Kur përmendet fjala Bedër, mendohet në betejën e parë serioze dhe kuptimplote, të cilën muslimanët e zhvilluan kundër palës agresore idhujtare, e cila i kishte dëbuar dhe i kishte nëpërkëmbur të drejtat e fetare, politike dhe ekonomike, si dhe lirinë e të menduarit dhe të besimit, të bashkësisë së parë muslimane në Meke.
Bedër është emër i vendit kur u zhvillua kjo betejë, në vitin e dytë të hixhretit të muslimanëve prej Meke në Medine, me 17 të muajit Ramazan.
Ndërkaq, në përdorimin e përgjithshëm, Bedri është më tepër se sinonim i një vendi dhe beteje, ai është sinonim i justifikimit moral të mekanizmave legjitim luftarak në përballje me armikun, për mbrojtje të kauzës dhe çështjes së drejtë, si dhe pengimin e hegjemonisë politike dhe kulturore të palës zaptuese dhe arrogante, që nuk din ta njeh tjetrin dhe të ndryshmin, në këtë rast, pala idhujtare. Bedri shënon një moment të rëndësishëm të alarmit për domosdoshmërinë e respektimit të pluralizmit kulturor në një shoqëri, të njohjes së të drejtës të besimit dhe arsyetimit të saktësisë së tij në një shoqëri të zhytur në besëtytni dhe të ngulfatur nga tabu absurde doktrinar. Dalja në rrugë për t’ia prerë rrugën karvanit tregtar të palës idhujtare kurejshite, edhe pse me fjalorin e sotëm të diplomacisë dhe të së drejtës ndërkombëtare mund të quhet reagim për shkelje të sovranitetit territorial, megjithatë nuk përbën shkakun real të konfliktit, por ndjenja e epërsisë fisnore, fanatizmi i, gjoja, mbrojtjes së (jo)vlerave tradicionale të trashiguara në emër të mbrojtjes së kompaktësisë fisnore, imponimi i një sistemi të caktuar jetese të palogjikshëm dhe të pajustifikuar, si dhe apstrahimi i plotë i lirisë për të besuar dhe për të menduar ndryshe, e që nga logjika e tillë demode u pa si fyerje dhe shkelje e integritetit të zotrave idhuj, në fakt përbën strumbullarin e konfliktit që filloi me një tempo të re në Bedër, e vazhdoi më tej në përballjet tjera ushtarake të dy palëve, që përfunduan me çlirimin e Mekes, dhe që vazhdon ende në përballjet teorike dhe kulturore me palë të ndryshme në botën e globalizuar, që nuk ka arritur dot të çlirohet nga ideologjitë hegjemoniste.
Muslimanët, nuk mund të rrinin duarkryq, karshi forcave që promovonin një logjikë absurde të domosdoshmërisë së nënshtrimit ndaj tabuve dhe urrejtjeve të vlerave të tjetrit. Kjo, ngase në këtë mënyrë, mbylleshin horizontet e një prodhimi të mirëfilltë kulturor te popujt e ndryshëm, dhe të lëvizjes së njerëzve nga pika zero. Muslimanët, duke u përplasur me idhujtarët në Bedër, dëshmuan se komuniteti i shëndoshë, edhe nëse është më pak në numër, meriton respekt, drejtësi dhe hapësirë të mundësive të barabarta, për të kontribuar për të mirën e njerëzimit, dhe për të promovuar vlera të mirëfillta, që pala idhujtare ua ndalonte muslimanëve. Drejtësia dhe përparësia kulturore dhe doktrinare, nuk matet me sasi njerëzish, por me cilësi të përmbajtjes. Muslimanët, edhe pse ishin më pak në numër se politeistët në Meke, nuk kishin pse të diskriminohen dhe të shtypen, për atë, ata emigruan në Medine që të riorganizohen si komunitet i kualifikuar për të formuar shtet, e pastaj të përgatiten dhe të përballen në Bedër, e ta mposhtin palën idhujtare, simbol të stagnimit dhe diskriminimit, për të dhënë mesazh që nuk ndalet vetëm në kohën dhe vendin e Bedrit, por që shkon përtej për të ligjëruar edhe në periudhat tjera historike, bile edhe në atë moderne se, komunitetet pakicë në numër, nuk guxon të shkelen dhe të shihen vetëm në suaza të respektimit të të drejtave të përgjithshme njerëzore, gjë që synohet nga liberalët, por të njihen edhe të drejtat e tyre distinktive si komunitete fetare dhe kulturore.
Muslimanët ishim më pak, në sasi, në luftën e Bedrit, por ishin më të fuqishëm, në cilësinë e misionit fetar dhe njerëzor që promovonin, për atë edhe fituan. Pikërisht kjo duhet të jetë frymëzim për ato komunitete që luftojnë për të drejtat e veta specifike kolektive, që të vazhdojnë në rrugën e tyre të luftës politike, ngase Bedrin e kanë prehje dhe dëshmi të fitores të së vërtetës dhe të drejtës, karshi zullumit dhe të pavërtetës.
Bedri ven themele dhe kritere për luftën në të drejtën ndërkombëtare, jo vetëm për kohën kur u zhvillua lufta e Bedrit, por edhe përtej. Bedri mëson se lufta nuk guxon të bëhet me mendjemadhësi e cila prodhon dhunë, terror, shkelje të të drejtave, cenim të dinjitetit dhe sovranitetit të tjetrit, si dhe për të demonstruar forcë karshi botës. Ja si e shpreh këtë Kur’ani, duke folur për mënyrën e daljes së palës idhujtare kërcënuese dhe agresore në luftën e Bedrit: “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut. Allahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre” [el-Enfal:47].
Po në këtë kontekst, Bedri shpalos shpirtin djallëzor të agresorit dhe krenarinë që buron nga ndjenja të kondicionuara me sherr djalli, e të drejtuara pikërisht nga djalli, për ta devalvuar personalitetin njerëzor dhe për ta nëpërkëmbur nderin dhe dinjitetin e qenies më të dalluar të Allahut-Njeriut. Me rastin e daljes së palës agresore idhujtare në Bedër, euforinë ua shtoi djalli i ardhur në pamjen e një personi, gjegjësisht Suraka ibn Malikut, dhe me qëllim që ta mban tensionin e luftës dhe dhunës në nivel të lartë, i nxiti, siç përmend Kur’ani, duke u thënë: “...S’ka kush që mund t’iu mposhtë sot ju, unë jam mbrojtës juaji...” [el-Enfal: 48]. Larg me vite, por jo larg nga realiteti, në çdo kohë, tiranët dhe agresorët, të cilitdo nivel qofshin, nxiten nga djajtë, qofshin nga ata të natyrës jo nejrëzore, apo të natyrës njerëzore, bile edhe në formë të shteteve.
Bedri qe një luftë për paqë, për dinjitet, humanitet dhe mos-diskriminim. Pejgamberi dhe muslimanët, nuk luftuan se deshën të vrasin dikë, por se deshën të shpëtojnë njerëz, popuj dhe breza nga shpata e helmuar tirane e injorancës, politeizmit dhe nënshtrimit të verbër. Ishte një luftë për liri besimi dhe mendimi të drejtë, një luftë për thyerje të tabuve dhe të imitimit të verbër, dhe një luftë që e avansoi shkencën dhe dijen. Kjo, ngase i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e dëshmoi në vepër se nuk kishte dalë të vriste njerëz, por ta vriste terrin dhe të pavërtetën. Ai, pas mbarimit të luftës, nga e cila doli ngadhënjyes, bëri një gjest human dhe të lavdishëm për shkencën dhe kulturën, kur proklamoi se robërit e luftës mund ta fitonin lirinë, nëse u mësonin shkrim e lexim muslimanëve.
Pra, kjo qe një betejë për ta vrarë analfabetizmin e të gjitha llojeve, për ta theksuar vlerën e dijes dhe shkrimit e leximit, si dhe për ta apostrofuar fillimin e erës së ngritjes dhe zhvillimit të njeriut. Kjo qe beteja e Bedrit, me mesazhe dhe dimensione tej kohore, që akoma nuk janë absorbuar nga njerëzit e penave.