Parandalimi dhe obligimi i ndalimit të dhunës

Islami fenomenin e dhunës e konsideron mëkat me të gjitha vlerësimet, si në nivelin individual ashtu edhe në atë kolektiv. Aty ku problemet nuk mund të zgjidhen me komunikim dhe me dialog, aty përdoret dhe ushtrohet dhuna. Dhuna nuk është metodë për zgjidhjen e problemeve, por ushtrim i presionit dhe shtypje mbi tjetrin, nga më i fuqishmi mbi të pafuqishmin, mbi të dobëtin. Me fjalë të tjera, dhuna është përdorim i forcës në mënyrë të padrejtë, apo e njohur ndryshe si zullum. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ndihmoje vëllain tënd, qoftë ai zullumqar ose që i bëhet zullum. O Pejgamber i Allahut, i thanë të pranishmit, do t’i ndihmojmë atij që i është bërë dhunë, por si do ta ndihmojmë atë që bën dhunë? T’ia mposhtni duart e tij, ta pengoni.”(1)
Secili njeri mund të jetë viktimë e dhunës. Dhuna është një fenomen që mund t’i ndodh çdokujt pa marrë parasysh moshën, kombin, përkatësinë fetare apo gjendjen ekonomike. Megjithatë është një fenomen që ndikon negativisht në integritetin fizik, psikologjik, ekomomik dhe social, sidomos te kategoritë e ndjeshme të shoqërisë, siç janë gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Duke qenë se dhuna shpesh ndodh pas dyerve të mbyllura dhe nuk diskutohet, pranohet apo trajtohet hapur në shoqërinë tonë, viktimat përgjithësisht vuajnë në heshtje. Zoti xh. sh. në Kuranin fisnik thotë: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.”(Nahl, 90).
Dhuna thyen individin, familjen dhe bashkësitë, i pengon njerëzit të arrijnë kapacitetet e tyre shoqërore. Zoti xh.sh. në Kuran na kujton: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja…” (Teube, 71).
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Myslimani është vëlla i myslimanit dhe nuk do t’i bëjë dhunë, por as nuk e braktisë atë. Ai që i gjendet në ndihmë vëllait të vet, Allahu do t’i gjendet në ndihmë atij kur ka nevojë; ai që ia heq myslimanit ndonjë problem, mundim, Allahu do t’ia heqë atij një mundim në Ditën e Gjykimit, dhe kush ia mbulon myslimanit (të metën) Allahu do t’ia mbulojë atij në Ditën e Gjykimit.”(2)
Modeli më i mirë për një jetë superiore familjare është Muhamedi a.s., i cili kurrë nuk ushtroi dhunë në familjen e tij, por as edhe në familjet e shokëve të tij.

Ndihma për atë që i shkelet e drejta

Pejgamberi a.s. na ka urdhëruar shtatë (gjëra) dhe na ka ndaluar shtatë të tjera, duke i renditur: vizitën e të sëmurit, përcjelljen e xhenazes, t’i dëshirosh shëndet atij që teshtin, ta kthesh përshëndetjen, ta ndihmosh atë që i shkelet e drejta, të përgjigjesh në thirrjen e mikut dhe t’i bësh mirë atij që lutet me përbetim.(3)
Të ndihmosh të shtypurin, të mbrosh nga dhuna dhe autokracia dhe të për cjellësh xhenazen, është detyrë kolektive e shkallës së parë, t’u kthesh përshëndetjen njerëzve, të ndihmosh personin që lutet duke bërë be, t’i përgjigjesh thirrjes së miqve, duke përjashtuar ahengun e dasmës, bën pjesë në obligimet e myslimanit në shkallën e dytë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Besimtari me besimtarin janë sikur ndërtesa, shtëpia, pjesët e të cilës janë të përforcuara ndërmjet veti, dhe i lidhi gishtat.”(4)
Andaj është shumë e rëndësishme që bashkërisht si shoqëri, secili në rolin e vet të punojmë në ruajtjen familjes, rinisë e shoqërisë në përgjithësi nga pasojat e mëdha që sjell kjo dukuri. Jemi dëshmitarë të rasteve të shumta tragjike që kanë ndodhur si pasojë e dhunës, kështu që është koha që urgjentisht t’i japim prioritet kësaj çështje për ta mbrojtur, edukuar familjet tona, rininë e shoqërinë, ngase Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mysliman i vërtetë është ai prej duarve dhe gjuhëve të të cilit janë të qetë myslimanët e tjerë.”(5)


______________________
1 Sahihu i Buhariut, nr. 6952.
2 Koleksioni “Sahihul Buhari në gjuhën shqipe”, libri 6, përktheu: Feti Mehdiu, Prishtinë, 2000, fq. 186.
3 Sahihu i Buhariut, nr.2442.
4 Sahihu i Muslimit, nr. 2580.
5 Sahihu i Buhariut, nr.10.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi