“Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab, 56)
Nëse dëshirojmë që ta përshkruajmë Muhamedin a.s., në një fali të vetme, sigurisht që nuk do të ishte e paktë. Një fali kaq të fortë, të vërtetë dhe koncize e tha gruaja e tij e dashur Aisheja r.a.. Ajo tha se Pejgamberi a.s., është “Kurani që ecë”. Në të vërtetë, vetëm disa falë të shkurtra e shpalosin plotësisht dhe fuqishëm karakterin e vërtetë të Pejgamberit të fundit të Zotit, Muhamedit a.s..
Muhamedi a.s., është fryma e vërtetë e Kuranit, në të cilën realizohen të gjitha kuptimet e mundshme kuranore dhe urtësia hyjnore. Kurani thjesht është pikturuar në shpirtin e Pejgamberit a.s. Ai është i pandashëm prej tij. E gjithë drita dhe i gjithë kuptimi i mundshëm dhe urtësia hyjnore të çdo shkronje kuranore, nga shkronja e parë elif deri te shkronja e fundit ja, zhyten dhe plotësojnë shpirtin e Pejgamberit a.s., i cili bëhet i përsosur aq sa mund të jetë i përsosur shpirti i njeriut. Natyra dhe morali i Pejgamberit a.s., nuk janë aspak të idealizuar, por përmbahen vetëm në nivelin e burimit të tij më sublim shpirtëror, në nivelin e primordialitetit të tij, në të cilin njeriu mund të ngrihet fare, kurse natyra e tij është ashtu siç ka buruar nga akti hyjnor i krijimit, që gjatë rrjedhës së ngjarjeve historike botërore do të rafnohej gradualisht me dhuntitë më të larta shpirtërore të Urtësisë hyjnore dhe do të rrezatohej shpirtërisht me dritën e emrave dhe atributeve hyjnore.(1)
Shpirti i tij është një shpirt tipik njerëzor, por nga ana tjetër, ai shpirt është edukuar në atë mënyrë që nuk është edukuar asnjë shpirt tjetër dhe ky është thelbi shembullor i Pejgamberit a.s. në Islam.
Manifestimi i frymës së kuranit të muhamedit a.s.
Muhamedi a.s., është gjithashtu realizimi i parë i vërtetë i çdo ajeti të Zotit, kështu që ai është i përshtatshëm jo vetëm si shpirti i Kuranit, por edhe si manifestimi i parë real dhe i vërtetë i tij. Ai përfaqëson plotësinë paraekzistuese të Shpalljes hyjnore. Telbi i zgjedhjes së tij pasqyrohet në aktin e vendosjes së pakthyeshme të të gjitha falëve të Zotit mbi frymën e tij, e cila i parapriu çdo forme fzike të ekzistencës, dhe në ato falë është vetë drita e urtësisë hyjnore dhe fuqia e pashtershme e Vullnetit hyjnor. Kështu, shpirti pejgamberik është premtuar nga natyra e përjetshme e falëve hyjnore dhe ato falë që burojnë nga thellësitë e paarritshme të Jetës hyjnore janë premtuar nga drita e gjallë e Fytyrës së Zotit, e cila, si një lloj pasqyre, zgjedh Pejgamberin a.s..(2)
Shumë kohë përpara materializimit dhe konkretizimit të parë të ajeteve kuranore në Mus’haf, pasi u derdhën në mendjen e Pejgamberit dhe zemrën e tij të pastër, ata përjetuan të gjithë realizimin e mundshëm në
praktikën dhe jetën e tij. Ai është i pari që i vuri në praktikë të gjitha ajetet e Zotit, nga i pari tek i fundit, dhe pas tij askush nuk do të mund ta arrijë plotësisht këtë. Ai është pra fryma e Kuranit, pranues dhe bartës i vazhdueshëm i dritës së fuqishme kuranore por është edhe Mus’hafi i parë i gjallë, sepse është konkretizimi i parë dhe aktualizimi real i mesazheve hyjnore. Vetëm në jetën e tij u realizua çdo fjalë kuranore. Pas tij, familja e tij, sahabët e tij dhe më vonë besimtarët e tjerë do të përpiqen t’i ngjajnë sa më shumë që të jetë e mundur dhe vazhdimisht do të përpiqen të lustrojnë shpirtin e tyre në mënyrë që ai të pasqyrojë Pejgamberin a.s., dhe atë duke u përpjekur që të mësohen dhe zbatohen në praktikë të gjitha ajetet e Zotit. Kështu, Mus’ hafi realizohet si një formë më e ulët e materializimit të Fjalëve të Zotit sepse Fjalët e Zotit shkruhen me shkronja në letër, kurse Pejgamberi a.s., si forma më e lartë e konkretizimit dhe ringjalljes së fjalëve të Zotit, sepse ai është pranues i vërtetë e i përsosur dhe reflektues i dritës kuranore të Zotit.(3)
Muhamedi a.s., si kurani i gjallë
Muhamedi a.s., ishte Kurani i gjallë, sepse në të gjithë plotësinë e tij, përmes përthithjes së Kuranit në shpirtin e tij dhe më pas manifestimit të tij në kuptimin e të mësuarit dhe realizimit të plotë të të gjitha ajeteve hyjnore, arriti shkallën më të madhe të mundshme shpirtërore të afërsisë me Zotin. Kështu, ai arrin të realizojë nivelin më të lartë të mundshëm të dashurisë ndaj Zotit duke mësuar dhe bartur Kuranin, por edhe duke vepruar sipas dispozitave të tij.
Është jashtëzakonisht interesante se vetë koncepti kuranor, në të njëjtën kohë sa është i ndarë nga Pejgamberi a.s., është dhe aq fort i thurur në shpirtin e tij. Është i ndarë në kuptimin që Muhamedi a.s. nuk është autori i Kuranit dhe se në Kuran nuk mund të gjendet asgjë që do të tregonte nocionin personal të Pejgamberit a.s., që ka origjinë nga njohuria e tij njerëzore.
Dhe me të vërtetë ekziston një vijë kaq e pastër midis këtyre dy koncepteve, konceptit kuranor të pastër, i cili është plotësisht i pavarur nga Pejgamberi a.s., dhe konceptit të pastër njerëzor të Muhamedit a.s., i cili përsëri është plotësisht i nënshtruar dhe i varur nga koncepti kuranor.(4) Manifestimi i konceptit të parë, konceptit njerëzor te Muhamedi a.s., ishte dominues para Shpalljes dhe në raste të natyrës laike gjatë kohës së Shpalljes. Në këtë kuptim, duhet të përmendim rastin e kopshtarit të perimeve, të cilit Pejgamberi a.s., i dha këshilla për kultivimin e palmave, megjithatë; kur pa se ky i fundit hoqi dorë nga kjo metodë për shkak se ajo nuk dha rezultate, Pejgamberi a.s., pranoi se metoda e kopshtarit të perimeve ishte më e mirë se e tij. Nga ana tjetër, kur ishte fjala për Shpalljen, Pejgamberi a.s., nuk debatoi kurrë dhe iu nënshtrua plotësisht dominimit të saj. Ai në asnjë mënyrë dhe kurrë nuk sakrifikoi asnjë urdhër kuranor; kjo vërehet veçanërisht në rastin e haxhit në vitin e shtatë hixhri, të cilin ai e anuloi papritur pasi e kishte përgatitur deri në detaje. Ai hoqi dorë thjesht sepse Shpallja vendosi ndryshe edhe pse gati sa nuk shkaktoi trazira mes myslimanëve.(5) Përveç kësaj, ka shumë shembuj të tjerë. Kurani gjithashtu në kohë i vendos në mënyrë të përsosur këto dy terma në lidhje me njëri-tjetrin në ajetin vijues: “Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kuranin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kurani) as ç’ është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë.”(6)
Prandaj, ai është Kurani i gjallë sepse drita e ajeteve hyjnore derdhet në mendjen dhe zemrën e tij kur i dërgohet Shpallja, por edhe pse ai e përjeton këtë dritë të fuqishme çdo ditë dhe në vazhdimësi, duke mësuar dhe praktikuar në kontinuitet të gjitha ajetet e Zotit. Kështu, Pejgamberi a.s., realizohet si shpirt i Kuranit në dy mënyra dhe atë në mënyrë pasive, duke i pranuar të gjitha ajetet në zemrën e tij dhe duke mos intervenuar në to në asnjë mënyrë, dhe në mënyrë aktive, duke i reflektuar ato ajete, duke i praktikuar në jetën e tij.
Morali i muhamedit a.s., burim nga Kurani
Se Muhamedi a.s., posedonte moral më të mirë, Allahu xh.sh., e shpalli në Kuran me këto fjalë: “Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë! Ti, me dhuratën (pejgamber) e Zotit tënd, nuk je i çmendur! Dhe se ti, pa dyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë! Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit! Më vonë ti do të shohësh, e edhe ata do të shohin. Se cili prej jush është i çmendur? S’ka dyshim se Zoti yt është Ai që e di më së miri se kush është ai që ka humbur prej rrugës së Tij dhe Ai e di më së miri për të udhëzuarit.”(7)
Veç kësaj, Allahu xh.sh., në ajetin e lartpërmendur gjithashtu thekson se Muhamedi a.s., do të marrë një shpërblim të vazhdueshëm. Kjo e dhënë tregon se Muhamedi a.s., ka treguar gjithmonë një moral të mirë dhe se ai kurrë nuk ka devijuar nga devotshmëria.
Pas shpalljes së parë, Pejgamberi a.s., vazhdimisht i nënshtrohet ajeteve të saja dhe me gjithë forcën e tij i pranon ato në qenien e tij fizike dhe shpirtërore, e cila përfundimisht e gjen përfundimin e saj te Pejgamberi a.s., si Kurani që ecë, si një njeri në shpirtin dhe jetën e të cilit i janë realizuar plotësisht të gjithë urtësinë dhe të gjitha kuptimet e ajeteve hyjnore dhe për njeriun që iu përgjigj atyre në mënyrën më të përsosur të mundshme. “Unë” e Pejgamberit a.s., mund të ndahet nga Kurani vetëm në kuptimin që ai nuk është autori i tij dhe se Pejgamberi a.s. nuk ka futur asgjë të vetën në të, por në çdo kuptim tjetër “Unë” e tij është plotësisht kuranore, plotësisht e kurorëzuar me ajete kuranore.(8)
Për shkak të sa më sipër, Muhamedi a.s., paraqet një hallkë shumë të rëndësishme, në rrugën e “udhëtarit” të përsosmërisë së shpirtit. Kjo rrugë shpirtërore e thellon padyshim praktikën e frymëzuar hyjnore të Pejgamberit a.s., si i vetmi Imam, sepse vetëm në shpirtin e tij, urdhri hyjnor ndihet si në shtëpinë e vetë dhe vetëm shpirti i tij i njeh qëllimet e tij urdhëruese dhe perspektivat e fshehura shpirtërore. Prandaj, kjo rrugë shpirtërore ka praktikën e saj, e cila në fakt është një pikturim i praktikës pejgamberike dhe e ndjenjës së saj të brendshme dhe e realizimit shpirtëror, karakteristikë e çdo udhëtari shpirtëror.
Jashtë kornizës së kësaj praktike, përkatësisht Synetit të Pejgamberit a.s., është praktikisht e paparamenduar për një mysliman - një udhëtar shpirtëror, të kërkojë një mënyrë për t’u ngritur dhe përsosur shpirtërisht. Ndjenjat e brendshme dhe shndërrimet e udhëtarëve shpirtërorë mund të jenë të ndryshme, por praktika dhe mënyra e ecjes shpirtërore mbeten gjithmonë të njëjta, të Pejgamberit a.s..
Sipas interpretimit islam, Pejgamberi a.s., përfaqëson fillimin shpirtëror dhe plotësinë e të cilit besimtarët janë pjesë të veçanta. Një besimtar, në rastin tonë një udhëtar shpirtëror, duke lexuar Kuranin, në të njëjtën kohë duke imituar sa më shumë Pejgamberin a.s., në të vërtetë shpreh dëshirën e tij për përsosmërinë e tij. Nga pikëpamja fillestare, të marrim si shëmbëlltyrë Pejgamberin a.s., dhe sjellja e bekimeve mbi të, do t’i referohej bërjes intermediale, përkatësisht në zgjerimin që pason pastrimin dhe që i paraprin bashkimit.(9)
Muhamedi a.s., si shëmbëlltyrë për të rinjtë
Për një mysliman, shembulli më i mirë është padyshim ai i të Dërguarit të Zotit a.s., për çka Allahu i Lartësuar e thekson shprehimisht në Kuran: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.”(10)
Duke besuar në pejgamberllëkun e Pejgamberit dhe duke e dashur atë, ne arrijmë dhe realizojmë pjesën e dytë të shehadetit. Paraardhësit tanë të mirë, si dhe ata që i pasuan ata, mbrojtën dhe u përpoqën të zhvillojnë në zemrat e fëmijëve të tyre dashurinë për Pejgamberin tonë a.s.. Ata e dinin se kjo dashuri në zemrat e tyre do të rrisë sentimentalitetin dhe ndjenjat e fëmijëve, do t’ua rrisë ndjenjën e përkatësisë ndaj Islamit, do t’i inkurajojë ata të bëjnë çdo të mirë, do t’i zgjidhë të gjitha problemet dhe do t’ua lehtësojë vështirësitë.
Përgjithësisht dihet se fëmijët në fazën e formimit dhe formësimit të personalitetit të tyre përpiqen të imitojnë personalitetin më të fortë me të cilin bien në kontakt, në mënyrë që ta ndjekin atë në sjelljen dhe lëvizjet e tij. Për këto arsye, pedagogjia islame kërkon që si fëmijët, ashtu edhe të rriturit, në përgjithësi të gjithë myslimanët, ta marrin Pejgamberin a.s., si model dhe shembull, sepse ai është një model i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm, “njeriu më i përsosur” absolut që është shfaqur ndonjëherë dhe Pejgamberi më i zgjedhur nga të gjithë pejgamberët.(11)
Prandaj, modeli është një nga mjetet më të dobishme në edukim që ndikon në zhvillimin moral, psikologjik dhe social të fëmijës. Kjo sepse edukatori është fillimisht modeli më i madh në sytë e fëmijës dhe fëmija me vetëdije, e shpesh edhe pa vetëdije, e ndjek atë në atë që thotë dhe vepron. Prandaj, modeli është një nga faktorët kryesorë nëse një fëmijë do të jetë i edukuar mirë apo jo. Nëse edukatori është i virtytshëm, i moralshëm, i ndershëm, i sinqertë..., edhe fëmija do të përpiqet të jetë i tillë. Megjithatë, nëse edukatori është i prirë të gënjejë, është i paqëndrueshëm, i pavendosur, dorështrënguar, nuk do të jetë për t’u habitur nëse edhe fëmija bëhet i tillë.(12)
Veçoritë më të spikatura të qasjes së Pejgamberit të bekuar a.s., ndaj të rinjve janë përkujdesja dhe dashuria e tij për ta, aq qartë e pasqyruar jo vetëm në hadithe, por edhe në veprimet e tij të përditshme, të dëshmuara nga shumë prej sahabëve të tij. Pejgamberi a.s., i donte fëmijët, madje edhe kur ishte i dërguar dhe sundimtar i një pjese të konsiderueshme të Arabisë e më gjerë, ai kishte shprehi të luante me nipërit e tij, Hasanin dhe Hysejnin, dhe ai madje i la t’i ngjiteshin në shpinë atij. Ai gjithmonë tregonte respekt për vajzën e tij, Fatimen, aq sa që u ngrinte në këmbë para saj dhe e përshëndeste sa herë që ajo e vizitonte atë.(13)
Muhamedi a.s. është shëmbëlltyra më e mirë sepse ishte në nivelin më të lartë të moralit, ai është zgjedhur nga Zoti i tij në mesin e krijesave të tjera, është rritur dhe i është dhënë edukata më e bukur. Ai ishte prindi më i kujdesshëm, bashkëshort ideal, kunat korrekt dhe dhëndër i virtytshëm. Ai ishte i vëmendshëm dhe i kujdesshëm ndaj të gjithëve.
_________________________
1. Rešid Hafizovi?, (Poslanik islama i njegova vje?na poruka), pasthënie në: Seyyed Hossein Nasr, Muhammed, ?ovjek Božiji, (Sarajevë, Instituti i Kërkimeve Shkencore “Ibn Sina”, 2007), 293.
2. Po aty, f. 313.
3. Berin Bajri?, (Muhammed, alejhisselam, ?isti duh Kur ’ana), Novi Muallim, Viti XII, numër 48, (Sarajevë, 2011), 40-45,
4. Malik ibën Nebi, Kur’anski fenomen, botimi II, (Sarajevë, Pleqësia e Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë, 1989), 108.
5. Po aty, f. 107.
6. Esh-Shura, 52. Përkthimi i ajeteve nga Haxhi Sherif Ahmeti.
7. El-Kalem, 1-7.
8. Berin Bajri?, (Muhammed, alejhisselam...), f. 44.
9. Po aty, f. 45.
10. El-Ahzab, 21.
11. Sulejman Topoljak, (Poslanikove odgojne metode), Novi Muallim, Viti II, numër 5, (Sarajevë, 2001), 31.
12. Zuhdija Hasanovi?, (Sredstva odgoja kojima se koristio Božiji poslanik, alejhi-s-selam), Novi Muallim, Viti III, numër 8, (Sarajevë, 2002), 9.
13. Seyyed Hossein Nasr, Muhammed, ?ovjek Božiji, (Sarajevë, Instituti i Kërkimeve Shkencore “Ibn Sina”, 2007), 98-99.