(Sekretet e pendimit të sinqertë dhe të pranuar)

RABBENA!, DHALEMNA ENFUSENA VE IN LEM TAGFIR LENA VE TERHAMNA LENEKUNENNE MIN EL-HASIRINE!

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit!”


Hyrje

Kur Allahu e krijoi Ademin a.s., i urdhëroi engjëjt që t’i përkulen (t’i binin në sexhde), në shenjë nderimi. Edhe Iblisi ishte i urdhëruar për t’i rënë në sexhde, por ai refuzoi. Ai e shihte veten më të mirë sesa Ademi a.s., për shkak se ky i fundit ishte i krijuar nga dheu, ndërsa ai ishte i krijuar nga zjarri. Ky refuzim i urdhrit hyjnor nga Iblisi, në fakt shënon fillimin e një beteje ndërmjet tij dhe njeriut, që nuk do të marrë fund deri në kiamet. Është betejë në të cilën djalli përpiqet me çdo kusht ta devijojë njeriun. Për këtë shkak, ai nuk lë rrugë a mënyrë pa vënë në shërbim. Duke na shpalosur historinë e tij me Ademin a.s., Kurani na shpalos një formë maskimi të tij. Ai paraqitet edhe si këshillues, madje shumë serioz. Ademin a.s., të cilin e përbuzi dhe e nënvlerësoi që nga momenti i parë, e “këshilloi”, që të hante nga pema që e kishte të ndaluar nga Allahu xh.sh., sepse kështu do të përjetësohej dhe do të arrinte pushtet. I betohej se e këshillonte për të mirën e tij. Ademi a.s., u mashtrua dhe e theu urdhrin e Allahut xh.sh.. Me të ngrënë të pemës, ai kuptoi se nuk bëhej fjalë për këshillë, por për mashtrim. Shkaku i fjalëve të djallit, ai kishte thyer urdhrin e Zotit xh.sh.. Ademi a.s., u ndje shumë keq, andaj bashkë me të shoqen, Havanë, nxituan të pendoheshin.(1) Në trajtimin e kësaj çështje, Kurani na rrëfen edhe për një lutje të veçantë, me të cilën ata të dy ishin të inspiruar nga Allahu xh.sh.,(2) lutje kjo, në të cilën fshihen urtësi dhe mësime me rëndësi.
“Ata të dy thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” (Araf, 23)(3)
Ademi a.s. u pendua, ndërsa Iblisi vazhdoi rrugën e mëkatit. Ademi a.s. u mëshirua duke iu pranuar pendimi, ndërsa Iblisi u mallkua dhe u përzu nga qielli. Kjo lutje e Ademit a.s., nuk është thjesht një lutje. Ajo iu shpall nga Allahu xh.sh., dhe që për më tepër, u shpallë edhe në Kuran, që do të lexohet deri në Ditën e Kiametit. Atëherë:

- Cila është rëndësia e saj?
- Çfarë mësimesh fshihen në të?
- Si mund të përfitojmë prej saj, që të na falen mëkatet?

Rëndësia e lutjes së Ademit a.s.

Rëndësia e kësaj lutje qëndron në mënyrën se si parashtrohet kërkesa për falje. Ndonjëherë, mëkatarët janë viktimë, edhe pse nuk dinë të kërkojnë falje ose nuk gjejnë mënyrë se si të arrijnë deri te falja.(4) Në këtë dua ofrohet një formulim përmbledhës dhe shumë domethënës, i cili ka një rëndësi jetike në pranimin e pendimit. Për këtë shkak, preferohet që kjo lutje të thuhet kështu, tekstualisht siç ka ardhur në Kuran.(5) Ndërsa, për kuptimet që bëhen fjalë në këtë do të shohim në vazhdim.

Kuptimet dhe sekretet e lutjes së Ademit a.s.

1. Shkaku i mëkatit te besimtari

Në këtë lutje të Ademit a.s., përshkruhet më së miri raporti i besimtarit me mëkatin. Njeriu si qenie njerëzore, që harron dhe gabon, si besimtar që ka frikë Allahun xh.sh., nuk gabon pse shfaq guxim a arrogancë ndaj Allahut xh.sh., por thjesht pse viktimizohet nga epshi. Për dallim nga djalli që refuzoi urdhrin e Zotit me pretekst mendjemadhësie, Ademi a.s. theu urdhrin për shkak se u mashtrua dhe lakmoi në përjetësi e në pushtet.(6)
Këtu duhet të kemi parasysh tri gjëra:
- Duke iu referuar rastit të Ademit a.s. dhe djallit të mallkuar, dijetarët kanë konstatuar se janë tri gjëra që i shtyjnë njerëzit në mëkate, e ato janë: mendjemadhësia, lakmia dhe zilia.(7)
- Po kështu, ata kanë klasifikuar edhe mëkatet sipas shkallës së rrezikshmërisë. Ata kanë shpjeguar se mëkatet që për bazë kanë mendjemadhësinë, e që në fjalorin fetar i quajmë mëkatet e zemrës, janë më të rrezikshme sesa mëkatet që për motiv kanë epshin dhe lakminë, e të cilat ne i quajmë mëkatet të trupit. Për ta thjeshtësuar, njeriu që bën rija(8), është më mëkatar i madh, sesa ai që konsumon alkool, megjithëqë e di se është duke bërë gabim.
- Jo çdo këshillë është e mirë dhe jo çdo këshillues është i sinqertë. Ademi a.s. ra viktimë e djallit që betohej se i këshillonte ata, vetëm pse i donte ata.(9)

2. Perceptimi për mëkatin

Në këtë lutje, mëkati është shpjeguar si padrejtësi. Ademi a.s. kërkoi falje duke pranuar se i kishte bërë vetes padrejtësi kur kishte mëkatuar. Mëkatin e quajnë padrejtësi edhe Kurani dhe Suneti.(10) Kjo ngase mëkatet ia mbyllin njeriut derën e mirësive dhe se për to ai nuk duhet të fajësojë askënd pos vetes së tij. Në një hadith kudsij, të shënuar në Sahihun e Muslimit qëndron: “O robërit e Mi! Në të vërtetë, ato janë veprat tuaja, të cilat ua regjistroj për t’iu shpërblyer më pas. Kështu, kush gjen mirë, le ta falënderojë Allahu, e kush nuk e gjen këtë, le të mos e qortojë askënd tjetër përveç vetes së tij.”

3. Edhe mëkati i vogël dënohet

Siç e shpjegojnë dijetarët, mëkati të cilin e ka bërë Ademi a.s., është mëkat i vogël,(11) megjithatë, Ademi a.s. kërkoi falje. Duke komentuar lutjen në fjalë, Bejdaviu, shpjegon se, nëse mëkatet e vogla nuk falen, atëherë njeriu ndëshkohet për to.(12) Është kjo një thirrje për të braktisur mëkatet, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Ndonjëherë, nga mosdija, lëshohemi në mëkatet të vogla, rrezikun e të cilave e nënvlerësojmë. Pavarësisht se Allahu xh.sh. ia fali këtë mëkat, Ademin a.s. prapëseprapë ai vazhdonte ta preokuponte. Madje, siç qëndron në sahihët e Buhariut dhe të Muslimit,(13) ai do ta preokupojë edhe në Ditën e Llogarisë. Njerëzit do të shkojnë tek ai për të kërkuar ndërmjetësim tek Allahu xh.sh., si babai i njerëzimit që është, por ai do t’iu thotë se mëkati që ai ka bërë, e bën të ndiejë keqardhje të atillë, sa që nuk mund të dalë para Zotit. Pra, kryerja e mëkateve të vogla me arsyetimin se janë të vogla, është gabim. Siç qëndron në Musnedin e Imam Ahmedit, Pejgamberi a.s. kishte shpjeguar në mënyrë figurative rrezikun e mëkateve të vogla, duke marrë shembull një grumbull drurësh që mblidhen një nga një, por që kur ndezën përnjëherë bëjnë një flakë dhe zjarr të madh. Dy këshilluesit e mëdhenj të myslimanëve, Ibën el Xheuzi dhe Ibën Kajimi, kanë marrë nga një shembull interesant sa i përket rrezikut të mëkateve. I pari, rrezikun e tyre e sheh sikur rrezikun e zjarrit të mbuluar me hi, i cili të djegë edhe pa e vënë re.(14) Ndërsa, i dyti, duke iu referuar dijetarëve të mëhershëm, mëkatet i sheh si postë, e cila të shpie në kufër.(15)

4. Ndikimi i pranimit të fajit dhe plotësimit të kushteve të pendimit në pranimin e pendimit

Në këtë lutje të Ademit a.s., fshihet një sekret me rëndësi kyç, sa i përket pranimit të pendimit. Fjala është për pranimin e fajit. Duke shpjeguar këtë lutje, Imam Taberiu thotë: “Në këtë ajet kuranor, Allahu po na rrëfen për Ademin dhe Havanë, se si ata, ndryshe nga djalli i mallkuar, e pranuan mëkatin dhe kërkuan falje. Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne duke të kundërshtuar Ty dhe duke thyer urdhrin Tënd në njërën anë, si dhe duke dëgjuar armikun tonë dhe Tëndin në anën tjetër, i kemi bërë vetes sonë keq, ndërsa nuk është dashur ta bëjmë këtë.”(16) Pra, Ademi a.s. nuk deshi të ofronte justifikime të kota për mëkatin, por e pranoi atë, sepse, siç e shpjegojnë dijetarët, pendimi nuk është i plotë përderisa mungon pranimi i fajit.(17) Në këtë lutje, studiuesit kanë parë të jenë përmbushur edhe kushtet e tjera të pendimit. Më saktë, keqardhja për mëkatin, braktisja e tij dhe vendosmëria për të mos e bërë atë, janë përmbushur plotësisht në lutjen e Ademit a.s..(18) E përmbushja e tyre, siç e kanë shpjeguar dijetarët, nënkupton edhe pranim të pendimit. Imam Gazaliu ka thënë: “Kush supozon se pendimi (kushtet e të cilit janë plotësuar) vlen, por nuk pranohet, është sikur ai që supozon se dielli lind, ndërsa errësira nuk hiqet.”(19)

5. Nxitimi në pendim

Në Ruh el bejan, shpjegohet se Ademi dhe Hava, posa mëkatuan, kuptuan se çfarë kishin bërë, andaj pranuan gabimin dhe nxituan të pendohen.(20) Sharavi, këtu e sheh dallimin ndërmjet Ademit a.s. dhe djallit të mallkuar. Ademi a.s. u pendua menjëherë, ndërsa djalli u justifikua.(21) Në komentin e ajetit të 37-të, të sures Bekare(22), në të cilin përmendet se Ademi a.s. është inspiruar me fjalët e Zotit për t’u penduar, Ibën Abasi thotë: “Ademi a.s. tha: “O Zoti im, a nuk më ke krijuar me dorën Tënde?! A nuk ma ke dhënë shpirtin, më ke dëshiruar mëshirë, kur kam teshtirë?!” “Po” - iu përgjigj. “A nuk tejkalon mëshira Jote hidhërimin Tënd, dhe a nuk ma ke shkruar që ta bëj këtë?!” “Po” - iu përgjigj. Nëse pendohem, a do të më kthesh në xhenet?!” “Po” - iu përgjigj.”(23) Nxitimi për t’u penduar ka rëndësi jetike në pranimin e pendimit. Në Kuran, kur flitet për mëkatarët të cilëve ju pranohet pendimi, pranohet nxitimi në pendim si tipar i theksuar i tyre. Allahu thotë:
“Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Nisa, 17)

6. Frika dhe shpresa në dua

Në lutjen e Ademit a.s., mund të vërejmë përmbajte të frikës dhe shpresës.(24) Ademi a.s. shprehu frikën kut tha t’i kenë bërë vetes padrejtësi me mëkate, si dhe kur përmendi fundin e keq nëse nuk i pranohet pendimi, sikur që shprehu shpresën kur u lut për falje dhe mëshirë. Këto dy elemente kanë rëndësi jetike, jo vetëm për lutjen, por edhe për jetën shpirtërore në tërësi. Është guitë e veprave të besimtarit. Atë nuk duhet ta mashtrojë shpresa e të zhytet në mëkate, sikur që rënia në mëkate nuk duhet ta verbërojë e që të mos shoh dritë të pendimit asgjëkund.

7. Përse u regjistrua rasti i Ademit a.s. në Kuran, nëse veç atij iu fal mëkati?

Imam Maturidiu në komentin e lutjes në fjalë, e më saktë si përgjigje e pyetjes së ngritur, ofron dy përgjigje, të cilat janë përplot urtësi: - Ademi a.s. ndiente keqardhje të madhe për mëkatin, saqë kur kishte kërkuar falje, kishte kërkuar vetëm faljen e mëkatit, jo edhe të mbulimit para të tjerëve. Pra, kjo paraqet gjendjen e tij shpirtërore, që siç thamë më parë, vazhdon ta mundojë edhe në Ditën e Llogarisë. - Allahu xh.sh. deshi që rasti i Ademit a.s. të jetë mësim për ne. Pra, nëse pejgamberët, me gjithë pozitën që kanë, kërkojmë falje për mëkatet e tyre, atëherë ku jemi ne?(25)

Mësimet që i përfitojmë nga kjo lutje

1. Rreziku i mëkateve, qofshin ato të mëdha apo të vogla, dhe se ajo janë padrejtësia që njeriu ia bën vetvetes.
2. Pranohet pendimi, nëse plotësohen kushtet e tij.
3. Pranimi i fajit dhe keqardhja, çelësat kryesorë të pranimit të pendimit.
4. Përshpejtimi i pendimit.
5. Mëshira e Allahut me robërit, kur këta të fundit mëkatojnë, ndërsa Allahu i falë.
6. Preferohet që lutjet e përmendura në Kuran dhe në hadithe të Pejgamberit a.s., të thuhen tekstualisht, ashtu siç janë. Kjo për shkak të urtësive që fshihen në fjalët me të cilat formulohet. Kjo natyrisht se është edhe thirrje për t’i mbajtur mend këto lutje.
7. Mendjemadhësia, si cilësi e djallit, ndërsa përulësia dhe modestia, si cilësi të besimtarit.
8. Jo çdo këshillë është e mirë dhe jo çdo këshillues është i sinqertë. Djalli u paraqit si këshillues, por i drejtoi në mëkat Ademin a.s. dhe Havanë.
9. Pejgamberët janë shembulli që duhen ndjekur. Nëse Ademi a.s. u pendua dhe ka ndier keqardhje të madhe për vetëm një mëkat që ka bërë, si të mos pendohemi ne dhe të mos ndiejmë keqardhje kur kemi gabime të shumta?!


__________
1 Shih: Kurani: 7: 11-22.
2 Shih: Kurani: 2: 37.
3 Përkthimi i kuptimeve të ajeteve kuranore është marrë nga përkthimi i Prof. Hasan I. Nahit, botuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë 2006.
4 Argument për këtë kemi hadithin e transmetuar nga Muslimi në të cilin flitet për njeriun që vrau 99 veta. Ai kërkonte pendim, por paria fetare ia kishin mbyllur dyert. Viktima e njëqindtë ishte një prijës fetar që i kishte thënë se për të nuk ka pendim...Dëshmia: mëkatari ishte në kërkim të pendimit dhe kishte vazhduar me krime derisa kishte gjetur udhëzuesin e drejtë që i kishte thënë se ka pendim për të.
5 Mahir bin Abdulhamid bin Mukaddem, Sherhu edduai min el-Kitabi ve esSunneh, op. cit., f. 168.
6 Shih: Kurani: 20: 120.
7 Muhammed bin ebi Bekr ibën Kajjim el-Xheuzijje, El-fevaid, (Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijje, ed. 2, 1973), f. 58.
8 Shtiret para të tjerëve se është i devotshëm, i mirë, ndërsa nuk e kryen punën për hir të Allahut xh.sh.
9 Ibën Abbasi r.a., siç shënon Imam Kurtubiu në tefsir, ka thënë: “Djalli i mallkuar i mashtroi duke u betuar. Ademi a.s., i besoi (dhe rrjedhimisht ra viktimë e tij) sepse besonte që askush nuk betohej rrejshëm në Allahun.”. Shih: Muhamed bin Ahmed el-Kurtubi, El-xhamiu li ahkami el-Kur’an, (Kajro: Dar el-kutub el-misrijje, ed. 2, 1964), 7/180.
10 Shih: Kurani: 31:13. Shih po kështu edhe hadithin e transmetuar nga Muslimi (nr. 771): “O Allahu im, Ti je Sunduesi, nuk ka zot tjetër pos Teje, Ti je Zoti im ndërsa unë jam robi Yt! I kam bërë vetes sime padrejtësi dhe pranoj mëkatin që kam bërë andaj mi fal të gjitha mëkatet sepse askush pos Teje nuk i fal ato!...”
11 Ismail Hakki bin Mustafa el-Istanbuli, Ruh el-bejan, (Bejrut: Dar el-fikr, p.v.b.), 3/146. 12 Abdullah bin Omer el-Bejdavi, Envar et-tenzil ve esrar et-te’vil, (Bejrut: Dar ihjai etturath el-arabij, 1418 h.), 3/9. 13 Shih hadithin 4712 në Sahihun e Buhariut dhe hadithin 194 në Sahihun e Muslimit.
14 Abdurrahman bin Ali bin Muhammed el-Xheuzi, Sajd el-hatir, (Damask: Dar el-kalem, 2004), f. 206.
15 Muhammed bin ebi Bekr ibën Kajjim el-Xheuzijje, Eddau ve eddevau, (Mekke: Dar Alem el-fevaid, 1429 h.), f. 125.
16 Muhamed bin Xherir et-Taberij, Xhamiu el-bejan fi te’vili el-Kuran, (Bejrut: Muessesetu err-rrisale, 2000), 12/356.
17 Muhamed Muteveli Sharavi, Etteubetu, (Kajro: Mektbetu etturath el-islamij, 2001), f. 35. Pranimi i fajit vihet re edhe në lutjet e Muhamedit a.s. P.sh. në një prej lutjeve të tij, Muhamedi a.s. thoshte: “O Allahu im, Ti je Sunduesi, nuk ka zot tjetër pos Teje, Ti je Zoti im ndërsa unë jam robi Yt! I kam bërë vetes sime padrejtësi dhe pranoj mëkatin që kam bërë andaj mi fal të gjitha mëkatet sepse askush pos Teje nuk i fal ato!...” Muslimi, nr. 771.
18 Mahir bin Abdulhamid bin Mukaddem, Sherhu edduai min el-Kitabi ve esSunneh, (Rijad: Matbaatu Sefir, p.v.b.), f. 168.
19 Abdulatif Ashur, Kitabu et-Teubeh li huxheti el-Islam Ebi Hami del-Gazali, (Egjipt: Mektebetu el-Kur’an, p.v.b.), f. 44.
20 Ismail Hakki bin Mustafa el-Istanbuli, Ruh el-bejan, op. cit., 3/146.
21 Muhamed Muteveli Sha’ravi, Tefsir esh-Sharavi, (Kajro: Metabiu Ahbar eljeum, 1997), 7/4088.
22 “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti.” [Kurani: 2: 37]
23 Mustafa Murad, Duau el-Enbija, (Kajro: Dar el-fexhr lit turath, ed.2, 2010), f. 19.
24 Mahir bin Abdulhamid bin Mukaddem, Sherhu edduai min el-Kitabi ve esSunneh, op. cit., f. 168.
25 Muhammed bin Muhammed bin Mahmud ebu Mensur el-Maturidi, Tefsir el-Maturidi, (Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijje, 2005), 4/387.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi