Myslimanët kur e përshëndesin gurin e zi e përshëndesin si një krijesë dhe rob të Zotit dhe jo si gur me tipare hyjnore. Myslimanet e respektojnë Isain dhe e duan si rob të Allahut, por assesi si zot. Myslimanët e pranojnë viçin, lopën, diellin, hënën, apo çfarëdo krijese tjetër, si krijesë dhe rob të Allahut dhe sillen njerëzisht me ta, por mohojnë çfarëdo tendence që ato të jenë të adhuruara.

I Dërguari i Zotit me dorën e tij i shkatërroi të gjithë idhujt: Hubelin, Latin, Uzanë Menatin, si dhe putet, statujat dhe pikturat që gjendeshin në brendinë e Qabesë. Ajo u pastrua një herë e përgjithmonë nga idhujt duke iu kthyer destinacionit të saj të vërtetë fillestar për të cilin edhe ishte ndërtuar.
Pavarësisht faktit se feja Islame është fe e pastër dhe e përkryer monoteiste si asnjë fe tjetër mbi rruzullin tokësor, disa orientalistë dhe të krishterë janë munduar që gurin e zi ta përshkruajnë thjesht si një “ritual pagan të përfshirë në Islam”.
Guri i zi nuk ka kurrfarë pozicioni të veçantë në Islam, sepse në Islam nuk ka shenjtërim të qenieve njerëzore, engjëjve, xhinëve, kafshëve apo trupave të ngurtë. Ai shërben për të përcaktuar fillimin dhe mbarimin e rrotullimit (tavafit) të haxhilerëve përreth Qabesë(1) në mënyrë që disa prej tyre të mos sillen nga e djathta dhe disa të tjerë nga e majta, gjë që do të shkaktonte rrëmujë.
Guri i zi i është dhënë Ademit a.s. pas largimit të tij nga xheneti. Por gjatë shkatërrimeve të ndryshme ai është ruajtur nga ana e Xhibrilit a.s. Kur Ibrahimi a.s e rindërtoi Qabenë, ai e vendosi gurin i zi në këndin jugor të Qabesë, që është në formë kubike, nëpërmjet inspirimit nga ana e Zotit, kurse sipas një transmetimi(2) thuhet
se atë e ka vendosur Xhibrili a.s., i cili në fillim e kishte depozituar në kodrën Ebu Kajs, deri sa Ibrahimi e ngriti Qabenë në nivelin ku ishte dashur të vendosej guri i zi.

Myslimanët nuk e adhurojnë gurin e zi

Myslimanët në aspekt të adhurimit kundërshtojnë çdo gjë, qoftë gur, dru apo çfarëdo krijese, sepse ata njësojnë dhe adhurojnë vetëm Allahun xh.sh.. Haxhilerët shkojnë në Mekë për ta adhuruar dhe lavdëruar Zotin e jo për ta shenjtëruar apo madhëruar gurin e zi. Mu për këtë të gjitha veprimet që bëjnë besimtarët gjatë haxhit, sikurse është adhurimi, përkushtimi dhe dashuria, i dedikohen vetëm Allahut xh.sh., Krijuesit të gjithësisë.
Myslimanët nuk luten dhe as nuk bien në sexhde drejt tij, sepse sexhde bëhet përball çdo pjese të Qabesë. Sikur ata të adhuronin gurin e zi do të drejtoheshin në drejtim të tij kur keramitët e morën gurin e zi me vete dhe e mbajtën për 21 vjet në Bahrejn (nga viti 318/930 deri më 339), deri sa halifi abasit El Muti’iu Lil Lilah e ktheu atë në Mekë. Mirëpo, asnjë prej myslimanëve gjatë kësaj periudhe nuk u drejtua nga guri i zi, por ata edhe më tej vazhduan të drejtoheshin në drejtim të Qabesë. Madje nëse vetë ndërtesa e Qabesë do të largohej tërësisht së bashku me gurin e zi për shkak të meremetimit, myslimanët do të vazhdojnë të drejtohen drejt atij vendi.(3)
Kjo sepse myslimanët nuk drejtohen në drejtim të Qabesë për shkak të vetë godinës së saj, apo për shkak të gurit të zi, por sepse ai vend është pika qendrore në universin shpirtëror të myslimanëve.
Ndonëse guri i zi nuk është prej gurëve të tokës, ai megjithatë mbetet gur dhe nuk është i shenjtë dhe as nuk madhërohet e shenjtërohet nga myslimanët, sepse një veprim i tillë do të ishte shirk/politeizëm dhe shkarje e devijim nga besimi i pastër islam. Ne ecim mbi gurë me këmbët tona. Njëkohësisht me gurë ndërtojmë shtëpitë dhe xhamitë tona. Madje prej guri është ndërtuar edhe vetë xhamia e Qabesë.
Allahu do ta rikrijojë gurin e zinë Ditën e Kiametit dhe ai do të dëshmojë për ata që kanë qenë prezentë në Qabe, madje do të dëshmojnë edhe godina, sheshi dhe muret e Qabesë. Edhe krijesat e tjera në këtë botë do të dëshmojnë në ahiret para Allahut për apo kundër nesh. Krijuesi ynë, në Kuranin fisnik, na tregon se kjo botë do të dëshmojë (rrëfejë) për veprat tona në jetën tjetër: “Atë Ditë, ajo do të tregojë lajmet e saj, sepse Zoti yt e ka frymëzuar.” (El Zelzele: 4-5).
Pejgamberi a.s. thotë: “Çdo gur, guralec dhe kafshë që dëgjon ezanin (nga muezini) do të dëshmojë për të para Allahut”.
Vendi i sexhdes do të dëshmojë për të bërit tonë sexhde ndaj Allahut. Pejgamberi a.s. ka thënë se toka qan kur vdes robi i mirë që ka adhuruar Allahun, sepse ajo nuk do të dëgjojë më lavdërimin e tij ndaj Allahut gjatë rënies në sexhde. Një shkëmb, sa herë që kalonte i dërguari i Zotit, e përshëndeste atë.
Besimtari gjatë faljes bie me ballë për toke, por ai me këtë nuk e madhëron dheun por Krijuesin e tokës. Haxhiu rrotullohet rreth Qabesë, por me këtë nuk e lavdëron dhe as nuk e adhuron godinën e Qabesë, por Zotin e saj. Çdo krijesë dhe çdo gjë që nga mikro e deri ta makrokozmosi, sipas Kuranit fisnik, e lavdëron dhe e madhëron Zotin: “Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbih), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i Butë dhe Shumëfalës.” (El Isra, 44).
Guralecët e kanë madhëruar Allahun në dorën e Pejgamberit a.s. Kur Pejgamberi a.s. kishte marrë një grusht guralecësh dhe i kishte afruar afër veshit, kishte dëgjuar se si ata e lavdëronin Allahun e madhërishëm.
Përkundrazi, deri sa guri është krijesë e Zotit, i bindur dhe nën sundimin e Tij, ne e duam atë, por nuk e shenjtërojmë dhe as nuk e adhurojmë. Prandaj myslimanët kur e përshëndesin gurin e zi e përshëndesin si një krijesë dhe rob të Zotit dhe jo si gur me tipare hyjnore. Myslimanet e respektojnë Isain dhe e duan si rob të Allahut, por assesi si zot. Myslimanët e pranojnë viçin, lopën, diellin, hënën, apo çfarëdo krijese tjetër, si krijesë dhe rob të Allahut dhe sillen njerëzisht me ta, por mohojnë çfarëdo tendence që ato të jenë të adhuruara. Muhamedi a.s. e ka parë kodrën e Uhudit plot shkëmbinj dhe ka thënë: “Uhudi është një kodër që na do dhe e duam.”
Pra, Islami e ka ndaluar hyjnizimin e gurit apo çfarëdo krijese tjetër, por nuk na ka ndaluar që ne të ushqejmë dashuri ndaj krijesave të Zotit.(4) Kjo sepse mes trupave të ngurtë dhe krijesave të tjera dhe myslimanëve nuk ka armiqësi, por lidhje dhe raporte miqësore, por kurrsesi hyjnizim apo shenjtëri.
Është e njohur botërisht se në Islam nuk adhurohet askush dhe asgjë përveç Zotit të Vërtetë, Allahut. Prandaj Karen Armstrong thotë: ‘Interpretimi mysliman mbi besimin monoteist ka arritjet e tij të veçanta dhe ka gjëra me shumë rëndësi prej të cilave ne duhet të mësojmë.’(5) Myslimanët që e puthin, e prekin apo e përshëndesin gurin e zi nuk e bëjnë këtë sepse besojnë në gurin e zi, apo sepse i shtojnë atij atribute besëtytnie.

Simbolika e gurit të zi

Gjatë haxhit me disa gurë që i hedhim e gjuajmë djallin, kurse gurin e zi e përshëndesim. Një gur e hedh një gur e përshëndet. Kjo do të thotë se unë i nënshtrohem Allahut. Nuk jam as kundër gurit por nuk jam as me gurin. Është e ndaluar të kem statuja apo idhuj në shtëpi. Por nuk është e ndaluar ndërtimi i shtëpisë prej guri. Dispozitat e haxhit janë të tilla ku asgjë nuk shenjtërohet por çdo gjë edhe gurin e trajtojmë si krijesë dhe rob i Zotit.(6)
I Dërguari i Allahut ka thënë: “Guri i zi ka zbritur nga xheneti dhe ishte shumë më i bardhë se qumështi, por gabimet e bijve të Ademit e kanë nxirë.“(transmeton Et Tirmidhi). Këto fjalë na tregojnë se nëse mëkatet kanë ndikim dhe e kanë nxirë një gur të ngurtë (kokën e tij), atëherë është e kuptueshme se ndikimi i tyre në zemër është më me pasoja.
Gjithashtu, Muhammedi a.s thotë: “Guri i zi është prej gurëve të xhenetit” (Et Tirmidhi). Pra, guri i zi është një rubin i bardhë prej rubinëve, gurëve të çmuar të xhenetit. Ibn Abasi ka thënë: “Guri i zi ka zbritur nga xheneti dhe ishte shumë i bardhë, sa që ndriçonte dhe shkëlqente prej bardhësisë dhe Ademi është përmalluar prej tij (për qëndrimin e tij në xhenet A. S.)”(7)
Guri i zi na përkujton qëndrimin e Ademit a.s. në xhenet dhe është një lloj përkujtimi dhe ngushëllimi për atë qëndrim në xhenet. Ai mban të gjalla shpresat tona se një ditë do të kthehemi në të, njashtu sikurse ndodh me një të dëbuar nga vendlindja e tij. Tregohet se një shkrimtar i njohur hungarez kishte marrë dhê nga vendi i tij. Ai kishte gjetur kënaqësi të madhe në atë grusht dheu dhe ai i kishte shërbyer si burim inspirimi dhe shprese se një ditë do të kthehej nëatdheun e tij të lirë.(8)
Në një film dokumentar përgatitur nga kompania CBS që është shfaqur më 15 qershor 1974 tregohet një biznesmen i pasur palestinez në Bejrut. Kur ia përkujtojnë pasurinë e madhe që kishte në emigrim ai qesh duke treguar një shishe të vogël gjysmë të mbushur më dhe. Dheun e kishte marrë kur kishte ikur nga Jerusalemi. Ajo gjë për të ishte më e vlershme se çdo gjë që posedonte dhe kishte thënë se është në gjendje të japë gjithçka që të kthehet në atdheun e tij. Ndodh që ushtarët kur e çlirojnë vendin e tyre nga pushtuesi të emocionuar nga fitorja i mbushin grushtet me rërë dhe i fusin në gojë, apo e puthin tokën.
Meqenëse Qabeja në Mekë është qendra e fesë islame dhe atdheu shpirtërori i çdo myslimani, kur haxhiu arrin në Mekë dhe rrotullohet rreth Qabesë, e puth, e prek apo e përshëndet gurin e zi, kjo nuk ngërthen kurrfarë tendence idhujtarie apo besëtytnie. Veprimi i tij i ngjan atij të patriotit i cili kthehet në shtëpi pas një emigrimi të gjatë, apo një ushtari që vjen nga ndonjë betejë vendimtare. Patrioti mund ta puthë tokën në hyrje të vendit të tij, por kjo s’do të thotë se ai e adhuron tokën apo se i shton asaj atribute hyjnore. Edhe ushtari që kthehet nga lufta dhe i përqafon me emocione miqtë dhe dashamirësit e tij, ai nuk ishenjtëron ata.(9)
Nga kjo perspektivë duhet parëedhe puthja e gurit të zi. Prandaj këtë nënkupton edhe Kristian H. Hoffmann, i cili e përshkruan udhëtimin e tij për në Mekë me titull “Në pikën qetësuese të botës rrotulluese”, ku tregon për freskinë dhe qetësinë që kishte ndier në atë vend të bekuar, ku e kishte kapluar heshtja që fluturonte përmbi qindra e mijëra njerëz që bënin rrotullimin (tavafin) në Qabe.Më pas thotë “më erdhi rasti që ta puth gurin e zi, që gjendet në skaj të Qabesë. Përsëri pata një ndjenjë ngadhënjyese, ndjenjë e radhitjes sime në rreshta me besimtarët e panumërt në të kaluarën dhe në të ardhmen, deri në fund të të gjitha ditëve.”(10)


_________________
1. Osman Nuri Topbash, Islami, Besimi dhe Adhurimi, Stamboll, 2002, f. 391.
2. Esh Shejh Mahmud Amir Umer, Husnul Maksad fi fadaili ve ahkamil haxheril esved, 1417/1997, shih: http://web.macam.ac.il/tawfieq/ROKON-a.htm.
3. Dr. Muhammed Hamidullah, Hyrje në Islam, Tiranë, 1993, f.86.
4. Shih ligjeratën "Limadha nukabilu haxherel esved", në You Tube http://www.youtube. com/watch?v=KOo0MccgapU&feature=related.
5. Karen Armstrong, Muhamedi - një biografi e profetit, Tiranë, 2006, f. 21.
6. Hamudeh Abdul Ati, Islami në fokus,Shkup,14131992, f.120.
7. Esh Shejh Mahmud Amir Umer, Husnul Maksad fi fadaili ve ahkamil haxheril esved, 1417/1997, shih:http://web. macam.ac.il/tawfieq/ROKON-a.htm.
8. Hamudeh Abdul Ati, Islami në Fokus, Shkup,14131992, f.118.
9. Ibid, f.119.
10. Chrisitan H. Hoffmann, I shtrirë nga të gjitha anët, - Një gjerman bëhet musliman, “ASR” Tetovë, 2003, f. 55).


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi