Kur vjen gushti, mendja e secilit nga ne udhëton shpirtërisht në shtator, atëherë kur edhe nis fillimi i vitit shkollor. Shtatori sikur i jep gjallëri edhe rrugëve. Na ngjallet një ndjenjë kthimi në normalitet. Preokupimi me librat e mjetet didaktike kthehet në prioritet, e ëndrrat për suksese të reja na e mbizotërojnë qenien tonë. Kërkimi i diturisë është temë që zhvillohet vazhdimisht, prandaj edhe janë shkruar libra të shumtë për këtë. Por çfarë në fakt duhet të kemi parasysh kur flasim për kërkimin e diturisë?
“Allahu i ka ngritur në shkallë të larta ata të cilët besuan prej jush dhe atyre të cilëve iu është dhënë dija, Allahu është i lajmëruar se çfarë punoni ju.” (Muxhadele, 11).
Kërkoni diturinë që nga lindja e deri në frymën e fundit, sepse kjo është porosi nga i Dërguari i Zotit. Është vërtetuar shkencërisht se edukimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për njeriun, e posaçërisht edukimi i fëmijëve në 7 vjetët e para të jetës së tyre, është themel për formësimin kognitiv dhe social të tyre. Fëmijët që ndjekin programe cilësore para klasës përgatitore përfitojnë shumë rezultate pozitive, duke përfshirë aftësi më të mira gjuhësore e komunikative, shkrim-lexim, zgjidhje të problemeve në matematikë e të tjera, dhe pikërisht ata fëmijë kanë një këmbë në atë që duket të jetë aftësia më thelbësore për t’u zhvilluar në moshën katër vjeçare: “vetëkontroll i fortë”.(1)
Njeriu në moshë të hershme ngjason me një arkë të zbrazët. Varësisht se çfarë i ofrojmë atij, si iu përqasemi atij, ai do të mbushet me vlera të tilla, dhe formësimi njerëzor do të jetë proces që është në linjë paralele me qasjen që tregojmë ndaj tij. Nëse fëmija rritet në ambient të zhurmshëm, konfliktuoz, edhe pse natyrshmëria e pastër e tij do ta luftojë një ambient të tillë, gradualisht, ai do të fillojë të adaptojë këtë ambient sikur një normalitet, dhe do t’i përvetësojë këto sjellje të të rriturve duke i shndërruar ato në vlera të tij personale. Hulumtime të ndryshme kanë treguar se shumica e sjelljeve të fituara në fëmijëri formësojnë strukturën e personalitetit, zakonet, besimet dhe vlerat e individit në moshën madhore.(2)
Andaj të dashur prindër dhe mësimdhënës, jo rastësisht, porosia profetike se edukimi ynë fillon 20 vjet para se të lindim ne, është shumë me rëndësi të zbatohet te vetja jonë, së pari të edukohemi ne, e pastaj krejt natyrshëm kjo edukatë do të përcillet edhe te fëmijët tanë.
Motivoni fëmijët që të jenë kërkues të diturisë, duke pasur kujdes se çfarë stimujsh përdorni. Stimuloni ata që të rrisin nivelin e përgjegjësisë, duke iu rikujtuar atyre se secili nga ne ka një mision për të përmbushur në këtë jetë, dhe ne nuk jemi krijuar kot.
Shpesh shoh prindër, por edhe arsimtarë që përdorin stimuj material për të nxitur fëmijët të lexojnë dhe të arrijnë suksese të larta shkollore. Pajtohem që fëmijët të shpërblehen për sukseset e arritura, por nuk është aspak në rregull që stimujt material të shndërrohen në qëllim dhe arsye se pse ata duhet të lexojnë. Në fakt shtrohet pyetja se çfarë po bëjmë ne me këtë formë motivimi? Ne po arrijmë t’i bindim ata të lexojnë, të arrijnë suksese, por ajo që nuk po shihet në këtë rrugëtim, e që është më e rrezikshmja, është se ne po rrisim intelektual egoist, të cilët brumosen në besimin se janë ‘elitar’ që meritojnë standard të lartë jetese. Materializmi po bëhet forcë dominuese që tërheq drejt synimeve jetësore dhe s’lë vend për ndërgjegjësim social. Gradualisht, në kërkim të materiales, është shumë e lehtë rrëshqitja. Ja një shembull! “Një ditë takova një djalosh që shiste misër të pjekur në rrugë, nga kalkulimet e tij matematikore që bënte me klient, e pashë se ishte një djalë shumë i zgjuar. Duke e përgëzuar për zgjuarsinë, e pyeta: “Ku e sheh veten në të ardhmen?” Ma ktheu: “futbollist”. Mirë them, por pse futbollist? Mua më dukeni shumë i zgjuar dhe mendoj se mund të arrini shumë. Pse të mos e përfundoni ndonjë fakultet, mund të bëheni inxhinier, menaxher biznesi, apo ndonjë pozitë tjetër. ‘Ihaaa me një lojë të fituar unë t’i blej krejt menaxherët e inxhinierët, ma ktheu.”
Rikujtojani në radhë të parë vetes suaj, e pastaj edhe fëmijëve apo nxënësve tuaj se ne jemi kërkues të diturisë, sepse ne kemi mision në këtë botë, dhe atë duhet ta përmbushim në mënyrën më të mirë. Ua rikujtoni atyre se përmbushja e misionit në mënyrën më të mirë duhet të jetë forca dominuese që na udhëheq në kërkimin e diturisë, dhe kjo forcë nuk guxon as të zbehet as të ndërpritet para se të ndalen rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja jonë.
Kur jemi te rikujtimi dhe këshillimi, keni kujdes! Mos të bëhet zëri juaj irritues në veshët e fëmijës apo nxënësit tuaj. Nëse ti ke ndaluar së lexuari, nëse ti ke ndaluar kërkimin e diturisë; mosha juaj edhe mund të jetë 50 vjeçare, edhe 80 vjeçare, ti në mënyrë automatike e ke shndërruar këshillën tënde në irritim, sepse fëmija, nxënësi nuk merr komanda robotike, ai merr shembuj, kopjon dhe pason veprimet.
Shpesh kemi dëgjuar thënien: “Dy njerëz nuk i xhelozojnë arritjet tuaja, prindi dhe mësimdhënësi.” Sa e bukur do të ishte tabloja kur prindi dhe mësimdhënësi janë nxënës aktiv duke lexuar dhe kërkuar njohuri të reja, e pastaj fëmija apo nxënësi duke ndjekur rrugën e tyre, ua kalon në dituri. Kjo po që është shpresa për një botë më të mirë.
Vlerat e një njeriu të mirëformuar nuk i tregon vetëm arsimimi.(3) Përveç leximit, ne formohemi edhe nga ambienti social, bisedat, sjelljet, ndërveprimet.
Fjalorit që fëmijët tanë, nxënësit tanë i ekspozohen, gradualisht do të shndërrohet në vlerë që do të brendësohet nga ata gjatë jetës. Keni kujdes çfarë bisedash bëni në prani të tyre! Kur diskutoni plane të së ardhmes suaj në prani të fëmijëve, keni kujdes çfarë synimesh po prezantoni në sy të tyre, nëse ju harroni të lidhni synimet jetësore me përgjegjësinë sociale, me misionin jetësor, të tillë mesazh do të përcillni edhe te fëmijët tuaj. Komunikimet që bëni për njeri-tjetrin dhe me njëri tjetrin, fëmijët do t’i regjistrojnë ato si një përvojë, dhe pastaj në atë mënyrë do ta shohin botën. Jemi dëshmitarë se edhe ne vetë, jo rrallë, botën e shohim si të padrejtë e mizore. Kjo është edhe si rezultat i pasqyrimeve dhe përvojave që kemi kaluar ne në moshën e re.
Nëse duam që fëmijët apo nxënësit tanë të bëhen të arsimuar dhe të edukuar mirë, le t’i edukojmë ata në frymën e virtyteve të larta njerëzore, duke u bërë ne shembull që të na pasojnë, duke iu dhënë lirinë të na kritikojnë, të përngjeshëm në veprimet që bëjnë dhe të vetëdijshëm në rolin dhe përgjegjësinë kognitive dhe sociale që mbajnë.
Leximi na bënë më të mirëkuptueshëm dhe tolerant. Sa më shumë të dini për botën, aq më shumë liri ndjeni në mendjen tuaj, sepse kupton se ka këndvështrime të ndryshme dhe kjo është krejt normale.(4)
T’ia rikujtojmë vetes në radhë të parë, e pastaj edhe fëmijëve dhe nxënësve tanë, se ne jemi autorët e librit tonë që përcakton kualitetitin e jetës sonë, kalimin e dinjitetshëm nga kjo botë, dhe ky libër i shkruar nga vetë ne, mbanë shifrën e derës së përjetësisë. Referencat për këtë libër që shkruajmë i zgjedhim ne. Në versionin përfundimtar të këtij libri, s’mund të hedhim fajësi për rrethin, shoqërinë, kohën, apo rrethanat.
Për të qenë autor të një libri të shkëlqyeshëm, i cili determinon vendin tonë në përjetësi, duhet të jemi lexues aktiv, çdoherë në kërkim të dijes së dobishme. Fundja, njohuritë e marra, veprimet e kryera, do të regjistrohen në librin final që përfundimisht do të përcaktojë kush jemi dhe ku përfundimisht do të shkojmë.
_________________________
1. Familja dhe ndikimi i saj te fëmijët dhe shoqëria, B. Halili https://www. kultplus.com/opinione/familja-dhe-ndikimi-i-saj-tek-femijet-dheshoqeria/ 9 korrik, 2019.
2. Robert. B Wirts, The Importance of Education, 2018.
3. Suzanne Bouffard, THE MOST IMPORTANT YEAR, Pre-Kindergarten and the Future of Our Children, 2017
4. Nimra Basit, 15 Reasons Why Knowledge Is Important, July 2023.
DITURIA ISLAME 394 | SHTATOR 2023