Do të ishte mirë të pajtohemi që fjala halif mos të kuptohej si përfaqësues i Allahut në Tokë, por si përfaqësues i Ligjit të Allahut, që nënkupton personin, i cili kujdeset për sendërtimin e ligjeve dhe dispozitave të Allahut në tokë.

1. Halifi në Kuran

Fjala halif edhe në njëjës, por edhe në shumës (hala’if, hulefa’) gjendet në Kuran në kontekste të ndryshme.(1)
“Është Ai, i Cili bën që në tokë të ndërroni njëri-tjetrin dhe Ai ju ngre disa nga ju mbi disa të tjerë, sipas pozitave, për t’ju sprovuar në atë çka ju jep. Zoti yt, njëmend, është i shpejtë në dënim, por Ai, me të vërtetë, edhe fal dhe është mëshirëplotë.“ (El-En’am, 165.)
”Dhe përkujtoni se ju ka bërë trashëgimtarë të Adit dhe Ai ju ka vendosur në tokë, nëpër rrafshinat e së cilës bëni pallate, kurse nëpër male keni kurdisur shtëpi. Mendoni, pra, dhuntitë e Allahut dhe mos bëni keq në tokë duke bërë çrregullime!“ (El-A’raf, 74.)
Në njëjës kjo fjalë lidhet me Ade min a.s. dhe të Davudin a.s.: ”Dhe kur u tha Zoti yt engjëjve: “Unë në tokë po caktoj një mëkëmbës”! Ata i thanë: - A po bën aty dikë që do të bëjë turbullira e gjakderdhje, kurse ne Ty të madhërojmë e të lavdërojmë dhe të lartësojmë? Unë di – tha Ai – atë çka ju nuk e dini.“ (El-Bekare, 30.) O Davud! Ne të kemi bërë mëkëmbës në tokë, prandaj gjyko me drejtësi te njerëzit dhe mos u jep pas ndjenjës se të shmangë nga rruga e Allahut. Ata që shmangen prej rrugës së Allahut, me siguri, i pret dënim i rëndë për shkak se kanë harruar ditën kur jepet llogaria.“ (Sad, 26).
Zamahsheriu konsideron se me Ademin a.s. nënkuptohet tërë njerëzia dhe të gjithë të dërguarit, deri sa Davudi a.s. ka rol të dyfishtë, të sunduesit dhe të dërguarit.(2)
Ibn Kethiri në tefsirin e tij të Kuranit lidhur me ajetin e njeriut si halif thotë: "... Domethënia e fjalës halif, në kuptim të përfaqësuesit, medoemos supozon mungesën e atij të cilin e përfaqëson, qoftë tërësisht apo pjesërisht, për shkak të vdekjes, rrugës, izolimit, largimit vetjak ose ndonjë shkaku tjetër i cili pamundëson që ai i cili është i përfaqësuar ta kryejë punën e vet... Kur kjo të bëhet e qartë, ai i cili mendon kështu, do të kuptojë gabimin e atij i cili thotë se Allahu e ka bërë Ademin a.s. përfaqësues të Tij në Tokë.”(3)
Si provë për këtë pohim Ibn Kethiri cek faktin se Allahu xh.sh. nuk mund të jetë joprezent dhe se Ai nuk ka nevojë për përfaqësues, sepse Ai është i mëvetësishëm nga të gjitha botët.(4)
Do të ishte mirë të pajtohemi që fjala halif mos të kuptohej si përfaqësues i Allahut në Tokë, por si përfaqësues i Ligjit të Allahut, që nënkupton personin, i cili kujdeset për sendërtimin e ligjeve dhe dispozitave të Allahut në tokë.(5)
Autori bashkëkohor mysliman Abdullah Ahsani pohon se se halifati është trashëgimia e Pejgamberit në punët e kësaj bote ose më saktë trashëgimtar i Pejgamberit të Zotit (halifetu resul’il-lah).6 Perceptimet e dijetarëve të termit halif – halifat (hilafet) janë të ndryshme. Sipas Bagdadit, në krye të komunitetit patjetër (fard vaxhib) duhet të qëndrojë halifi apo imami, i cili do të sigurojë respektimin e ligjeve të Allahut, do të komandojë me ushtrinë etj.(7)
Kjo bazohet në faktin se çdo komunitet domosdo duhet t’i nënshtrohet një sunduesi, madje këtë qëndrim e mbajnë edhe sektet si harixhizmi, shi’izmi dhe mu’tezilizmi.(8) Hanbelizmi qëndrimin e vet e mbështet në tekstet fetare, në hadithin e njohur kur Muhammedi a.s. tha se kur nisen në rrugë tre vetë, njëri përej tyre duhet të caktohet për udhëheqës. Madje, ceket edhe hadithi tjetër, në të cilin thuhet se “gjashtëdhjetë vjet nën sundimin e një sunduesi të padrejtë është më e mirë sesa një natë pa sundues (sulltan)”.(9)

2. Domethënia e nocionit halif (halifa) dhe halifat (hilafeh)

Fjala halif(10) është nxjerr nga folja halefe, e cila fjalëpërfjalshëm ka kuptimin të trashëgojë, të vijë pas, të përfaqësojë, ta zëvendësojë... ndaj edhe përkthehet më së shumti si përfaqësues, zëvendës, trashëgimtar, pasues. Më së shpeshti aludohet në përfaqësuesin e Muhammedit a.s.(11)
Në kuptimin përmbajtjesor dhe të përgjithshëm kuranor fjala halif është “shprehje e konceptit se njeriut i është dhënë aftësia për ta drejtuar dhe kontrolluar botën e tij si një amanet, nëpërmjet të të cilit ai e arrin atë që e meriton dhe kështu vendos për fatin e tij të përjetshëm në amshim(12)
Enciklopedisti mysliman, Ibn Halduni, këtë nocion e përkufizon në kuptimin e zëvendësuesit të Pejgamberit të Zotit.(13)
Edhe koha e mëpasshme bën një përkufizim të këtij nocioni, duke e kuptuar fjalën halif si “njeriu që ka pushtetin absolut mbi myslimanët në të gjitha gjerat fetare dhe botërore.”()14)
Për halifatin apo hilafetin do të thoshim se domethënë qeverisje e halifit, ndërsa këtë Ibn Halduni e thotë: ”Halifati është udhëheqja e popullit që të veprojnë në bazë të kërkesës së rezonimit fetar mbi interesat e lidhura për këtë apo për atë botë. Nëse tërë sjellja jonë e kësaj bote është e bazuar mbi ligjin fetar, atëherë veprimtaritë e kësaj bote në tërësi duhet shikuar në raport me atë botë. Ky është me të vërtetë halifati të cilin e formoi Muhammedi a.s. që me këtë ta mbrojë fenë dhe të sigurojë politikën botërore me anë të tij.”(15)
Autori bashkëkohor boshnjak, Nerkez Smailagi?, këtë term e përkufizon si “emërtimi për prijësin suprem të bashkësisë myslimane, për imamin, si trashëgimtar apo përfaqësues i Pejgamberit.”(16)
Sipas tij, halifati është “urë konkrete ndërmjet idesë ideale të Islamit dhe realizimit të tij historiko-politikë.” Ai më tej pohon se në përgjithësi, “në tërësinë e nocionit halifat kategorizohen përvoja të ndryshme dhe kontribute, por dominante janë tri: fryma fisnore e Arabisë së vjetër, tradita autokrate persiane dhe bizantine dhe në fund, dhe më e rëndësishme, fondi teoriko-ideologjik i Islamit bazë e vërtetë e të cilit është Kurani, kurse manifestimi teorik i të cilit është fikhu.”(17)
Mund të konkludohet se institucioni i halifatit është shtyllë e bashkësisë gjithnjë e në rritje e myslimanëve dhe me rëndësi kruciale për vazhdimësinë e Umetit në çaste dhe rrethana të ndryshme të historisë islame. Edhe pse halifati humbi me rënien e Turqisë në çerekshekullin e parë të shekullit XX, megjithatë ai mbetet njëri prej elementeve më të rëndësishme fundamentale në mendimin bashkëkohor mbi Umetin.(18)

3. Natyra dhe baza juridike e halifatit

Marrë në përgjithësi, grupet dhe drejtimet e ndryshme myslimane kanë diskutuar rreth bazës juridike të halifatit dhe kanë dhënë disa mendime.
Grupi i parë sunit mendon se halifati është institucion kuranor, sepse ai është i bazuar në ajetin e njohur kuranor, në të cilin urdhërohen besimtarët myslimanë t’u binden urdhrave të Zotit, udhëzimeve të Pejgamberit a.s. dhe vendimeve të njerëzve udhëheqës, të zgjedhur t’i drejtojnë myslimanët në jetën fetare dhe botërore: “O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja...“. (En-Nisa’, 59).
Grupi i dytë sunit mendon se halifati është institucion i Sunetit dhe se Muhammedi a.s. është prijës fetar dhe shekullar i Bashkësisë Islame. Ai themeloi institucionin e shetit, i cili më vonë kaloi si obligim te shokët e tij dhe myslimanët në përgjithësi.
Grupi i tretë sunit mendon se halifati është themeluar më vonë, nëpërmjet ixhmait, menjëherë pas vdekjes së Muhammedit a.s. dhe ky është grupi dominues. Mendim krejt tjetër është ai shi’it, të cilët mendojnë se halifati, përkatësisht imamati është institucion kuranor. Harixhitët mendojnë se halifati është çështje e lirë e njerëzve. Pak a shumë kështu mendojnë edhe mu’tezilitët.(19)

4. Përdorimi i shprehjes halif gjatë historisë

Institucioni i halifatit u lind në ditën e vdekjes së Pejgamberit a.s., më 11h./632.(20) Nga ai çast Ebu Bekri r.a., miku i ngushtë i Muhammedit a.s., u bë halif. Ndonëse kjo shprehje lidhet me të dhe detyrën e tij, nuk ka prova se ai e ka përdorë i pari këtë shprehje për tit ullin e halifit. Por, shprehja halif ishte bërë e zakonshme për prijësin e myslimanëve gjatë kohës së qeverisjes së Omerit r.a. Shprehja halif u përdor edhe në kontekste të ngjashme, madje edhe te poeti Hasan ibn Thabiti, i cili shkroi një poezi për nder të Osmanit r.a.(21) Këtë shprehje do ta përdorin edhe pas kësaj kohe e edhe gjatë qeverisjes së halifëve të dinastisë abasite.(22)
E drejta islame pranon unitetin e pushtetit të halifit, duke u bazuar në një hadith të cilin e cek Muslimi në Sahih: “Nëse ndodh të jenë shpallur dy imamë, mbyteni njërin.” Në rastet përjashtuese Xhuvejni lejon më shumë se një sundues, në rastin e hapësirës së madhe të Perandorisë, pafuqisë për ta menaxhuar dhe në emër të “ligjit të domosdoshmërisë”.(23)
Mund të konstatohet se juristët myslimanë mbronin autoritetin qendror idealist islam. Por, herëherë, për shkak të maturisë, mbase edhe naivitetit, juristët myslimanë përkrahnin status quonë, duke përkrahur në fakt shumë më pak se qëndrimin fillestar idealist.(24)
Termi halif është përdorë edhe si emër i përveçëm për njerëzit, por edhe për emërtimin e liderëve shpirtëror në sufizëm, sikurse te kadiritët apo tixhanitët, ku halifi ka funksione të caktuara brenda rendit të vet.(25)

5. Kushtet për ushtrimin e funksionit të halifit

Varësisht nga këndi i vështrimit ka edhe mendime rreth çështjes së funksionimit të halifit dhe halifatit. Lidhur me këtë Ibn Hald?ni, njëri prej njerëzve më të thirrur në këtë rafsh, thotë: ”Shprehja halif domethënë zëvendës i Pejgamberit të Allahut.”(26)
Madje, Ibn Halduni lidhur me këtë cek katër kushte për zbatimin e funksionit të halifit apo të imamit:

1. Dija: Dija është kushti i parë, sepse mosdija dhe mosnjohja e lig jeve nënkupton moszbatimin ose zbatimin e gabueshëm të ligjit. Por, dija nuk është kushti i vetëm, sepse sunduesi apo qeverisësi duhet të posedojë dije për të vendosur i pandikuar nga rrethanat e jashtme apo gjendjet emocionale të tij.

2. Drejtësia: Drejtësia, të qenit i drejtë, është kusht për një halif, si zbatues i të drejtës hyjnore në botë dhe zbatues i funksionit të detyrës së Pejgamberit a.s. Ky funksion është vendimtar edhe për funksionimin e mirë të funksioneve tjera në shoqëri.

3. Aftësia: Aftësia psikike dhe fizike e halifit është domosdoshmëri. Ai duhet të jetë i aftë të vlerësojë gjendjen besimore, morale, politike, ekonomike, kulturore të vendit të vet. Ai duhet të vlerësojë ligjet dhe veprimet tjera brenda shtetit të vet, duhet të vlerësojë gjendjen në paqe dhe luftë, të afrojë afër vetit njerëzit e mençur, e të gjitha këto me qëllim të ruajtjes së kushteve për një jetë cilësore në shtetin e vet.

4. Aftësia biologjike e shqisave dhe gjymtyrëve. Çdo paaftësi biologjike dhe emocionale do ta pengonte halifin për kryerjen e detyrës së tij. Së paku mangësitë nuk do të duhej ta pamundësonin esencialisht këtë detyrë.(27)
Ceket edhe kushti i pestë, por i kontestuar nga një pjesë e myslimanëve, a ai është që halifi duhet të jetë i përkatësisë fisnore kurejshe. Mbase në rrethanat e fillimit të bashkësisë myslimane një kusht i tillë edhe ishte i përshtatshëm, por me rritjen dhe zgjerimin e shtetit, me ndërlikimin e rretha nave, ky kusht u la në harresë.(28)

6. Parimet e zgjedhjes së halifit gjatë historisë

Sipas disa autorëve, në historinë islame janë përdorë katër parime, mbi të cilët është bërë përzgjedhja e halifit. Këto parime janë katër dhe janë nxjerr nga ngjarjet që pasuan pas vdekjes së Muhammedit a.s.:
1) Ixhma‘i përkatësisht konsensusi i njerëzve të cilët kanë fuqi dhe pozitë. Lidhur me këtë parim për përzgjedhjen e halifit nuk ka nevojë pajtimi i të gjithë myslimanëve, shumica e tyre, as të gjithë personave të cilët kanë fuqi dhe ndikim në bashkësi myslimane. Ky është rasti i për zgjedhjes së Ebu Bekrit r.a. si halif.
2) Emërimi nga ana e halifit pararendës. Parim i kundërt me parimin e parë. Përjashton përzierjen nga jashtë, por halifit të ri mund t’i privohet zotimi për bindje nga Shura. Me këtë nënkuptohet përzgjedhja e Omerit r.a. nga Ebu Bekri r.a. si halif.
3) Sh?r?, përkatësisht përzgjedhja e halifit nga trupit zgjedhor. Kjo përzgjedhje ka të bëjë me mënyrës e përzgjedhjes së Osmanit r.a., kur Omeri r.a. zgjodhi një trup zgjedhor prej gjashtë vetësh, të cilët nga mesi i tyre do ta zgjidhnin halifin e ardhshëm.
4) Fuqia ushtarake. Ata që kanë fuqi mund ta marrin postin e halifit, parim ky që ishte në tërësi kundër tre të parëve, e që ndodhi me rastin e Muaviut. Pas tij halifati u bë trashëgues, monarki, ku babai cakton pasardhësin.(29)
Halifit të propozuar i jepej zotimi (bej’at) nga të tjerët, sidomos nga liderët e vendit dhe në këtë mënyrë i bindeshin. Por, kjo temë shkaktoi edhe ngatërresa të mëdha, duke e ndarë bashkësinë myslimane në disa grupe, të cilat zhvilluan pikëpamje të ndryshme rreth kësaj teme, siç janë shi’itët, harixhitët apo ehli suneti dhe xhemati në përgjithësi. Imam El-Nesefiu shkruan në veprën e vet El-Akaid:
“Bashkësia myslimane është e obliguar të ketë imam (sundues), i cili do të kujdeset për ligjin, shtetin dhe për sigurimin e kufijve të tij, për gatishmërinë e forcave të armatosura, për tubimin e zekatit, pamundësimin e aktiviteteve të tundonjësve, hajnave dhe pretarëve, do të organizojë haxhin dhe festat, do të arbitrojë në gjykime dhe konflikte midis njerëzve, do të pranojë dëshmimet me qëllim të sendërtimit të drejtë të së drejtës së njerëzve, do të kurorëzojë të rinjtë të cilët janë pa përkujdesje dhe do të kujdeset për kushtet normale të hyrjes në martesë të atyre të cilët nuk kanë kujdestarë, do të bëjë ndarjen e plaçkave të luftës e të tjera.”(30)
Shumica e botës myslimane pajtohen me nevojën e konstituimit të halifatit sërish, për të cilën nevojë klasa politike dhe intelektuale myslimane nuk bezdiset shumë.

7. Detyrat themelore të halifit

Korniza e natyrës dhe autorizimeve të institucionit të halifit nuk janë perceptuar dhe nuk janë trajtuar njëlloj në të gjitha grupet myslimane. Sunitët dhe disa grupe të vogla mendojnë se halifi nuk është qenie e mbinatyrshme, as e shenjtë, as i pagabueshëm dhe as jashtë juridiksionit ligjor. Shi’itët i përshkruajnë halifit (imamit) atribute shenjtërie.(31)
Detyra e halifit sipas sunitëve është uniteti i detyrave të përshpirtshme dhe botërore të cilat qëndrojnë para Bashkësisë Myslimane, si:
1) Përgjegjësia për ruajtjen e tërësisë dhe pacenueshmërinë e mësimit fetar;
2) Kujdesi ndaj të gjitha çështjeve thelbësore të rendit publik, juridiko-pronësor, siguria personale dhe zbatimi i masave ndëshkuese (hudud);
3) Forca ushtarake dhe roli i saj;
4) Përzgjedhja, emërimi dhe mbikëqyrja e bashkëpunëtorëve, të deleguarve dhe këshilltarëve;
Në kuptimin bashkëkohor detyrat dhe përgjegjësitë e halifit janë të natyrës frymore-tutoriale, administrative-politike, jurusprudenciale dhe fiskale. Analiza e tyre tregon se pushteti i halifit nuk është as absolutist, as jolegal; gjithashtu, halifi nuk ka rol ligjvënës as gjyqësor, por vetëm rol të ruajtësit dhe zbatimit të tashmë ligjeve ekzistuese nga Kurani dhe Hadithi.(32)


____________________________
1. Ibn Kethir, Tefsir Ibn-Kesir, version i shkurtuar, botimi II, Sarajevë, 2002, fq. 981. Krhs.: Nerkez Smailagi?, Leksikon Islama, Sarajevë, 1990, fq. 229.
2. Sourdel D., Lambton A.K.S., de Jong F., Holt P.M., „Khalifa“, The Encyclopaedia of Islam, edited by H.A.R. Gibb, New edition, vol. IV, Leiden, E.J. Brill, 1997, fq. 947, ose: http://referenceworks. brillonline.com/search?s.q=khalifa&s.f.s2_parent=s.f. book.encyclopaedia-of-islam-2&s.rows=20&- search-go=Search. (qasja më 4.2.2017)
3. Ibn Kethir, po aty, fq. 50.
4. Ibn Kethir, po aty, fq. 50.
5. Ibn Hald?n, Mukaddime – Një hyrje në historinë botërore, V. 1, Logos-A, Shkup, 2016, fq. 330 dhe 331.
6. Abdullah al-Ahsan, Ummet ili nacija, Sarajevë, 2004/1425 h., fq. 37.
7. El-Bagdadi, El-Ferku bejn’el-firek, botimi V, Bejrut, 1982/1402 h., fq. 340.
8. Henry Laoust, Raskoli u Islamu, Zagreb, 1989, fq. 379.
9. Shih gjerësisht: Henry Laoust, po aty, fq. 381-382.
10. Teufik Mufti?, Arapsko-bosanski rije?nik, Sarajevë, 1997, fq. 400-401 ose: Isa Memishi, Fjalori arabisht-shqip, Shkup, 2014.
11. Wadad Al-Q?qi, The Term “Khalifa” in Early Exegetical Literature, në: Die Welt des Islams, Volume 28, Issue 1, 1988, p. 392–411, ose:https://www.deepdyve. com/lp/brill/the-term-khal-fa-in-early-exegetical-literature-UMzNxbGXo0. (qasja më 4.2.2017)
12. Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Drejt një teorie islame për marrëdhëniet ndërkombëtare, Logos-A, Shkup, 1419 h./1998, fq. 35.
13. Ibn Hald?n, po aty, fq. 330.
14. Ibn Hald?n, po aty, fq. 330.
15. Krhs.: Ibn Hald?n, po aty, fq. 330 e pas.
16. Nerkez Smailagi?, Leksikon, po aty, fq. 229.
17. Shih: Nerkez Smailagi?, Klasi?na kultura islama, II, Zagreb, 1976, fq. 41-42.
18. Shih: Abdullah al-Ahsan, po aty, fq. 21.
19. Këto pika i prezantuan nga: Halid Buljina, Shteti islam, Prizren, 2000, fq. 32-31.
20. Sourdel D., Lambton A.K.S., de Jong, Holt P.M., „Khalifa“, The Encyclopedia of Islam..., fq. 937, ose: https://samensterk.files. wordpress.com/2011/02/abbc481sid-time.pdf (qasja më 4.2.2017).
21. Nerkez Smailagi?, Leksikon, po aty, fq. 230.
22. Këtë shprehje do ta përdorin edhe rendet sufiste, si kaderinjtë, ku thuhet se halifi është i besuari i shejhut dhe nga ai pranon një pjesë të fuqisë së tij dhe e përfaqëson në vendet që janë të largëta nga selia amë. Edhe rendi tixhani e përdorë shprehjen halif në kuptimin bartësi trashëgues i fuqisë shpirtërore të themeluesit të rendit dhe ai i vetmi meriton titullin shejh. Natyrisht, shprehja halif ka edhe kuptime tjera. Sipas: Nerkez Smailagi?, Leksikon, po aty, fq. 230.
23. Nerkez Smailagi?, Klasi?na, po aty, fq. 51.
24. Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Drejt një teorie islame, po aty, fq. 37-38.
25. Nerkez Smailagi?, Leksikon, po aty, fq. 230.
26. Ibn Hald?n, po aty, fq. 330-331.
27. Për pikat e larta shih shkrimin informues: Aida Kadrija, Uloga i zna?aj institucije halifata kroz historiju, në: https://www.scribd.com/ doc/305810343/Uloga-i-Znaaaj-Institucije-Halifata-Kroz-Historiju-1. (qasja më 4.3.2017)
28. Ibn Hald?n, po aty, fq. 68.
29. Shih: Aida Kadrija, po aty.
30. Sipas: Besimi islam sipas Imam En-Nesefiut, Zëri Islam, Prizren, 2003, fq. 41-42; Gjerësisht: Et-Taftazani, Sherh’ul-akaid’in-nesefijjeh, Bejrut, pa vit botimi, fq. 233 e tutje.
31. Halid Buljina, po aty, fq. 34.
32. Shih: Nerkez Smailagi?, Klasi?na, po aty, fq. 44-45


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi