Po të donim ta thjeshtësonim fenë islame në vetëm dy segmente, do të arrinim në përfundim se dy segmentet kryesore të Islamit si fe, janë këto: segmenti i raportit të besimtarit me Zotin Krijues dhe segmenti i raporteve të besimtarit me krijesat e Zotit.
Ndërlidhje e këtyre dy segmenteve shumë të ndryshme në një titull të përbashkët, vije si rezultat i konfirmimit se ekzistentët janë dy: Krijuesi dhe krijesa. Si rrjedhojë, natyrshëm, feja e Zotit duhet t’i përfshijë në mësimet e saj, mësimet përmes një qasjeje të duhur ndaj të dy ekzistentëve, si ndaj Krijuesit, po ashtu edhe ndaj krijesës. Realisht, po që se meditohen tekstet nga Kurani famëlartë dhe Suneti i të Dërguarit a.s., vijmë në përfundim se qasja e tekstit fetar përfshinë trajtimin e të dy këtyre aspekteve njëkohësisht.
Sa i përket segmentit të parë, gjegjësisht të raporteve të besimtarit me Zotin e vet, është më se e njohur se paraqet aspektin kryesor në fenë islame. Ky segment përfshinë në vete njohjen e Zotit si Krijues, Furnizues, dhe i Vetmi që meriton adhurimin në ekzistencë. Zoti në Kuran thotë: "Dije se nuk ka. zot tjetër përveç Allahut." (Muhamed, 19).
Kur ky segment rregullohet te njeriu, njeriu fiton epitetin besimtar dhe është i gatshëm që të pranojë urdhrat hyjnorë nën kulmin e fjalës: "O ju që keni besuar.."
Një jetë pa besim në Atë që dha jetë, e bën atë të pavlefshme. Madje, sado që studiohet jeta, po që se nuk bëhet përpjekje për t'u kuptuar esenca e jetës dhe të arrihet deri të njohja e Dhënësit së saj, gjithë ajo përsiatje e lodhje, nuk ka kuptim.
“Ata kanë dije sipërfaqësore të kësaj bote, kurse janë plotësisht të verbëruar ndaj Ahiretit." (Er Rrum, 7).
Asnjë arsye nuk e mbulon neglizhencën e njeriut për të kuptuar se jeta në këtë kozmos është krijimtari e Zotit Fuqiplotë. Sipas mësimeve fetare, krimi më i madh në raport me këtë segment është mosnjohja e Zotit, Krijuesit të Gjithësisë.
"Vërtet Allahu nuk e fal t'i bëhet shok Atij, kurse mëkatet më të vogla se kjo, i fal kujt të dojë" (En Nisa, 48).
Prandaj kërkohet prerazi, që Krijuesit të Madhërishëm, t’i nënshtrohemi si robër, e ta njohim Madhërinë e Tij, përmes adhurimeve që janë paraparë në fenë e pastër islame. Në kuptimin e përgjithshëm, ndërlidhja në mes këtyre dy segmenteve qëndron edhe në vetë faktin se tekstet fetare kanë bërë një ndërlidhje të mahnitshrne, në mes të ibadetit ndaj Zotit dhe kujdesit ndaj krijesave, duke filluar nga niveli më i afërt për njeriun e që janë prindërit.
Zoti Fuqiplotë në Kuran thotë: "Zoti yt urdhëroi prerazi, të mos adhurohet askush, përveç Tij dhe ndaj prindërve të bëhet mirësi." (El Isra, 23).
Kjo ndërlidhje në mes besimit dhe mirësjelljes ndaj krijesave të Zotit shkon deri në atë pikë saqë, të gjitha adhurimet, po që se nuk japin reflektim te besimtari në mirësjelljen e tij ndaj njerëzve, edhe dobia nga adhurimet bie tërësisht. Në njëfarë forme, mund të themi se ibadeti mund të matet me reflektimin e tij në raportet e besimtarit me njerëzit përreth tij.
Transmetohet se Pejgamberit të Zotit a.s., i treguan se kishin afër një grua që gjithë natën e kalonte në adhurim dhe gjithë ditën agjëronte, porse fqinjët e saj nuk janë rehat nga gjuha e saj. Pejgamberi u përgjigj shkurt dhe preras: "Nuk ka të mirë në atë grua, ajo është në zjarr."(1)
Shpjegimet profetike qartësuan se besimtar është ai, nga dora dhe gjuha e të cilit, të tjerët janë rehat.(2) Ky urdhër përfshin të gjithë njerëzit pa dallim feje, ngjyre, kombi etj.. Për ata jomyslimanë që jetojnë në shoqërinë myslimane, Muhamedi a.s. iu drejtua besimtarëve me fjalët: "Kush i shkakton ndonjë dëm jomyslimanit që jeton në shoqërinë islame, e fyen, e ngarkon përtej kapacitetit, apo i merr diçka pa dëshirën e tij, do të më ketë kundër Ditën e Kiametit.”(3)
Ky reflektim i besimit nuk është i kërkuar vetëm në raport me njerëzit. Muhamedi a.s., besimtarëve ua kërkoi këtë gjë edhe në sjelljet e tyre me kafshët, kur u tha: "Një grua ka hyrë në zjarr, për shkak të një maceje, e mbylli atë, as nuk e ushqeu dhe as nuk e liroi të ushqehej jashtë."(4) Ky pasqyrim vije komfor shembullit të kundërt, kur tha: "Një grua e keqe (prostitutë), kaloi pranë një pusi, afër të të cilit ishte një qen i etur, zbathi këpucën e saj dhe mori ujë nga pusi që t'i jepte qenit, për këtë veprim Zoti e falënderoi dhe ia fali mëkatet."(5)
Ramazani dhe ripërtëritja e besimit
Nuk do mend se Ramazani, me një shtrirje tridhjetë ditore, besimtarit ia ofron mundësinë e ndryshimit dhe përmirësimit. Përmirësimi parësor për besimtarin është ripërtëritja e raporteve të tij me Zotin Fuqiplotë. Këtu fillon çdo përmirësim. Momentet e Ramazanit ofrojnë një lloj mbrojtjeje e vendstrehimi që bëhet si një lloj fortifikate, në të cilën besimtari do të jetë më i mbrojtur nga cytjet djallëzore. Kjo pasqyrohet në hadithin e Muhamedit a.s.: "Agjërimi është mburojë."(6) Përkushtimi tanimë ka arritur deri në atë pikë sa edhe hallallet të mos konsumohen, në mënyrë që, së paku, njësoj t’u përgjigjemi edhe harameve. Kështu besimi fuqizohet në zemër dhe zemra ka liri të performojë me virtyte të larta dhe ibadetë, që ia shtojnë edhe më shumë qetësinë zemrës. Shtohet dhikri (përmendja e Allahut) “Me të përmendur Allahun, qetësohen zemrat." (Rrad, 28).
Një zemër e lirë nga këto cytje, niset drejt lutjeve të sinqerta. Ato lutje, si kible, kanë përpara premtimin hyjnor se do pranohen: "Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së atij që më lutet." (El Bekare, 186).
Shtimi i namazit të natës (teravive), i kontribuon bukur kësaj ripërtëritje të besimit. Tani besimtari veç ka hyrë në ofensivë të rregullimit të këtij raporti, përballë cytjeve të shejtanit. Nuk flitet vetëm për durim, por për një mësymje serioze, me besim të fortë në sukses dhe i bindur shumë në mbështetjen që i dha Zoti i Madh, që besimtari të ofrojë pendim të sinqertë dhe nënshtrim të pakusht ndaj Zotit të vet.
Ramazani dhe raportet ndërnjerëzore
Përderisa shtohet adhurimi në Ramazan, domosdo ky shtim do të reflektojë edhe në mirësjelljen e besimtarit ndaj njerëzve. Përveç kësaj, obligimet e Ramazanit përmbajnë në vete aspekte që qartazi u shërbejnë raporteve njerëzore. Në këtë muaj të bekuar janë vendosur disa obligime, apo forma adhurimesh, të cilat përveç tjerash, duket se në rend të parë kontribuojnë në raportet e besimtarit me rrethin e tij familjar dhe shoqëror. Nisur nga domosdoshmëria e të përmbajturit nga polemikat dhe sharjet e kundërshtimet në mes vete, përveç që agjëruesit i ofron një drejtim që reflekton në devotshmërinë e tij, kjo përmbajtje, jep fryte direkte në një qetësi sociale dhe mirëqenie kolektive. Muhamedi a.s. porositi: "Kush fyhet nga dikush (në Ramazan), le të thotë unë jam agjërueshëm."(7)
Të ftuarit e ndërsjellë në mes familjarëve, shokëve e miqve në sofra të përbashkëta, konsiderohet si një nga format më të vyeshme në forcimin e raporteve sociale. Këtë e gjejmë në Ramazan bukur të përhapur në mesin e shumë agjëruesve. Kjo vjen si përmbushje e porosisë profetike: "Kushdo që ushqen një agjërues (për do të ketë sa shpërblimi i agjëruesit, pa i munguar agjëruesit shpërblimi i vet."(8) Në mënyrë që mos të hezitojnë një pjesë e besimtarëve që mendojnë se nuk kanë kushte të mjaftueshme për të organizuar një ftesë të tillë, Muhamedi a.s., ofroi zgjidhjen për ta, kur u pyet nga shokët e tij: “O i Dërguari Allahut! Nuk ka mundësi çdonjëri nga ne të shtrojë iftar.” Ai tha: “Zoti i jep shpërblimin e plotë edhe atij që agjëruesit i ofron një gotë ujë, qumësht, apo edhe një hurme të vetme."(9) Kjo është forma kur secili në shoqëri e sheh vetën baras me të tjerët, të denjë për të arritur shpërblimin dhe gradat e Xhenetit, me aktivizimin e tij në dobi të shoqërisë ku jeton, pa marrë parasysh shumën që ofron, përderisa ai tregon zemrën e pastër dhe qëllimin e mirë. Edhe namazi i përbashkët gjatë netëve të Ramazanit, kur bëhet së bashku, paraqet një lidhje të fortë sociale, e formësuar, në kuadër të nënshtrimit të përbashkët ndaj Allahut Fuqiplotë dhe në kuadër të unifikimit dhe njësimit të qëllimit të njëllojtë që të gjithë agjëruesit e kanë — arritja e kënaqësisë së Zotit.
Agjërimi, sipas mësimeve profetike, nuk është plotësisht i pranuar, pa mos menduar dhe kontribuuar edhe për gjendjen e një pjese të shoqërisë, të cilët gjinden në kushte më të dobëta ekonomike. Bukur edhe këtu agjërimi (Ramazani), ndërlidhet për një kontribut social, duke i ofruar secilit të varfër shuma nga “sadakatul fitri", në mënyrë që dallimet sociale të zhduken ose minimizohen në masën më të madhe të mundshme. Muhamedi a.s. tha: "Sadekatul fitri është pastrim (nga mëkatet) për agjëruesin dhe ushqim për të varfrit."(10) Kështu mund të themi se besimtari pas Ramazanit del fitimtar në suksesin e tij në ripërtëritjen e raporteve të tija me Zotin e vet dhe kjo është fitorja e madhe, por po ashtu fiton razinë e Zotit, me kujdesin e vet për robërit e Tij, duke synuar xhenetet e larta, i rreshtuar në një shoqëri ku secili anëtar i saj gëzon mirëqenie, përderisa kuptohen drejt mësimet e kësaj rruge të bekuar.
__________________
1. Transmetojnë Hakimi, 7305; Ahmedi, 9673; Buhariu në "Edeb el Mufied", 119; Ibën Hibbani, 5764; e të tjerë.
2. Transmetojnë Buhariu, 10 dhe Muslimi, 40.
3. Transmeton Ebu Davudi, 3052.
4. Transmetojnë Ebu Davudi, 1194 dhe Nesaiu, 1482.
5. Transmetojnë Buhariu, 3467 dhe Muslimi, 2245.
6. Transmeton Buhariu, 1795.
7. Transmetojnë Buhariu, 1894 dhe Muslimi, 1151.
8. Transmeton Tirmidhiu, 807.
9. Po aty.
10. Transmetojnë Ebu Davudi 1609 dhe Ibën Maxheh, 1827.