Namazi i Teravisë (Shtjellim dhe ndriçim i disa pikave dilematike rreth namazit të Teravisë)



Siç ndodh rëndom në ligjet hyjnore të Allahut xh.sh., që muajt dhe ditët e caktuara të veçohen me begati e dhunti madhështore, një gjë të tillë e vërejmë edhe në muajin e Ramazanit, në të cilin begatitë e Zotit s’kanë fund. E prej begative të muajti të shenjtë të Ramazanit është edhe fakti se në të i Dërguari s.a.v.s. bëri praktikë për vete që të falë një namaz të veçantë gjatë natës, e që për të e nxiti edhe Ymetin e tij që ta praktikojë deri në Kataklizmë.

Emërtimi i këtij namazi

Namazin e veçantë të këtij muaji, të cilin e falim pas farzit të jacisë, gjeneratat e hershme e quajtën namazi i Teravisë. Është quajtur namaz i Teravisë nga fjala “terviha”, shumësi i së cilës bën “teravih” që do të thotë pushim ose freskim. Kjo ngase Muhamedi s.a.v.s. pushonte pas çdo katër rekatesh të këtij namazi, dhe një gjë të tillë e bënin edhe gjeneratat e para pas tij. Vepronte kështu për shkak të gjatësisë së qëndrimit të tyre në këmbë e duke lexuar Kuran, andaj edhe sot është e preferuar të bëhen pushimet e tilla pas faljes së çdo katër rekatesh namaz.
Në tekstet autentike të Muhamedit s.a.v.s. namazi i Teravisë është cituar si namaz i natës i Ramazanit, siç është transmetuar edhe në koleksionet e sakta të haditheve, se Muhamedi s.a. ka thënë:
“Kush ngritet të falë namaz nafile (gjatë natës) në Ramazan, me bindje dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, atij do t’i falen mëkatet e tij të kaluara.”(1)
Po ashtu i Dërguari i Allahut s.a.v.s. konstatoi faktin se ishte ai që e bëri sunet faljen e këtij namazi, duke thënë: “Vërtet Allahu i Lartëmadhëruar jua bëri obligim agjërimin e këtij muaji, e unë jua (sugjerova) bëra sunet faljen e namazit të natës në të (Teravisë)...”(2)
Të gjithë dijetarët u pajtuan se hadithet në fjalë flasin për namazin e Teravisë.
Imam Buhariu dhe Imam Muslimi i futen hadithet e namazit të natës gjatë Ramazanit nën kapitullin e “Namazit të Teravisë”, që nënkupton se shprehja “namaz i Teravisë” vetëm ishte emërtim i gjeneratave të hershme për namazin e natës, që vazhdoi si i tillë deri sot, e që i Dërguari s.a.v.s. e falte në Ramazan. Madje edhe Imam Bedrud-din El-Ajnij, nga hadithologët e mëdhenj dhe njëherit nga juristët e shkollës juridike hanefite, kur filloi të sqaronte hadithet e “Kijamit-Namazit të natës në Ramazan” thoshte se me këto hadithe është për qëllim “Namazi i teravisë”.(3)

Numri i rekateve të namazit të Teravisë dhe forma e faljes së tij

Divergjencat e dijetarëve islamë rreth numrit të rekateve të namazit të Teravisë kanë buruar nga transmetimet që kanë ardhur lidhur me atë se sa rekate i kishte falur vetë Muhamedi s.a.v.s. derisa një gjë të tillë më pas e përcaktoi Umeri ibn Hatabi r.a., i cili njihet si njeriu i parë që ka bashkuar sahabët dhe tabiinjtë bashkë, pas një imami, në namazin e Teravisë. Është e padiskutueshme që nga Muhamedi s.a.v.s. janë transmetuar, në mënyrë të saktë nga Aishja r.a., se ai i falte 8 rekate Teravi, pos tri të tjerave si namaz Vitri. Por, janë transmetuar edhe 10 rekate, pos tri tjera Vitër, e që nga shumë dijetarë islamë është marrë si fakt të thonë se Muhamedi s.a.v.s. me gojën e tij nuk përcaktoi kurrfarë numri preciz të namazit të Teravisë, ashtu siç edhe u ka hije punëve vullnetare të lihen në vullnetin e njeriut, që sa të dojë ai të shtojë në to.(4)
Ajo që transmetohet nga Aishja r.a. është se: “Muhamedi s.a.v.s. doli një natë për t’u falur në xhami, e me të u falën një grup. Pastaj doli në natën e dytë, e njerëzit u shtuan. Pastaj doli së treti, dhe nurmi i tyre veç u rrit. Dhe në natën e katërt mungoi. E kur u zgjuan në mëngjes, ai u tha: “Unë e pashë atë që e vepruat ju (sa ishit të gatshëm për ibadet), por nuk më bëri asgjë tjetër të mos dal pos frikës se mos Allahu po ua bën farz këtë namaz.”(5)
Ky hadith është marrë argument se Pejgamberi a.s. ua kishte falur namazin e Teravisë si imam, siç e konstatojnë këtë çështje një numër i madh i dijetarëve, ndërsa një pjesë tjetër konsideron se ai e kishte falur bashkë me ta në xhami, por jo si imam. Duket se mendimi më i saktë është i pari, ngase edhe teksti i hadithit sinjalizon për një gjë të tillë.
Rrjedhimisht u kuptua se lënia e Teravisë nga Muhamedi s.a.v.s. në netët në vijim është bërë për arsye të fuqishme, e ajo ishte frika se mos po bëhet obligim, andaj edhe e ndërpreu shkuarjen në xhami në ditën e katërt e tutje. Mirëpo, kjo arsye më nuk është evidente pas vdekjes së tij, ngase të gjitha ligjet dhe normat sheriatike hyjnore kanë përfunduar së zbrituri me vdekjen e Muhamedit s.a.v.s.
Prandaj edhe shumica absolute e dijetarëve islamë (Imam Ebu Hanifeja, Shafiu, Imam Ahmedi, Sufjan Eth-Theuriu, dhe një transmetim nga Imam Maliku) mendojnë se numri i rekateve të namazit të Teravisë është 20 sosh.
Ky mendim i shumicës absolute bazohet në faktin se kur Umeri r.a. i bashkoi sahabët gjatë hilafetit të tij, për t’i falur Teravitë me xhemat, duke e caktuar Ubejj Ibn Ka’bin si imam të tyre, e urdhëroi që ai të falë 20 rekate. Transmeton Abdurrahman Abdul-Karij, dhe thotë: “Një natë të Ramazanit dola në xhami me Umer Ibn Hatabin r.a., dhe vërejtëm se njerëzit (faleshin) në grupe të shpërndara, dikush falej vetëm, dikush falej e pas tij kishte xhemat, dhe Umeri r.a. tha: “Unë mendoj sikur t’i bashkonim të gjithë këta me një imam (lexues) do të ishte më mirë, dhe ashtu vendosi, duke e caktuar Ubejj Ibn Ka’bin për imam të tyre. E kur dolën në natën tjetër, njerëzit faleshin pas imamit të tyre, e Umeri tha: “Sa risi (bid’at) i mirë që qenka kjo, por pjesën që këta po flekan është më e mirë që të falen, ngase ata faleshin në fillim të natës.”(6)
Ndërsa Imam Ebu Hanifeja r.a., duke e komentuar këtë rast, thoshte: “Umeri r.a. nuk e bëri këtë nga vetvetja e tij, dhe kurrë nuk do ta bënte nëse nuk do të gjente mbështetje në Sunetin e të Dërguarit të tij. Të gjithë dijetarët u pajtuan se ata qysh atëherë Teravitë i kishin falur 20 rekate, dhe kjo ishte në prezencën e sahabëve të mëdhenj, dhe të gjithë u pajtuan. Andaj kjo edhe e mori tretmanin e ixhmait-koncenzusit të sahabëve, sunetin e të cilëve po nga Muhamedi a.s. jemi të urdhëruar ta pasojmë e ta ndjekim në përpikëri.
Prandaj, lirisht mund të themi se Teravitë i falim 20 rekate, sepse me këtë u pajtuan të gjithë sahabët në kohën e Umerit r.a., dhe këtë mendim e kanë shumica absolute e dijetarëve islamë gjatë të gjitha periudhave historike.
Madje për të konfirmuar këtë citojmë edhe fjalën e Imam Malikut, që ka thënë:” “Tregon Jezid Ibn Rumani, se njerëzit në kohën e Umer ibn Hatabit r.a. falnin njëzet e tre (23 ) rekate namaz (20 Teravi dhe tre Vitër).”(7)
Një fakt tjetër është edhe historik, ngase në tri xhamitë e shenjta (Mesxhidul-Haram në Mekë, në xhaminë e Muhamedit s.a.v.s. në Medinë dhe në Mesxhidul-Aksa në Jerusalem) qysh prej asaj kohe, qe 14 shekuj radhazi, rregullisht janë falur nga 20 rekate Teravi.
Falja e Teravive me xhemat është e preferuar dhe më me vlerë sesa falja vetëm. Sipas Ebu Hanifes, Imam Ahmedit, Imam Shafiut në njërin transmetim të tij, lejohet edhe të falen vetëm, ngase ai është namaz vullnetar.
Namazi i Teravive falet duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh, sipas mendmit të shumicës së dijetarëve islamë, përfshirë këtu edhe hanefinjtë, por lejohet edhe pas katër rekateve. Sipas hanefinjve të dy format janë të lejuara.
Në secilin rekat është vaxhib të lexohet El-Fatihaja dhe një sure (ose një ajet i gjatë apo tre të shkurtër), ndërsa në uljen e parë, nëse xhemati janë të dobët e të lodhur, mjafton vetëm teshehudi, e nëse janë më të fortë është e preferuar që të thuhen edhe salavatet, e në të tretin të këndohet edhe subhaneke-ja (para leximit të El-Fatihasë).
Pas namazit të Teravisë falet namazi i Vitrit, i cili në Ramazan poashtu falet me imam dhe xhemat, dhe është e preferuar që të mos i ndahen imamit deri në fund, kur ai ta përfundojë atë. Tregon Ebu Dherri r.a., se ata i kërkuan leje Muhamedit s.a.v.s. që t’i lejonte që të falen edhe vetëm, të falin namaz nate në Ramazan, ndërsa ai u tha: “Kush falet me imamin e tij deri sa ai ta përfundojë namazin do t’i shkruhet (llogaritet) sikur të jetë falur tërë natën.”(8)
Ndërsa, nëse dikush do të falë namaz të natës pas namazit të Teravisë, atëherë sipas hanefinjve, shafiinjve dhe malikinjve, por edhe nga një transmetim i imam Ahmedit, një gjë e tillë nuk preferohet dhe është mekruh të bëhet me xhemat, dhe më mirë është namazi vetëm e në shtëpi, ngase kjo është më afër sinqeritetit në raport me Allahun e Lartmadhëruar, dhe larg çdo syefaqësie të mundshme. Madje, Imam Shafiu dhe Imam Maliku në një transmetim të tyre preferojnë që edhe vetë namazi i Teravisë të falet në shtëpi e vetëm, po për të njëtën arsye. Ndërsa Imam Ahmedi mendon se kjo gjë lejohet, dhe s’ka të keqe në të edhe nëse bëhet me xhemat.(9) Por, nëse dikush e ka falur namazin e Vitrit dhe prapë dëshiron të falë namaz të natës, sipas mendimit më të saktë, nuk ka nevojë ta përsërisë më namazin e Vitrit, sepse Muahmedi s.a.v.s. kishte thënë: “Nuk falen dy namaze të vitrit brenda një nate.”(10) Këtë mendim e kanë disa prej dijetarëve të shkollës hanefite.



1. Mut-tefak alejhi.
2. Transmeton Imam Ahmedi, Nesaiu, dhe Ibn Maxheh, edhe pse zingjiri i tij ka dobësi, s’ka dyshim se domethënia e tij është forcuar me hadithin paraprak.
3. ElAjnijj, Sherh Sunen Ebi Davud (2745). Mektebetuerr-Rrushd, Bot. i parë, Rijad, 1999.
4. Transmeton Ibn Abasi r.a. dhe thotë: “I Dërguari i Allahut i falte 20 rekate në Ramazan përveç Vitrit”. Hadithin e shënon Taberaniu në “Mu’xhemin” e tij (nr. 798), por hadithi nuk është në shkallë të mjaftueshme të saktësisë.
5. Evidenton Nesaiu në “Sunenin” e tij, (nr. i hadithit 1604) me zingjirë të saktë, por baza e tij është edhe në Buhari dhe Muslim.
6. Citon Buhariu në “Sahihun” e tij(nr. 2010).
7. Citon Imam Maliku në Muvet-tanë e tij (nr.380).
8. Ibn Huzejme në “Sahihun” e tij (nr. 2211). Zingjiri është i saktë-sahih.
9. Neveviu, Elmexhmu’u (46), Bot. Darul-Fikr. Pa vit botimi.
10. Transmeton Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij (nr. 16296) me zingjir të mirë-hasen


Artikulli i kaluar
Kultura e Agjëruesit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi