Sharja nuk përket me njerëzoren

Feja Islame i ka dhënë rëndësi të madhe edukimit të besimtarëve për mënyrën e bisedës dhe të shprehjes. Fjalët e dala nga goja e njeriut dëftojnë se sa është i mençur dhe sa është i edukuar me edukatë Hyjnore. Prandaj, fjala që thotë njeriu, mund të jetë e mirë, afirmative dhe ilaç për zemrën e shpirtin, po mund të jetë edhe e keqe, ofenduese, destruktive dhe që shkakton stres si dhe sëmundje për zemrën e shpirtin. Islami na mëson të themi fjalë që do ta afirmojnë
të mirën dhe fisniken

Sharja (të folurit e keq dhe të shfrenuar) është një dukuri e llojit të vet për shkatërrimin e moralit dhe një cilësi e keqe, e cila tregon se nga pronari i saj, thanësi, mund të burojë çdo e keqe. Është fakt se kjo e keqe ka mbizotëruar gjuhët e njerëzve tanë dhe kjo dukuri është përhapur në mënyrë të pakontrolluar, e sot ka eskaluar në mesin tonë, pothuaj në të gjitha shtresat e shoqërisë sonë: tek pleqtë e të rinj, burra e gra, besimtarë e ateistë, të pasur e të varfër, të ditur e të paditur.
Është vështirë t'i numërojmë të gjitha rrethanat në të cilat shajnë njerëzit. Shajnë kur janë të hidhëruar, kur janë të pikëlluar, kur janë të gëzuar, kur janë të frikësuar, kur janë .të çuditur, kur bëjnë shaka, kur bisedojnë, gjatë takimeve të rëndomta si dhe në situata të tjera. Ata shahen - përdorin fjalë të rënda, të ndyta dhe ofenduese.

Sharjet ndahen në sharje të rënda dhe të lehta

Sharjet e rënda bëjnë pjesë në gjynahet e mëdha dhe të nxjerrin prej feje si: sharja e Zotit, e Pejgamberit a.s. e melekëve, e Diellit, e Tokës, e bukës dhe sharja e shenjtërive të tjera të fesë, neudhubil-lah. Këto sharje janë shumë të rrezikshme. As Sharjet e tjera- të vogla, nuk janë të parrezikshme, për arsye se, nëse vazhdojmë të shajmë, ato me kohë shndërrohen në të mëdha.(1)
Sharja është dukuri e keqe pa marrë parasysh se nga cili aspekt ta shikojmë.
Nga këndvështrimi psikologjik është një shfrenim i emocioneve të grumbulluara, që në situata të caktuara mund të prodhojë turbullira me pasoja të vogla ose të mëdha. Shejtani e shtyn njeriun të shajë kur është i hidhëruar, kur ka dhimbje apo ndonjë brengë tjetër. Njeriu në atë situatë (të padijes) fíton përshtypjen se, sa më rëndë të shajë, aq më tepër e lehtëson shpirtin. Shpeshherë na bie të dëgjojmë nga ata që shajnë "nëse nuk shaj, duhet të pëlcas”. Kur njerëzit, duke sharë, fillojnë të fyejnë rëndë ndjenjat dhe shenjtërit e njëri-tjetrit, atëherë pas kësaj të keqeje pason tjetra edhe më e rëndë dhe më e madhe, rrahja ose vrasja. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Musliman i vërtetë është ai, prej të cilit janë të shpëtuar (të qetë) muslimanët e tjerë nga gjuha dhe dora e tij”. (Buhariu dhe Muslimi).
Muslimani nuk hidhërohet pa vend, përveç nëse shkelen ligjet e Zotit të Madhëruar, atëherë zemërohet për hatër të Tij. Muslimani heq dorë lehtë nga ofendimi dhe sharja. Këtë lehtësim e ka dhuratë prej fesë së tij, Islamit, i cili e dekurajon nga ofendimi dhe sharja, dhe përdorimi i gjuhës së fëlliqur, saqë muslimani jo që e përdor vetë, po as që mund të dëgjojë fjalë të tilla.
I Dërguari i Allahut a.s., në një transmetim të Abdullah b. Mes'udit r.a., na e tërheq vëmendjen duke thënë: "Sharja e besimtarít është mëkat, ndërsa lufta kundër tij është kufër”.(2)
Me sharjen e besimtarit mendohet për çdo lloj shqetësimi të tij që fetarisht është rreptësisht i ndaluar. Allahu xh.sh. këtë e cilëson si mëkat të qartë duke na e tërhequr vërejtjen në Kur'anin famëlartë: "E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh". (El Ahzab, 58).
Ndërsa, për sa i përket luftës dhe luftimit kundër besímtarit që në hadithin e Pejgamberit a.s. është shënuar si kufër, dijetarët islamë nuk kanë qëndrim të njëjtë. Një pjesë e dijetarëve konsiderojnë se kjo është: kufr ni'me (mohim i mirësive të Allahut) e jo kufër që të nxjerr nga feja. Të tjerët konsiderojnë se me këtë hadith dëshirohet të vihet në dukje sidomos madhësia dhe rreziku nga mëkati përkatës, për sa kohë që ka edhe të atillë që konsiderojnë se kufri në hadithin e përmendur ka të bëjë me atë që sharjen e konsideron të lejuar.(3)

Pse është mëkat të shash?

Allahu ×h.sh. organizmit tonë i ka dhuruar organe të caktuara, si: duart, këmbët, sytë veshët, gjuhën etj.. Çdo njëri prej tyre ka detyrën dhe qëllimin e vet. Njeriu në Ditën e Gjykimit do të merret në pyetje për organet e tij. Allahu Fuqiplotë në Kur'an ka thënë: ”...Të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi". (El Isra, 36)
Një gjë e kemi të njohur se pjesa më e rëndë e provimit para Allahut xh.sh. do të na vijë prej gjuhës,prandaj, nëse i keqpërdorim organet tona, gjuhën në rend të parë, atëherë i kemi bërë vetes dëm të madh. Gjuha nuk na është dhënë për të shpifur, për të fyer dhe për të sharë, përkundrazi na është dhënë që të kuptohemi duke komunikuar dhe për ta shijuar ushqimin. Nëse shajmë ose bëjmë ndonjë mëkat tjetër me gjuhë, atëherë i kemi bërë padrejtësi këtij organi dhe kemi ulur dinjitetin tonë si besimtarë. I Dërguari i Allahut ka thënë: "Besimtari nuk është mallkues, as ofendues dhe as i pistë me gjuhë”.(4)
"Vërtet Allahu nuk e do njeriun gojëndyrë dhe të paturpshëm”.(5) si dhe: "Besimtari nuk është njeri që i lëndon të tjerët me fjalë, as nuk mallkon e as nuk shan. Ai nuk është gojëndyrë".6 Këto vërejtje të Pejgamberit a.s. nuk janë cilësi që i përshtaten muslimanit, i cili pretendon se merr nga mësimet Islame. Ai është shumë larg mësimeve të tij. Ai këtë distancë e rrit gjithmonë e më shumë kur e njeh dhe e kupton shëmbëlltyrën e të Dërguarit a.s., i cili kurrë në jetën e tij nuk tha një fjalë me të cilën të mund të ofendonte dikë, të lëndonte ndjenjat e njerëzve ose të dëmtonte nderin e tyre. Muhamedi a.s. është përshkruar nga shokët e tij në këtë mënyrë: "Nuk ka qenë sharës, as fjalë ndyrë dhe as mallkues”.

Po nëse na shan dikush, si të veprojmë?

Muslimani e di fare mirë se do të japë llogari për çdo fjalë që thotë. Nëse problemet e jetës e çojnë në ndonjë grindje, ai kontrollon gjithnjë temperamentin e tij dhe është i kujdesshëm me fjalët. Nëse ndodh ndonjë sharje dhe ofendim, për këtë mëkatin do ta bartë personi që ka shkaktuar një reagim të tillë, me kusht që personi tjetër të jetë i matur dhe të mos e kalojë kufirin e ofendimit.
Ebu Hurejre r.a. transmeton një hadith, në të cilin thuhet: "Për sa u përket dy personave të cilët ofendojnë-shajnë njëri tjetrin, ai që fillon i pari, e bart gjithë mëkatin, me kusht që i dyti në përgjigjen e tij të mos e kalojë masën”.(7)
Njëherë shpërtheu një grindje në mes Ebu Dherrit dhe Bilalit r.a., që, edhe pse ishin ashabë, ishin njerëz. Gjatë fjalosjes Ebu Dherri u zemërua dhe i tha Bilalit: O biri i zezakes. Bilali r.a. u ankua te Pejgamberi a.s.. Ai e thirri Ebu Dherrin dhe i tha: A e ke fyer Bilalin? Po, - iu përgjigj. "A e ke përmendur nënën e tij?" Po, - i tha. Pejgamberi a.s. ia ktheu: "Ti ende ke gjurmë të xhahilietit (injorancës). Ebu Dherri e pyeti: Edhe pse jam kaq shumë kohë në Islam? Pejgamberi a.s. i tha: Po, - dhe ia mësoi mirësjelljen me ata që ai mendonte se janë nën statusin e tij shoqëror, duke i thënë të shkonte e t'i kërkonte falje. Ebu Dherri shkoi te Bilali dhe i kërkoi falje, mirëpo ai një herë nuk e fali. Ai u ul në tokë përpara Bilalit dhe iu afrua tokës derisa e vuri fytyrën përtokë dhe i tha: “O Bilal, Vëre këmbën tënde mbi faqen time e më fal, se kam gabuar”. Kur e pa Bilali seriozitetin për kërkimfalje, ia fali. Kjo ishte metoda e ashabëve për t'i shuar ?akët e armiqësisë para se ato të bëheshin të forta dhe të përhapeshin. Nuk
duhet të shajmë e të ofendojmë prindërit e tjetrit, sepse kjo në të vërtetë do të sjellë që edhe ata të fillojnë të ofendojë dhe të shajë prindërit tanë.
Kështu Abdullah b. Amri r.a. transmeton një hadith, në të cilin Pejgamberi a.s. thotë: "Në mëkatet e mëdha me të vërtetë hyn që njeriu të ofendojë – të shajë prindërit e tij. Dikush pyeti: Si mund t'i ofendojë njeriu prindërit e vet, o i Dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: Njeriu shan babanë e tjetrit dhe pastaj ai ia shan babanë ose nënën e tij, dhe kështu ai ia kthen dhe shan nënën e vet”.(8)
Kështu muslimani ruan gjuhën dhe përmbahet nga sharjet dhe ofendimet edhe nëse provokohet, dhe kontrollon zemërimin për ta ndalur veten nga mëkati. Ai është i kujdesshëm që të mos bëhet agresor. Ky qëndrim i muslimanit vlen edhe për të Vdekurit. Ai nuk ?et për ta siç bëjnë disa njerëz injorantë, të Cilët përveçqë i ofendojnë dhe shajnë të gjallët, nuk i lënë rehat as të vdekurit. Pejgamberi a.s. ka ndaluar sharjen e të vdekurve, siç përmendet në transmetimin e Buhariut nga Aisheja r.a.: "Mos i shani të vdekurit, sepse ata e kanë gjetur atë që ia kanë përgatitur vetes”.
Ndërsa në transmetimin e Tirmidhiut prej Mugire b. Shu'bes përmendet: "Mos i shani të vdekurit, sepse kjo i shqetëson të gjallët". Madje Pejgamberi a.s. ka ndaluar edhe sharjen e kohës, erës, temperaturës së lartë dhe të gjelit. Çdo fjalë e ndyrë është e ndaluar në Islam, prandaj besimtari duhet ta ruajë gjuhën e tij dhe të ketë shumë kujdes nga fjalët që kanë kuptim të keq dhe shfrenues. E nëse ndodh që dikujt t'i rrëshqasë gjuha e të thotë ndonjë fjalë të ndyrë, është rregull që t'i kërkojë falje personit përkatës, të bëjë istigfar dhe ta lusë Allahun e Lartmadhëruar që t'ia falë atë mëkat(9)


________________________
1)Rrugët e ndritshme të islamit. Përktheu: Ejup Mazllami, Tetovë 2005. f. 198.
2) Hadithin e shënon Buhariu në Sahih: 78. Kitabu-l-edeb, hadithi nr. 6044.
3) Dr, Shefik Kurdiç, Gjuha shpatë me dy teha. Shkup, 2008. f. 70.
4) Dr. Muhammed Ali El Hashimi, Muslimani Ideal. Prishtinë 2008. f. 237. Transmetohet nga Ahmedi dhe Taberaniu.
5) Po aty: Transmetohet nga Taberaniu.
6) Transmetohet nga Buhariu në El-Edeb El-Mufred.
7) Hadithin e shënon Muslimi: Përmbledhja e haditheve e Muslimit, 3-274,hadithi nr. 1812.
8) Përmbledhja e haditheve e Buhariut, f. 910, hadithi nr. 2008.
9) Neveviu, Përmbledhja e duave dhe e dhikrit të Pejgamberit, f. 623-624.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi