Pozita e mendjes sipas Kuranit dhe mendimi i Eshariut rreth saj

S’ka pikë dyshimi se shpallja i drejtohet mendjes, ngase kusht për ta pranuar e kuptuar, po edhe për të vepruar sipas urdhrave dhe obligimeve që sjell shpallja, patjetër se është mendja e shëndoshë. Prandaj, edhe roli i mendjes në pranimin e kuptimit dhe në shpjegimin e shpalljes prej Zotit, xh.sh., është vendimtar. Po ashtu, pozita e mendjes zë një hapësirë të madhe në faqe të shumta të Kuranit, dhe nga kjo shihet se çfarë rëndësie i jep Kurani mendjes (logjikës) në marrjen dhe konceptimin e mësimeve që sjell.
Përkundër asaj që trumbetojnë disa jomyslimanë, po edhe disa grupe nga radhët e myslimanëve, kinse Kurani apo Islami e stopon mendimin e lirë e logjik, hulumtimin shkencor, argumentimin e gjërave përmes përdorimit të mendjes (logjikës), mësimet kuranore prapë mbeten ashtu siç i ka zbritur Zoti, xh.sh. Ndërsa, akuzat në adresë të Islamit janë hipoteza pa vend që i adresohen librit të fundit, Kuranit, si dhe vetë Islamit.
Të menduarit është rruga që duhet ndjekur për ta njohur Allahun, xh.sh., dhe atë që urdhëron Ai në librin e fundit hyj nor. Ky është obligim për myslimanin. Nga këtu mund të themi se Kurani bën thirrje të vazhdueshme e të qartë për shikimin e këtij universi të krijuar prej Allahut, xh.sh., dhe të harmonisë e cila mbretëron në këtë univers.
Argumente për ta argumentuar këtë që thamë deri tash kemi shumë në Kuran, ndërsa në vazhdim po përmendim vetëm disa. Për shembull, Allahu, xh.sh., thotë:
“Thuaj: “Vështroni me vëmendje çka ka (nga argumentet) në qiej e në Tokë! Po argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një populli që nuk beson!” (Junus: 101)
Ky ajet, po edhe shumë të tjerë si ky, që do t’i përmendim në vijim, janë argument e dëshmi që mendjes dhe përpjekjes së saj për të studiuar e për të hulumtuar në zbulimin e gjërave të fushave dhe të natyrave të ndryshme ia japin vendin që e meriton, po edhe vetë njeriut ia japin pozitën që e meriton si krijesë e Allahut, xh.sh., si krijesa më e ngritur dhe më e ditur.
Ajeti i sipërpërmendur fillon me urdhrin “Thuaj”. Pra, Allahu sikur e urdhëron Muhamedin, a.s., që t’i urdhërojë besimtarët të shikojnë dhe të studiojnë se çfarë ka në qiej dhe në Tokë, si dhe ta angazhojnë mendjen për të zbuluar dhe për të ditur, dhe jo vetëm thjesht të vështrojnë, por edhe të studiojnë dhe të zbulojnë. Allahu, xh.sh., thotë:
“Dhe a nuk menduan ata me veten e tyre se Allahu nuk i krijoi qiejt dhe Tokën, dhe çdo gjë që gjendet ndërmjet tyre, pa ndonjë qëllim të caktuar dhe për një kohë të kufizuar?! Mirëpo një pjesë e njerëzve janë mohues të takimit me Zotin e tyre (në momentin e ringjalljes pas vdekjes).” (Rrum: 8)
Nisur nga ajo që u tha më lart, mësojmë se Zoti, xh.sh., tërheq vërejtjen dhe e thërret njeriun që ai të shikojë edhe përmes asaj që ka krijuar Zoti, xh.sh., në qiej dhe në Tokë, dhe të bindet në Madhërinë e Allahut, xh.sh. Çdo gjë në univers, po edhe në vetë qenien tonë, nëse e shohim me syrin e studimit, të analizës, të vështrimit dhe të kuptimit, dëshmon se vetëm Allahu, xh.sh., është Krijuesi, dhe se askush tjetër nuk e ka këtë mundësi. Asgjë në këtë gjithësi nuk është krijuar pa ndonjë qëllim të caktuar. Çdo krijesë e ka qëllimin e krijimit, kohën, synimin, afatin e caktuar, se sa do të ekzistojë, deri në Ditën e Kiametit. Përkundër këtyre fakteve, është shumë interesante se shumë njerëz nuk binden në Zotin Një dhe në atë që Ai ka urdhëruar! Thënë shkurt, janë mohues të takimit me Zotin, xh.sh., në botën tjetër.
Zoti, xh.sh., në këtë ajet jep shenjë edhe për ata që shikojnë me sytë e mendjes, duke pasur në konsideratë dhe duke vërtetuar atë që shohin (mendojnë), në bazë të mundësisë, njohjes dhe aftësisë që posedojnë. Për ta vërtetuar këtë, në vazhdim, po përmendim hadithin e Muhamedit, a.s.:
“Mjerë për atë që i lexon këto ajete dhe nuk mendon për to (për kuptimin e tyre)!”(1)
Ai që nuk mendon dhe nuk e merr në konsideratë, apo që nuk e vlerëson rezultatin e angazhimit të mendjes, ai nuk i ka kuptuar dhe nuk është duke i shpjeguar drejt parimet kryesore të fesë islame. Në Kuran gjejmë argumente të qarta që i drejtohen mendjes së njeriut dhe futjes në përdorim të mendjes dhe të angazhimit logjik, dhe kjo për ta zbuluar mënyrën e funksionimit të ekzistencës dhe të jetës së krijesave të shumta të krijuara në këtë gjithësi. Allahu, xh.sh., thotë:
“Dhe për ju nënshtroi natën e ditën, dhe Diellin e Hënën. Edhe yjet janë të nënshtruar me urdhrin e Tij. Në këto vërtet ka argumente për një popull që mendon.” (Nahël: 12)
Çdo gjë që është në qiej, pa përjashtim, po edhe në Tokë, në brendësinë e saj apo në sipërfaqe, si dhe çdo gjë mes Tokës e qiejve, pastaj edhe nënshtrimi i natës dhe i ditës, janë argumente që flasin se të gjitha i janë nënshtruar urdhrit dhe përkujdesjes së Allahut, xh.sh., ngase vetëm Ai e ka këtë mundësi. Allahu, xh.sh., thotë:
“…Kështu Ne ua sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë.” (Junus: 24) Këto mirësi të Zotit, xh.sh., këto fakte e argumente të Zotit, xh.sh., njeriu, gjatë kësaj jete, është i urdhëruar që përmes angazhimit dhe hulumtimit (studimit) të mendjes t’i shohë e t’i njohë. Pra njeriu duhet ta njohë dhe ta besojë atë që krijoi Zoti, xh.sh., ashtu që të fitojë bindjen e drejtë në Zotin, xh.sh., se Ai është Një dhe i Vetmi që krijon. Allahu, xh.sh., thotë:
“Ai është që ju krijoi (filloi) prej një njeriu, aty (në Tokë) jetoni (qëndroni) dhe nën të do të pushoni. Ne ia sqaruam argumentet një populli që di të kuptojë.” (Enamë: 98)
Pastaj ajeti
“Edhe për atë që krijoi në Tokë lloje të ndryshme (bagëti, bimë, pemë, minerale etj.), ka fakte për një popull që di të marrë përvojë.” (Nahël: 13)
Pastaj ajeti:
“…pra merrni përvojë, o ju të zotët e mendjes!” (Hashër: 2)
Pastaj ajeti:
” ...e ju të zotët e mendjes, ma kini frikën Mua!” (Bekare: 197)
Pastaj ajeti:
“...mirëpo këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes.” (Ali Imran: 7)
Këto ajete, po edhe shumë të tilla, flasin se si besimtari e ka të domosdoshme dhe obligim që në çështjet të cilat kanë nevojë të shtjellohen dhe të qartësohen, vështrimin ta bëjë nga aspekti logjik, nëse është më se i nevojshëm ai vështrim, dhe kjo edhe në të gjitha çështjet apo problematikat që kanë të bëjnë me çështjen e besimit, siç janë temat mbi të ekzistuarit e Zotit, xh.sh., krijimin e universit, ringjalljen pas vdekjes, e të ngjashme. Këto çështje thërrasin në vazhdimësi të zotët e mendjes në angazhimin e mendjes dhe të logjikës së shëndoshë, në mënyrë që të kuptohet sa më mirë ajo që urdhërohet prej Allahut, xh.sh.
Nga këto ajete mësojmë se Allahu, xh.sh., mendjes së njeriut i drejtohet në forma të ndryshme, mirëpo me qëllimin e vetëm që njeriu ta përdorë mendjen për besimin, për kuptimin dhe për qartësimin e të gjitha çështjeve delikate, çështje të cilat kanë të bëjnë me besimin dhe adhurimin. Kjo me qëllimin për të studiuar dhe për të arritur njohuri të reja në të gjitha fushat shkencore që e kërkojnë ndërhyrjen e mendjes apo të logjikës. Të gjithë besimtarët jemi të urdhëruar që ta besojmë atë që i Madhi Zot, xh.sh., ka zbritur tek i Dërguari i Tij, megjithëse jo të gjithë janë në gjendje ta kuptojnë atë që i Madhi Zot thotë në Kuran. Prandaj, me të drejtë Allahu, xh.sh., thërret në veçanti të zotët e mendjes, ata që janë në gjendje të kuptojnë më thellë dhe që merren me çështje e problematika për të cilat ka nevojë më të madhe për t’u angazhuar mendja. Kjo sepse janë disa çështje që kërkojnë konceptim, studim dhe shtjellim më të thellë. Dhe, mendja e zgjuar e di se cila çështje duhet shtjelluar, e cila duhet lënë ashtu siç e ka zbritur Zoti, xh.sh., ngase njohuritë për të mund të jenë fshehtësi të të Madhit Zot, xh.sh.
Esharinjtë janë të një mendimi, se mendja është e kufizuar në njohjen e gjërave dhe relativitetin e tyre në mënyrë absolute. Dhe, ky përkufizim mbështetet në relativitetin e vlerave që posedon mendja, në mohimin e shkakësisë dhe në mohimin e pranisë së njohjes universale të mendjes, e që janë baza të përdorura prej esharinjve, me qëllimin e largimit të mendjes nga e gjithë mundësia për një siguri absolute të gjykimit. Domethënë, kjo ndodh për ta bërë mendjen të kufizuar në zotërimin dhe arritjen e së vërtetës vetvetiu, pa u mbështetur fare në tekst - argument (e këtu është fjala për shpalljen). Edhe më herët kemi përmendur se Eshariu është themelues i drejtimit - shkollës esharite, e më pas Gazaliu e shumë të tjerë janë pasues të mësimeve të tij. Duhet pasur gjithherë parasysh se kundërshtimi i doktrinës së mutezilinjve nuk mund të arrihet nëse nuk përdoren argumente më të forta sesa të vetë mutezilinjve. Pra, është më se e vërtetë se mendimet racionale të mutezilinjve kishin lënë gjurmë të thella në shoqërinë islame. Ato mendime dhe ndikimi i tyre nuk mund të kalohej lehtë. Kështu, vërehet qartë se Ilmul Kelami esharij u shërbye apo i përdori konkluzionet duke u bazuar në argumente logjike, si dhe e refuzoi njohjen (kryerjen) e veprave të njeriut në mënyrë arbitrare (të detyrueshme).
Prandaj, shtrohet pyetja se: cilat janë boshllëqet në këtë mendim, dhe si u manipulua mendja?
Është më së e vërtetë që Eshariu nuk i braktisi metodat e arsyetimit logjik, por racionaliteti i esharinjve nuk bazohej vetëm në argumente formale nga njëra anë, por mbështetej edhe në pikat racionale nga të cilat lindnin hyrjet në arsyet që, sipas Eshariut, ishin të kufizuara në përmbajtjen e teksteve fetare, sipas vizionit të asaj epoke dhe potencialit që ishte mbledhur gjer atëherë nga komentimet e tekstit sakral. Pra Eshariu, krahas mendjes, e shfrytëzonte edhe tekstin fetar (sakral).
Ja pse një nga parimet e doktrinës së esharinjve është se mendja nuk është burim i vetëm i vërtetë për njohjen. Dijetarët esharinj shtojnë se dija apo njohuria për apo rreth diçkaje arrihet vetëm pas një shqyrtimi të rëndomtë, ndërsa shqyrtimi vetëm racional (logjik) nuk mund të ofrojë gjithherë njohuritë e kërkuara (të nevojshme). Dija fitohet pas shqyrtimit dhe studimit, ngase dija është e krijuar prej Zotit, xh.sh. Duhet ditur se njohuritë që sjell mendja apo që i fitojmë përmes angazhimit të mendjes nuk janë të mjaftueshme për të ngritur besimin e drejtë në Krijuesin e kësaj gjithësie. Njohuritë lo gjike (mendja) duhen kuptuar si një udhëzim dytësor (aset) që ndihmohet nga shpallja hyjnore, në mënyrë që njeriu ta gjejë sa më lehtë besimin e drejtë në Zotin Një.
Esharinjtë morën një rrugë të mesme mes mësimeve të mutezilinjve dhe atyre të xheberinjve, kur thanë se veprat e njeriut janë të krijuara prej Zotit, xh.sh., dhe se njeriu nuk ka kurrfarë kompetence në krijimin e tyre. Kjo sepse, sipas tyre, njeriu nuk është në gjendje t’i krijojë veprat e tij, por ai është në gjendje t’i fitojë (t’i realizojë) ato vepra.
Kur folën për shkakun, esharinjtë thanë se Zoti, xh.sh., është shkaku i drejtpërdrejtë i çdo ndryshimi që ndodh në esencat dhe simptomat, dhe se nuk ka asnjë shkak tjetër në univers, përveç Zotit, xh.sh., dhe çdo paraqitje e re kërkon një krijim të ri prej Zotit, xh.sh., i cili ndodh drejtpërdrejt vetëm prej Tij.
Me Ilmul Kelamin janë marrë dijetarët më të mëdhenj të Islamit pas Muhamedit, a.s., si: Ebu Hanife, Shafiiu (edhe pse këta dy dijetarë nuk njihen si kelamistë, megjithatë kanë dhënë një kontribut të madh), pastaj Maturidiu, Eshariu, Bejhikiu, Bakilaniu, Imamul Haremejni, Gazaliu, Fahrudin Err Rrazi, Bejdaviu, Taftazaniu, Muhamed bin Jusuf Es Sunusi, si dhe shumë e shumë të tjerë.


___________________
1. Ibën Hibani transmeton në Sahihun e tij, nr. 620. Shuajb Arnauti thotë se hadithi është sahih sipas kritereve të Muslimit



Takvimi 2023


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi