Feja është një komponent tejet i rëndësishëm, madje edhe element bazë i identitetit personal e shoqëror. Për të arritur në dialogun ndërfetar, e ndër kulturore duhet medoemos kontributi i Islamit dhe Krishterimit si dy besimet më të përhapura, me më shumë pasues, por edhe më me ndikim në botë.(1)
Bashkëjetesa dhe bashkëveprimi mes njerëzve me përkatësi të ndryshme natyrisht përbën një element pozitiv në përparimin dhe ngritjen e zhvillimit njerëzor. Por, në këtë pikë dalin në pah edhe disa anë negative të globalizimit, sepse gjatë procesit të ndërveprimit mes kulturave të ndryshme, fitojnë kulturat më dominuese duke shkaktuar asimilimin e atyre më të dobëtave. Në këtë rast, kombet më të pazhvilluara ekonomikisht dhe më të vogla numerikisht, apo edhe më të vjetra demografikisht rrezikojnë asimilimin dhe në rastin më të keq edhe shfarosjen.(2)
Efekti kryesor i globalizmit mbi njeriun, ndoshta edhe më i rëndësishmi konsiston në elementin kulturor. Duke pasur parasysh faktin që kufijtë kulturor janë ata që i ndajnë njerëzit, globalizmi ka rezultuar si ndikues kryesor në sheshimin e tyre, dhe afrimin më tepër të njerëzve e kulturave të ndryshme. Njerëz me kombësi e kultura të ndryshme banojnë në një ndërtesë, përdorin të njëjtin metro, punojnë në të njëjtat vende pune, frekuentojnë të njëjtat restorante, teatro e kinema. Kjo e bën të domosdoshëm, e të paevitueshëm kontaktin mes njerëzve me përkatësi të ndryshme.(3)
Feja islame është vlerë paqësore dhe predikon e përhap vlera pozitive për njeriun dhe shoqërinë. Ajetet kuranore drejtojnë dhe urdhërojnë pjesëtarët e islamit që të udhëhiqen nga logjika e shëndoshë dhe assesi mos të bien pre e emocioneve dhe dëshirave të çastit për të flakur mosmarrëveshjet eventuale. Zoti njerëzit i ka krijuar në raca, ngjyra e fise të ndryshme me qëllim që të bashkëpunojnë, bashkëjetojnë e të ndajnë vlera civilizuese mes vete.
"Sikur të donte Allahu do t'ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t'ju provojë në atë që ju ka dhënë, prandaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni tek Allahu, e Ai do t'ju lajmërojë për çështjet rreth të cilave kishit kundërshti." (El Maide, 48)
Kurse, në një ajet tjetër kuranor shprehet: "Mos u bëni (në çështjet e betimit) si ajo (grua) që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort, e t' i bëni betimet tuaja dredhi (mashtrim) mes jush, për shkak se një popull është më i madh se tjetri. Allahu vetëm ju sprovon me këtë, e në ditën e gjykimit Ai gjithsesi do t'ju sqarojë atë gjë rreth së cilës kundërshtoheshit. Sikur të dëshironte Allahu do t'ju bënte një popull (në një fe), por (sipas dijes së Vet) Ai e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon tjetrin që do, e patjetër do të përgjigjeni për atë që vepruat." (En Nahl, 92-93)
Mospajtimet janë të botës njerëzore dhe assesi nuk mund të mbulohen, e as të fshihen. Dialogu e mirëkuptimi për tjetrin mbeten metoda më e frytshme e zhvillimit të komunikimit dhe operimit të ideve me anë të së cilës arrijmë të kuptojmë tjetrin, dhe si rezultat i saj vjen deri te zgjidhja e mosmarrëveshjeve eventuale.
Fundja, dialogu është edhe vlerë kuranore, ky myslimanët duhet të shtrijnë ura të komunikimit edhe me të tjerët: "Thuaju (o i dërguar): "O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mesh nesh dhe mes jush, të mos adhurojmë pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zot, pos Allahut!"E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: "Dëshmoni pra, se ne jemi myslimanë (besuam një Zot)!" (Ali Imran, 64)
Nga jeta e Muhamedit a.s., hasim se ka respektuar hebrenjtë dhe të krishterët dhe ka pasur respekt ndaj besimeve të tyre. Ai po ashtu ka pritur edhe delegacione krishterësh që ai ka realizuar kur ishte në jetë.(4) ku njëri nga takimet më të hershme mes Muhamedit a.s., dhe të krishterëve është edhe bashkëbisedimi me përfaqësuesit e kësaj bashkësie nga zona e Nexhranit. Sipas studimeve të bëra, del në pah se takimi në fjalë mendohet të ketë ndodhur në vitin 631. "Nexhrani dhe fqinjësia e tij, nga Zoti dhe pejgamberi i Tij Muhamedi e kanë të mbrojtur pasurinë e tyre, kishat e tyre dhe gjithçka që kanë në pronësi."(5) Vizita e të krishterëve të Nexhranit në qytetin e Medinës është ndoshta ndërveprimi ndërfetar më i spikatur mes të krishterëve dhe pejgamberit Muhamed. Në atë kohë, Muhamedi a.s., i kishte dërguar letra shumë komuniteteve dhe prijësve të tyre, duke i nxitur që ta përqafonin Islamin. Në rastin e nexhranëve, që jetonin pranë Jemenit, rreth 600 km në jug të Medinës, pejgamberi kishte dërguar Halid ibën Velidin dhe Ali ibën ebi Talibin për ta dorëzuar letrën. Në kohën e kësaj sipërmarrjeje diplomatike, të krishterët e Nexhranit kishin një sistem fetar tejet të organizuar. Si rrjedhojë, nuk është aspak e habitshme, që pas leximit të letrës vetëm pak të krishterë vendosën ta pranonin Islamin. Në përgjigje të kësaj" përpjekje të dështuar konvertimi", pejgamberi Muhamed dërgoi një tjetër përfaqësues në Nexhran, e ai ishte Mugire ibën Sheube, që duhej t'ju shpjegonte banorëve të kësaj zone fenë e re të quajtur Islam. Të intriguar nga mesazhi i Ibën Sheubes, të krishterët e Nexhranit dërguan një delegacion prej 60 personash për ta vizituar pejgamberin në Medine. Delegacioni përbëhej nga pothuajse 45 studiues, apo njerëz të ditur, dhe rreth 15 ndihmës të tyre. Kur të krishterët e Nexhranit mbërritën në Medine, Muhamedi i lejoi të kryenin ritet fetare në xhaminë e pejgamberit, ku faleshin edhe myslimanët. Kjo ftesë nuk ishte thjesht shembulli i parë i dialogut mes myslimanëve dhe të krishterëve, por gjithashtu ishte hera e parë që të krishterët kryenin faljen në një xhami. Edhe pse pejgamberi dhe nexhranët nuk arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët mbi disa çështje teologjike, ai gjithsesi u siguroi atyre një vend ku të qëndronin, pranë shtëpisë së tij, si dhe urdhëroi myslimanët të ngrinin tendat e tyre.
Në çastin e largimit nga Medina, të krishterët e Nexhranit i thanë Muhamedit: "O Ebul Kasim, vendosëm të largohemi duke të lënë në fenë tënde dhe duke na lënë në fenë tonë. Megjithatë dërgo me ne një person që mund të gjykojë çështjet në tokat tona, sepse ne të pranojmë ty." Të krishterët u larguan nga Medina me një garanci dhe premtim të shkruar që pejgamberi Muhamed a.s., do të mbronte jetët, pronat dhe lirinë e tyre për ta praktikuar besimin e krishterë.(6)
Myslimanët kanë ndjekur këtë kurs kulturor dhe qasje karshi besimeve tjera përgjatë 14 shekujve, e kjo është bashkëjetesa dhe liria e të besuarit. Në këtë vazhdë studiuesi anglez, Timothy Winter del me të drejtë në përfundimin që në mënyrë të vazhdueshme myslimanët kanë arritur të sigurojnë një mjedis të përshtatshëm për pjesëtarët e besimeve të tjera, me qëllim që ata t'i jetojnë lirshëm besimet e tyre.(7) Këtë aspekt, e prek edhe historiani i njohur italian Roberto S. Lopez, i cili shprehet kështu: "Në të vërtetë, myslimanët i trajtuan të krishterët, hebrenjtë dhe zarathustrianët me një tolerancë të jashtëzakonshme për atë kohë, por atyre u vunë një taksë të posaçme. Për të mos e paguar atë, mjaftonte të konvertoheshe, dhe për t' u konvertuar mjaftonte të eliminoj e apo zbusje disa besime dhe të tërhiqeshe në një besim që përbëhej nga disa parime elementare të përbashkëta për të gjitha fetë moniste."(8)
Deri më sot në historinë e njerëzimit janë themeluar me dhjetëra qytetërime dhe kultura të mëdha, të cilat në themelin e tyre kishin tekstet e shenjta sikurse janë: Vedat, Upanishadët, Bibla dhe Kurani. Marrë në përgjithësi ato ishin qytetërime edukatore të njeriut, që i mësuan njeriut përgjegjësinë apo thënë ndryshe, disa qytetërime i krijoi njeriu i mendjes së përgjithshme.
Në ato qytetërime kishte kode të përgjegjësisë së shumanshme, të përkthyera në gjuhën e thjeshtë, që mund të shprehen me një formulë thelbësore: njeriu është përgjegjës para Zotit, para natyrës, para njerëzimit, para vetvetes. Papjekuria fetare, siç thoshte Kanti (1724-1805) është jo vetëm më e dëmshmja, por edhe më e pandershmja nga të gjitha. Të dëmshëm dhe të pandershëm janë edhe ata që dinë pak për fe e pak për shkencë, e grinden. Millikani (1868-1953), fitues i çmimit nobel për fizikë, për këtë thoshte: "Kur të grinden njerëzit që dinë pak për fenë dhe ata që dinë pak për shkencën, ndokush mund të mendoj se aty ka mosmarrëveshje ndërmjet fesë dhe shkencës, ndërsa aty kanë vend, në të vërtetë dy lloj injorancash."
Varshmëria e njeriut modern nga mjetet e komunikimit masiv në shoqëritë demokratike, po edhe në të tjerat është rritur deri në përmasa kritike. Shpeshherë njeriu nuk është i aftë të mendojë dhe të veprojë pa sugjerimin e mas-medies, ekzistenca e tij varet nga ato urdhëresa elementare, kështu që futja e çfarëdo dykuptimësie të vetëdijshme, e çfarëdo sugjerimi për anulimin e vendimit për një kohë të pacaktuar të introspektimit dhe analizës, do të kishte pasoja katastrofale. Për të qenë më e plotë fotografia e mjerimit të njeriut modern, fotografia që sugjerojnë potencialet" apokaliptike" të mas-medieve, kësaj që u theksua i duhet shtuar edhe fakti se mas-mediet kushtëzojnë jo vetëm strukturën e tij psikike, por edhe sjelljen e tij fizike.(9)
Përmbajtja e kulturës së një populli nuk mund të kuptohet jashtë fesë apo feve që ai beson, jashtë ndikimeve të tyre në mënyrën e të menduarit, të veshjes e të sjelljes. Një nga sociologët më të shquar në fushën e sociologjisë së fesë, E. Durkheim ka shkruar: "Feja nuk është vetëm një sistem praktikash, është edhe një sistem idesh, synimi i të cilit është të shprehë botën. Lidhur mbi impaktin e fesë në jetën tonë të përditshme qartësohet edhe nga një studim interesat që është zhvilluar në Shqipëri, ku shpjegohet se 34.53% e nxënësve (të dyja besimeve mysliman dhe krishterë) frekuentojnë rregullisht institucionet fetare, kurse 40.04 % e tyre frekuentojnë vetëm në ditë festash fetare, ndërkaq 16.12% e tyre rrallë, kurse 9.31 % asnjëherë nuk vizitojnë objektet dhe institucionet fetare (xhamitë apo kishat).(10)
Marrëdhëniet e ndërsjella mes medieve, kulturës, fesë dhe shoqërisë në përgjithësi nuk kanë qenë asnjëherë aq të perceptueshme sa u bënë pas shfaqjes së televizionit dhe sidomos pas rënies së sistemit sovjetik. Asnjëherë ndikimet e ndërsjella mes medieve (të reja e të vjetra) dhe natyrës së lidhjeve shoqërore, mënyrës sipas së cilës shoqëria përcakton vetveten si njësi organike (Germenninschaft ose Corporate), ose si Societas (Gesellschaft ose Pantership) nuk kishin qenë kaq të qarta. Kjo kundërvënie, sipas Michel Terestchenkos (Philosophie Politique, 1994) reflekton të njëjtën marrëdhënie që ekziston mes vizionit të qytetit antik ose "harmonisë së bukur" greke sipas Hegelit, dhe vizionit individualist të shoqërive moderne.
Mediet qoftë ato elektronike apo të shtypura në shoqërinë demokratike luajnë rolin krucial të informimit të drejtë dhe të saktë të shoqërisë. Së paku kështu duhet të ishte roli dhe rëndësia e ekzistimit të medieve si formë e pushtetit të katërt, krahas legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Pas çdo politike redaktuese gazetareske dhe informative qëndrojnë qarqe, klane, oligarkë të fuqishëm që kanë ndikim të jashtëzakonshëm në sajimin dhe komunikimin e një informacioni për publikun e gjerë të një vendi apo edhe më gjerë.
Një nga sociologët më të shquar në shkencat e komunikimit Mac Luhan ka shkruar se nëpërmjet rrjetit të dendur të medieve, veçanërisht të televizionit, bota e sotme është zvogëluar mjaftë. Informacioni qarkullon shpejt si figurë, si zë dhe si shkronjë në të katër anët e botës dhe atë për një kohë shumë të shkurtër. Gati të gjithë njerëzit kanë të njëjtin informacion, të njëjtat stereotipa mediatik, për të mos thënë të njëjtat reagime ndaj jetës.
Në fillim të vitit 2000, në dhjetëvjeçarin e rënies së murit të Berlinit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dukej se globalizmi i ekonomisë dhe revolucionit numerik po përuronin një erë të re. Shumëfishimi i këmbimeve ndërkombëtare ishte tregues i kalimit nga një ekonomi shumëkombëshe në një ekonomi botërore apo "globale". Nën ndikimin e "konvergjencës" së rrjeteve, mediet e kanë shoqëruar këtë globalizim fillimisht
duke marrë pjesë vetë në të, pastaj duke përshpejtuar rrjedhën, sidomos nëpërmjet flukseve të informacionit dhe flukseve financiare.
Në prill të vitit 2000, shpërthejnë fluskat financiare rreth vlerave të internetit, duke tërhequr me vete në rënien e tyre pjesën më të madhe të vlerave TMT (Teknologji - Media - Telekomunikacione), premtimet nuk ishin mbajtur, dhe filizat e rinj po zbulonin ligjet e zakonshme të ekonomisë së tregut dhe të konkurrencës. Pse paralajmërimi i prillit të vitit 2000 nuk prodhoi efektin e një njoftimi? Sepse globalizmi i njëkohshëm i tregjeve dhe medieve para 11 shtatorit të 2001 nuk kishte vënë ende sadopak në dyshim këto figura të së ardhmes, nën kujdesin e të cilave kishte lindur shek XXI, disa vite më përpara se në kalendar, shoqëria e informacionit, ekonomia e re dhe" fundi i historisë".
Iluzionet e humbura dhe ëndrrat e thyera të shekullit paraprirës arrijnë ende të fshehin që revolucioni numerik, sipas shumë shenjave nuk është tjetër veçse në belbëzimet e tij të para. Të lindur me internetin, Google, Yahoo dhe e-Bay, u nënshtrohen ligjeve të hekurta të ekonomisë së tregut. Beteja për përmbajtjet dhe për standardet më të ashpra se kurrë, u hapin rrugën produkteve apo shërbimeve të reja, ndërkohë që e drejta për konkurrencë të afirmohet në shkallën rajonale dhe botërore. E shqyer ndërmjet ndarjeve të veta dhe ëndrrës së saj për unitet, bota më e padeshifrueshme
se kurrë, pre e diktaturave dhe terrorizmit, nuk pret më nga teknika apo ekonomia, por vetëm nga urtësia e politikanëve, që këta të pajtojnë kërkesat e kulturave të veçanta, rajonale, etnike apo fetare, me ato të universalizmit të të drejtave të shenjta dhe të patjetërsueshme të qenies njerëzore.(11)
_____________________
(1) Karen Amstrong, Islam; a short histori, New York; The modern library, 2000, f.189. Gilles Kepel,
(2) Geoff Roberts, "Tu gof war: Opposing views on the process of globalization", International Journal of social inuiry, voLl. n.2. Bursa,2008 f.70.
(3) Eduart Caka, Dialogu ndërfetar një qasje teorike-praktike dhe realiteti shqiptar", West Print, Tiranë, 2015, f.21.
(4) Jacques Waardenburg, "Muslim studies of ther religious:The early perfid", Muslim perspections of ther religious:A historical survery, ed. Jacques Waardenburg, Oxford: Oxford University Press,1999, f.14-15.
(5) Grup autorësh, libri "Simpoziumi ndërkombëtar, Profeti Muhamed mëshira dhe dashuria universale", botimet KMSH, Tiranë, 2007,f.109.
(6) Craig Considine, Pluralizmi dhe të krishterët e Nexhranit: Si Profeti Muhamed shkoi përtej tolerancës" www. huffingtonpost.com.
(7) Eduart Caka, Ibid.127.
(8) Roberto S. Lopez, "Lindja e Evropës: Historia e epokës mesjetare", përkth. Kujtim Ymeri, Tiranë, Dituria, 2012,f.91.
(9) Dr. Ismail Bardhi, "Karikatura e Karikaturës", Dituria Islame, f.13, viti 20 li 188, mars 2006, Prishtinë.
(10) Artan Fuga, Zyhdi Dervishi, Ndërmjet fshatit dhe qytetërimit global, f. 202 Dudaj, Tiranë, 2010.
(11) Mediet & shoqëritë, Francis Balle, përkthim grup autorësh f. 441 bot 15 botimet papyrus, Tiranë, 2011.