Në përmbledhjen e Ibën Hibanit, respektivisht në kategorinë e parë të degëve ose tipareve të besimit të cilën ai e emërton si vepra të zemrës, hasim në gjashtë shtyllat e besimit, radhitja e të cilave në krye të kësaj liste flet edhe për rëndësinë që kanë.
Çfarë përfshijnë këto gjashtë shtylla të besimit dhe cila është rëndësia e tyre nga aspekti i kredos islame? Çfarë mund të përfitojë një besimtar nga shtyllat e besimit në forcimin e lidhjeve me Allahun? A mund ta ndërtojë besimtari personalitetin e tij duke iu referuar këtyre shtyllave dhe mësimeve të tyre?
Shtyllat e besimit janë përmendur në Kuran dhe Sunnet. Allahu xh.sh., thotë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij...” (El Bekare, 285); “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët...” (El Bekare, 177).
Pejgamberi a.s., siç qëndron në hadithin e Xhibrilit, kur është pyetur për Imanin, ka thënë: “Ta besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në çdo gjë që na ndodhë, e mirë apo e keqe, është e caktuar nga Allahu...(1)”Këto gjëra
janë quajtur Iman (besim), ndërsa ai që beson në to është quajtur besimtar, sikur që mohimi i tyre është quajtur kufër dhe mohuesi i tyre kafir (jobesimtar). Në këto baza kanë ftuar të gjithë pejgamberët dhe askush pos ithtarëve të tyre nuk i ka besuar plotësisht dhe siç duhet.(2)
Ndonëse këtu në këto tekste po i shohim shtyllat e besimit të përfshira të gjitha në një vend, në tekste tjera kanë ardhur në formë të përmbledhur, pra është përmendur vetëm besimi në Allahun ose besimi në Allahun dhe në Ditën e Fundit.(3) Pavarësisht kësaj, dijetarët janë deklaruar unanimisht se, nëse besimi nuk përfshin këto gjashtë shtylla, atëherë ai është i refuzuar. Pra, ta besosh një shtyllë të besimit e ta mohosh tjetrën nuk konsiderohet se ke besuar.
Po kështu nuk pranohet besimi as nëse brendapërbrenda shtyllës nuk është besuar ashtu siç kërkohet nga feja. Ta besosh Zotin por jo sipas përshkrimeve fetare, refuzohet. Në Kuran, në disa vende, Allahu xh.sh., e urdhëron Pejgamberin Muhammed a.s., tua kumtojë këtë formë besimi. Sa për ilustrim, po përmendim kaptinën El Ihlas, ku qëndron: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! 2. Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. 3. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.4. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”.” (El Ihlas, 1-4)
Imami Ebu Hanife ka thënë: ‘Allahu nuk ngjason me askënd nga krijesat e Tij dhe askush nga krijesat nuk ngjason me Të.(4)’
Pra, duhet besuar sipas përshkrimeve në Kuran dhe Sunnet, ndryshe, besimi refuzohet. Të besosh engjëjt, por jo sipas përshkrimeve fetare, refuzohet.(5) Ta besosh një libër e jo tjetrin, ose një pejgamber e jo tjetrin, refuzohet.(6) Të besosh se dikush tjetër pos Allahut ka ndikim në përcaktim (kader) është e papranueshme. Të parët kanë thënë: Kush e beson Allahun por jo edhe kaderin, nuk ka besuar.(7) Ta besosh vdekjen por jo ringjalljen dhe as Xhenetin dhe Xhehenemin është e papranueshme.
Pra, ajo që kërkohet prej nesh është që t’i besojmë të gjitha shtyllat e fesë dhe t’i besojmë përmbajtësisht sipas asaj që na mëson feja.
Efektet edukative të gjashtë shtyllave të besimit
Koncepti për besimin në Islam është i veçantë për shkak të reflektimit të tij pozitiv në jetën dhe veprimtarinë e besimtarëve. Për shpirtin është sikur uji për tokën, për sjelljet dhe moralin është sikur kurora mbi kokë. Besimi është fuqi e cila e bën besimtarin të vazhdojë rrugëtimin e jetës pavarësisht se sa shumë stuhi mund ta godasin, sa shumë rreziqe mund t’i paraqiten, sa shumë pengesa mund t’i shfaqen...
Shpjegimet në vazhdim do ta vërtetojnë këtë rol dhe rëndësi të besimit në jetën e besimtarit.
Besimi në Allahun e madhëruar dhe efektet e tij edukative
Besimi ka rëndësi të pazëvendësueshme në jetën e besimtarit. Kjo për faktin se ai, para së gjithash, deshifron sekretin e ekzistimit të njeriut në këtë botë. Allahu xh.sh., thotë: “Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Edh Dharijat, 56)
Pra, ardhja jonë këtë botë lidhet me besimin në Allahun. Ne ekzistojmë sepse Allahu na ka krijuar dhe ne ekzistojmë për ta adhuruar Atë. Çdo devijim nga kjo rrugë na zbret në nivele të atyre që nuk jetojnë për qëllime të larta e fisnike por për qëllime të ulëta e të liga.(8)
Besimi në Allah nënkupton besimin në cilësitë e përsosura të Allahut xh.sh. Kjo ka rëndësinë e vet edukative sepse tek besimtari i sinqertë ngjallë ndjesinë e vetëvëzhgimit.(9) Ai që e di se Allahu e di dhe sheh çdo gjë që thotë e vepron, sigurisht se do të largohet nga mëkatet. Allahu xh.sh., thotë: “...Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij....” (El Bekare, 235).(10)
Në hadithin e Xhibrilit a.s., gjegjësisht në pyetjen e tij drejtuar Pejgamberit Muhamed a.s., për ihsanin ose shkallën më të lartë të besimit dhe fetarisë, Pejgamberi a.s., i dha këtë përgjigje: “Ta adhurosh Allahun sikur je duke e parë sepse, nëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty!”(11_
Dimension tjetër i personalitetit të gdhendur nga besimi është të qëndruarit stoik dhe i pathyeshëm në Rrugën e Allahut. Pra, ai që beson fuqishëm, ndërton një personalitet të fuqishëm. Të formohesh duke besuar në Allahun, d.t.th. të formohesh krenar, guximtar, me dinjitet. Do të doja ndërsa flasim për këtë dimension edukativ të besimit të sjellim ndërmend këtë dialog të Ibrahimit a.s., njeriut me vlerë të një ymeti të tërë, me idhujtarët, të cilët e polemizuan rreth Zotit: “Po si t’iu frikësohem atyre që ia bëni ju shokë, kur ju nuk frikësoheni që i bëni shok Allahut...” (El En’amë, 81)(12)
Këtë guxim për një përballje me idhujtarë injorant por armiqësor e agresivë e prodhon vetëm besimi në Allahun. Si mund të mos jetë ky besim kur ai lidhet për Krijuesin, Atij që ka krijuar çdo gjë dhe në dorën e të Cilit është çdo gjë. Sejid Kutbi, duke e interpretuar ajetin në fjalë, ka thënë: Kjo është logjika e besimtarit që ka besë në Allahun, besimtarit që ka kuptuar të vërtetat e kësaj ekzistence. Nëse dikush duhet të frikësohet, nuk është Ibrahimi a.s., dhe as besimtari që i dorëzohet Allahut dhe vazhdon rrugën, sepse nuk ka kuptim të kesh frikë zota të dobët dhe të paaftë...Kush do të duhej ta ndiente veten të sigurt, ai që beson në Allahun dhe i mohon idhujt apo ai që beson në idhuj dhe e mohon Allahun? Po të kishin dije dhe të kuptonin sado pak, kush do të duhej të ndihej i sigurt në këtë situatë?(13)
Përgjigja e Sejid Kutbit vazhdon, për të na shpalosur një dimension tjetër të rëndësisë së besimit në Allahun, atë të udhëzimit. Pasi që përmend se kush duhet ta ndiejë veten të sigurt, Sejjid Kutbi shpjegon se përgjigja vjen në ajetin vijues: “Do të jenë të sigurtë ata të cilët besojnë dhe besimin e tyre nuk e veshin me mizori; edhe ata janë të përudhur.” (El En’amë, 82), për kuptimin e të cilit thotë: ‘Ata që kanë besuar dhe që kanë qenë të dëlirë e pastër në raport me Të, duke mos i përshkruar ortakëri në asgjë, për ta është siguria dhe ata janë të udhëzuarit.’(14)
Pra, të besosh në Allahun, d.t.th., të jesh i udhëzuar në rrugën e drejtë.
Besimi në Allahun ka edhe dimensionin shoqëror. Pra, ai arrin besimtarin ta shndërrojë në një qytetar produktiv. Pejgamberi a.s., ka thënë: “Nuk ka besuar plotësisht ai që vëllait nuk ia do atë që e do për vete.(15)”
Sigurisht, ka dhe shumë mësime tjera edukative që mund të përfitohen nga besimi në Allahun xh.sh., madje një vepër e veçantë nuk do të mund t’i përmblidhte, por këto që përmendëm ishin vetëm sa për orientim dhe ilustrim.
Besimi në engjëjt dhe efektet e tij edukative
Besimi në engjëj ka rëndësi të madhe edukative. Në përshkrimet që iu janë bërë engjëjve në Kuran dhe Sunnet, zbulohen elemente të cilat lidhjen dhe raportet me engjëjt i ngritin deri në nivele shëmbëlltyre. Pejgamberi a.s., i mësonte besimtarët që të ndiqnin praktikat e engjëjve. P.sh., për të rreshtuar safat gjatë faljes, iu thoshte: “A nuk do të rreshtoheni siç rreshtohen engjëjt tek Zoti i tyre?!”(16)
Nga këtu engjëjt janë shembull për ne, veçmas në fushën e adhurimit. Në Kuran, në disa vende, Allahu xh.sh., e përmend adhurimin e përkryer të tyre. Thotë Allahu xh.sh: “Po nëse ata (kufarët) janë kryeneç (e nuk bëjnë sexhde), atëherë ata që janë pranë Zotit tënd (engjëjt më të lartë), Atij i bëjnë tesbih natën e ditën dhe ata nuk mërziten prej adhurimit.” (Fussilet: 38)(17)
Ka dhe një dimension tjetër edukativ të adhurimit të engjëjve, modestinë në dije dhe adhurim. Ndonjëherë, duke mësuar për fe dhe duke e adhuruar Allahun xh.sh., mund të na krijojmë përshtypjen gabimisht se kemi mësuar mjaft e kemi bërë adhurim shumë. Pra, të mashtrohemi e të humbasim. Nëse marrim model engjëjt, atëherë nuk rrezikojmë prekjen nga kjo e metë e shpirtit. Shih si i përgjigjen Allahut xh.sh., për dijen e tyre: “(Engjëjt) Thanë: “Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na mësove Ti. Vërtetë, Ti je i gjithëdijshmi, i urti!”.” (El Bekare, 32)
Po kështu në Ditën e Llogarisë, ndërsa vendoset mizani (peshorja e veprave), engjëjt do të thonë: Kujt do t’ia peshojnë veprat? Kujt të dua nga krijesat e Mia- përgjigjet Allahu. Atëherë engjëjt thonë: I pastër nga të metat je o Allah, nuk të kemi adhuruar siç e ke merituar!(18)
Besimi në librat hyjnorë dhe në pejgamberë dhe efektet e tij edukative
Librat e shpallur nga qielli dhe dërgimi i Pejgamberëve kanë qëllim primar udhëzimin e njeriut në rrugën e drejtë. Ja si e përshkruan Allahu shpalljen e Librave dhe dërgimin e Pejgamberëve: “Juve ju erdhi erdhi nga Allahu dritë, dhe libër i qartë. Allahu e vë me atë (me Kuranin) në rrugët e shpëtimit atë që ndjek kënaqësinë e tij dhe me ndihmën e Tij i nxjerr ata prej errësirave në dritë dhe i udhëzon në një rrugë që është e drejtë.” (El Maide, 15-16)
Për shkak të rëndësisë që kanë, Allahu xh.sh., shpalljet hyjnore i ka quajtur shpirt.(19) Nëse ne i përmbahemi atyre kemi gjetur sekretin e jetës së vërtetë, jetës së lumtur, jetës në rrugën e drejt. Për këtë shkak, Muhamedi a.s. Kuranin, si shpalljen përmbyllëse, e ka përshkruar si udhërrëfyes që i garanton shpëtimin besimtarit: “Ua kam lënë dy gjëra të cilave nëse i përmbaheni nuk do të devijoni: Librin e Allahut dhe Sunetin tim... (20)”
Dërgimin e Pejgamberëve, Allahu xh.sh., e ka përshkruar si mision për ta njohur Atë. Roli dhe detyra e Pejgamberëve është që njerëzve t’ua përcjellin atë që kanë nevojë më së shumti për të, besimin në Allah.(21)
Nevoja jonë për pejgamberët dhe mësimet e tyre ka rëndësi të pastrimit dhe rregullimit të zemrave tona, të ndriçimit të shpirtrave tanë, të udhëzimit të mendjeve tona. Ne kemi nevojë për pejgamberët që ta dimë kahen që duhet ndjekur në jetën tonë, që t’i dimë raportet që duhet krijuar me jetën dhe Krijuesin e jetës. Ne kemi nevojë për pejgamberë që të mos lajthisim.(22)
Besimi në kader dhe efektet e tij edukative
Besimi në kader nuk shpërfaq dobësinë e besimtari, përkundrazi dr. Salabi, në një artikull përkitazi me efektet e besimit në kader, numëron këto efekte, përmbledhja (e parafrazuar) e të cilave është si më poshtë(23):
Qasja punëve të mëdha. Besimi në kader është forcë shtytëse, motiv, element që nxit besimtarin për të punuar. Ku mund të gjejmë shembull më të mirë për këtë se shembullin e gjeneratave të para të cilat realizuan suksese gjigande për një afat të shkurtër kohor...
Eliminimi i përtacisë dhe pasivitetit. Disa kanë kuptuar gabimisht se, përderisa nuk ndodhë asgjë pos asaj që Allahu e ka shkruar, atëherë puna dhe angazhimi ynë nuk kanë rëndësi. Ky pasivitet dhe negativitet nuk ka të bëj me Islamin asgjë. Argument kemi angazhimin e Pejgamberëve, të cilët sigurisht se e kanë njohur fenë më mirë se sa ne. Andaj, derisa ata janë angazhuar, atëherë besimi në kader nuk nënkupton assesi dembelinë dhe përtacinë por punën dhe angazhimin e pandalshëm.
Vendosmërinë dhe guximin për tu përballur me të keqen. Besimi në kader e forcon besimtarin për tu ballafaquar me të kotën dhe për t’i dalë përpara të keqes dhe padrejtësisë. Kjo për shkak se frika që zakonisht i bën njerëzit të tërhiqen nga ballafaqimi me të kotën ka të bëjë me furnizimin dhe jetën. Pra, njerëzit kanë frikë se mund të varfërohen ata ose familjet e tyre apo edhe të mbyten andaj preferojnë të heshtin e shpeshherë edhe të pajtojnë formalisht me të keqen. Besimi se furnizimi dhe jeta janë të përcaktuara prej Allahut bëjnë që kjo frikë të mos ekzistojë tek besimtarët e sinqertë.
Durimi në rast fatkeqësish. Besimi në kader ndikon që besimtari të ballafaqohet me sprovat fuqishëm dhe pa u thyer. Besimi në raste të tilla është ilaçi më me efekt dhe ngushëllimi më i sinqertë.
Pajtimi me atë që posedon. Besimi në kader e bën besimtarin të pajtojë me atë që i është dhënë dhe rrjedhimisht të mos i ketë zili të tjerët që Allahu u ka dhënë më shumë.
Krenaria në parashtrimin e kërkesave dhe nevojave. Besimtari nuk është lypës dhe nuk ia ekspozon veten njerëzve që për pak gjë do të poshtëronin. Ai është mësuar nga Pejgamberi a.s., që kur të lyp, të lyp nga Allahu xh.sh.
Rahatia shpirtërore të cilën e arrin si rezultat i besimit se çdo gjë është e caktuar nga Allahu. Për të mirën, falënderon, për të keqen, duron. Kështu, qetësia shpirtërore që përjeton besimtari, është e pakrahasueshme.
Besimi në ditën e fundit dhe efektet e tij edukative
Besimi në Ditën e Fundit përfshin besimin nga vdekja dhe çdo gjë që vjen më pas. Tekstet Kuranore dhe profetike na shpalosin mësime të shumta edukative. Me këtë rast do të donim të përmendim diç përkitazi me vdekjen për ta parë se si ndikon ajo tek besimtari. Vdekja është e frikshme në shikim të parë por nëse trajtohet siç duhet ajo mund të shërbejë si motivuese, si një element vetëzhvillues i madh. Në një studim jo të zakonshëm të universitetit të Arizonës të publikuar në vitin 2016 në Journal of Sport and Exercise Psychology janë gjetur e provuar lidhje të vërteta ndërmjet rritjes së performacës së njeriut në fusha të ndryshme dhe meditimit rreth vdekjes. Kur të meditosh rreth vdekjes dhe rreth asaj se puna që je duke bërë mbase mund të jetë e fundit në jetën tënde, atëherë vepra që je duke e bërë do të jetë më e suksesshme dhe më e përsosur. Kjo i shtyri ekspertët dhe shkencëtarët që meditimin rreth vdekjes ta aplikojnë si formë motivimi tek sportistët, atletët, biznesmenët dhe studentët. Pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi a.s. në një prej thënieve të tij na udhëzon ta përdorim pikërisht meditimin rreth vdekjes si formë të përsosjes së namazit. Ja çfarë na mëson: “Kur të çohesh për tu falë, përkushtohu sikur po falesh për herë të fundit (në jetën tënde)!”(24)
Pra, vdekja na inspiron për t’i bërë gjërat më së miri, në formën më të përsosur, meqë mund të mos kemi mundësi për t’iu kthyer prapë.
___________________________
1. Hadithin e shënojnë Buhariu në Sahih, nr. 50; 4777, dhe Muslimi në Sahih, nr. 8; 9; 10. Teksti sipër është i Muslimit. 2. Shih: Ibn Ebi el-Izz, Sherhu el-akideti et-tahavijeh, vep. cit., 2/454-455. 3. Shih sa për ilustrim ajetet 62, 126, 228, 232, 264, nga kaptina El Bekare. 4. Cituar sipas: Ibn Ebi el-Izz, Sherhu el-akideti et-tahavijeh, vep. cit., 1/178. 5. Shih kaptinën Saffat, ajetet 151-157, si i gjykon Allahu xh.sh., shpifjet se kinse engjëjt qenkan vajzat e Tij. I pastër është Allahu nga përshkrimet e shpifura! 6. Shih kaptinën El Hixhr, ajetin 80: “Edhe banorët e Hixhrës (fisi Themud), i quajtën të dërguarit për gënjeshtarë.” Megjithëqë ata e kishin një pejgamber u konsideruan si mohues të të gjithë Pejgamberëve sepse, siç thotë Ibn Kethiri, ’kush e mohon një pejgamber, i ka mohuar të gjithë.’ Shih: Ibn Kethir, Tefsir el-Kurani el-Adhim, vep. cit., 2/1554. Shih po kështu: Umer Sulejman el-Eshkar, Err-rrusul ve err- rrisalat, (Jordani: Dar en-nefais li en-neshri ve et-teuzië, ed. 9, 2000), f. 16; 24-25. 7. Shih: Ibn Ebi el-Izz, Sherhu el-akideti et-tahavijeh, vep. cit., 1/384. 8. Shih: Kurani: Muhammed: 12. 9. Vetëmbikëqyrja ose vetëvëzhgimi (ar. el-murakabe) është koncept fetar përkitazi me një gjendje të lartë shpirtërore në të cilën robi ndjen vëzhgimin nga Zoti në çdo veprim të tij, andaj edhe kujdeset maksimalisht që të bëjë vetëm të mira. Ibn Kajjimi në Medarixh es-salikinë e definon si “dije dhe bindje të përhershme të robit se Allahu i Lartmadhëruar di sekretet dhe punët e tij të dukshme.” Ibn Kajjim el-Xheuzijje, Muhammed b. Ebi Bekr. Medarixh essalikine bejne menazili ijjake na’budu ve ijjake nestein. Ver. Muhammed el-Mu’tesim Bilah Bagdadi. (Bejrut: Dar el-kitab el-arabij, 1996, ed. 3). 2/65. 10. Shih po kështu: Kurani: Al Imran: 5; Ahzabë: 52; Gafir: 19; Hadid: 4. 11. Hadithin e shënojnë Buhariu nr. 50, dhe Muslimi, nr. 8. 12. Për guximin dhe krenarinë që dhuron besimi në Allahun shih edhe ajetet 27 nga