Rastet e delikteve në Vilajetin e Kosovës (1876-1880) (I)

Rastet e delikteve në Vilajetin e Kosovës (1876-1880)(3)

Ahmet Çaner Çatal(1) & Isa Kalayci(2)

Rezyme: Kosova si njëri prej vilajeteve më të rëndësishëm të shtetit osman, mbeti në ndikim të pavolitshëm për shkak të situatës së brendshme dhe politikës së jashtme në të cilën ndodhej shteti në shek. XIX. Në veçanti lufta e 93-ës4 e lëkundi strukturën e përgjithshme të Vilajetit dhe si pasojë re?ektoi një sërë defektesh në çështjen e sigurisë dhe rendit. Ky punim në themel përfshin ngjarjet e prishjes së rendit, të cilat janë përcjellë në organet e gjyqësisë ndërmjet viteve 1876 – 1880. Në bazë të dokumenteve në dispozicion janë paraqitur edhe njohuritë lidhur me politikën e përgjithshme të pushtetit qendror. Për këtë periudhë paraqiten çështjet me të cilat merret gjyqësori sikurse janë vrasjet, plagosjet, vjedhjet, sulmet, dhunimet, plaçkitjet, strehimet e cubave dhe përdorimi i armëve të zjarrit. Numri, vendi, lloji dhe masat për pengimin e këtyre delikteve e përbëjnë thelbin e këtij studimi. Dokumentet e Arkivit Osman janë marrë si prova që ndriçojnë temën me të cilën merret ky punim.

Fjalët kyçe: Ballkani, Vilajeti i Kosovës, Siguria, Krimi, Plagosjet.


Vilajeti i Kosovës Hyrje Shekulli XIX paraqet një periudhë kur shteti osman ngec në shumë fusha dhe bart në vete lëvizje nacionaliste të grupeve të ndryshme etnike, të cilat sjellin ide separatiste. Në këtë shekull grupeve etnike separatiste u vijnë në ndihmë shtetet evropiane dhe krijojnë aleanca për rrënimin e shtetit osman. Me këtë qëllim, ato i nxisin grupet etnike dhe fetare kundër shtetit osman. Posaçërisht politikat pansllaviste të Rusisë me synimin për t’u shtrirë në Ballkan, paraqesin njërin ndër faktorët më të rëndësishëm. Politika imperialiste e Rusisë bashkë me nacionalizmin etnik, sollën disa kryengritje në Bosnjë e Hercegovinë. Në vitin 1876 me nxitjen e Rusisë, serbët e malazezët i shpallën luftë shtetit osman. Ndërkaq ushtria osmane korri fitore të suksesshme kundër këtyre kryengritjeve. Duke marrë si shkas mbrojtjen e sllavëve të Ballkanit, Rusia, më 19 prill 1877 e filloi luftën me shtetin osman. Në këtë luftë shteti osman pësoi disfatë dhe me 31 janar 1878 u detyrua të nënshkruajë paqen e Shën Stefanit (sot lagje e Stambollit – Yeshilkoj). Kjo marrëveshje nuk u shkoi për shtat forcave europiane dhe në vend të kësaj më 13 korrik u nënshkrua Marrëveshja e Berlinit.
Me Marrëveshjen e Berlinit shteti osman humbi territor të rëndësishëm në Ballkan. Me këtë Marrëveshje, Serbia, Rumania dhe Mali i Zi e fituan pavarësinë, ndërsa Bullgaria autonominë. Bosnja dhe Hercegovina hyri nën sovranitetin e Austrisë. Shtetit osman i mbetej pjesa Jugore e Ballkanit prej Detit të Zi deri në Adriatik me territoret e Maqedonisë, Thrakisë, Thesalisë, Shqipërisë. Këto territore ndaheshin në provincat e Edrenesë, Selanikut, Kosovës, Janinës, Manastirit dhe Shkodrës. Sipas hartës së Ballkanit që doli nga Marrëveshja e Berlinit, Kosova gjeografikisht ra në atë pozitë që ta ketë në kufi Serbinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë. Sanxhaku i Prishtinës si pjesë e Vilajetit të Kosovës kufizohej në perëndim me Malin e Zi, Sanxhaku i Shkupit në lindje me Bullgarinë; sanxhaku i Jenipazarit në veri me Serbinë e në jug me Malin e Zi, Sanxhaku i Pejës në perëndim me Malin e Zi, Sanxhaku i Plevles në veri me Serbinë, në perëndim me Malin e Zi ishin shtetet me të cilat kufizoheshin. Me këtë pozitë që kishte, Vilajeti i Kosovës, pas Marrëveshjes së Berlinit, ishte bërë strehim i natyrshëm për banorët që ishin detyruar të shpërnguleshin. Nga ana tjetër për shkak të ekspozimit ndaj sulmeve nga shtetet fqinje, ajo e kishte ruajtur pozitën strategjike

Përbërja socio – kulturore e Vilajetit të Kosovës

Struktura Administrative

Kosova pas v. 1389, në kohën e Muratit I, kishte hyrë nën influencën osmane dhe për 524 vjet ishte nën administrimin osman. Prej kohës kur hyri në administrimin osman e deri te lufta ruso-osmane ka qenë e lidhur si qendër sanxhaku për provinca të ndryshme. Në kuadër të shumë reformave të bëra pas Tanzimatit, me Rregulloret e Vilajeteve më 1864 dhe 1871 u themelua Vilajeti i Kosovës me qendër në Sofje e që përfshinte Nishin dhe Prishtinën. Pas Marrëveshjes së Berlinit me humbjen e Nishit dhe Sofjes, me rregullimin e ri administrativ, Vilajeti i Kosovës në përbërjen e saj kishte sanxhakun e Prishtinës, Shkupit, Jeni Pazarit dhe Plevles.

1.2. Struktura demografike

Pas përfundimit të luftës ruso-osmane, shumë njerëz u shpërngulën nga tokat që i kishte humbur shteti osman. Një pjesë e konsiderueshme e refugjatëve myslimanë u vendosën në tokat e Rumelisë dhe Anadollit. Si pasojë e kësaj, popullata turko-myslimane në vendet si Kosova, Selaniku dhe Manastiri u shtua në krahasim me popullatën jomyslimane, kështu që përbërja demografike ndryshoi në dëm të jomyslimanëve.
Për herë të parë njohuritë mbi popullsinë e Vilajetit të Kosovës janë dhënë më 1878 në Vjetarin Shtetëror. Sipas Vjetarit në Kosovë jetonin 898.772 banorë. Me regjistrimin e popullsisë që është bërë pas Marrëveshjes së Berlinit (1878- 79), numri total i banorëve del 496. 078 dhe shihet qartë ndryshimi i gjendjes demografike. Kjo rrënje e numrit të banorëve, gati për gjysmë, është për shkak të humbjes së sanxhakut të Nishit dhe atij të Pirotit pas Marrëveshjes së Berlinit. Nga regjistrimi 1878-79, 298.978 banorë ishin myslimanë (60.26%), 187. 654 të krishterë (37.82%), 58 hebrenj (0.11%) dhe 8. 888 romë-egjiptas (1.79%).
Sipas regjistrimit të datës 6 tetor 1880, në Vilajetin e Kosovës jetonin 345. 810 banorë. Nga ky numër 212. 829 ishin myslimanë (61.64%), 124. 835 kristianë (36.09%), 6.615 romë-egjiptas prej të cilëve 5.770 të fesë myslimane dhe 845 jomyslimanë dhe 401 hebrenj. Në kuadër të Vilajetit ishin edhe 41. 354 muhaxhirë të ardhur, prej kësaj del që popullsia totale e Vilajetit ishte 387.164 banorë (AOK -Arkivi Osman i Kryeministrisë Y.YPR. UM, 3/75). Në krahasim me regjistrimin e mëparshëm, janë 108. 000 banorë më pak. Ky zvogëlim i popullsisë vjen për shkak të rindarjes administrative dhe emigrimit jashtë Vilajetit.
Struktura etnike dhe fetare e Vilajetit të Kosovës rrjedh nga Sistemi Osman i Miletit. Vilajeti në gjirin e tij përmblidhte grupe të ndryshme etnike dhe fetare. Popullsia nga pikëpamja etnike përbëhej prej shqiptarëve, boshnjakëve, serbëve, bullgarëve dhe turqve. Shikuar më hollësisht, Sanxhaku i Shkupit në pjesën jugore popullohej prej turqve dhe bullgarëve, ndërsa në atë veriore prej shqiptarëve, Sanxhaku i Plevles në tërësi prej boshnjakëve, Sanxhaku i Jeni Pazarit prej shqiptarëve dhe boshnjakëve; Sanxhakët e Prishtinës, Prizrenit dhe i Pejës populloheshin kryesisht prej shqiptarëve.
Nga aspekti fetar dhe demografik pasqyra ishte e këtillë: serbët dhe bullgarët – ishin ortodoksë, latinë - shqiptarët katolikë, ndërsa – shqiptarët, turqit dhe boshnjakët ishin myslimanë. Në përmasa të Vilajetit, myslimanët përbënin 75% të popullsisë. Turqit vetëm në sanxhakun e Shkupit përbënin shumicën. Ndërkaq në sanxhakun e Shkupit, Prizrenit dhe Prishtinës në përmasa të gjëra flitej edhe turqisht.


______________________________
1. Ahmet Xhaner Çatall – Asistent Kërkimesh në Univerzitetin “Mustafa Kemal Pasha të Hatajit – Fakulteti i Shkencave dhe Letërsisë – Dega e Historisë/ Historia e Kohës së Re.
2. Doktor Isa Kallajxhi – Profesor në Universitetin “Mustafa Kemal Pasha të Hatajit – Fakulteti i Shkencave dhe Letërsisë – Dega e Historisë/Departamenti Histori e Republikës së Turqisë.
3. Revista e Institutit të Shkencave Sociale të Univerzitetit Mustafa Kemal, Viti 2014 – Vëllimi 11, f. 111- 121.
4. Eshtë fjala për Luftën ruso – osmane të v. 1778



Përktheu: Sezai Sylejmani
Dituria Islame 348


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Ismail Mziu ?