E drejta pronësore e gruas
Në epokën paraislamike, gruaja nuk kishte kompetencë ligjore për të zotëruar pronë apo për të disponuar pasurinë e saj, përveçse në disa raste të rralla. Ajo kryesisht ishte në pronësi të kujdestarit ose bashkëshortit të saj dhe për këtë arsye ajo trashëgohej po si çdo lloj pasurie tjetër. Kur Kurani i madhërishëm filloi t’i shpallet vulës së pejgamberëve, gruaja mori pozitën e saj dhe nga ajo u hoqën të gjitha llojet e padrejtësisë nën të cilat ajo kishte vuajtur me shekuj, e poshtëruar, e përbuzur, e privuar nga të drejtat, e zhveshur nga nivelet më të ulëta të njerëzimit. Ky nuk është ekzagjerim, pasi ndonjëherë ajo trashëgohej si plaçkë dhe nganjëherë vritej nga frika e varfërisë dhe turpit. Kur dielli i Islamit lindi dhe drita e tij u përhap, ai i ia fshiu asaj të gjithë këtë padrejtësi, e çliroi nga ajo robëri dhe e zëvendësoi me forcë, lartësi, dinjitet, status dhe epërsi dhe i dha të drejtat që ajo nuk i kishte arritur. Ai ia dha të drejtat e saj njerëzore, fetare, sociale, ekonomike dhe politike dhe ia mundësoi asaj t›i gëzonte të gjitha, derisa ajo, në Islam, u bë në pozitë të barabartë me burrin. Secili prej tyre ka të drejtën dhe detyrën e tij, secili sipas asaj që Zoti i Madhëruar krijoi për të dhe e bëri të denjë për të.
Islami e ngriti vlerën e gruas dhe anuloi gjithçka që arabët dhe joarabët përdornin për ta privuar gruan nga të drejtat e saj financiare dhe nuk bëri dallim midis saj dhe burrit në këtë. Ai bëri për të një entitet të pavarur dhe përgjegjëse për veprimet e saj, e bëri të aftë për detyrat ligjore dhe të aftë për të zotëruar dhe disponuar pasurinë e vet njësoj si burri. Mjafton fjala e Umer ibën el Hatabit për statusin e gruas para Islamit që të na bëhet e qartë se sa e nënçmuar ishte ajo: “Pasha Allahun, në epokën paraislame, çështjen e gruas nuk e llogarisnim asgjë, gjersa Allahu në lidhje me to shpalli atë që e shpalli dhe ndau për to atë që ndau.”(1)
Islami erdhi dhe vendosi të drejtën e gruas për të zotëruar, përfituar dhe vepruar në atë që e zotëron, dhe i dha të drejtë të pavarur financiare, në të cilën burri kujdestar qoftë apo bashkëshort, nuk ka pushtet mbi pasurinë dhe pronën e saj.
Gruaja e pjekur, sipas legjislacionit islam, ka të drejtën e posedimit të pronës dhe të drejtën për të vepruar në të gjithë pasurinë e saj në të gjitha format dhe metodat e fitimit të lejuar dhe mjetet legjitime, si blerja dhe shitja, qiradhënia dhe qiramarrja, investimi, tregtia, shpenzimet, marrëveshje për biznes, bujqësia, bamirësia, dhurata, testamenti, lëmosha, huadhënia, huamarrja, falja, hipoteka etj.. Ajo ka të drejtë të lidhë kontrata financiare dhe tregtare vetë pa ndërmjetës, të autorizojë, të garantojë të tjerët, t’i lë testament kujt të dojë përveç trashëgimtarëve të saj brenda kufijve ligjorë dhe të ngre padi për mbrojtjen e të drejtave të saj financiare përpara gjykatës, dhe forma të tjera financiare dhe ekonomike, të gjitha pa autoritetin, lejen ose mbikëqyrjen e kujdestarit ose bashkëshortit të saj, me kusht që puna, sjellja dhe pronësia e saj të mos bien në kundërshtim me mësimet ligjore dhe me funksionin bazë të gruas për amësinë dhe bashkëshortësinë.
Gruaja myslimane e moshërritur, mentalisht e shëndoshë, beqare qoftë apo e martuar, ka drejtë të plotë, të pavarur financiare dhe ka të drejtën absolute në kuadrin e dispozitave të Sheriatit në atë që fiton nga puna e saj hallall, si dhe të drejtën për të zotëruar prona siç e theksuam me lartë dhe të drejtën e veprimit në atë që e zotëron, ndërsa babai, vëllai, bashkëshorti apo djali nuk kanë autoritet mbi pasurinë e saj, dhe ajo nuk ka nevojë për lejen e tyre për të zotëruar dhe për të vepruar në të në atë formë që dëshiron përderisa është e ligjshme.
Se kjo liri i është dhënë gruas dhe konsiderohet si një nga të drejtat e saj ligjore, ka shumë ajete dhe hadithe që tregojnë qartë. Ndër to ajeti:“Grave jepuani dhuratën e kurorës së tyre (niqahin) më të mirë, e në qoftë se ato nga vullneti i vet ju falin diçka nga ajo, atëherë hajeni atë hallall të mirë.”(2)
Zoti i Lartësuar, gruas ia dha të drejtën për të zotëruar mehrin, në të njëjtën kohë duke ia dhënë lirinë e veprimit në atë që e zotëron pa iu referuar lejes së askujt, si dhe ndaloi të tjerët, kushdo qofshin ata, që të marrin diçka nga ai apo të veprohet në të përveçse me dëshirën e saj, e kjo është dëshmi se sipas legjislacionit islam, gruaja ka lirinë e veprimit me pronën e saj pa kufizim përderisa ajo ka arritur moshën e pjekurisë.
Gjithashtu, fjala e të Lartmadhërishmit: “E nëse i lëshoni ato para se të keni kontakt intim me to, por u keni pas caktuar atyre një caktim (kurorë), atëherë duhet t›u jepni gjysmën e asaj që e keni caktuar, përveç nëse ato ju falin”.(3)
“E juve (burrave) nuk u lejohet t’u merrni asnjë send nga ajo që u keni dhuruar (si niqah).”(4)
Ky ajet pohon të drejtën e gruas për të zotëruar gjysmën e mehrit në rast divorci para gjerdekut, me lejueshmërinë e faljes së mehrit pa kërkuar lejen e askujt, gjë që mbështet pavarësinë e saj financiare.
Në lidhje me dy ajetet e sipërpërmendura, Ibën Betali ka thënë: “Kështu u vërtetua, se kushdo që është i pjekur, veprimi në pasurinë e tij është i drejtë ashtu siç dëshiron. I Lartmadhërishmi thotë: “Grave jepuani dhuratën e kurorës së tyre (niqahin) më të mirë.” Allahu ia lejoi bashkëshortit atë që gruaja ia jep me vullnetin e saj. Gjithashtu thotë: “E nëse i lëshoni ato para se të keni kontakt intim me to, por u keni pas caktuar atyre një shumë të mehrit (pajë nusërie), atëherë duhet t›u jepni gjysmën e asaj që e keni caktuar, përveç nëse ato ju falin ose ju falë ai në duart e të cilit është lidhja e kurorës. E të falni (burra ose gra) është më afër devotshmërisë, e mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush. Vërtet, Allahu sheh atë që veproni.”(5)
Allahu ia lejoi asaj faljen e pasurisë së saj pasi bashkëshorti i saj ta ketë divorcuar pa leje nga askush, kjo tregon lejueshmërinë e veprimit të gruas në pasurinë e saj, dhe se ajo në të është në mënyrë të barabartë po si burri. Ata (dijetarët) argumentuan me urdhërimin e Esmes nga Pejgamberi a.s. për të dhënë lëmoshë dhe nuk e urdhëroi atë që të kërkonte leje nga Zubejri r.a., (bashkëshorti i saj) dhe se Mejmunja r.a., e liroi robëreshën e saj dhe nuk kërkoi lejen e Pejgamberit a.s.. Gjithashtu, me hadithin e Ibën Abasit r.a., se Pejgamberi a.s. iu drejtua grave në ditën e Bajramit dhe u tha atyre: “Jepni sadaka, qoftë edhe nga stolitë tuaja”, dhe nuk ka asnjë hadith që (tregon se) ato kanë kërkuar leje prej bashkëshortëve të tyre, dhe as që i Dërguari i Allahut a.s. i ka urdhëruar që të kërkojnë leje prej tyre. Nuk ka mospajtim se testamentet e saj nga një e treta e pasurisë së saj janë të lejuara po si testamentet e burrit dhe bashkëshorti nuk ka asgjë në dorë në këtë. Këtë e thotë Libri, që është thënia e të Plotfuqishmit:“pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi.”(6)
Nëse testamentet e saj në një të tretën e pasurisë së saj janë të lejueshme pas vdekjes së saj, atëherë veprimet e saj në pasurinë e saj gjatë jetës së saj janë me të lejueshme.”(7)
Të drejtën e pronësisë së gruas dhe veprimit në të, e dëshmon gjithashtu ajeti: “Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë dorëzojuni atyre pasurinë e tyre.”(8)
Zoti i Madhëruar i bëri të barabartë burrat dhe gratë në arritjen e pubertetit dhe shfaqjen e pjekurisë, si dhe urdhëroi që t’u jepet pasuria e tyre dhe nuk e ka veçuar burrin nga gruaja, kështu që vërtetohet se kushdo që është në pjekuri të shëndoshë, mund të veprojë me pasurinë e tij sipas dëshirës.(9)
Kjo është kështu ngase, atij që duhet t’i dorëzohet pasuria e vet për shkak të pjekurisë së tij, s’ka dyshim se atij i lejohet të veprojë në të pa lejen e askujt. Kjo është e dukshme se nëse vajza është jetime dhe pastaj rritet dhe është e pjekur, ajo mund të veprojë në pasurinë e saj. Ndërsa ndër hadithet, që e dëshmojnë këtë të drejtë të gruas, për të mos u zgjeruar, përmendim hadithin, ku i Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Jepni lëmoshë, o gra qoftë edhe nga stolitë tuaja”,(10) ato filluan t’i hedhin vathët dhe qaforët e tyre.(11)
Zejnebja, bashkëshortja e Abdullah ibën Mesudit r.a., dhe një grua tjetër e quajtur me po këtë emër, erdhën te Pejgamberi a.s., dhe e pyeten për lëmoshën, a ju lejohet t’u japin lëmoshë bashkëshortëve dhe jetimëve të tyre? Ai tha:“Për ata ka dy shpërblime: shpërblimi i mbajtjes së lidhjeve familjare, dhe shpërblimi i sadakasë.”(12)
Në këtë hadith, vërtetohet se gruaja ka të drejtë pronësie si dhe lirinë për të vepruar në këtë pronë pa iu referuar lejes së askujt, dhe tregon se ajo në adhurimet financiare është tamam si burri, ngase ato dhanë sadaka dhe i Dërguari a.s. ua pranoi sadakanë dhe nuk pyeti nëse sadakaja ishte e ndonjë vajze të re apo e ndonjë gruaje të martuar, se ajo sadaka ishte nga një e treta apo më shumë, se i ishte kërkuar leje burrit apo jo?! Po të kishte qenë një domosdoshmëri, i Dërguari i Allahut a.s., nuk do ta linte dhe ky ishte veprimi i fundit që e bëri ai a.s..
Argumentet në lidhje me këtë janë të shumta, por ne mjaftohemi me këto.
Mbështetur në këtë, toka apo ajo gjë që është blerë me pasurinë e saj konsiderohet pronë e saj dhe ajo ka të drejtë ta regjistrojë atë në emër të vet në mënyrë që ta vërtetojë dhe dokumentojë pronësinë e saj. Ajo mund të zotërojë atë që i është dhënë ose atë që ka blerë me pasurinë e saj dhe të veprojë më të si të dëshirojë përderisa nuk bie në kundërshtim me rregullat e sheriatit.
Është me rendësi të përmendet, se gjersa Islami i bëri drejtësi gruas duke i siguruar asaj të drejtat e saj financiare në këtë mënyrë unike, gruaja në Evropë vetëm kohët e fundit ka krijuar juridiksion financiar të pavarur. Mjafton të dimë se arsyet e kufizimit (ndalimit të kompetencave ligjore) në legjislacionin islam janë: të qenët i mitur dhe çmenduria, ndërsa në të drejtën romake, dhe në ligjin francez deri në vitin 1938, ishin: të qenët i mitur, çmenduria dhe feminiteti.
Ligjet e Evropës “të qytetëruara” e privonin gruan nga të gjitha këto të drejta deri kohët e fundit, dhe rrugën e saj të vetme për të arritur tek ato të drejta e kishin bërë nëpërmjet burrit, bashkëshort qoftë, baba apo kujdestar. Pra, për shumë shekuj pas Islamit, gruaja evropiane nuk kishte të drejtat që ia dha Islami, madje dhe pas zotërimit të tyre, ajo nuk i mori lehtë dhe nuk e ruajti moralin, nderin dhe dinjitetin e saj, por iu desh të sakrifikonte gjithçka që kishte dhe të duronte djersën, gjakun dhe lotët, në mënyrë që të arrinte diçka nga ajo që Islami ia dha vullnetarisht dhe që nga fillimi, jo duke iu nënshtruar nevojshmërisë ekonomike, as duke iu nënshtruar konfliktit të vazhdueshëm mes qenieve njerëzore, por me miratim prej tij për të vërtetën e përjetshme dhe drejtësinë, dhe zbatimin e tyre në realitet, jo në botën e idealeve dhe ëndrrave.
Në lidhje më të drejtën e gruas myslimane në pronë dhe veprimit me të dhe asaj jomyslimane në të kaluarën dhe të tanishmen, Sejid Kutubi, kur bënë interpretimin e ajetit: “Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato”,(13) thotë: “E regjistrojmë këtu të drejtën e pronës individuale që ia dha Islami gruas në këtë tekst, të drejtë që injoranca arabe – po ashtu si injorancat e tjera të lashta – e kishte shkelur dhe nuk ia njihte atë gruas – përveçse në raste të rralla – dhe akoma vazhdon të mashtroj për ta shkelur. Vetë gruaja ishte diçka që trashëgohej po si plaçka! Kjo është e vërteta që injorancat moderne, të cilat pretendojnë se u kanë dhënë gruas të drejta dhe respekt që asnjë program tjetër nuk ua ka dhënë atyre kanë vazhduar me padrejtësi. Disa i bëjnë trashëgimi trashëgimtarit më të madh mashkull, disa e bëjnë lejen e kujdestarit të domosdoshme për të nënshkruar çfarëdo kontrate për gruan në lidhje me pasurinë, dhe e bëjnë lejen e burrit të domosdoshme për çdo disponim financiar të bashkëshortes në pasurinë e saj. Kjo ndodhi pas revolucioneve dhe lëvizjeve të shumta të grave dhe anomalive që rezultuan prej tyre në të gjithë sistemin ligjor që ka të bëjë me gruan, pastaj në sistemin familjar dhe në platformën e përgjithshme morale.
Ndërsa sa i përket Islamit, ai ia ka dhënë këtë të drejtë që në fillim dhe pa kërkesën e saj, pa revolucion, pa shoqata grash dhe pa anëtarësim në parlament. Kjo e drejtë i është dhënë në përputhje me pikëpamjen e tij të përgjithshme për nderimin e qenies njerëzore në tërësi, nderimin e dy pjesëve të një veteje, të ngritjes së gjithë sistemit të tij shoqëror në bazë të familjes dhe të mbajtjes së atmosferës së familjes me përzemërsi, dashuri dhe garanci për secilin anëtar të familjes. Prandaj, prej këtu barazia e së drejtës për të zotëruar pronën dhe e drejta për të fituar mes burrave dhe grave ishte i lidhur me parimin e përgjithshëm.(14)
Krejt në fund themi se e drejta e pavarur financiare e gruas që i është dhënë asaj nga Islami është një tregues i qartë i respektit të Islamit për mendjen dhe aftësitë e saj. Kufizimi (ndalimi i kompetencave ligjore) në Islam është vetëm për dy arsye: të qenët i mitur, mashkull qoftë apo femër, dhe ata dy në këtë janë të barabartë, dhe kjo nga frika e paaftësisë së tyre për të menaxhuar punët e tyre për shkak të mungesës së aftësive të tyre mendore dhe pa plotësisë, dhe arsyeja tjetër, çmenduria, ku i çmenduri nuk ka aftësi mendore që i mundëson atij të drejtojë dhe të menaxhojë punët e tij. Nëse marrim parasysh dimensionin kohor të ligjit islam dhe dhënien e të drejtës së gruas për disponim prone, na bëhet e qartë se deri në çfarë mase Islami respekton mendjen e gruas dhe se ajo është qenie njerëzore e plotë.
_____________________
1. El Buhari, nr: 4913, 6/157, Muslimi, nr: 1479, 2/1108.
2. En Nisa, 4.
3. El Bekareh, 237.
4. El Bekareh, 229.
5. El Bekareh, 237.
6. En Nisa. 12.
7. Sherh Sahihi el Buhari i Ibën Bettalit, 7/108.
8. En Nisa, 6.
9. Sherh Sahihi el Buhari, 7/108-109.
10. El Buhari, nr: 1466, 2/122, Muslimi: 100, 2/694.
11. Koment i Buhariut, 2/116, Muslimi, nr: 1000, 2/694.
12. El Buhari, nr: 1466, 2/116 dhe 2/121, Muslimi, nr: 1000, 2/694.
13. En Nisa, 32.
14. Fi dhilali el Kuran, 2/645.