Si të përgatitemi për Ramazan?

Po na afrohet edhe një muaj tjetër i Ramazanit. Sa përgatitemi? Imagjinoni sikur të vinte në shtëpinë tuaj ndonjë “VIP i pasur” (Person shumë i rëndësishëm) duke ju premtuar pasuri të madhe, çfarë do të bënit dhe si do të vepronit? Gjëja e parë që mund do të bënit është t'u tregoni miqve dhe familjes tuaj se do të përgatitni, rregulloni dhe pastroni shtëpinë, banesën tuaj, dhe të mendoni për takimin me të.

Ramazani - mysafiri ynë i dashur

Sa prej nesh përgatitemi kështu për VIP-in që po vjen, d.m.th. muajin e Ramazanit? Ramazani është padyshim më i rëndësishëm se çdo VIP që mund të vijë në derën tonë. Pse? Sepse ai person nuk mund të na çojë në Xhenet, ndërsa Ramazani mund të na hapë dyert e Xhenetit.
Mënyra se si shumica e myslimanëve në mbarë botën përgatiten për Ramazanin është duke bërë blerje para fillimit të Ramazanit. Por shumica prej nesh nuk mendon shumë për Ramazanin paraprakisht. Kjo është e kundërta e asaj që vepruan sahabët e Muhamedit s.a.v.s. Në fakt, përmendet se sahabët do t'i luteshin Allahut gjashtë muaj më parë që t'u jepte jetë e mundësi për të arritur Ramazanin e ardhshëm dhe gjashtë muaj pas çdo Ramazani ata do t'i luteshin Allahut që t'ua pranonte agjërimin dhe ibadetet.
Kjo sugjeron dhe tregon se sahabët nuk i kuptonin vetëm bazat e Ramazanit, që do të ishte fakti që ne nuk hamë nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe fakti që falim namaze të caktuara, por shumë më tepër se kaq. Ata e kuptuan shpirtin, thellësinë dhe thelbin e muajit të Ramazanit dhe të agjërimit. Ekziston një hadith që na paralajmëron se shumë njerëz që agjërojnë nuk do të fitojnë asgjë nga ai agjërim përveç urisë dhe etjes. Imagjinoni të agjëroni për orë të gjata, të jeni të uritur dhe të etur, por gjithçka që merrni në fund është uria dhe etja! Çfarë do të thotë kjo në të vërtetë?
Kjo do të thotë se kur agjërojmë, mund të agjërojmë duke mos ngrënë apo pirë, por ne i shpërfillim gjërat e tjera që ekzistojnë, përkatësisht elementet e tjera të agjërimit, më të rëndësishme se uria dhe etja.

Pastrimi i zemrës

Zakonisht kur vjen pranvera fillojmë përgatitjet, fillojmë të rregullojmë kopshtin, shtëpinë, ndoshta disa bëjnë pastrim të përgjithshëm, lyejnë muret etj. Për muajin e Ramazanit, ne fillojmë të rregullojmë zemrat tona, sepse kemi nevojë për një zemër të pastër.
Pejgamberi s.a.v.s., ka thënë: Në trupin e njeriut është një organ, i cili kur është i mirë, i gjithë trupi është i mirë dhe kur është i prishur, i gjithë trupi është i prishur, ai organ është zemra." (Muttefekun alejhi)
Sepse kur ne mëkatojmë shumë dhe nuk i kërkojmë falje Allahut, është si të ndërtojmë një mur, tullë mbi tullë, dhe çdo mëkat që bëjmë është si një tullë dhe ndërton një pengesë mes nesh dhe Allahut.

Kërkimi i faljes nga Allahu

E vetmja gjë që i heq këto tulla është kur Allahu na jep faljen e Tij. Ne duhet të lutemi për atë falje dhe të kemi një qëllim të sinqertë që të mos e bëjmë më atë mëkat. Por, edhe nëse e bëjmë përsëri atë mëkat, sepse asnjëri prej nesh nuk është i përsosur, ne duhet të ripërtërijmë nijetin tonë dhe të kërkojmë falje përsëri nga Allahu. Natyrisht, është e rëndësishme të theksohet se kjo nuk duhet të na inkurajojë që të mos e marrim seriozisht pendimin tonë dhe ta përsërisim me vetëdije, qëllimisht dhe në mënyrë joserioze mëkatin.
Shejtani pëshpërit gjatë gjithë kohës. Dhe Allahu e përshkruan shejtanin si armik të betuar për ne dhe na kërkon që ta marrim atë si armik. Shejtani do t'ju pëshpëritë dëshirës tuaj, do t'ju inkurajojë të bëni keq dhe të qëndroni larg të bërit mirë dhe të mos përgatiteni për Ramazan.
Ne duhet të jemi të sigurt për të kuptuar se kërkesa jonë për falje nga Allahu kërcënohet nga shejtani, i cili do të përpiqet të bëjë të bukur dhe të drejtë atë që është e shëmtuar që ne bëjmë, kur në fakt nuk është as e bukur dhe as e drejtë. Gjuha është arma më e madhe që kemi. Mund ta përdorim për të dëmtuar njerëzit, p.sh. përgojimi, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shmangim atë në çka na thotë Kurani: “Mjerë çdo përgojues-tallës...” (El-Humeze, 1.)
Një nga gjërat më të mëdha dhe më të shëmtuara që bëjmë me gjuhën është të flasim për njerëzit e tjerë në mënyra që i lëndojnë ata. Ne duhet të përmbahemi prej tij, por edhe nëse bëjmë një gabim, pendohemi dhe jemi të vetëdijshëm se Allahu i Plotfuqishëm do të na falë.

Agjërimi në muajin Shaban

Muaji Shaban është muaji ndërmjet muajit Rexheb dhe muajit Ramazan. Ka shumë ditë të mbarë në të cilat Allahu i Madhëruar e nderon ymetin e Pejgamberit të Tij a.s. Na është premtuar shpërblim i madh për çdo vepër të mirë, qoftë edhe e vogël, si për heqjen e një pengese nga rruga që i pengon të tjerët.
Përveç agjërimit në muajin e Ramazanit, Pejgamberi ynë s.a.v.s., agjëroi më së shumti në muajin Shaban, në muajin e mëshirës, dashurisë dhe faljes së veçantë të Zotit, siç dëshmohet nga hadithi i transmetuar nga Usame bin Zejdi r.a., në të cilin thuhet: “O Pejgamber i Zotit, nuk shoh që të agjërosh në ndonjë muaj tjetër aq sa agjëron në muajin Shaban. Pse është kështu?" Ai u përgjigj: “Ky muaj ndërmjet Rexhebit dhe Ramazanit është një muaj kaq i vlefshëm dhe njerëzit janë kaq të pakujdesshëm ndaj tij! Në këtë muaj i ngrihen veprat Zotit të botëve dhe unë dua që veprat e mia të ngrihen duke qenë me agjërim.” (Nesaiu)
Me një rast kur e ka pyetur Enesi r.a., të Dërguari i Allahut s.a.v.s., se cili agjërim është më i vlefshëm pas Ramazanit, ai iu përgjigj se është agjërimi i muajit Shaban sepse ai paralajmëron ardhjen e Ramazanit.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi