Njeriu kërkon shembull suksesi në jetë. Fillimisht e përvetëson ndonjë model lokal siç është prindi, derisa ta ndiejë nevojën për të marrë një shembull më universal, më të mirin e mundshëm në lëmin përkatës. Të shumta janë figurat e shquara që e kanë futur njerëzinë në borxh me kontributin e tyre të madh në fusha të ndryshme, por personaliteti më ideal për t’u ndjekur si shembull në fuqizimin e besimit dhe virtytit njerëzor mbetet Muhamedi, alejhi selam, për të cilin është shpallur në Kuran: “Me të vërtetë shembullin më të mirë keni të dërguarin e Zotit, për ata që shpresojnë te Zoti dhe Dita e fundit, dhe që shumë e kujtojnë Allahun.” (El Ahzab, 21).
Nevoja për model prindëror sa vjen e shtohet në këto kohë, kur shumica e fëmijëve ndonëse gëzojnë shumëçka, por shpesh jo atë që është thelbësore për ta, e që është përkushtimi adekuat prindëror. Kjo kohë na ka prezantuar një fenomen të transformimit të rolit prindëror, nga ai autoritativ, që kryesisht njihte vetëm gjuhen e urdhrit dhe rregullit, tek ai hipervigjilent i nënshtruar ndaj frikës nga gjithçka dhe një paranoje prindërore e cila shkakton varësi ose te roli tjetër, e që është mosinvolvimi, d.m.th. heqja dorë nga edukimi familjar, duke menduar se edukimi është një proces i lirë, spontan dhe i natyrshëm, i cili mund të realizohet vetvetiu në kohë. Këtu kujtojmë thënien e të Dërguarit a.s.: “Njerëzit janë si metalet, të mirët e tyre në injorancë mbeten të mirë edhe në Islam, nëse e kuptojnë mire fenë...”(1), sepse “më i miri njeri është ai më karakterin më të mirë.”(2)
Kjo do të thotë se ndërtimi i një karakteri me virtyte fisnike fillon që në fëmijërinë e hershme, nga trungu familjar, ndërkaq besimi i shëndoshë i jep njeriut botëkuptimin e drejtë për jetën duke i shtuar atij urtësinë dhe udhëzimin hyjnor.(3)
Muhamedi a.s. pati fëmijë vetëm me Hatixhen, ndërsa pas vdekjes së saj, lindi edhe Ibrahimin nga gruaja e tij, Maria. Me Hatixhen pati Kasimin, Abdullahun, Zejneben, Rukijen, Umu Kulthumin dhe Fatimen. Që të gjithë djemtë i vdiqën sa ishin fëmijë, kurse vajzat ndërruan jetë pasi krijuan familjet e tyre, me përjashtim të Fatimes, e cila vdiq gjashtë muaj pas kalimit në amshim të Pejgamberit a.s..(4)
Zoti i Madhëruar deshi që jeta e të Dërguarit a.s. të karakterizohej nga shumë histori dhe situata të mrekullueshme edukative, të cilat kontribuojnë në futjen e vlerave të larta arsimore, përfshirë edhe raportin me fëmijët. Meqenëse të gjithë e njihnin si të butë, fisnik, bujar e zemërgjerë, edhe ndaj familjes së tij s`ka si të ishte ndryshe prej asaj që e deklaronte kur thoshte: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri për familjen e tij, e unë jam më i miri prej jush për familjen time.”(5)
Prandaj, me të drejtë thuhet se “nëse do të njohësh dikë, pyet familjarët për karakterin e tij”. Në këtë kontekst, kur është pyetur Aisheja r.a. si për moralin e Profetit a.s., ajo ka thënë: “Morali i tij ishte Kurani”(6), që nënkupton se ai kishte mishëruar në vete moralin me të cilin ishte urdhëruar në Kuran.(7) Këtë realitet e kanë shprehur edhe dëshmitarë të tjerë të jetës së tij familjare. Për shembull, Enes bin Maliku, pas një dekade shërbimi në shtëpinë e Pejgamberit a.s., ka deklaruar: “Nuk kam parë askënd më të mëshirshëm për fëmijët se i Dërguari i Allahut.”(8)
Fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij i trajtonte me shumë butësi, i mbante në gjoks, iu buzëqeshte, luante me ta dhe i përkëdhelte.(9) Në të njëjtën kohë ai nuk i mbyllte sytë përpara asnjë neglizhence të fëmijëve në detyrat e tyre, sidomos në lidhje me çështjet e botës së përtejme, sepse e kishte parasysh se secili do të japë përgjegjësi individuale para Zotit për të bëmat dhe të pabërat e tij. Një ditë, derisa ai këshillonte njerëzit, iu drejtua të bijës me porosi: “Oj Fatime, bija e Muhamedit... të mos ndodhë që njerëzit të dalin para Zotit me veprat e tyre të mira, e ju të dilni me dynjanë e mbajtur barrë mbi supe .”(10)
Siç vërehet, nga njëra anë, ai u jepte fëmijëve lirinë e përzgjedhjes së veprimit pasi i udhëzonte kah punët më të mirat, e në anën tjetër, ai kujdesej që fëmijët të mos ishin indiferent për gjërat me rëndësi. Pra, tek ai gjejmë modelin e baraspeshuar në raport me fëmijët. Me gjithë barrën e realizimit të misionit të tij si i dërguar i Zotit, e gjejmë atë se ka përmbushur edhe rolin e tij prindëror. Ky punim synon të vë theksin vetëm në disa pika me rëndësi në një raport të mirëfilltë prind-fëmijë, siç janë realizimi emocional, argëtimi, respektimi, motivimi, drejtësia dhe mbështetja.
Realizimi emocional
T’i duash fëmijët tuaj është prirje e lindur njerëzore, por t’ua shprehësh atyre dashurinë shpeshherë varet prej kulturës vendore. Prijësi i njohur i fisit Temim, El Akre bin Habis, në një ndejë me Profetin a.s. u habit kur e pa se ai e përqafonte nipin e tij Hasanin, dhe i çuditur nga ky model i ri prindërimi, ai nuk u përmbajt dot pa i thënë: “Kam dhjetë fëmijë dhe asnjëherë nuk e kam puthur asnjërin prej tyre!”
I Dërguari i Zotit e shikoi dhe me pak fjalë e përmirësoi këtë lloj këndvështrimi: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet”, në një version tjetër qëndron: “Çfarë mund të bëj unë nëse Zoti heq mëshirën prej zemrës sate?!”(11)
Kjo nënkupton se shfaqja e dashurisë për fëmijët nuk është dobësi burrnore, por mëshirë njerëzore që Zoti e do. I Dërguari i Zotit a.s., përkundër modelit të prindit autoritar që ishte zakon fisnor i asaj kohe, përqafonte djalin e tij, Ibrahimin, e puthte, e përkëdhelte, e mbante pranë gjoksit dhe i nuhaste aromën e këndshme prej evladi. Ndërkaq, kur Ibrahimi vdiq i vogël, ai e përqafoi fort dhe me sy të mbushur me lot tha: “Sytë derdhin lot dhe zemra pikëllohet, por nuk themi tjetër veç fjalëve që e kënaqin Zotin, e ne për ndarjen tënde o Ibrahim jemi të pikëlluar.”(12)
Po ashtu, në një moment mjaft emocionues e të rëndë, kur i vdiq e bija e tij e parë, Rukija, megjithëse zemra e tij rënkonte nga mërzia, ia fshinte lotët Fatimes me cepin e rrobës së tij,(13) në shenjë mëshire për të. Pejgamberi a.s.
kujdesej për fëmijët dhe interesimet e tyre. Ai asnjëherë nuk ka neglizhuar fëmijët se janë të vegjël, se nuk dinë dhe s’kanë përvojë, por u bënte komplimente, i vizitonte kur sëmureshin, madje interesohej edhe për kafshët e tyre, si rasti kur e ngushëlloi Ebu Umejrin e vogël, kur pa sa mërzitej për dallëndyshen e tij që e quante Nugajr,(14) duke dashur t`i thotë se ajo që është e rëndësishme për ty, është edhe për mua.
Argëtimi me fëmijë
Fëmija mëson duke luajtur dhe luan duke mësuar. Krijimi i mundësive për lojë është përgjegjësi prindërore për të argëtuar fëmijët. Nëpërmjet lojës fëmijët bashkë me ndjenjën e kënaqësisë fitojnë respektin për veten, sigurinë, bashkëpunimin me të tjerët, si dhe mësojnë në të gjitha fushat e zhvillimit, në aspektin emocional, fizik, shoqëror, intelektual dhe krijues.
I Dërguari i Zotit, përkundër përgjegjësive të mëdha që kishte, jo vetëm që gjente kohë për të lozur me fëmijët, por ndonjëherë bëhej edhe mjet loje për ta. Nipat e tij, Hasani dhe Hyseni, nganjëherë kalëronin mbi shpinën e tij derisa kënaqeshin dhe ai nuk ndërronte pozitë pa përmbushur dëshirën e tyre për lojë.
Shpesh është parë që mbante mbi supe mbesën e tij, Umamen. Nganjëherë edhe duke u falur, kur ulej në sexhde e lëshonte në tokë, e kur ngrihej prej sexhdes e kthente me kujdes në krahët e tij. Kjo ndodhte në një shoqëri e cila pak kohë më parë ndodhte të varrosej vajza për së gjalli, vetëm për shkak të përkatësisë gjinore, dhe askush të mos ndërmerrte diçka për ta ndaluar. Ai jo vetëm që predikoi me Kuran ndalimin e një veprimi kaq makabër, por edhe publikisht shfaqte dashurinë atërore për vajzat dhe mbesat e tij në forma që nuk ishin parë kurrë më parë, duke lëkundur kështu kufizimet e pakuptimta të kohës.
Herë-herë i gëzonte fëmijët duke i marrë në kafshën e tij. Ky zakon u pëlqente aq shumë, sa ata e prisnin krahëhapur kthimin e tij nga udhëtimi dhe garonin kush të arrinte i pari tek ai.(15) Ua përkëdhelte faqet, në shenjë dashurie, e kjo për ta kishte një vlerë të veçantë, ndiheshin fatlum dhe ishte arsye për t’u mburrur. Një kujtim të tillë të paharruar e rrëfen Xhabir bin Semure: “Bashkë me të Dërguarin e Allahut fala namazin e parë (të drekës). Pastaj ai doli nga xhamia drejt shtëpisë së tij dhe bashkë me të dola edhe unë. Në rrugë e prisnin fëmijët. Filloi t’ua përkëdhelte faqet të gjithëve një nga një. Edhe mua më përkëdheli faqen. Nga dora e tij ndjeva një freski dhe aromë të këndshme thuajse e kishte nxjerrë dorën nga shporta e parfumeve.”(16)
Motivimi i fëmijëve
Ai i frymëzonte fëmijët për ambicie dobiprurëse dhe iu hapte horizontet e së ardhmes. Një ditë, derisa Pejgamberi a.s. po ligjëronte, hynë në xhami dy nipërit e tij, të veshur me këmisha të kuqe, që rrezoheshin e çoheshin gjatë ecjes, kur i pa ata ashtu ai nuk u përmbajt dot, e ndaloi fjalimin, zbriti dhe i mori në prehrin e tij e pastaj vazhdoi ligjërimin.”(17) Në një rast, derisa e mbante Hasanin në dorë dhe ligjëronte në minber, herë shihte njerëzit e herë shihte nipin, pastaj tha: “Ky djali im është zotëri, mbase një ditë nëpërmjet tij Zoti do të pajtojë dy grupe të mëdha myslimane”(18) dhe ashtu ka ndodhur.
Të rinjve pa përvojë, por me dituri dhe aspirata të larta, Pejgamberi a.s. u jepte kurajë dhe guxim. Kur e ngarkoi Aliun r.a. me detyrën e gjykatësit në Jemen, ai fillimisht duke iu referuar moshës së re dhe mungesës së përvojës, u tregua i ndrojtur. I Dërguari i Allahut, i vuri dorën e tij të bekuar në gjoks dhe e inkurajoi duke u lutur: “Zoti im, jepi udhëzim në zemër dhe vendosmëri në gjuhë.”(19)
Më pas e mësoi si duhet gjykuar një çështje. Aliu r.a. tregon se “që atëherë, kurrë nuk jam luhatur në gjykimin mes palëve.”
Respekti për fëmijët
Respekti fitohet e nuk imponohet. Fëmijët mësojnë praktikisht respektimin kur ata respektohen prej prindit. Në një formë, janë pasqyrë që reflekton veprimet e prindit. Kur Fatimja e vizitonte Profetin a.s., ai çohej prej vendit, i dilte përpara për ta pritur, e mirëpriste me fjalë përkëdhelëse si “mirëserdhe bija ime”, e puthte në ballë, e merrte për dore dhe e ulte në vendin e tij. Me të njëjtin respekt vepronte e bija, sa herë që ai e vizitonte, ajo ngrihej ta priste, e përqafonte me përmallim, e merrte për dore dhe e ulte në vendin e saj me plot nderim.(20)
Drejtësia mes fëmijëve
Mbrojtja nga padrejtësia dhe mbajtja e drejtësisë është përgjegjësi e njeriut për aq sa ka kompetencë dhe mundësi. Një ditë, kur erdhi një njeri të kërkonte nga Pejgamberi a.s. të ishte dëshmitar për një tokë që po ia dhuronte njërit prej djemve të tij, ai e pyeti: “A ua ke dhënë të njëjtën dhuratë edhe fëmijëve tjerë?” Tha “Jo”, i tha: “Kthehu, unë nuk dëshmoj për padrejtësi.”
Ai i konsultonte vajzat për t`iu marrë pëlqimin para martese, në mënyrë që ajo të merrte vendim për vete dhe të ndiente rëndësinë e saj, në mënyrë që kjo të krijojë para rrethanë që shton harmoni të qëndrueshme bashkëshortore.
Mbështetja e fëmijëve
Të jesh prind do të thotë të jesh i vetëdijshëm se rolin prindëror nuk e vjetërson mosha, as nuk e dobëson koha. Mjafton të ushtrohet me maturi. Në një rast, hidhërimin që i kishte shkaktuar dhëndri të bijës, transmetohet se i Dërguari a.s. e kishte mbrojtur me fjalët: “Fatimja është pjesë e imja, kush e hidhëron atë, më ka hidhëruar mua.”(21)
Kur informohej për ndonjë mospajtim ose hatërmbetje, riparonte raportin mes të bijës dhe dhëndrit. Një ditë, ai e vizitoi Fatimen dhe meqë nuk e gjeti Aliun në shtëpi, pyeti për të. Fatimja i tha se ai ishte hidhëruar me të dhe kishte dalë. I Dërguari a.s. doli vet dhe angazhoi dikë ta kërkonte. Kur e gjeten në xhami ndërsa flinte, iu afrua duke i shkundur pluhurin nga rrobat e tij, e kur ai mori të çohej, me shaka dhe zë të butë i tha: “Ulu o i pluhurosur (Ebu turab), ulu!” Kjo nofkë më pas u bë thirrja më e dashur për Aliun.(22)
Përfundim
Kujtojmë këtu faktin se të dërguarit e Zotit me shprehjen “Biri im” i drejtohen botës fëmijërore, jo vetëm fëmijëve të gjakut. Kështu ai ndillte vëmendjen e një fëmije duke bërë që fjalët e tij t’i nguliteshin në kujtesë. Enes bin Maliku tregon se: “I Dërguari i Allahut a.s. më tha: “Biri im, nëse mund ta presësh mëngjesin dhe mbrëmjen pa ushqyer urrejtje dhe armiqësi ndaj askujt, bëje! Pastaj tha: Biri im, ky është suneti im, ai i cili zbaton në jetë sunetin tim, do të thotë se vërtet më do. Dhe ai që më do, do të jetë bashkë me mua në Xhenet.”(23)
Zoti i Madhëruar deshi që jeta e të Dërguarit të Tij të karakterizohej me shumë situata të mrekullueshme edukative, të cilat kontribuojnë nëpër shekuj për shtimin e njohurive dhe fuqizimin e vlerave morale, përfshirë edhe raportin e prindit me fëmijët. Në këtë artikull kam sjellë vetëm disa fragmente të shkëputura nga jetëshkrimi i tij dritëdhënës, përndryshe tema e prindërimit në Islam është një kapitull i rëndësishëm, vlera e të cilit kuptohet nga numri shumë i madh i ajeteve dhe haditheve që flasin për këtë temë.
___________________________
1. Transmetoi Muhamed bin Ismail el Buhari, Es Sahih, red. dr. Muhamed Zuhejr Ennasir, Bejrut: Daru Tavkunnexhati, bot. 1, 4/149 dhe 178 nr. 3383 dhe 3493, si dhe Muslim bin Haxhxhaxh el Kushejri, Es Sahih, red. Dr. Muhamed Zuhejr Ennasir, Bejrut: Daru Tavkunnexhati, bot. 1, 7/181 dhe 8/41 nr. 2526 dhe 2638.
2. Husejn bin Mesud el Begavi, Sherhussunneh, red. Shuajb Arnauti dhe të tjerë, Bejrut: El Mektebul Islami, b. 2, 1983, 13/236.
3. Shih, Hisham et-Talib, Abdul Hamid Ebu Sulejman dhe Umer et-Talib, Et-Terbijetul-validijjeh: ru’je menhexhijjeh tatbikijjeh fit-terbijjetil userijjeh, Virxhinia: El-ma’hed el-Ilmij lil fikr el-Islami, 2019, f. 105.
4. Ahmed ibnul husejn el Bejheki, Delail En Nubuvveh, red. dr. Abdulmu’ti Kalaxhi, Bejrut: Darul kutub El Ilmijjeh, bot. 1, 1988, 7/282.
5. Muhamed bin ed-Dahhak et-Tirmidhi, El Xhamiul Kebir, red. Ibrahim Ivad, Kajro: Mustafa el Halebi, ed. 2, 5/709, nr. 3895.
6. Transmetoi Ahmed bin Hanbel el Handhali, El Musned, red. Shuajb Arnauti dhe të tjerë, Bejrut: Muessetu Err Rrisaleh, bot. 1, 2001, 41/148 dhe 42/183, si dhe 43/15.
7. Husejn bin Mesud el Begavi, Mealim Et Tenzil (Tefsiri i Begaviut), red. Abdurrezak El Mehdi, Bejrut: Daru Ihjautturath el Arabi, ed. 1, 1420h, 5/130.
8. Muslimi, Es Sahih, 7/76 nr. 2316.
9. Muslimi, Es Sahih, 4/1807.
10. Muhamed bin Is’hak, Kitabussijer uel megazi, red. Suhejl Zekkar, Bejrut: Darul Fikr, bot. 1, f. 147. Shih, gjithashtu, Buhariu, Es Sahih, 4/185 nr. 3527 dhe Muslimi, Es Sahih, 1/133 nr. 206.
11. Transmetoi El Buhari, Es Sahih, 8/7 dhe 10 nr. 5997 dhe 6013, si dhe Muslimi, Es Sahih, 7/77 nr. 2318.
12. Transmetoi El Buhari, Es Sahih, 2/83 nr. 1303 dhe Muslimi, Es Sahih, 7/76 nr. 2315.
13. Muhamed bin Sa’d ez Zuhri, Et Tabakatul Kebir, red. Dr. Ali Umer, Kajro: Mektebetul Khanxhi, bot. 1, 2001, 10/37.
14. Transmetoi El Buhari, Es Sahih, 03/8 dhe 45 nr. 9216 dhe 6203, si dhe Muslimi, Es Sahih, 6/176 nr. 2150.
15. Shih, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë, Islam nëpërmjet haditheve, përkth. Nasir Rexhepi, Shkup: Logos-A, 2017, 6/396.
16. Transmetoi Muslimi, Es Sahih, 7/80 nr. 2329.
17. Transmetoi Ahmedi, El Musned, 38/100 nr. 22996, si dhe autorët e katër Suneneve.
18. Transmetoi Buhariu, Es Sahih, 3/186, nr. 2704 dhe në tri vende të tjera.
19. Transmetoi Muhamed Ibnu Maxheh el Kazvini, Es Sunen, red. Shuajb
Arnauti dhe të tjerë, Bejrut: Dar Err Rrisaletul Alemijjeh, bot. 1, 2009, 3/409 nr. 2309. Shejh Shuajbi shënon se hadithi është i saktë.
20. Shih, Ebu Davud Es Sixhistani, Es Sunen, red. Shuajb Arnauti me të tjerë, Bejrut: Dar Err Rrisaletul Alemijjeh, bot. 1, 2009, 7/506 nr. 5217.
21. Transmetoi El Buhari, Es Sahih, 5/12 dhe 29 nr.4173 dhe 376. Shih, Muslimi, Es Sahih, 7/140 nr. 2449.
22. Transmetoi El Buhari, Es Sahih, 5/18 nr. 3703 dhe 8/45 nr. 6204.
23. Transmetoi Muhamed bin Isa Et Tirmidhi, El Xhamiul Kebir, red. Beshshar Avvad Maruf, Bejrut: Darul garb el Islami, bot. 1, 1996, 4/410 nr. 2678 dhe e cilësoi si hadith hasen garib.