Vlera e sures - “El-Kehf”


Në lidhje me vlerën e kësaj sureje janë përcjellë shumë hadithe autentike nga i Dërguari i Allahut si dhe thënie nga sahabët e tij të ndershëm. Ne do t’i përmendim vetëm disa nga hadithet që arrijnë gradën e besueshmërisë: ‘sahih’ dhe ‘hasen’.

- Surja “El-Kehf” bën pjesë në grupin e sureve “El-Miejn”. Në lidhje me këtë, transmetohet nga Vathilete ibnul Eska’ë el-Lejthi, të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja, (suret nga El-Bekare e deri te ato El-Enfal dhe Et-Tevbe); më janë dhënë në vend të Zeburit, “El-Miejn” - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete); më janë dhënë në vend të Inxhilit “El-Methani” - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndërsa jam nderuar (ndaj të Dërguarve të tjerë) me suret “El-Mufassal” (nga sureja Kaf, e është thënë nga “El-Huxhurat” e deri te En-Nas).”
- Transmetohet nga Ebu Derdaja të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Ai që i mëson përmendsh 10 ajetet e para të sures “El-Kehf”, do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit.”
- Transmeton Ahmedi në Musnedin e tij, që i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ai që i lexon 10 ajetet e fundit të sures “El-Kehf”, do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit.”
- Ndërsa në Sahihun e Ibn Hibbanit gjendet ky hadith nga Resulullahi s.a.v.s., i cili ka thënë: “Ai që i lexon 10 ajete të sures “El-Kehf”, do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit.”
- Në Sunenin e Tirmidhiut gjendet hadithi nga i Dërguari a.s. me këtë përmbajtje: “Ai që i lexon 3 ajetet e para të sures “El-Kehf” do të jetë i mbrojtur prej fitnes së Dexhalit.”
- Transmetohet nga Muadh ibn Xhebeli r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Ai që e lexon fillimin dhe fundin e sures “El-Kehf”, kjo (leximi i këtyre ajeteve) do t’i bëhet dritë nga këmbët deri te koka, ndërsa ai që e lexon të tërën (suren “El-Kehf”), kjo do të jetë dritë për të, në hapësirën mes qiellit dhe Tokës”.
- Transmetohet nga Ebu Seid el Hudrijj të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Ai që e lexon suren “El-Kehf” në natën e xhumasë, atij do t’i bëhet dritë (ndriçohet) në hapësirën mes tij dhe Shtëpisë së shenjtë (Qabesë)”.
- Hakimi e transmeton këtë hadith “merfuan”, nga i Dërguari a.s.: “Ai që e lexon suren “El-Kehf” në ditën e xhuma, do të jetë dritë për të, prej xhumasë deri në xhumanë tjetër”.
- Transmetohet nga Berra’ë ibn Azib r.a. të ketë thënë: “Një njeri gjatë namazit në shtëpinë e tij kishte lexuar suren “El-Kehf”, ndërkohë që një kafshë shtëpiake, kishte filluar të trembej. Ky, kur kishte dhënë selam, kishte parë një mjegull apo re, teksa e kishte mbuluar atë. Kur ia kishte përmendur këtë të Dërguarit të Allahut, Resulullahi s.a.v.s. i kishte thënë: “Lexo, o filan, sepse kjo është prehja-qetësia që ka zbritur për shkak të Kuranit (që ke lexuar)”.
- Transmetohet nga Nevvas ibn Sem’ani të ketë thënë: I Dërguari i Allahut e përmendi Dexhalin, dhe tha: “Nëse ai shfaqet dhe unë jam në mesin tuaj, unë do të jem mbrojtësi juaj prej tij (me argumente), e nëse shfaqet e unë nuk do të jem në mesin tuaj, atëherë secili prej jush le të mbrohet vetë prej tij (me argumentet e veta). Allahu është mbrojtësi-kujdestari im për çdo musliman. Secili prej jush që e arrin atë (Dexhalin), le t’ia lexojë pjesën hyrëse të sures “El-Kehf”, sepse ajo do t’ju mbrojë e strehojë prej fitnes së tij...”
- Abdurrahman bin Jezid bin Kajsi ka thënë: E kam dëgjuar Abdullah Ibn Mes’udin duke thënë për suret: “Beni Israil”- (El-Isra’ë), “El-Kehf”, “Merjem”, “Taha” dhe “El-Enbija’ë” se ato janë prej të parave që kanë zbritur nga Kurani dhe janë prej më të hershmeve që kam lexuar”.



Sabri ef. Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme