Rëndom lindjet e lavdishme në histori kanë filluar si dramë. Dramë ishte edhe vetë lindja e Muhamedit a.s.. ai lindi jetim, pa e parë dhe pa e shijuar fare aromën e këndshme të babait të tij, mu aty ku ekzistenca e babait ishte gati kusht i mbijetesës së secilit njeri.
Por, mu në këtë kohë, lindi Muhamedi, vula e gjithë pëjgamberisë. Lindja e tij, nëse jo në momentin e vështirë kur ai lindi, më vonë, doemos u kuptua se përbënte një kremtë të triumfit , të humanizmit e të dëlirësisë. Ishte një ditë feste për gjithë ata që për shekuj me radhë u përmalluan për harmoninë njerëzore, paqen e mirësinë, 12 rebiul evveli, ajo ditë prilli e vitit 571, nuk ishte thjeshtë një ditëlindje e një njeriu të rëndomtë, përtej kësaj, ajo shënonte edhe rilindjen e diellit të venitur të besimit të drejtësisë, virtytit e ndershmërisë.
Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, që në vitet e para të pjekurisë, atëherë kur drita hyjnore e shpalljes ende nuk kishte përndritur shpirtin e tij, shfaqi gatishmëri e urtësi për të mbjell paqe në vendlindjen e tij.
Një luftë shpërtheu midis fiseve arabe të Mekës, Benu Kinaneh dhe Kais el Ejlan. Kjo luftë e përgjakshme vazhdoi për më shumë se dhjetë vjet. Si pasojë e saj shkuan shumë viktima e u mbytën një numër i madh i njerëzve të pafajshëm. Ajo luftë përbënte edhe një kapitull të çmendurisë së arabëve beduinë të kohës së injorancës-para islame, të cilët ishin të kalitur për të krijuar e ndezur konflikte ndërmjet vete. Një "pakt i fisnikërisë - Half el fudul" dhe një lloj komiteti i paqes u organizua, dhe konflikti fatmirësisht mori fund. Aty u bë betimi për paqe dhe për dhënie fund të konfliktit ndërmjet fiseve të konfliktuuara. Ky pakt e gjeti Muhamedin a.s. si njëzet vjeçar (20 vjet para se ai të shpallej pejgamber). Mbase, si njeri ishte aq fisnik dhe i dëlirë, u ftua në këtë pakt - marrëveshje paqeje, si dhe u bë disi garanti më besnik i saj. Ai mori pjesë në një pakt të tillë, duke qenë në një moshë që rrallëkush mund të joshej për të marrë pjesë në një tubim të tillë. Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, kur e përshkruante këtë pakt, fliste me ngazëllim e thoshte: "Unë kam marrë pjesë në shtëpinë e Abdullah ibën Xhedanit në një pakt paqeje, e sikur të ftohesha për një të ngjashëm edhe në Islam (pas profetësisë sime) do të merrja pjesë përsëri në të."
Vrojtuesit objektivë të historiografisë së tij vërejnë se i Dërguari i Zotit, ishte ai që preokupohej gjithnjë për të përvijuar strategjitë, për të zgjidhur konfliktet e mosmarrëveshjet, dhe të tillat mbesin edhe sot efektive që mund të përdoren për të ruajtur paqen në mbarë botën.
E tillë ishte edhe ngjarja e ngritjes dhe rikthimit të Haxhu al Asvedit (Gurit të Zi) ku ai mori pjesë si një arbitër i mirë që me urtësinë e tij pengoi gjakderdhjen dhe përplasjen e mundshme. Ai vendosi që përfaqësuesit e të gjitha fiseve të bëheshin pjesëmarrës në rivendosjen e Gurit të Zi, në murin e Qabesë, pas rindërtimit të saj, që u bë i domosdoshëm për shkak të përmbytjeve që ndodhën asokohe.
Këto janë verem pak nga ato shumë virtyte dhe lavde që i Dërguari a.s. i kishte fituar edhe para shpalljes së tij si Pejgamber, për të vazhduar gjithsesi me të njëjtin mision të paqedashësit e unifikuesit mbarëshoqëror edhe pas zbritjes së shpalljes tek ai. Ai shprehej me krenari dhe thoshte qartazi: "Unë jam i dërguar me (fenë) e dëlirë e tolerante." Toleranca me kundërshtarët e fesë së tij, me gjithë varfërinë kuptimore të kësaj fjale për të cilësuar misionin e tij, si dhe zemërgjerësia e vetëmohimi në të gjithë hapat e jetës, rrëfejnë për kalitjen dhe parapërgatitjen e atij njeriu të bekuar për të qenë paqedashësi më me nam i të gjitha kohërave në histori.
Ai kishte marrë nga Zoti i tij detyrën e orientimit të potencialit njerëzor kah paqja e mirëqenia njerëzore, dhe rolin e inspirimit të njerëzimit kah vlerat fisnike humane gjer në kataklizëm. Allahu i tha së pari atij, e pastaj edhe ne, pasueseve që atë, e kunë shëmbëlltyrë në jetë "Nëse ata tregojnë prirje për paqe, trego edhe ti prirje për të dhe mbështetu tek Allahu! Se Ai, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë." (Fl Enfal, 61). Ai anoi vetë dhe e mbolli animin kah paqja te të gjithë pasuesit besnikë të rrugës së tij. Për më tepër, edhe na mësoi që ne mund dhe duhet të bëhemi pishtarë të paqes pa hequr dorë fare nga virtytet tona dhe pa i nëpërkëmbur aspak parimet e fesë së tij.
I bekuar lindi dhe i fisnikëruar doli nga kjo botë, që bijtë e saj padrejtësisht vonohen për ta kuptuar madhështinë e mesazhit të tij.
Editorial
Dituria Islame 395