Shkaqet e formimit të shkollave juridike (medhhebeve) islame (2)



Themeluesit e medhhebeve morën mbi supe barrën e popullit dhe nuk i lanë ata që të gjykojnë me aftësitë e tyre të kufizuara në dispozitat e sheriatit, ku vetëm se kishin filluan grindjet mes tyre për këto çështje.

Mospajtimet në çështjet e fikhut dhe formimi i medhhebeve ishin dhe vazhdojnë të jenë bashkëpunuese dhe të dobishme për Islamin dhe myslimanët
Themelimi i medhhebeve qysh nga fillimi e deri më tani, ishte dhe vazhdon të jetë mbrojtja më e mirë e unitetit mysliman nga plasaritjet dhe përçarjet në aspektin fetarë.
Mospajtimet mes fukahave në shkollat juridike ishin bashkëpunuese dhe të dobishme, e kurrsesi nuk ishin përçarëse dhe armiqësore të rrezikshme. Themeluesit e këtyre medhhebeve morën mbi supet e tyre barrën e popullit dhe nuk i lanë ata që të gjykojnë me aftësitë e tyre të kufizuara në dispozitat e sheriatit, ku vetëm se kishin filluar grindjet mes tyre për këto çështje. Këtë e vërteton fakti, se gjatë historisë islame nuk kemi dëgjuar se themelimi i medhhebeve dhe mospajtimet e tyre kanë qenë barrë dhe problem për shtetin mysliman në asnjë periudhë kohore të tij. Përkundrazi, ato kanë ndihmuar në unitet dhe largim të plasaritjeve të mëdha të mundshme. Pastaj, imamët e medhhebeve të mëdha kanë lavdëruar dhe respektuar njëri-tjetrin, dhe kanë respektuar mendimet e tyre. Është i njohur raporti shumë i mirë mes Imam Ahmedit dhe Imam Shafiut. Pastaj respekti i Shafiut ndaj Malikut dhe Ebu Hanifes, e pastaj edhe fjalët e mira mes Imam Malikut dhe Ebu Hanifes pas takimit të tyre, e shumë të tjera.
Jo toleranca (apo fanatizmi) i pasuesve të medhhebeve, dhe çfarë duhet të bëjmë për ta evituar këtë?
Fanatizmi apo jo toleranca mes pasuesve të medhhebeve lindi në shekujt e fundit, e ndoshta mund të jetë kah periudha e fundit e kalifatit Osman. Shteti islam i kalifati Osman kishte medhhebin hanefij si medhheb zyrtar të shtetit, dhe kështu ai mbizotëronte në shumicën e vendeve ku sundonin osmanlinjtë.
Në këto kohë lindi fanatizmi mes medhhebeve, saqë pos polemikave lindën edhe disa orientime në formë të dispozitave. Prej tyre mund të përmendim:
1. Ndalohet kalimi nga medhhebi hanefij në një medhheb tjetër dhe anasjelltas;
2. Ndërtimi i disa mihrabëve brenda një xhamie, aq sa kishte medhhebe në atë vend, ku edhe faleshin aq xhematë në një namaz. Këta mihrabë janë në xhaminë Emevite në Damask sot e kësaj dite;
3. Ndalohet që xhemati hanefitë të lidhet pas imamit shafij dhe anasjelltas, etj.
E natyrshme ishte që pas këtyre lëvizjeve të lindin urrejtje dhe armiqësi nga pasuesit e medhhebeve në çështjet e fesë, të cilat nuk kishin rëndësi të madhe. Këto urrejtje dhe polemika pa dyshim se dëmtuan unitetin e myslimanëve. Kjo dukuri e grindjeve dhe armiqësive për çështjet dytësore në fe edhe sot e kësaj dite e bëjnë të njëjtën punë, e dëmtojnë me të madhe unitetin e myslimanëve, në kohën kur të tjerët zhvillohen dhe përparojnë në të gjitha sferat e jetës, kurse myslimanët mbesin aty ku janë, duke u grindur për këso çështje. Këtë ne e dimë shumë mirë se armiqtë e Islamit e shfrytëzojnë në mënyrën më të tmerrshme për dobësimin e myslimanëve.

Për daljen nga kjo krizë kërkohen këto veprime:

1.Të afrohemi e të komunikojmë, ku me këtë ngushtojmë hapësirën e mospajtimeve, polemikave dhe grindjeve mes vete, duke i diskutuar pikat për të cilat mendojmë se gjejmë pajtueshmëri;
2.Të bindemi se medhhebet dhe mendimet fikhore nuk janë burim i urrejtjes, por dalje nga kriza;
3. T’i kushtohet vëmendje dhe rëndësi fikhut komperativ që mungon në institucionet tona arsimore fetare;
4. Të dimë mirë se, kjo është nga armët më të rrezikshme, me të cilat po luftohet uniteti islam, si pengesat në të gjitha fushat tjera të jetës.

Periudha e imitimit dhe stagnimit

Nga mesi i shekullit të katërt hixhri, kur filloi edhe dobësimi i shtetit islam, u ndal edhe hovi i madh në shkencën e fikhut, pas përparimit të madh që kishte. Dijetarët e fikhut duke pasur para vete gjithë atë veprimtari të imamëve të tyre, mjaftuan me angazhimin brenda medhhebeve të tyre duke i përpunuar dhe rregulluar ato. Edhe pse kishin aftësi për ixhtihad ata nuk vepruan në këtë drejtim, duke e mbyllur kështu derën e ixhtihadit në dispozitat e sheriatit islam. Ata shpesh nxirrnin dispozita të reja sipas nevojës së kohës së tyre, por ato i vendosnin brenda medhhebeve të tyre, e jo si të pavarura prej tyre. Sipas disa dijetarëve ky mund të jetë edhe një shkak për përhapjen e fanatizmit brenda medhhebeve, sepse ata i ekspozonin medhhebet e imamëve të tyre si më të saktit nga të tjerët.

A obligohet myslimani ta pasojë një medhheb?

Allahu në Kuran ka thënë: “Pyetni njerëzit e dijes për gjërat që nuk i dini”. Kjo do të thotë: Pyetni ata të ju tregojnë atë që kanë përfituar nga argumentet e Kuranit dhe të hadithit. Ky ajet sikur i ka urdhëruar të aftit për ixhtihad dhe angazhim në argumentet e sheriatit, për të nxjerrë ligjet e Allahut. Po ashtu i ka urdhëruar të paaftit për pasim të këtyre dijetarëve me pyetje dhe sqarime rreth çështjeve fetare. Taklidi apo imitimi është veprimi me fjalën e muxhtehidit, pa e njohur argumentin e tij si njohje të plotë. Për taklid apo imitim obligohet i padijshmi, por edhe dijetari i cili ka njohuri, por nuk e ka arrit gradën e ixhtihadit. E për ta arritur gradën e ixhtihadit sipas dijetarëve të usulit duhen disa kushte, e më kryesoret janë katra:
1. Njohja profesionale e gjuhës arabe;
2. Njohja profesionale e Kuranit;
3. Njohja profesionale e hadithit;
4. Njohja e analogjisë dhe hulumtimi se a ekziston një dispozitë e tillë më parë nga ixhmai, apo nga ndonjë muxhtehid tjetër.
Duke pasur parasysh se këto kushte janë të paarritshme për shumicën absolute të myslimanëve, por edhe të vetë thirrësve të fesë atëherë ato obligohen që të jenë imitues të atij që i plotëson këto kushte. E këtu i kemi katër medhhebet. Për saktësinë e katër medhhebeve dhe pasimin e tyre ekziston edhe ixhmai, sepse këto kanë përfshirë shumicën absolute të çështjeve të sheriatit, qoftë nga imamët e tyre, qoftë nga muxhtehidët brenda medhhebeve gjatë gjithë historisë islame. Dijetarët janë të pajtimit për ligjshmërinë e imitimit dhe se ai është obligim kur nuk mundet ixhtihadi. Megjithatë shumica e tyre e lejojnë që në raste të caktuara mundet të pasohen edhe mendime nga muxhtehidë dhe medhhebe të tjera, duke i njohur kushtet e tyre për ato çështje, por e ndalojnë të shfrytëzohen vetëm lehtësimet e marra nga medhhebet tjera.

Shkollat juridike më të njohura dhe ato që mbijetuan, dhe disa njohuri rreth imamëve të katër medhhebeve më të njohura

Pas shkollës racionale në Kufe dhe shkollës tradicionale në Medine më vonë filluan të shfaqen dijetarët të cilët filluan të ndërtojnë mendimet e tyre në formë të shkruar, të cilat më vonë u quajtën medhhebe. Ato ishin disa, si p.sh: medhhebi hanefij, malikij, shafij, hanbelij, dhahirij, El ebadijë El evzai, El lejthi, Eth theri, Et tebari, Ez zejdijë, El imamijë dhe shumë të tjera.

Por, ato që mbijetuan deri në kohët tona janë katër:

1. Medhhebi hanefij, të cilin e themeloi dhe e udhëhoqi
Ebu Hanife en Numan ibën Thabit, i lindur në Kufe me prejardhje persiane. Lindi në vitin 80h., kurse vdiq në vitin 150h. në Bagdad dhe aty edhe u varros. Në fillim të jetës së tij ishte tregtar, pastaj iu qas diturisë ku i kushtoi shumë rëndësi shkencës së fikhut, derisa u bë dijetar me famë, e pastaj edhe themelues medhhebi. Ishte shumë i njohur me fuqinë e tij racionale në çështjet e fesë. Llogaritet prej tabiinëve, sepse e takoi Enes ibën Malikun dhe transmetoi nga ai hadithin: “Kërkimi i diturisë është farz për çdo mysliman.” Imam Shafiu thotë për të: “Njerëzit janë adoleshent në fikh para Ebu Hanifes.”
Mësimet i mori nga Hamad ibën ebi Sulejmani, e ai nga Ibrahim Nehaiu, e ai nga Abdullah ibën Mes’udi. Ishte shumë i shtrënguar në pranimin e hadithit. Nxënësit e tij më të dalluar janë: Ebu Jusufi, Muhamed esh Shejbani, Zuferi dhe El Hasen ibën Zijad el Lului.
2. Medhhebi malikij, të cilin e themeloi Malik ibën Enes. Lindi në Medine në vitin 93h., dhe gjatë gjithë jetës qëndroi aty. Nuk doli prej Medinës, përveç kur shkoi në haxh. Vdiq në vitin 179h. në Medine. Është i njohur libri i tij “El muvetaë” në hadith dhe në fikh.
3. Medhhebi shafij, të cilin e themeloi Ebu Abdullah ibën Idris, i cili lindi në Gaza në vitin 150h., u rrit në Meke dhe e mësoi fikhun nga Muslim ibën Halid ez Zenxhi myfti i Mekës, i cili e lejoi të jepte fetva kur ai ishte vetëm 15 vjeç. Pastaj shkoi në Medine, ku e takoi Imam Malikun dhe mësoi prej tij. Më pas shkoi në Egjipt, ku edhe themeloi medhhebin e tij të ri. Jetoi në Egjipt deri kur i erdhi vdekja në vitin 204h.
4. Medhhebi hanbelij, të cilin e themeloi Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel ibën Hilal ibën Esed esh Shejbani. Lindi në Bagdad në vitin 164h. Fikhun e mësoi nga Imam Shafiu kur erdhi në Bagdad, e më pas u bë muxhtehid i pavarur në medhhebin e tij. Vdiq në vitin 241h. në Bagdad.

Rezyme

Shkollat juridike të sheriatit – medhhebet nuk lindën rastësisht, por nevoja e madhe i shtyu dijetarët të marrin iniciativa për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e njerëzve dhe për të evituar polemikat dhe përçarjet mes tyre. Edhe pse u detyruan që të kenë mospajtime mes vete, ata vendosën rregulla të qarta se si të polemizojnë, të kenë rezultate, por të mos kenë armiqësi dhe urrejtje mes vete, e as mes pasuesve të tyre. Ata me këtë i bënë sheriatit islam një shërbim të madh, por edhe arritën që ta ruajnë unitetin e myslimanëve, që është shumë më e rëndësishme sesa polemikat dhe grindjet për shumë çështje të fesë, që nuk janë të rendit të parë e që ka hapësirë të veprohet me to në disa mënyra. Nga kjo kuptohet se pavarësisht përpjekjeve të imamëve të medhhebeve vetëm njëri prej tyre nuk mund ta përfshijë sheriatin islam, ngase hapësira e argumentit nuk e lejon këtë. Muxhtehidët për arritjen e tyre nuk thoshin se ky është ligj i Allahut, por ixhtihadi im, nëse është i drejtë është prej Zotit, e nëse jo është nga aftësia ime, dhe se asnjëri prej tyre nuk ka thënë se arritja ime është obligim për veprim. Pastaj Allahu i madhëruar po të kishte dashtë që të jetë vetëm një orientim ose vetëm një mënyrë e veprimit do ta kishte bërë këtë, por e ka lehtësuar për njerëzit që të kenë hapësirë veprimi sipas nevojave të tyre në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohërat.


Artikulli i kaluar
Namazi kaza

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi