Investimet në partneritet sipas parimeve islame

Sistemi ekonomik Islam është i njohur për investimet në partneritet me pjesëmarrje në rrezik dhe fitim. Ndër konceptet më të njohura të kësaj natyre janë: “Mudaraba” dhe “Musharaka”, të cilat do të diskutohen në vijim.

Mudaraba

“Mudaraba” është një kontratë e definuar si ndarje e humbjes dhe fitimit PLS “Profit and Loss Sharing”, e cila përdoret nga individë, kompani dhe bankat Islame për investime në partneritet. Është një kontratë shumë e rekomanduar për financime, por një gjë është e ditur se implementimi i saj kërkon konsolidim të përpjekjeve dhe besueshmëri në partneritet për të pasur suksesin e dëshiruar. Termi “Mudaraba” rrjedh nga fjala “El-Darb fil-erd” e përdorur në Kur’an, që do të thotë të bësh një udhëtim. Quhet kështu sepse në shumicën e rasteve punëtorit i kërkohet të bëjë udhëtime, si pjesë e punës së tij për ta realizuar qëllimin dhe plotësimin e projektit biznesor.(1)
“... udhëtojnë përmes tokës dhe detit duke kërkuar të mirat e Allahut.” (el-Muzemmil: 20)
Është e qartë se fjala “daraba” është përdorur për të treguar udhëtim prej një vendi në tjetrin, apo për të bërë një udhëtim për qëllime tregtie, duke kërkuar të mirat e Allahut. Fjala tjetër që përdoret për qëllim të njëjtë si “Mudaraba” është “El-Kirad” apo “El-Mukarada”.
Fjala “kard” dhe “mukarada” burojnë nga fjala “karada” që do të thotë për të ndarë apo shkëputur. Quhet kështu për arsye se në praktikë për të formuar këtë kontratë, ai që siguron kapitalin e ndan një pjesë të kapitalit të tij për të përdorur nga mudaribi (ndërmarrësi) në projektin biznesor me qëllim të gjenerimit të fitimit për t’u ndarë mes tyre. Të dy këto terme janë përdorur për qëllimin e njëjtë, dallimet në përdorim janë varur prej vendit dhe rajonit. “Mudaraba” është përdorur nga populli i Irakut, kurse “Mukarada” është përdor nga populli i Hixhazit.(2)

Përshkrimi i “Mudaraba” sipas medhhebeve (shkollave juridike)

Për nga përshkrimi se çka përmban në vete kjo kontratë, dijetarë të ndryshëm që u përkasin të katër “medhhebeve” (shkollave juridike) kanë dhënë definimet e tyre që nuk kanë dallime përmbajtësore.(3)

- Malikijët: “mudaraba” është një agjenci për tregti duke dhënë paranë e gatshme për një pjesë të fitimit.
- Shafiijët: “Mudaraba” është një marrëveshje në të cilën një pronar i jep kapitalin një punëtori që tregton më të dhe në fund ndahet fitimi.
- Hanbelijët: “Mudaraba” është një kontratë në të cilën një person e jep kapitalin e tij te një ndërmarrës, në mënyrë që të ndahet fitimi sipas marrëveshjes së tyre paraprake.
- Hanefijët: “Mudaraba” është një partneritet me pjesëmarrje në profit, në të cilën kapitali është i siguruar nga njëra palë kurse puna apo ekspertiza nga pala tjetër duke ndarë fitimin sipas marrëveshjes paraprake.

Edhe pse përshkrimi i “mudaraba”-s nga katër shkollat juridike është pak i ndryshëm, të gjitha e drejtojnë te e njëjta çështje. Mendimi apo përshkrimi nga Hanefijët është marrë si definicion më gjithëpërfshirës krahasuar me mendimet tjera dhe përdoret për përshkrimin e kësaj kontrate në shumicën e vendeve, ku praktikohet bankimi Islam.
Ekzistojnë shënime se në fund të shekullit të 8-të, bota Islame ka poseduar modele shumë të sofistikuara të financimit duke i kombinuar kapitalin dhe eksperiencën. Prandaj, kapitali i të pasurve nga radhët e myslimanëve ishte transferuar te ndërmarrësit në mënyrën më efikase. Në shekullin e 10-të, evropianët e kanë huazuar këtë formë të partneritetit nga bota Islame atëherë kur ata filluan të bëjnë tregti me vendet e botës Islame dhe ishte koha kur edhe Spanja ishte nën udhëheqjen e myslimanëve. Koncepti mbeti i njëjtë por është quajtur me emra të ndryshëm që kishin kuptim të njëjtë sikurse “mudaraba” në origjinal. Në Itali është quajtur “accomendatio”, në Angli “sleeping partnership”, në Gjermani “wederlegginge”, etj.(4)

Legjitimiteti i “Mudaraba”-së

Legjitimiteti i “Mudaraba”-së mbështetet në Kur’an, Sunnet dhe në konsensusin e dijetarëve.
Edhe pse nuk ka ndonjë ajet Kur’anor, i cili flet drejtpërdrejt për lejimin e “mudaraba”-së, ekzistojnë ajete që në mënyrë indirekte tregojnë për lejimin e “mudaraba”-së. Për shembull, “Të tjerët udhëtojnë në tokë duke kërkuar mirësitë e Zotit....” . Disa komentues të Kur’anit e interpretojnë këtë ajet në kuptimin, “ata të cilët udhëtojnë për qëllim tregtie duke synuar fitime të lejuara, përfshirë edhe ata që punojnë me kapital të të tjerëve duke ndarë fitimin e bërë” që përshtatet me konceptin praktik të “mudaraba”-së.
Mbështetja e kësaj kontrate nga sunneti mund të ndahet në dy kategori. E para, ekziston evidencë që Pejgamberi a.s. ka punuar në konceptin e kësaj kontrate para dhe pas ardhjes së shpalljes. Dhe kategoria e dytë janë thëniet e Pejgamberit a.s. në lidhje me këtë kontratë, po ashtu edhe pëlqimet e tij rreth praktikimit të kësaj forme të biznesit. Shokët e Pejgamberit a.s. e kanë përdorur këtë formë të koftraktimit ndërmjet vete për financim të projekteve tregtare dhe Pejgamberi a.s. e ka miratuar këtë formë kontraktimi.
Konsensusi i juristëve myslimanë është se “Mudaraba” është e lejuar dhe nuk ka ndonjë kundërshtim rreth legjitimitetit të saj. Kjo kontratë është njëra ndër kontratat më të rekomanduara nga dijetarët për t’u përdorur nga bankat Islame për investime kapitale në partneritet dhe financime të projekteve të ndryshme, por përdorimi i saj mbetet i paktë për arsye të ndryshme që do të përmenden në vijim.(5)

Elementet dhe kushtet e “Mudaraba”-së(6)

Elementet e “Mudaraba”-së sipas shumicës së juristëve myslimanë janë:
1. Palët e kontratës – (Rabul mal & Mudarib);
2. Përmbajtja e kontratës – (kapitali, puna dhe profiti) dhe
3. Forma (oferta dhe pranimi)

Kushtet e “Mudaraba”-së

Pasi që “mudaraba” duhet t’i plotësojë kushtet në aspektin ligjor, ka edhe kushte tjera për të filluar implementimi i “mudaraba”-së. Në “mudaraba” kapitali i financimit duhet patjetër të jetë në para të gatshme për fillimin e projektit që mund të jetë në fusha të ndryshme, investime kapitale, tregti, bujqësi, etj, dhe në fund të projektit prapë llogaritet në para të gatshme dhe ndahet përqindja e caktuar në fillim të kontratës. Por, ka raste kur edhe një pasuri e patundshme apo e tundshme (vlerë jo-monetare) mund të konsiderohet si kapital për “mudaraba”.
AAOIFI ka pranuar mendimin se edhe kapitali jo-monetar mund të konsiderohet si kapital financues nëse merret çmimi i tregut për vlerësimin e pasurisë. Vetë pasuria duhet të jetë pjesë e projektit. Një shembull: Nëse një person A i ka 15 vetura për shitje, ai i ofrohet personit B dhe i ofron një kontratë që nëse arrin t’i shesë këto vetura margjina e fitimit ndahet në 50:50. Në këtë rast kapitali i projektit është kapital jo-monetar.
Ky standard është më gjeneral dhe nuk i përkrah disa mendime që nuk lejojnë kapital tjetër përveç parasë si kapital investues.

Llojet e “Mudaraba”-së

“Mudaraba” e palimituar

“Mudaraba”, në të cilën kapitali i dorëzohet udhëheqësit të projektit pa i caktuar se në çfarë biznesi, vendi, metode, kohe dhe mënyre të investohet.
Investitori nuk ka të drejtë të ndërhyjë në menaxhim të projektit, por ka të drejtë që të informohet për mbarëvajtjen e projektit dhe nëse dyshon se nuk punohet sipas projekt propozimit të bërë në fillim nga ndërmarrësi atëherë investitori ka të drejtë të kërkojë verifikimin e gjërave dhe nëse vërtetohet devijimi i projektit nga marrëveshja e bërë në fillim atëherë mund të kërkojë ndërprerjen e punës dhe kompensim të dëmeve të shkaktuara.
“Mudaribi” (ndërmarrësi i projektit) ka të drejtë të praktikojë çdo gjë për realizimin e projektit të rënë dakord mes tyre si dy partnerë përveç hyrjes në borxh për zotërinë pa lejen e tij. Kjo lloj kontrate zakonisht bëhet mes bankës dhe klientëve, të cilët hapin llogaritë e tyre në banka Islame. Sipas kësaj marrëveshjeje, klienti është investitori ndërsa banka është ndërmarrës i projektit dhe klienti e autorizon bankën që të punojë në projekte që i vlerëson rentabile pa i kushtëzuar se ku të investohet.(7)

“Mudaraba” e limituar

Sipas standardeve të AAOIFI, “Kontrata në të cilën furnizuesi i kapitalit i limiton veprimet e udhëheqësit të projektit në një vend të caktuar apo të ndonjë lloj i veçantë i investimeve por nuk mundet t’i ndërhyjë në mënyrën e udhëheqjes dhe operacionet e projektit. Në këtë kategori koha dhe shuma e mjeteve për investime duhet të caktohet në fillim, ndërkaq ndërprerja e parakohshme nuk lejohet. Në këtë kategori bëhet marrëveshje mes bankës dhe klientit, banka si investitor, ndërsa klienti si ndërmarrës i projektit, ku dihet shuma e investimit dhe koha e implementimit të projektit. Por, mund të bëhet edhe në anën tjetër klienti si financues (depozitor) për një projekt të caktuar, ku dihet shuma dhe koha për investim. Kjo llogari në bankat Islame quhet “Llogari specifike për investime”.(8)

Të drejtat dhe përgjegjësitë e Mudaribit (ndërmarrësit)

- Ndërmarrësi i projektit është person i besuar të “Rabul-mal” (investitori) dhe është përgjegjës të ndërmerr projektin në mënyrën më të mirë.
- Sipas AAOIFI (Accounting Auditing Of Islamic Finance Issue):
- Investimi në të gjitha fushat të cilat janë të lejuara, profitabile dhe të realizueshme.
- Kryerja e punëve nga ai personalisht apo caktimi i dikujt nëse është e nevojshme.
- Zgjedhja e vendit për investim që janë me rrezikshmëri më të vogël.
- Ruajtja e fondeve apo depozitimi i tyre nëse e kërkon nevoja për shkak të sigurisë.

Çështjet në implementim

- Kontrata hyn në fuqi menjëherë pas marrëveshjes dhe nënshkrimit të kontratës nga të dyja palët
- Kjo kontratë është jo-detyruese, mund të ndërpritet në mënyrë unilaterale (të njëanshme) nga secila palë përderisa nuk ka filluar implementimi i saj.
- Nëse puna ka filluar atëherë kjo kontratë bëhet detyruese për të dyja palët dhe asnjëra nuk mund të tërhiqet para kohës së rënë dakord në fillim.
- Gjithashtu koha e implementimit duhet të specifikohet dhe nuk mund të ndërpritet.

Musharaka

Definimi i fjalës “Musharaka”
Në aspektin gjuhësor fjala “Musharaka” rrjedh prej rrënjës së foljes “shereke” që do të thotë për të ndarë. Nganjëherë kjo fjalë përdoret edhe si synonim i termit “el-shirka”. Kjo e fundit, “el-shirka” bazuar në literaturën klasike ka kuptim më të gjerë sesa “musharaka”. “El-shirka” përfshin në vete “Shirkatul mulk” që do të thotë pronësi e përbashkët e një pasurie të caktuar dhe “shirkatul akd” që ka kuptimin e partneritetit në biznes si rrjedhojë e një kontrate të përbashkët. Porse, termi “Musharaka” ashtu siç përdoret në financat moderne ka kuptimin e partneritetit në biznes dhe i takon një partneriteti kontraktues.(9)
Juristët kanë dhënë disa shpjegime rreth kuptimit terminologjik për “Musharaka”.(10)
Hanefijet: “Musharaka” është një kontratë partneriteti mes partnerëve në kapital dhe në fitim.
Shafiijet: “Musharaka” është një konfirmim i të drejtave të dy apo më shumë njerëzve rreth një pasurie të caktuar.
Hanbelijet: “Musharaka” është shkrirja e të drejtave dhe liria për të përdorur, që nënkupton, disa partnerë i shkrijnë të drejtat e tyre dhe disa autorizohen për të përdorur pasurinë e njëri-tjetrit.
Malikijet: Lejimi apo autorizimi i njërit partner për të bërë transaksione me pasurinë në partneritet dhe në të njëjtën kohë mban të drejtën për të bërë transaksione me të njëjtën pasuri.
Nga shpjegimet e përmendura rreth domethënies së “musharaka” është e qartë se shumica e dijetarëve e definojnë atë në kuptimin më të gjerë të “shirka”. Shpjegimi i dijetarëve që i takojnë shkollës juridike Hanefite janë më të afërta me llojin e kontratave të një partneriteti modern. Ky shpjegim i përshtatet më shumë konceptit të “musharaka” të aplikuar në kohën e tashme, ku fitimet ndahen në përqindje sipas marrëveshjes paraprake, ndërsa humbja ndahet në proporcion me kapitalin e investuar. Në “musharaka” të gjithë partnerët kontribuojnë me kapital dhe kanë të drejtën e përfshirjes në menaxhim por nuk janë të obliguar. Dijetarët mund të kenë ndonjë dallim rreth formës, kushteve të aplikimit dhe detajeve të ndryshme, por të gjithë pajtohen për ligjshmërinë e saj.(11)

Ligjshmëria e “musharaka”-së

Ligjshmëria e “musharaka”-së si një kontratë partneriteti ka mbështetje në Kur’an, sunnet dhe në konsensusin e juristëve myslimanë.
Janë disa ajete Kur’anore që citohen për mbështetje të konceptit të “Musharaka”-së, njëri prej tyre është ajeti Kur’anor, që inkurajon ndihmën e njëri-tjetrit dhe bashkimi i aktiviteteve për qëllim të mirë:
“Ndihmoni njeri-tjetrin në drejtësi dhe devotshmëri”. (El-maida 2)
“... me të vërtetë ka partner në biznes që e mashtrojnë njëri-tjetrin, përveç atyre që kanë besuar dhe punojnë punë të mira, por të tillë janë pak... (Sad: 24)
Për mbështetje nga sunneti, transmetohet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi a.s. ka thënë në një “hadith kudsi”:
“Unë jam i treti në partneritet përderisa nuk ka mashtrime, nëse njeri prej partnerëve e mashtron tjetrin unë tërhiqem nga ai partneritet.”
Pejgamberi a.s. në shumë raste ka aprovuar praktikimin e “musharaka”-së dhe në një rast ka thënë: “Dora e Zotit është me ata dy partnerë përderisa ata nuk e mashtrojnë njëri-tjetrin”.

Kushtet dhe elementet e “Musharaka”-së

Elementet e “Musharaka”-së përfshijnë: renditjen e fjalive (ofertën dhe pranimin), palët kontraktuese (dy apo më shumë palë në kontraktim) dhe lënda e kontratës (kapitali dhe puna). Kontraktimi konsiderohet i plotë nëse palët kanë shprehur qëllimin e partneritetit, palët kontraktuese duhet të jenë persona kompetentë apo duhet të jenë të autorizuar për veprim. Lënda e kontratës që është kapitali duhet t’i plotësojë këto kushte:
- Kapitali për pjesëmarrje duhet të jetë në para të gatshme, ari, argjend apo kundërvlera e tyre, në këtë aspekt nuk ka mospajtime mes dijetarëve.
- Kapitali mund të përbëhet nga mallra të tregtisë, pasuri, pajisje, etj. Gjithashtu mund të jetë edhe në formë të pasurive të paprekshme, siç janë, patente, të drejtat për biznes apo prodhim dhe të ngjashme duke i vlerësuar ato në kundërvlerë me para të gatshme sipas asaj që partnerët pajtohen.

Llojet e “musharaka”-së

Ekzistojnë disa klasifikime të “musharaka”-së të bëra nga juristët duke u bazuar në qëllime të ndryshme. Bazuar në kushtet e partneritetit duke pasur parasysh të drejtat dhe obligimet e partnerëve, se a kanë apo nuk kanë ata të drejta të barabarta në shfrytëzimin e kapitalit dhe ndarjen e fitimit “musharaka” ndahet në dy lloje: “inan” (partneritet me aksione të pabarabarta) dhe “mufavada” (partneritet me aksione të barabarta). Detajet e këtyre dy llojeve të “musharaka”-së janë si në vijim:

A. Inan (partneritet me aksione të pabarabarta)

Kjo kontratë do të thotë dy apo më shumë persona janë të përkushtuar për të paguar aksione të caktuara në kapital, e cila do të përdoret në tregti dhe fitimi do të ndahet mes tyre sipas përqindjes së caktuar për të cilën janë pajtuar. Kjo nuk kërkon barazi në investime dhe secili nga partnerët mund të jenë pronarë të aksioneve të ndryshme dhe të pabarabarta në partneritet. Gjithashtu nuk është e kushtëzuar barazia e statusit personal apo shpërndarjes së fitimit dhe përgjegjësive mes partnerëve.
Në këtë lloj të “musharaka”, secili nga partnerët konsiderohet agjent apo përfaqësues i tjetrit në veprime që kanë të bëjnë me kapitalin dhe transaksionet e kompanisë. Edhe një karakteristikë e partneritetit në këtë kategori është se partnerët në biznes mund të veprojnë si agjent apo përfaqësues të të drejtave të njëri-tjetrit por jo edhe si garantues. Kjo do të thotë se asnjëri prej partnerëve nuk mund të garantojë detyrimet e partnerit tjetër, dhe nuk mund të futet si garantues edhe me kapitalin e partnerëve.

B. Mufawada (Partneritet me aksione të barabarta)

Në këtë lloj të “musharaka”, secili partner ka aksione të barabarta me ato të partnerëve të tij në kapital, profit dhe liri të veprimit. Barazia në investim, status personal dhe ndarja e profitit dhe detyrimeve është kusht i kësaj kategorie. Ekzistojnë mendime dhe shpjegime të ndryshme nga dijetarë të ndryshëm lidhur me kompetencat dhe detyrimet e partnerëve, dhe përderisa kërkohet barazi në të gjitha aspektet është pak e komplikuar dhe jo shumë praktike për t’u aplikuar në transaksionet moderne.
Bazuar në lëndën e kontratës, “musharaka” ndahet në tri lloje(12):
a) Nëse lënda e kontratës (investimi) është në formë të parave të gatshme ajo quhet “shirkatul emwal”, ku të gjithë partnerët investojnë një shumë të parave në një ndërmarrësi komerciale.
b) Nëse lënda e kontratës (investimi) është në formë të kontributit me punë fizike ajo quhet “shirkatul amal”, ku të gjithë partnerët ndërmarrin të punojnë në një projekt apo shërbim klientëve dhe të gjitha të ardhurat e gjeneruara ndahen mes tyre sipas përqindjes së rënë dakord pa marrë parasysh sa ka kontribuar secili partner.
c) Nëse lënda e kontratës (investimi) është reputacion dhe besueshmëri, ky partneritet quhet “shirkatul vuxhuh”, në të cilën palët blejnë produktet me pagesë të shtyrë dhe i shesin ato me pagesë të menjëhershme. Fitimi i bërë ndahet sipas marrëveshjes paraprake.

Rregullat bazike të “Musharaka”-së

“Musharaka” është një marrëdhënie e themeluar mes dy palëve përmes një kontrate të përbashkët. Prandaj, të gjitha elementet kryesore të një kontrate të rregullt duhet të plotësohen, ndërkaq përveç tyre ekzistojnë kushte të cilat vlejnë vetëm për “musharaka”, siç janë: ndarja e fitimit, pjesëmarrja në humbje, menaxhimi në partneritet dhe ndërprerja e kontratës para përfundimit të biznesit.

Ndarja e fitimit

Për përqindjen e ndarjes së fitimit mes partnerëve duhet të dihet në fillim të marrëveshjes para se të hyjë në fuqi kontrata, nëse nuk është caktuar kjo përqindje atëherë kontrata nuk është e plotë sipas rregullave të Sheriatit. Përqindja e fitimit për secilin partner duhet të ndahet në proporcion me akumulimin e fitimit, nuk është patjetër të ndahet sipas përqindjes së kapitalit të investuar.(13) Dijetarët e shkollave juridike kanë dhënë mendime rreth përqindjes për ndarjen e fitimit, Shafiijet dhe Malikijet janë të mendimit se përqindja e ndarjes së fitimit duhet të jetë përqindje e shumës se investuar, ndërsa Hanefijet dhe Hanbelijet janë të mendimit se përqindja e ndarjes së fitimit mund të jetë e ndryshme nga përqindja e investimit duke u bazuar se njëra palë mund të kontribuojë edhe me eksperiencë edhe në menaxhim. Dhe ky i fundit është mendim më i përshtatshëm dhe më bashkëkohor, me të cilin edhe punohet në ditët e sotme.
Një gjë është shumë me rëndësi rreth ndarjes së fitimit, nuk duhet të jetë shumë e caktuar si pagesë në një kohë të caktuar për asnjërin partner duke u bazuar me shumën fillestare të investimit. Për shembull, nëse personi A dhe Personi B kanë hyrë në partneritet dhe janë pajtuar që personi A duhet të marrë 1000 euro si pagesë mujore apo tremujore në emër të aksioneve të tij në biznes ndërsa shuma tjetër i takon personit B, ky partneritet nuk i plotëson kushtet e partneritetit sipas rregullave të “musharaka”-së dhe është i paligjshëm. Ngjashëm me këtë, nëse ata janë pajtuar që personi A të marrë 10 për qind të vlerës së kapitalit të tij të investuar, kontrata është e pavlerë. Baza e ligjshme për ndarjen e fitimit është ndarja e një përqindje të paracaktuar e fitimit të realizuar në biznes.

Pjesëmarrja në humbje

Ndërmarrësia në biznes nuk është çdoherë fitim por ndodh edhe të ketë humbje. Në rast të përfundimit të projektit me humbje të gjithë dijetarët janë të pajtimit se secili partner duhet të bartë humbje në bazë të përqindjes së investuar. Nëse njëri partner ka investuat 30 për qind, patjetër të bartë humbje 30 për qind, as më shumë e as më pak, çdo marrëveshje ndryshe nga kjo kontratë sipas kritereve që ka “musharaka” është e paligjshme.

Menaxhimi në “musharaka”

Në këtë ndërmarrësi biznesi të gjithë partnerët kanë të drejtë të marrin pjesë në menaxhim dhe të punojnë në projekt pasi që të gjithë kanë kontribuar me kapital për këtë biznes. Ekziston mundësia që partnerët të pajtohen që vetëm njëri prej tyre të udhëheqë menaxhimin dhe asnjëri prej tyre nuk merr pjesë në udhëheqje. Në këtë rast, partnerët pasivë kanë të drejtën në fitim dhe përqindja e fitimit që kanë të drejtë ta marrin nuk mund ta kalojë përqindjen e investimit në projekt pasi që ata nuk janë aktivë në biznes por mund të jetë më e vogël sesa përqindja e investimit.

Ndërprerja kontratës në “musharaka”

Fillimisht biznesi i filluar në konceptin e “musharaka”-së supozohet të zgjasë aq sa janë pajtuar në fillim të gjithë partnerët, por ekzistojnë situata kur njëri dëshiron ta ndërpresë partneritetin për arsye të ndryshme. Nëse njëri prej partnerëve dëshiron ndërprerjen ndërsa partnerët tjerë dëshirojnë të vazhdojnë me biznes kjo duhet të rregullohet me marrëveshje të dyanshme. Partnerët që dëshirojnë të vazhdojnë me projekt i blejnë aksionet e personit i cili dëshiron ndërprerjen e punës, sepse ndërprerja apo dalja e njërit partner nga biznesi nuk i obligon edhe tjerët ta ndërpresin partneritetin e filluar mes tyre. Partneriteti sipas konceptit të “musharaka”-së mund të ndërpritet para kohe në ndonjërën prej këtyre rasteve.
A. Secili partner ka të drejtë ta ndërpresë partneritetin në çdo kohë pasi t’i ketë informuar partnerët për këtë vendim. Në këtë situatë, nëse asetet e partneritetit janë në para të gatshme ato ndahen ndërmjet partnerëve, ku secili merr përqindjen e rënë dakord para fillimit të partneritetit. Por, nëse asetet nuk janë në para të gatshme partnerët mund të pajtohen në shndërrimin e tyre në para të gatshme, duke i shitur ato apo duke i ndarë asetet ndërmjet vete. Nëse ka mospajtim ndërmjet partnerëve se si të veprohet me asetet, të shndërrohen në para të gatshme duke i shitur ato apo të ndahen ashtu si janë, atëherë përparësi do të ketë ndarja e aseteve sepse pas ndërprerjes së partneritetit në “musharaka” të gjitha asetet janë në pronësi të përbashkët dhe bashkëpronari ka të drejtë të kërkojë ndarjen e tyre dhe askush nuk mund ta detyrojë partnerin t’i shes ato. Porse, nëse asetet nuk mund të ndahen, siç janë makineritë e ndryshme atëherë ato duhet të shiten dhe të ardhurat nga shitja ndahen mes tyre.
B. Nëse ndonjëri prej partnerëve vdes, kontrata e partneritetit e bërë me të duhet të ndërpritet. Trashëgimtarët e tij në këtë rast kanë të drejtën e tërheqjes së aksioneve nga biznesi apo të vazhdojnë me kontratë të re në konceptin dhe kushtet e njëjta.
C. Nëse ndonjëri prej partnereve bëhet i paaftë për veprim, qoftë paaftësi psikike apo fizike që e ndalon atë të veprojë në transaksione komerciale atëherë kontrata me të llogaritet e përfunduar.

“Musharaka” si një produkt financiar

“Musharaka” është e aplikueshme në modele të ndryshme të financimit, disa prej tyre janë si në vijim.

Financimi i projekteve

“Musharaka” është njëra prej modeleve që mund të përdoret për financim të projekteve të ndryshme, me theks të veçantë kur investimi vjen nga palë të ndryshme. Rregullat dhe kriteret për financimin e këtij grupi të projekteve janë ato që u diskutuan në nëntitullin e ndërprerjes së kontratës.

Financimi i një transaksioni të vetëm

Koncepti i financimit sipas “musharaka”-së mund të përdoret për financimin e një transaksioni të vetëm. Ky instrument mund të përdoret për financim të importit dhe eksportit. Një importues bën një kërkesë nga financuesi apo banka për të financuar importin e dëshiruar në një transaksion të vetëm bazuar në këtë koncept. Atëherë, hapet një LC (Letter of Credit) letër-kredi me një margjinë fitimi duke përdorur formën e “musharaka”-së, pasi që produktet e importuara të dalin nga porti, procedohet me shitjen e tyre duke ndarë në fund fitimin e arritur sipas përqindjes së rënë dakord në fillim të marrëveshjes. Në këtë rast, financuesi apo banka ka në pronësi përqindjen e financuar të mallrave të importuara. Ky transaksion ka një kohëzgjatje të caktuar dhe nëse mallrat e importuara nuk janë shitur deri në kohën e caktuar atëherë importuesi mund ta blejë përqindjen e pronësisë nga financuesi duke u bërë pronar i vetëm i tyre. Shitja e tyre duhet të bëhet me çmim të tregut apo çmim të rënë dakord mes palëve në ditën e shitjes, kurrsesi nuk duhet të ketë çmim të paracaktuar në kohën e marrëveshjes para se të futen në kontratën e musharaka.(14)
Ngjashëm me këtë, ky koncept i financimit mund të përdoret edhe për financimin e eksportit. Një eksportues ka një kërkesë eksporti çmimi i të cilit është i ditur paraprakisht dhe mund të bëhet një llogari fitimi që është një gjë e lehtë për kalkulim edhe për financuesin-bankën dhe fitimi duhet të ndahet bazuar në përqindjen paraprakisht të rënë dakord. Financuesi për të siguruar veten nga ndonjë neglizhencë e klientit-eksportuesit duhet të vendosë kushte që eksporti duhet të bëhet nga eksportuesi sipas marrëveshjes dhe nëse ka ndonjë neglizhencë përgjegjësinë për këtë duhet ta bartë eksportuesi. Nëse ndodhin humbje për shkak të neglizhencës apo keqpërdorimit të eksportuesit humbjet i bart vetë eksportuesi, por nëse ndodhin humbje për arsye tjera jo të neglizhencës apo keqpërdorimit të eksportuesit atëherë edhe financieri merr pjesë në humbje sepse koncepti i bashkëpunimit është koncept partneriteti.

Financimi i kapitalit punues

Ky koncept i financimit mund të përdoret edhe për financimin e kapitalit punues të ndonjë biznesi, i cili është në veprim dhe kjo mund të bëhet në këtë mënyrë. Pasi që financimi në “musharaka” mund të jetë edhe diçka tjetër përveç parave të gatshme, ky rregull duhet të merret në konsideratë në këtë veprim. Kapitali i biznesit duhet të vlerësohet në pajtueshmëri të dy palëve, ndërkaq vlera e biznesit trajtohet si kapital investues për palën që kërkon financim, ndërsa shuma e investuar nga financuesi-banka si kapital investues për pjesën e mbetur. Marrëveshja e këtij partneriteti bëhet për një kohë të limituar si për shembull disa muaj apo një vit. Të dy palët pajtohen për përqindjen që i takon financuesit, e cila nuk e kalon përqindjen e investimit sepse financuesi nuk punon për këtë biznes. Në përfundim të kohës, të gjitha asetet e biznesit, likuide dhe jo-likuide vlerësohen përsëri dhe fitimi ndahet në përqindjen e rënë dakord në fillim. Edhe pse ka mendime se fitimi nuk mund të caktohet përveç nëse të gjitha asetet janë shndërruar në para të gatshme, në aspektin e sheriatit nuk ka ndonjë ndalesë specifike nëse vlera e aseteve është caktuar në pajtueshmëri me të dyja palët.


______________________
1. M. Fahim Khan, Comparative Economics of Some Islamic Financing Techniques (Jeddah: Islamic Research and Trainign Institute, 1991), 19-20. 2. Joni Tamkin Borhan & Che Zarrina Sa’ari, “The Agent-manager’s Conduct of Mudarabah Contract in Islamic Transactions”, Brenda Librit, Islamic Finance: The Challenges Ahead, editor: Nafis Alam & Bala Shanmungam, (Serdang: University Putra Malaysia Press, 2007), f. 59.
3. INCEIF, Shariah Rules in Financial Transactions (Kuala Lumpur: INCEIF, 2009), f. 275
4. Murat Cizakca, Acomparative Evolution of Business Partnerships: The Islamic World and Europe with Special Reference to Ottoman Archives (Leiden: E.J. Brill, 1996), 19.
5. Ibid
6. Islamic Shari’ah Research Academy for Islamic Finance, Islamic Financial System: Principles and Operations, (Kuala Lumpur: Pearson Custom Publishing, 2012), f. 250.
7. Ibid, 251.
8. Muhammad Imran Ashraf Usmani, Meezan Bank’s Guide to Islamic Banking, (Karachi: Darul-Ishaat, 2002),f.98.
9. Razali Hj Nawawi, Islamic Law on Commercial Transactions, (Kuala Lumpur: CT Publications, 1999), f156-157.
10. Zainal Azam Abdul Rahman ed, “Shariah Rules in Financial Transactions” (text book for students), (Kuala Lumpur: INCEIF, 2009), f. 310-312.
11. Saad Abdul Sattar Al Harran, Islamic Finance: Partnership Financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993), f. 75.
12. Nabil A. Salih, Unlawful Gain and Legitimate Profit in Islamic Law, second edition (London: Graham & Trotman, 1992), f. 113.
13. Abbas Mirakhor & Iqbal Zaidi, “Profit and Loss Sharing Contracts in Islamic Finance”, ins. Handbook of Islamic Banking eds. M. Kabir Hassan & Mervyn K. Lewis (Massachusetts: Edward Elgar, 2007), f.51.
14. Abdul Rahman, 2009. f. 313. 88


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi