Agjërimi është shkollë dhe është mundësi që individi (myslimani) të dalë fitues dhe i skalitur deri në atë masë, saqë në të ardhmen e tij të jetë i aftë për të kapërcyer çdo pengesë dhe sfidat që i has në fushat e veprimtarisë së tij të përditshme. O agjërues besimtarë, Ramazani është largim nga epshi e kënaqësia, lartësim shpirtëror dhe liri shpirtërore! Sa bukur do të ishte sikur i tërë viti të ishte Ramazan, nëse ky është koncepti i agjërimit. Ibn Kajjmi thotë: “Agjërimi ka ndikim të çuditshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe të forcës së brendshme… agjërimi i ruan shëndetin edhe zemrës, edhe gjymtyrëve, e ia kthen atë që ia ka marrë dora e epshit.
Prandaj është ndihmësi më i madh i devotshmërisë”. Muhamedi a.s. ligjëroi në ditën e fundit të muajit Shaban kështu: “O ju njerëz, është afruar muaji famëlartë dhe i begatshëm, në të cilin është nata që vlerësohet më tepër se një mijë muaj, në të cilin obligohen agjërimi dhe lutja (namazi) vullnetare natën (nafile); kush vepron pak, fiton shumë, dhe ai që kryen një farz në të, sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze në një kohë tjetër; ky është muaji i durimit, kurse durimi shpërblehet me Xhennet; ky është muaji i barazisë dhe i shtimit të furnizimit (rrëskut) të besimtarit; atij që ushqen ndonjë agjërues, i falen mëkatet, ai shpëton nga zjarri dhe nuk i pakësohet shpërblimi fare”.
Ramazani është muaji i burrërisë së proklamuar që dominon mbi instinktet, dhe i dëshirës së lartë që funksionon vullnetarisht. Sa mirë do të ishte sikur muaji i Ramazanit të bashkonte gjithë popullin e të mos mbetej askush me burrëri të dështuar dhe me dëshirë të parealizuar! Sa mirë do të ishte sikur Ramazani t’i bashkonte njerëzit me agjërimin që përmban në vete burrëri të proklamuar dhe dëshirë të lartë!
Ramazani është varfëri e obliguar, sepse të gjithë njerëzit në të janë të barabartë, ndiejnë vuajtje të njëjta, që dalin nga realiteti objektiv dhe jo nga imagjinata iluzore. Nga vuajtjet lind mëshira, kurse nga mëshira drejtësia. Sa e bukur do të ishte jeta sikur të gjithë të kishin vuajtje dhe ndjenja të njëjta!...
Agjërimi asgjëson shkaqet e mëkatit
Agjërimi ka me vete një veçori të çuditshme për të asgjësuar shkaqet e mëkateve, sepse shkaqet e mëkateve janë: shkujdesja (gafleti) dhe epshi (shehveti). Shkujdesja kundërshtohet me dije dhe përkujtim, kurse epshi me durim gjatë ndërprerjes së shkaqeve që e lëvizin epshin. “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfri, e ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit, në të cilin (filloi të) shpallet Kur’ani , që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë e dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë në ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim e jo ngarkim për ju. (T’i agjëroni ditët e lëshuara më vonë) që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun sepse ju udhëzoi dhe që ta falënderoni. “(El-Bekare, 183-185) Në vijim Aliu r.a. ka thënë se ka shumë agjërues, agjërimi i të cilëve është vetëm etje e uri, dhe shumë ofrues faljesh, faljet e të cilëve janë vetëm mundim e pagjumësi.
Gjumi dhe të ngrënët e të pirët e njeriut të ditur, është shumë më i mirë. Ka shumë hadithe profetike që çmojnë vlerën etike të Ramazanit.
Transmetohet nga Ebu Hurejre, se Muhammedi a.s. ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me bindje dhe kënaqësi, i falen mëkatet e bëra. “ (Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi).1 Agjërimi ishte obligim edhe për popujt e epokave të ndryshme.
Komentuesit e Kur’ani t thonë se ishte obligim edhe i të krishterëve, pra, ata ishin të obliguar të mos hanin dhe të mos pinin pas gjumit (natën) dhe të mos martoheshin gjatë Ramazanit. Kështu, kjo formë e agjërimit u vështirësua për ata, sepse lëvizte nga një stinë në tjetrën (dimër e verë), kështu që u tubuan dhe morën vendimin që të agjëronin në mes të stinës së dimrit dhe verës, pra vendosën një limit stinor dhe u shprehën se për këtë veprim do të shtonin edhe njëzet ditë të tjera, në mënyrë që t’u faleshin ato që kishin bërë. Pra, agjërimin e ngritën nga 30 në 50 ditë.(2)
Ramazani sistem jete
Myslimani gjatë Ramazanit ushqehet, fle e zgjohet në mënyrë të disiplinuar e të organizuar.
Organizimi i shoqërisë islame gjatë muajit të Ramazanit realizohet në formë të përkryer, sepse uria gjatë ditës është e përbashkët, bashkërisht në një kohë hanë iftarin, bashkërisht falin namazin e jacisë, teravisë, sabahut... Ky lloj organizimi s’krahasohet me asnjë organizim tjetër në shoqëritë e tjera, sepse në të barazohet plaku me të riun, dijetari me të paditurin, sunduesi me të sunduarit, i pasuri me të varfrin; nuk dallohen klasat njerëzore dhe as individët njëri prej tjetrit. Sa i mrekullueshëm është agjërimi në sytë e hulumtuesve, si vegël për edukimin, respektimin dhe organizimin e popujve?!
Ky është morali kryesor që thellohet në shpirtin e myslimanit nën ndikimin e agjërimit: durimi, respektimi, organizimi, disiplina, sakrifica sublime etj. Transmetohet nga Ebu Hurejre, se Muhamedi a.s. ka thënë: “Çdo vepër e njeriut shtohet, e mira prej dhjetë deri në shtatëqind herë. Zoti i Madhëruar thotë: “Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe unë e shpërblej, sepse ai braktis kënaqësinë dhe ushqimin për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime: gëzimi i parë është në iftar, kurse i dyti në takimin me Zotin e tij. Era e keqe nga goja e agjëruesit është më e mirë te Zoti se aroma e myshkut.“ (Mutefekun alejhi).(3)
Transmetohet nga Ebu Hurejre, se Muhamedi a.s. ka thënë: ”Agjërimi nuk do të thotë të largohesh nga haja e pija, por të largohesh nga fjala e keqe dhe vepra e shëmtuar. Nëse ndokush të provokon apo sillet si i marrë ndaj teje, atëherë thuaj: “Unë agjëroj, unë agjëroj.“ (Ibn Huzejme dhe Ibn Hibbani). “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut xh.sh. do t’i falen mëkatet e kaluara; po ashtu kush falet në Ramazan me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut xh.sh. do t’i falen mëkatet e kaluara, dhe kush falet natën e Kadrit me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut xh.sh. do t’i falen mëkatet e kaluara”. Besimtari po ashtu gëzohet se agjërimi bën ndërmjetësim për agjëruesit. Transmetohet nga Abdullah ibn Amri, se Pejgamberi a.s. ka thënë “Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për robin Ditën e Gjykimit. Agjërimi thotë: O Allah, i kam larguar ata nga ushqimi dhe kënaqësitë, pra, mundësoma që të ndërmjetësoj për ta, poashtu edhe Kur’ani thotë: O Allah, i kam ndaluar ata nga gjumi i natës, mundësoma që të ndërmjetësoj për ta, dhe Allahu xh.sh. ua mundëson”. (Ahmedi)(4).
Ramazani rregullator psikologjik
Psikolog të ndryshëm nuk kanë mundur të gjejnë ende një mjet edukimi psikik efektiv, ashtu siç është urtësia në obligimin e agjërimit të Ramazanit. Agjërimi ishte rregull edhe më herët te popujt para nesh, por jo në këtë mënyrë dhe as në këtë trajtë, e as me këtë qëllim, sikur është në fenë tonë të dashur islame. Agjërimi, ashtu siç e ka definuar ibn Kethiri në tefsirin e tij “Tefsirul Kur’anil adhim“, është braktisja e ushqimit dhe pijes, mbizotërimi i epshit e emocioneve dhe të bëhesh i pavarur prej tyre duke braktisur sjelljet dhe shprehitë që nuk përkojnë me edukatën islame.(5) “Agjërimi është bërë obligim për një qëllim të lartë dhe urtësi të shenjtë; ai është edukatë për shpirtin dhe, si të tillë, atë e ngre shumë lartë në çiltërsi dhe pastërti pa u lënë hapësirë gjynaheve, forcave të liga, epsheve trupore, po duke qenë të pastra, që kanë qëllim frikën ndaj Allahut dhe shpresën e shpërblimit”.(6)
Feja islame instrument edukimi më i mirë i shpirtit
Qëllimi i agjërimit në Ramzanit qëndron në faktin se është një lloj praktike e shpirtit dhe edukimit të tij mbi bazamentin e moralit të lartë dhe vullnetit të fortë.
Në agjërim ka mundime e vështirësi, dhe ky është i vetmi lloj ibadeti që është sekret në mes njeriut dhe Allahut. Pikërisht këtu qëndron urtësia e Allahut në fshehjen e shpërblimit për agjëruesit, duke e lënë top sekret të përhershëm të kësaj bote.
Në një hadith thuhet: “Kush ngrihet (lutet) natën e Kadrit, me bindje e kënaqësi, i falen mëkatet e bëra, dhe kush agjëron Ramazanin me bindje e kënaqësi, i falen mëkatet e bëra”. (Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi)
Në mesin e popujve të kulturuar, rinia e vendit konsiderohet si pasuria më e madhe dhe më e çmuar që ka, ngase është shpresa e së tashmes dhe së ardhmes. I riu zotëron aftësi psikofizike që gjenerata e moshuar nuk mund t’i ketë, prandaj, që nga lindja e Islamit si fe, është hetuar ky sekret dhe Islami ka vendosur program edukues, i cili do të mund t’i ruajë të rinjtë nga çdo e ligë dhe t’i shpëtojë nga çdo rrëshqitje apo katastrofë.
Prandaj një nga format e ruajtjes dhe qëndrueshmërisë së shëndetshme të kësaj rinie, është edhe agjërimi, i cili është njëkohësisht edhe element shumë i rëndësishëm, për të mos thënë një nga simbolet kryesore të të riut mysliman.
Me të drejtë, këshillat e Pejgamberit a.s. drejtuar të rinjve, janë të asaj shkalle që kjo forcë e madhe kapitale e ymetit të drejtohet atu ku duhet, duke u thënë: “O ju të rinj, ai që ka mundësi të martohet, le ta bëjë këtë, sepse martesa për njeriun është mbrojtje për sytë dhe epshin e tij, kurse ai që nuk mundet, le të agjërojë, sepse ai ( agjërimi ) është parandalim për të.” (Sahihul Buhari 3/34)
Agjërimi përmirëson shëndetin shpirtëror dhe psikik të njeriut
Agjërimi sistematik i tërë muajit të Ramazanit, në vetvete ngërthen disa elemente progresive, siç janë:
1. Ramazani relakson raportet në mes anëtarëve të familjes. Përveç në Ramazan, është e vështirë që të gjithë anëtarët e familjes të tubohen së bashku në sofër të iftarit; Ramazani forcon lidhjet mes anëtarëve të familjes dhe kthen klimën e favorshme, që duhet të zotërojë në çdo familje myslimane.
2. Skalitja e shpirtit në ndjenjën e mbikëqyrjen nga Allahu, ngase agjërimi në vetvete është një emanet midis individit dhe Allahut, edhe pse njeriu nuk E sheh Atë, Allahu e sheh njeriun. E kjo mbikëqyrje, në gjuhën e Sheriatit islam njihet si takvallëk (Devotshmëri).
3. Luftohen pasionet dhe epshet. Gjatë agjërimit njeriu e ka detyrim që t’i përgjigjet vetëm së drejtës, dhe agjërimi është një nga arsyet me anë të së cilës njeriu mësohet të Ěasë vetëm të vërtetën.
4. Me agjërim sistematizohet orari i ushqimit ditor të lukthit. Siç është e njohur, lukthi është në aktivitet të vazhdueshëm gjatë 11 muajve, dhe agjërimi është një forcë që mund të lehtësojë punën e lukthit nga ushqimi i tepërt dhe helmet e ndryshme që shkaktohen në trupin e njeriut, si pasojë e ngrënies.
Agjërimi gjallëron zemrat e besimtarëve
Komentuesi i Kur’ani t, Sejid Kutb, duke komentuar ajetet e agjërimit, shprehet se qëllimi i agjërimit të Ramazanit është që të arrihet takvallëku (devotshmëria), që gjallëron dhe gjeneralizon zemrat e besimtarëve duke i bërë adhurim Allahut të Gjithëfuqishëm, që është edhe qëllimi kryesor i agjërimit. Devotshmëria në vete mbron zemrat nga shkatërrimi apo rrëshqitja në gjëra që rrënojnë shkollën e agjërimit. Feja nuk e detyron njerëzimin që, i lidhur në pranga, t’i bindet dëshirës dhe vullnetit të Allahut të gjithësisë, por i udhëheq me anë të takvallëkut. Ky është muaji në të cilin ka filluar të zbresë Kur’ani , që është libër për këtë ymet i përjetshëm, të cilin e ka nxjerrë nga errësira në dritë dhe e ka zhvilluar e përparuar; frikën ia ka shndërruar në siguri, dhe i ka dëftuar vlerat me të cilta është ngritur ky ymet, i cili më parë nuk ishte asgjë, dhe pa këto vlera nuk do të ishte ymet e nuk do të kishte kurrfarë reputacioni në tokë dhe as përmendje në qiell”.(7)
Në një hadith të Profetit Muhamed a.s. thuhet se Fletushkat e Ibrahimit a.s. kanë zbritur në natën e parë të muajit të Ramazanit; Zeburi ka zbritur në natën e 18 të këtij muaji, kurse Kur’ani ka zbritur në natën e 24 -t të tij.”(8) Dhe vërtet besimtarët e devotshëm, me zemër të thyer e me pikëllim të madh, e ndiejnë ndarjen nga ky mysafir, falës, i cili për një muaj rresht shoqëroi besimtarin gjatë netve dhe ditëve më të bekuara që ka i tërë viti kalendarik.
E pra, pasi të vijë dita kur mysafiri ynë do të na lërë dhe do të shtegtojë, duket se me dhembje në zemër e me lot në sy largohet duke thënë: Ju përshëndes, o myslimanë!
Lamtumirë, o myslimanë! Unë sot do të takohem me Zotin tim dhe do t’ia parashtroj zhvlerësimin monoteizmit, famën idhujtarisë, keqtrajtimin udhëzimit, vrazhdësinë fatit dhe vdekjen e ndërgjegjes. Ky muaj le të jetë një kthesë e fuqishme, kur myslimani të forcojë lidhjet me Allahun dhe t’i përmirësojë raportet me njerëzit!
______________________________
1. Sunen ibnu Maxhe, darul marife, Bejrut, vl 1, 998, f. 537.
2. Ebu Xhafer Muhamed bin Xherir Et taberi; Tefsir Taberi, vl 2, f. 135 darul kutub el ilmije, Bejrut, 1992.
3. Dr. Jusuf Kardavi;El Munteka min kitab etergijb ve eterhijb lil mundhiri, 1993, dar el vefa ve eneshr ve etevzi, El-Mensure, vl. 1 f. 308.
4. Sejid Sabik; Fikhu Essune, Mektebetu El mearif, Rijad vl. 1, 1997, f. 321. 5. ibn Kethijr;Tefsir El Kur’an El adhim, f. 219, Dar el Marife, Liban 1993.
6. Dr Muhamed El desukij; Esijamu fi el Kur’an, f. 24, dar el mearif, Egjipt. 7. Sejid Kutb; Fi dhilal El- Kur’an, botimi i 17, f 171 vol II, Dar
Eshuruk,1992, Kajro.
8. Muhamed bin Ali bin Muhamed Eshevkani; Fethul Kadir, vol 1, f 252, Dar El Vefa, botimi i parë, 1994, Kajro.