Besimi në Zot, faktor qetësues i brezit të hutuar


Në kohët e sotme, brezi i ri përjeton një gamë të gjerë sfidash dhe dilemash që shpesh mund ta bëjnë atë të ndjehet i hutuar dhe të përballet me ankth. Bota dhe njerëzimi, në kohë dhe momente të caktuara të jetës, pas sfidave të caktuara, ndryshon dhe nuk kthehet më si më parë. Çdo ngjarje e madhe në botë, qoftë luftë, krizë financiare, pandemi apo diç tjetër, shkakton ndryshime globale dhe, ndonjëherë, lë pasoja dramatike te shoqëria njerëzore dhe te brezat që vijnë më pas. Përveç kësaj, njeriu i sotit, i ndikuar nga ideologji dhe sisteme laike, është i ndikuar nga iluzioni se nuk ka nevojë për vlera dhe përmbushje shpirtërore dhe se Zoti nuk i nevojitet më atij. Kjo është një pikë e dobët e njeriut dhe ai harron se besimi në Zot është një faktor që i shërben shumë qetësimit të tij shpirtëror, mendor dhe emocional.
Brezi i ri, ky brez që në rrugët e jetës duket i hutuar, i ngutshëm, i pashpresë, i dezorientuar, ka nënvleftësuar dy gjëra shumë të rëndësishme. E para, se jeta është me sprova, me ngritje dhe rënie. Jeta na sjell çdo ditë sprova të reja me të cilat duhet të mësohemi dhe prej tyre të nxjerrim mësimin e duhur. Një i urtë më parë është shprehur: “Habitem me atë njeri që kërkon në këtë botë atë që nuk është e kësaj bote, e që është rehatia.”[1] Pra, jeta në këtë botë është e kufizuar me sprova dhe janë testet e kësaj bote ato që i dallojnë të mirët dhe të suksesshmit nga të këqinjtë dhe dështakët. Nuk kanë për t’u hutuar vetëm ata që dinë t’i menaxhojnë dhe të mbështeten te Zoti në rastin e vështirësive, sprovave dhe fatkeqësive në jetë. Po ashtu, mirëqenia dhe bollëku janë sprovë e madhe për njerëzimin sot dhe nuk janë vetëm fatkeqësitë dhe sprovat ato që na hutojnë. E dyta, njeriu duhet të di se ai është rob, e do apo nuk e do këtë epitet. Ai është rob i Allahut xh.sh. Jeta e tij është në dorë të Tij. Mjafton një sekondë e vetme që ai të humbë aftësitë e tij për të lëvizuar dhe për të folur.[2] Mjafton një trombozë me përmasa sa maja e një gjilpëre në ndonjërin prej arterieve të trurit dhe ai e humbë aftësinë për të lëvizur![3] Mjafton vetëm një krizë ekonomike që t’i çojë në falimentim qindra e mijëra kompani dhe koorporata të mëdha, etj. Kur ta kuptojmë se ne, njerëzit, jemi krijuar të dobët, me qëllim që ta ndiejmë varshmërinë dhe nevojën për Zotin dhe ndihmën e Tij, aspekti ynë shpirtëror, mendor dhe emocional i njeriut do të jetë më i qëndrueshëm.
Pse sot ndodhin gjithë këto çrregullime, probleme dhe vrasje të padrejta në mesin tonë si shqiptarë dhe në botë në përgjithësi? Pse njerëzimi duket kaq i hutuar sot? Sepse, harruam se si të përballemi me sprovat dhe ia kthyem shpinën Zotit, si Kujdestari suprem i yni dhe i gjithësisë që është.
Mungesa e një qëllimi të lartë në jetë dhe rënia e fuqisë shpirtërore te njeriu shkaktoi hutimin dhe humbjen e ekuilibrave të tij. Sipas Kur’anit fisnik, kur njeriu është i lidhur fortë me Zotin, ai posedon një ndërgjegje të edukuar, një shpirt të lumtur dhe rehati shpirtërore e psikike.[4]
Një ditë Muhammedi a.s. ishte duke udhëtuar me Abdullah ibn Abbasin r.a., në atë kohë një djalë i ri, dhe ia tha këto porosi: “O djalosh, po t’i mësoj disa fjalë: “Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu! Gjithashtu, dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bëjnë mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu, dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm, nuk do të mund të të dëmtojnë, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.”[5]
Siç mund të kuptojmë nga kjo këshillë e Pejgamberit a.s. dhe nga udhëzime të tjera, mund të themi se e vetmja rrugëdalje e shpëtimit tonë është kthimi kah Zoti. Edukimi dhe lartësimi ynë shpirtëror do të na çlironte nga prangat materialiste dhe do të na ngrinte mbi nivelin e pasioneve tona, të cilat shpeshherë çojnë në kokëçarje dhe dëme private e shoqërore. Besimi në Allahun xh.sh. është ndriçim në rrugët e errëta të jetës dhe në çaste të hutimit dhe të dëshpërimit, besimtari nuk harron strehën hyjnore dhe e di se ka një Zot tek i cili mund të mbështetet dhe të kërkojë ndihmë dhe kësisoji ai është i qetë dhe i tejkalon më lehtë tmerret dhe fatkeqësitë që e godasin. Në Kur’anin fisnik, Allahu xh.sh. thotë: “Allahu është mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë.”[6]
Një problem tjetër që e hasim sot tek brezi i ri është edhe mungesa e shpresës, e cila ka ndikim të madh në gjendjen emocioanle dhe shpirtërore tek ta. Si rezultat i këtij problemi sot kemi vështirësi në raportet familjare, shoqërore, në shkollë dhe brenda komunitetit. Shikuar nga perspektiva islame, shpresa është një degë nga degët e adhurimit, me fjalë të tjera është një ibadet islam. Madje sipas disave, ibadeti i shpresës, mund të jetë nga më të vlefshmit dhe më të dashurit tek Allahu xh.sh. Nuk është për t’u habitur që në Kur’anin fisnik dhe në jetën e Pejgamberit a.s. hasim shembuj të shumtë që tregojnë për vlerën dhe rolin pozitiv të shpresës në jetën e njeriut. Mjafton të marrim si shembull rastin e Jusufit a.s. me babanë e tij, Jakubin a.s. Kur’ani famëlartë na njofton se si pejgamberi Jakub, i cili, duke i dërguar djemtë e tij në Egjipt për të marrë vëllanë e tyre Benjaminin, që ishte robëruar nga sundimtari, u tha atyre: “O bijtë e mi, shkoni dhe hulumtoni për Jusufin dhe vëllain e tij, e mos e humbni shpresën nga mëshira e All-llahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në All-llahun”.[7]Ishte Jakubi a.s. ai i cili për vite të tëra e ushqeu shpresën dhe besonte se një ditë do ta shihte sërish djalin e tij, Jusufin a.s., dhe, siç rrëfen Kur’ani, Allahu i Madhërishëm më në fund i bashkoi.Ky është një mesazh i bukur për të mos e humbur shpresën në Allahun xh.sh. kur jemi në situata të vështira, ngase Allahu është i plotëfuqishëm dhe është në gjendje të na tregojë rrugëdaljen, madje, edhe nga nuk e presim.
Imam Ahmedi ka shënuar një ngjarje në “Musnedin” e tij ku thuhet se disa njerëz u ankuan te Pejgamberi a.s. për sjelljet e një djaloshi, i cili, edhe përkundër namazit të tij të rregullt, vazhdonte në mëkat, duke i vjedhur njerëzit. Shokët e Pejgamberit ishin të shqetësuar ndaj sjelljeve të dikujt që i bie në sexhde Zotit, ndërkohë që bënë edhe dëme të tjera. Përgjigjja e Pejgamberit a.s. ishte shpresëdhënëse: “Namazi i tij përfundimisht do ta pengojë atë nga kryerja e atij mëkati.”[8]
Mesazhi i kësaj ngjarje është se ne të gjithë jemi njerëz dhe kemi të metat tona. Ne mëkatojmë natën e ditën, në fshehtësi dhe në publik, aq sa disa prej nesh e kanë humbur edhe shpresën se Allahu i Madhëruar do të na falë ndonjëherë! Ashtu si ky i ri, edhe ne shpresojmë që një ditë, me mëshirën e Allahut dhe me përpjekjet tona, të kthehemi me pendim të sinqertë në rrugën e shpëtimit dhe të lumturisë. Ky mesazh rrit shpresën tek njeriu dhe te një brez i tërë se Allahu është më i madh se mëkatet tona dhe vështirësitë tona.


________________________________________
[1] Ammar Basic, Miljenikom inspirisani, Sarajevo, 2022, fq. 141.
[2] Muhamed Ratib Nabulsi, Elementët tregues të përgjegjshmërisë, Furkan, Shkup, 2019, Fq, 141.
[3] Po aty, fq. 142.
[4] Afif Abul Fet-tah Tabbareh, Shpirti i fesë islame, Dituria Islame, Prishtinë, 2020, fq. 238.
[5] Tirmidhiu, Sunen, nr. 2516.
[6] Kur’an: 2:257.
[7] Kur’an: 12:87.
[8] Imam Ahmedi në Musned, nr. 19431.


Artikulli i kaluar
Lutja e Ademit a.s.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi