Në përgjithësi, nëse shikojmë adhurimet të cilat konsiderohen shtylla apo rukne të fesë, i gjejmë se ato nuk janë vetëm të një kategorie, por janë të kategorive të ndryshme. P.sh. namazi mund të jetë farz, siç janë pesë farzet ditore, por mund të jetë edhe sunet, siç janë sunetet përcjellëse të namazeve ditore, dhe po ashtu mund të jetë edhe namaz vullnetar, i njohur si namaz nafile. Gjithashtu edhe e dhënia materiale, mund të jetë farz siç është zekati, por mund të jetë edhe vaxhib siç është sadaktul-fitri, dhe po ashtu mund të jetë edhe sunet, siç është sadakaja e zakonshme. Ngjashëm edhe haxhi, mund të jetë farz, nëse ai kryhet për herën e parë, por mund të jetë edhe sunet apo nafile nëse kryhet për herën e dytë, e më shumë. Kështu është edhe çështja e agjërimit si ibadet dhe shtyllë e fesë, i cili ndryshon normat e tij, varësisht nga nijeti dhe koha se kur kryhet ky ibadet. Andaj, nëse këtë adhurim e analizojmë me vëmendje e shohim se norma e tij mund të jetë e ndryshme, mund të jetë farz, vaxhib, sunet, mekruh tahrimen, apo dhe mekruh tenzihen. E në cilën normë prej normave të lartpërmendura radhitet agjërimi dhe cilit lloj i përket, do të mundohemi ta sqarojmë në vijim. Kështu që, sipas mësimeve të jurisprudencës islame dhe argumenteve të konkluduara nga Sheriati islam, llojet e agjërimit janë: Agjërimi farz Agjërimi farz është ai lloj agjërimi, që obligueshmëria e tij është e vërtetuar me argumente të prera, qoftë nga Kurani fisnik, apo nga hadithet e sakta të Muhamedit a.s.. Këtë lloj të agjërimit besimtari nuk guxon ta anashkaloj në asnjë mënyrë, ngase lënia e këtij lloji të agjërimit konsiderohet mëkat dhe përgjegjësi para Zotit xh.sh., për shkak të shkeljes dhe mosrespektimit të urdhrit të prerë të Tij. Andaj, agjërimi farz mund të jetë: - Farz që ka kohën e caktuar, siç është muaji Ramazan, e që ka kohën e përcaktuar të tij; dhe - Farz që nuk ka kohë të caktuar, siç është: a) Të bërit kaza e atyre ditëve të pa agjëruara të Ramazanit. Pra, agjërimi i atyre ditëve të pa agjëruara të Ramazanit, për shkak të ndonjë arsye të justifikueshme, siç është sëmundja ose udhëtimi, shtatzënia ose lehonia te gjinia femërore etj.. Ky është farz i prerë, mirëpo se kur duhet të agjërohen ose bëhen kaza ato ditë nuk përcaktohet sheriatikisht, edhe pse rëndom preferohet sa më shpejt që është e mundur të kryhet ky obligim para Zotit të Plotfuqishëm. b) Kefaretet që kryhen përmes agjërimit, si kefareti i betimit, dhiharit, kefareti që obligohet në rast se njeriu e vret dikë me pa dashje etj.. Edhe këto kefarete të lartpërmendura që kryhen përmes agjërimit, janë të obliguara me ajete kuranore (apo argumente të formës së prerë). Agjërimi vaxhib Agjërimi vaxhib konsiderohet ai lloj agjërimi, që në parim nuk e kemi pasur obligim agjërimin e tij, mirëpo është bërë obligim për shkak se besimtari në njëfarë mënyre ia ka bërë obligim vetvetes agjërimin e atyre ditëve. Zakonisht ky lloj agjërimi llogaritet i tillë në raste të besatimit për agjërim. Në detaje, mund të themi se agjërimi vaxhib konsiderohet në këto raste: - Agjërimi i atyre ditëve që njeriu është zotuar për t'i kryer, që në shkencën e fikhut njihet si agjërimi i nedhrit. Ky lloj agjërimi konsiderohet vaxhib për shkak se realizimi i betimit të bërë konsiderohet obligim në aspektin fetar. Zoti xh.sh. në Kuran thotë: “Zbatojeni premtimin-besën e dhënë ndaj Allahut, e mos i thyeni betimet tuaja pasi i keni bërë ato, duke qenë se Allahun e keni dëshmitar për ato betime” (En-Nahl: 91). - Prishja e agjërimit vullnetar, pa marrë parasysh me apo pa arsye. Edhe ky lloj agjërimi konsiderohet vaxhib, për shkak se besimtari në këtë rast ka vendosur për Zotin agjërimin e asaj dite dhe e ka filluar agjërimin e saj, e rëndom vendosmëria dhe nijeti që është bërë për Zotin duhet të realizohet. Transmetohet se Aisheja dhe Hafseja r.a. një ditë kishin qenë duke agjëruar në mënyrë vullnetare, dhe dikush nga të afërmit e tyre u kishte dhuruar mish për të ngrënë, e ato kishin vendosur ta prishnin agjërimin dhe të ushqeheshin me atë ushqim. Kur erdhi Pejgamberi a.s., ato i treguan atij se çfarë ki¬shin vepruar, e Muhamedi a.s. u tha: “Atëherë agjërojeni një ditë tjetër (bëjeni kaza) në vend të kësaj dite!” - Agjërimi në itikafin që je zotuar për të, ngase kush zotohet për itikaf, zotohet për t’u izoluar në xhami me nijet për të bërë ibadet. E meqë agjërimi konsiderohet një prej ibadeteve kryesore të besimtarit, atëherë bashkë me itikafin obligohet edhe vetë agjërimi. Agjërimi sunet dhe ai i preferuar Agjërimi sunet dhe ai i preferuar konsiderohet ai lloj agjërimi, që transmetohet se Muhamedi a.s. e ka agjëruar ose edhe ka preferuar të agjërohet. Më saktësisht agjërimi sunet ose i preferuar konsiderohet në këto raste: - Agjërimi një ditë po, e një ditë jo. Muhamedi a.s. në një rast e këshilloi një sahabi që donte të agjëronte tërë jetën e tij dhe i tha: “Agjëro siç agjëronte Davudi a.s.! Ai agjëronte një ditë, dhe e prishte një ditë...” - Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte, për çdo javë. Transmetohet nga Usame bin Zejdi r.a., se Muhamedi a.s. agjëronte çdo të hënë dhe të enjte, dhe kur e pyetën për këtë lloj agjërimi, ai tha: “Vërtet punët e njerëzve ngrihen ditën e hënë dhe ditën e enjte.” Agjërimi i tri ditëve. E rëndom përpjekja për ta pasuar Muhamedin a.s. edhe në punët e tij vullnetare konsiderohet sunet. - Agjërimi i tri ditëve të mesit të çdo muaji, apo më shumë të njohura si ditët e bardha. E ato ditë janë: dita e trembëdhjetë, dita e katërmbëdhjetë, dhe dita e pesëmbëdhjetë e çdo muaji. Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a., se Pejgamberi a.s. e kishte porositur atë, t’i agjëronte ato ditë.” - Agjërimi i ditës së Arafatit, për atë që nuk është duke e kryer haxhin në atë vit. Muhamedi a.s. thotë: “Për agjërimin e ditës së Arafatit e llogariti se i mbulon gabimet e një viti para saj, dhe një viti pas saj.” Ndërsa haxhiu i cili është në Arafat duke kryer një prej shtyllave kryesore të haxhit nuk e ka sunet agjërimin e kësaj dite, ngase ai duhet të ushqehet e të forcohet fizikisht, që të jetë sa më aktiv në ibadete dhe sa më aktiv në shfrytëzimin e kësaj dite me lutje e lexim të Kuranit. - Agjërimi i ditës së Ashurës, apo ditës së dhjetë të muajit Muharrem, duke agjëruar edhe një para saj (ose një pas asaj dite). Për vlerën e agjërimit të kësaj dite Pejgamberi a.s. thotë: “Agjërimin e ditës së Ashurës e llogariti te Zoti se i mbulon gabimet e vitit të kaluar.” - Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit. Edhe këto ditë Muhamedi a.s. kishte porositur që të agjërohen, madje për vlerën e tyre në një hadith kishte thënë: “Kush e agjëron muajin Ramazan, dhe pastaj e përcjell atë me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval, llogaritet sikur të agjëronte gjithë jetën e tij.” - Agjërimi i tetë ditëve të para të muajit Dhul-hixheh, si për jo haxhiun, ashtu edhe për haxhiun (ngase edhe haxhiu në këto ditë nuk është i ngarkuar me ndonjë obligim që mund ta rëndoj atë). Vlera e këtyre ditëve është e dalluar dhe shtimi i veprave të mira në këto ditë është e preferuar në bazë të shumë haditheve, e padyshim që agjërimi është një prej veprave më të mira që kryen besimtari. Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: “Nuk ka ditë më të mira, që veprat e mira në to janë të dashura te Zoti, se sa këto ditë pra ditët e para të muajit Dhul-hixheh).” Agjërimi mekruh tenzihen Mekruh tenzihen konsiderohet agjërimi i atyre ditëve që Muhamedi a.s. nuk e dëshironte agjërimin e tyre, apo edhe e urrente agjërimin në ato ditë. Zakonisht agjërimi i këtyre ditëve (që Muhamedi a.s. e urrente agjërimin e tyre), e ngjason besimtarin mysliman me besimtarët e feve të tjera, apo e dobëson atë për aktivitete të tjera, siç do të sqarohet në vijim. Andaj agjërimi mekruh tenzihen - i urryer konsiderohet në këto raste: - Veçimi i ditës së xhuma me agjërim, sepse te myslimanet, dita e xhuma më shumë njihet si ditë pushimi e vizitave ndër familjare dhe ditë e relaksimit dhe afrimit me të afërmit. Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: “Mos e veçoni natën e xhuma nga netët tjera me namaz nate, dhe as mos e veçoni ditën e xhuma me agjërim, në mesin e ditëve tjera.” - Veçimi i ditës së Ashureve, domethënë pa e agjëruar edhe ditën e nëntë ose të njëmbëdhjetë bashkë me të. Pejgamberi a.s., kur u njoftua se çifutët e veçonin ditën e dhjetë të muajit Muharrem (ditën e Ashureve), tha: “Nëse Zoti më jep jetë deri vitin e ardhshëm, bashkë me të dhjetën do ta agjërojë edhe të nëntën.” - Veçimi i ditës së shtunë për agjërim, ngase edhe kjo ditë veçohet nga besimtarët e feve të tjera, e rëndom ne nuk i pasojmë ata. - Agjërimi i ditës së dyshimtë. Dita e dyshimtë quhet ajo ditë kur besimtarët dyshojnë se a është dita e fundit e muajit Shaban, apo dita e parë e muajit Ramazan. Kjo bëhet për arsyen se myslimanët duhet të forcohen me ushqim para fillimit të Ramazanit. Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: “Kush e agjëron ditën e dyshimtë, veç e ka kundërshtuar Ebu Kasimin (Muhamedin a.s..). - Agjërimi i dy ditëve pa ndërprerë, duke mos bërë fare as iftar e as syfyr , ngase edhe ky lloj agjërimi e dobëson besimtarin nga ibadetet e tjera si: namazi, leximi i Kuranit etj. - Agjërimi i përjetshëm, ngase kjo mund të jetë lodhje e madhe dhe ngarkesë për besimtarin, ndërsa Zoti nuk e ka bërë fenë ngarkesë për besimtarët e tij. Po ashtu ky lloj agjërimi e dobëson besimtarin nga adhurimet e tjera, por edhe nga puna dhe obligimet e tij familjare. Agjërimi mekruh tahrimen Agjërimi mekruh tahrimen konsiderohet agjërimi i atyre ditëve, që Pejgamberi a.s., përveç që e urrente agjërimin e tyre, edhe ndalonte (në formë jo të prerë) të agjërohet. Madje ka disa prej juristëve që, agjërimin e këtyre ditëve e konsiderojnë edhe të ndaluar-haram. Agjërimi mekruh tahrimen konsiderohet në këto raste: - Agjërimi i ditëve të bajrameve dhe ditëve të teshrikut, ngase këto janë ditë festash, ushqimi e vizite reciproke ndër myslimanët. Këtë e kishte treguar edhe vetë Muhamedi a.s. në një hadith kur kishte thënë: “Ditët e teshrikut janë ditë ushqimi dhe pijeje.” E nëse kuptohet se janë ditë ushqimi dhe pije, atëherë kuptohet se nuk janë ditë agjërimi e abstenimi. - Agjërimi i gruas si agjërim nafile, pa lejen e bashkëshortit të saj. Ky lloj agjërimi lejohet vetëm me lejen e bashkëshortit, ngase bindja ndaj urdhrave dhe dëshirave të bashkëshortit është obligim-farz, kurse agjërimi vullnetar konsiderohet nafile, andaj i jepet përparësi asaj që është obligim, para asaj që është nafile. Për këtë arsye, edhe Muhamedi a.s. në një hadith ka thënë: “Nuk lejohet për gruan që të agjërojë nëse bashkëshorti i saj është i pranishëm, përveç me lejen e tij, dhe nuk lejohet që ta lejojë dikë të hyjë në shtëpinë e tij, përveç me lejen e tij.” Ekrem Maqedonci Dituria Islame 364