhe misionin e daves.(4)
Dijetarët kanë cekur disa nga rregullat e sjelljes me urtësi të cilat përmbajnë disa nga margaritarët e urtësive të larta, të përmbledhura në ajetin kuranor:
E mos shoqëro me Allahun ndonjë zot tjetër e të bëhesh i qortuar, i papërkrahur. Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve……. Deri tek ajeti … “Këto janë nga urtësia që Zoti yt të shpalli ty...” (El Isra, 22-23-39).
Këto këshilla të urta dhe mesatare janë bazament i atyre që kanë mirësjellje të urtë, të cilët kanë filluar me besimin në Zotin Një, që mbi të ndërtohet struktura shoqërore, edukata e punës por edhe më të lidhen fort të gjitha nyjet. Gjithçka në jetë ndërtohet mbi besimin e pastër dhe se prodhimi i saj edhe sjellja duhet të jetë konform këtij rregulli, përndryshe s’do të quhej sjellje e urtë, porse sjellje injorante.(5)
Interesant mbetet fakti se Imam Shevkani mendon se urtësitë më të mëdha fitohen nga këto porosi të arta kuranore të sures El Isra.”Me këto porosi ngrihen deri në njëzet e pesë urtësi”.(6)
Mospraktikimi i këtyre urtësive të këtyre ajeteve dhe neglizhenca në to përbën shkak të humbjes së dy botëve.

Vlera e urtësisë dhe mesatares

Islami çmon lart vlerën e urtësisë, ai nxit në këtë objektiv në kuadër të formimit të personalitetit të imamit (thirrësit) në sferën e kumtimit të mesazhit të Allahut xh.sh.
Ndjekja dhe praktikimi i metodës së urtësisë në sferën e thirrjes mbetet një rëndësi e veçantë, pasi që mbi të edhe varet edhe pranimi apo refuzimi i mesazhit tonë te masa e gjerë.
Islami është fe e Allahut të Lartësuar, e fundit për njerëzimin, është fe universale dhe gjithëpërfshirëse, program universal, që rregullon të gjitha çështjet e jetës, në nivel të individit, bashkësisë dhe shtetit, është fe, shtet, ligj, adhurim, ekonomi, moral, shëndet, marrëdhënie familjare, shoqërore dhe shtetërore. Islami e shoqëron njeriun nga lindja deri në vdekje dhe pas vdekjes (ringjallje). Thirrësit doemos të përqendrohen me kujdes të veçantë në parimin e universalitetit të Islamit, të mburren me të dhe të refuzojnë përkufizimin e Islamit vetëm në rite adhuruese. Kjo kërkon të mos zhyten në gjëra sekondare dhe të pjesshme në llogari të gjërave elementare dhe të përgjithshme. Nëse nevoja kërkon të trajtohet një çështje sekondare ose e pjesshme, atëherë atë do ta trajtojmë sipas vendit të saj, kohës, rrethanave dhe sasisë së përshtatshme.”(7)
Nocionin “el hikme” (urtësia) në Kuran përmendet më tepër se në 19 vende si në: suret El Bekare,129, 151, 231, 251, 269, në suren Ali Imran: 48, 81, 164, në suren En-Nisaë; 54, 113. në suren el Maide: 110. En-nahl: 125, El Isra: 39. Lukman: 12, El Ahzabë: 34, Sad: 20, Ez-Zuhruf, 63, El Kamer 5, dhe El Xhumua: 2.
Dijetarët duke shpjeguar nocionin e urtësisë bazuar në Kuran dhe sunnet kanë ndarë mendime të ndryshme rreth saj duke u shprehur se urtësia është profetizmi. Disa tjerë thonë se për qëllim është kuptimi i Kuranit: abrogim dhe të abroguara, ajetet e qarta dhe të paqarta, hallalli dhe harami dhe diç e ngjashme. Disa dijetarë të tjerë mendojnë sikurse Ibn Ethirit se urtësia është shprehje e njohjes së gjërave më të vlefshme me anë të shkencave më të mira.(8)
- Gjetja e së vërtetës me anë të dijes dhe logjikës.(9) Ka mendime se është për qëllim frika ndaj Zotit. Disa të tjerë thonë se është për qëllim Synneti, kurse disa të tjerë e shpjegojnë si devotshmëri në fenë e Allahut. Disa interpretime tjera të fjalës “urtësi” e shpjegojnë si dituri dhe të vepruarit sipas saj dhe nuk quhet njeriu i urtë pa i pasur këto dy komponente. Ka mendime se fjala urtësi do të thotë vendosja e çdo gjeje në vendin e vet. Po ashtu kanë interpretuar se për qëllim është shpejtësia në përgjigje dhe saktësia.(10)
Edhe pse studiuesit kanë numëruar se janë gjithsej 29 definicione mbi kuptimin e urtësisë, por ajo që i përmbledh të gjitha është ky definicion:”Goditja në thënie, veprime si dhe vendosja e secilës gjë në vendin e saj”.(11)

Secilit duhet ta paraqet Islamin varësisht nga ngritja dhe formimi intelektual

Një element fundamental sa i përket përdorjes së metodës së urtësisë gjatë kumtimit të mesazhit islamë është edhe pasja parasysh edhe gjendja e të ftuarit, secilit i duhet paraqitur Islami varësisht nga përgjegjësia, ngritja dhe formimi intelektual. Argumentet që përdorim me një të rritur nuk përdoren me një moshë të vogël, burrit dhe gruas, një intelektuali me një më pak të ditur, një udhëheqësi dhe të udhëhequri etj., pra secilit i duhet folur sipas përgatitjes dhe shkallës së formimit të tyre. Një thirrës i suksesshëm mund të dëshmojë veten në sferën e kumtimit të fesë atëherë kur arrin që t’i flasë në nivelin e arsimimit të tij, në mënyrë që të mos vijë puna deri tek keqkuptimi apo edhe shtrembërimi i fakteve dhe mësimeve fetare të paraqitura para tij. Sigurisht se mosadaptimi i metodologjisë së urtësisë në kumtimin e Islamit krijon një rrethanë që njerëzit fillojnë të largohen edhe nga kjo ftesë. Një nga shkaqet e largimit të njerëzve është edhe paraqitja e keqe, në pamjen e jashtme, në veshje dhe në figurë, gjë që jep përshtypje te masa e njerëzve, veçanërisht atyre bashkëkohorë se ky person është i prapambetur dhe jeton jashtë rrethit të kohës, bile ndoshta e akuzojnë fenë se është shkaku për këtë, kur personi është prej besimtarëve. Muhamedi a.s., tregonte shumë kujdes që të ngrinte lart shijet dhe estetikën e shokëve të tij në figurën e paraqitjen e tyre, njësoj siç përpiqej edhe për ngritjen lart të anës së tyre të brendshme. Një ditë ai iu tha shokëve të tij: “Nuk do të hyjë në xhenet ai që ka në zemrën e tij qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie”. Një burrë i tha: “O Pejgamber i Zotit, mua më pëlqen shumë e bukura në çdo gjë, aq sa nuk dua që të ma kalojë askush qoftë edhe te këpucët. A bën pjesë kjo te mendjemadhësia?” Ai i tha: “Allahu është i bukur dhe i pëlqen e bukura. Mendjemadhësia është mohimi i së vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”. Shikoni sa bukur dhe domethënëse është kjo fjalë: “Allahu është i bukur dhe i pëlqen e bukura”.(12)
Urtësia mund të paraqitet si vijon Urtësia është shkaku apo mjeti nga më të rëndësishmit që përdoret në kumtimin e fjalës së Allahut xh.sh., ku edhe në Kuran Ai e urdhëron të Dërguarin a.s. që Da’ven ta filloi me urtësi. Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit. (En-Nahl, 125).
-Ai të cilit i është dhënë urtësi nga Zoti, ai në vetvete ka mirësi të shumta, ashtu siç e përshkruan edhe Kurani: Ai ia dhuron hikmetin atij që do, e kujt i është dhënë hikmeti, i është dhënë mirësi e shumtë, por nuk përkujtohet askush pos të mençurve. (El Bekare, 269).
Për shkak të peshës dhe vlerës së madhe që ka ajo, lindi zilia nga njerëzit për këtë cilësi, ashtu siç thotë edhe Muhamedi a.s.: Nuk ka zili përveç në dy raste: ndaj njeriut të cilit Allahu i ka dhënë dituri dhe urtësi e ai punon me të, gjykon e ua mëson të tjerëve atë, dhe një njeriu të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai nuk ka rrugë në të mirë përveçse e jep në rrugën e Allahut".(13)
Në saje të duasë së Muhamedit a.s. Ibn Abassi u bë komentatori më i mirë i Kuranit.
Ibën Abasi ka thënë: më ka përqafuar (shtrënguar) i Dërguari a.s.dhe ka thënë: "O Zot, mësoja urtësinë!
Po ashtu ka thënë: - më ka thirrur i Dërguari a.s., dhe ma ka përkëdhelur kokën dhe ka thënë: - O Zot, mësoja urtësinë dhe kuptimin e Librit (Kuranit).(14)
Për t’u konkretizuar urtësia në Dave patjetër që duhet të shoqërohet me: dituri, butësi dhe shpirtmadhësi. Dituria është shtylla qendrore e urtësisë dhe pa të as që mundet të funksionojë. Në lidhje me këtë Zoti e ka bërë obligim diturinë para fjalës dhe veprimit. Atëherë, dije se nuk ka Zot tjetër pos Allahut, kërko falje për mëkatin tënd, (Muhamed, 19).
Butësia (durimi), është një cilësi tjetër ku konkretizohet elementi i urtësisë te një thirrës, ngase butësia drejton njeriun kah vënia e vetes në kontroll në momentet që ai kalon në nervozizëm, dhe Shpirtmadhësia është imazh i imazheve të etikës së durimit që njeriun e shpien drejt sjelljes së urtë larg nxitimit. Në lidhje me këtë Muhamedi a.s., lavdëronte Eshxha Abdulkajsin duke i thënë:Ti ke dy cilësi të cilat i do Allahu dhe i Dërguari i Tij e ato janë: Durimi dhe shpirtmadhësia. (Muslimi).


_______________________
1.Buhariu, kapitulli mbi edukatën nr.6133 dhe Muslimi në kapitullin ezzuhd ve rekaik nr. 2998.
2.Buhariu dhe Muslimi.
3.https://ar.islamway.net (qasja,01.05.2020).
4. Mustafa Subai, Essisretu ennebevije durus ve iber, El mekteb el islami, bot. i 8, Bejrut, 1985, f.39.
5.Sejid Kutb, Fi dhilali-l-kuran,4/2209-2220.
6. Muhamed Ali Muhamed Abdullah Esh-shevkani el Jemeni, Fet’hu –l – kadir, Dar ibnu Kethir, bot. i parë, DamaskBejrut,1994,3/229.
7.Hisham Talib, Bësëlidhja e thirrjes islame, përktheu Sadush Tahiri, Logos-A, 2017, Shkup, f.35.
8. Ibn Ethir, En-nihajetu fi tergibi el hadithi ve-l etheri, 1/119, poashtu shiko Lisanu-l- arab, Li Ibn Mendhur, 12/140 dhe Muxhemu-l vesit,1/190.
9. Ragib El Asfahani, El mufredat fi garibi -el- Kurani, f.128.
10. Shiko: Tefsirin kuptimi i urtësisë në Kurani Kerimin dhe Synetin e Muhamedit a.s. në këto burime: Xhamië el bejan fi tefsiri –l- kuran nga Ebu Xhafer Muhamed bin Xherir Ettaberi, 1/436 dhe 3/60-61. Tefsir garaib el kuran të autorit Ennisaburi, botuar në margjinat e tefsir et taberi1/413, Tefsir el begavi,1/256 dhe 1/116. Xhami el ahkam el kuran të Kurtubiut, 2/131,3/60-61. Tefsir el kuran el adhim të Ibn Kethirit,1/184 dhe 1/323.
11. Seid bin Ali bin Vehf El Kahtani, El hikmetu fi eda’veti ilallahi teala, Riad, 1424, botim i 4, f.34.
12. Jusuf Kardavi, Essahve el islamije minel muraheka ila errushdi, f.179.
13.Buhariu, kitabu-l- ilm, nr.5026, Muslimi,kitabus salah, nr.816.
14. Buhariu dhe Muslimi, kitabul vuduë,babu-l- mai inde halai ve kitabu-l – ilmi babu kavlinnebiji, nr.75,3756 dhe 7270. Muslimi kitabu edaili sahabe, bab fedail Abdullah bin Abass r,a, nr.2477


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi