Abdullahu ka transmetuar nga Profeti a.s. 33 hadithe, të cilat i kishte dëgjuar nga babai, nëna dhe tezja - Aishja. Nga gjërat që i shtojnë vlerat Abdullahut, është se tezja e ti - Aishja shpeshherë quhej si nëna e Abdullahut. Kjo, sepse ai e konsideronte atë si djalin e saj, meqë vetë nuk mund të lindte fëmië. Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, dikush e pyeti Aishen: “Kush është personi yt më i dashur?”. Aishja iu përgjigj: “Është babi Ebu Bekri.” Pyetësi e pyeti sërish: “Po pas Ebu Bekrit?” Ajo i tha: “Është Abdullahu”.
Këtë shkrim ia përkushtojmë ashabit të njohur Abdullah ibn Zubejrit, djalit të Zubejr ibn Avamit, i cili shquhej për trimëri, guxim dhe ndershmëri që i kishte trashëguar nga prindi i vet, Zubejri. Mirëpo, para se të flasim për kontributin e Abdullahut, le të flasim në fillim për kohën dhe rrethanat kur kishte lindur Abdullah ibn Zubejri. Abdullah ibn Zubejri ishte fëmija i bekuar në barkun e nënës së tij qysh kur ajo kishte arritur në shkretëtirën e nxehtë, në rrugën e saj të hixhiretit prej Mekës për në Medinë. Ende pa lindur, Abdullahut iu desh të shpërngulej me muhaxhirët e tjerë, sepse, Esma, e kishte lindur Abdullahun gjatë udhëtimit për në Medinë, në vendin “Kuba”.
Abdullah ibn Zubejri, pra fëmija i parë që lindi pas hixhiretit, ishte dërguar në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut, në Medinë. Atëherë Muhamedi a.s. e kishte puthur, ia kishte përtypur një hurmë dhe me të e kishte prekur mishin e dhëmbëve të foshnjës (veprim synet, që quhet TAHNIK).(1)
Kur i Dërguari i Allahut dhe myslimanët u vendosën në Medinë, hebrenjtë aty ishin shumë të këqij në sjelljet e tyre ndaj myslimanëve, sepse këta ishin vënë në plan të dytë. Ata kishin përhapur lajme se klerikët e tyre, me ndihmën e magjisë së zezë, i kishin bërë myslimanët impotentë dhe se në Medinë nuk do të lindte asnjë fëmijë mysliman. Abdullah ibn Zubejri ende ishte i ri derisa Muhamedi a.s. ishte gjallë në këtë botë. Megjithëkëtë, kontaktet e tij të afërta me të Dërguarin e Allahut, në kohën e fëmijërisë, i garantuan atij bazën për njerëzishmëri. Ai ishte mësuar me parimet e jetesës, pra, me parimet për të cilat njerëzit do të flasin dhe nga të cilat do të mahniten. Karakteri i djaloshit të ri u zhvillua shumë shpejt. Ai tregonte energji, intelektualizëm dhe palëkundshmëri të veçantë. Rinia e tij ishte përplot trimëri, pastërti dhe adhurim. Në kohën e pushtimit të Afrikës, Spanjës dhe Konstantinopolit (Stambollit të sotëm), ai kishte më pak se 27 vjet, mirëpo qysh atëherë e kishte dëshmuar veten si hero i vërtetë.
Abdullah ibn Zubejri vret komandantin berber
Në moshën rinore, Abdullah ibn Zubejri kishte përgatitur një ushtri me të cilën synonte të sulmonte Afrikën Veriore. Kur u ballafaquan të dy ushtritë, Abdullah ibn Zubejri vuri re që e gjithë ushtria berbere lëvizte sipas lëvizjeve dhe udhëzimeve të komandantit të tyre. Duke e parë këtë, Abdullahu u tha shokëve të tij: “Cili prej jush më mbron krahët (kurrizin)?” Ata e pyetën: “Pse”? Abdullahu u tha: “Dua të depërtoj në zemër të ushtrisë berbere dhe ta vras komandantin e tyre”.(2)
Një numër i luftëtarëve myslimanë iu përgjigjën kërkesë së Abdullahut për t`i mbrojtur krahët. Më pas Abdullahu u nis me luftëtarët e tjerë dhe arriti të çante rreshtat e ushtrisë berbere derisa arriti te komandanti i tyre, të cilin e vrau me një të goditur. Me vrasjen e komandantit berber, e gjithë ushtria u dorëzua dhe beteja përfundoi me fitoren e myslimanëve. Numri i luftëtarëve mysliman në atë betejë arrinte në njëzet mijë.
Megjithëkëtë, vendosmëria e Abdullah ibn Zubejrit në adhurim kalonte trimërinë e tij të paparë e të jashtëzakonshme në luftë. As familja, as rinia, as pozita, as forma, as pasuria dhe as fuqia e tij, pra asnjëra prej këtyre nuk kishin mundur ta pengonin Abdullahun që të bëhej një besimtar shumë i devotshëm, që gjithë ditën agjëronte e tërë natën E adhuronte Zotin.
Në një rast, kur Umer ibn Abdulazizi i kishte kërkuar Ibn Ebi Mulejkes që t`ia përshkruante Abdullah ibn Zubejrin, ai i kishte thënë: “Pasha Allahun, kurrë s`kam parë njeri si ky. Kur e fillonte namazin, i linte të gjitha angazhimet e tjera. Binte në sexhde dhe qëndronte aq gjatë, saqë në shpinë i zbrisnin zogjtë duke menduar se ishte mur apo ndonjë rrobë e hedhur. Një herë tjetër, derisa ishte duke u falur, ndërmjet mjekrës dhe gjoksit i kaloi një projektil prej katapulte. Pasha Allahun ai s’e kishte vërejtur se i kishte kaluar dhe as që kishte lëvizur. Nuk e kishte prerë leximin dhe as që ishte ngutur të përkulej”.(3)
Shpirti bujuar i Abdullah ibn Zubejrit, namazi, agjërimi, haxhi, frika e vazhdueshme prej Allahut, përkushtimi në adhurim dhe agjërimi derisa shkonte në luftë gjatë gjithë jetës së tij, pra të gjitha këto karakteristika ishin një rrjet i thurur në personalitetin e tij. Abdullah ibn Mesudi, edhe pse kishte disa mosmarrëveshje me Abdullah ibn Zubejrin, e përshkruante me këto fjalë: “ Ai ishte lexues i Kur`anit. Pasues i synetit. Besnik ndaj Allahut, agjërues i devotshëm dhe djalë i nxënësit të të Dërguarit të Allahut. Nëna e tij ishte e bija e Ebu Bekrit. Tezja e tij – Aishja, ishte gruaja e të Dërguarit a.s. . Pozitën e tij mund ta nënvlerësonte vetëm ai që nuk sheh”.(4)
Rezistenca e Abdullah ibn Zubejrit ndaj Muaviut
Në rezistencën e tij ndaj Muaviut dhe Jezidit shohim se Abdullah ibn Zubejri u bë legjendë e paparë e trimërisë. Ai, për shkak të paaftësisë së Jezid ibn Muavije ibn Ebi Sufjanit, atë e konsideronte si personin më pak të kualifikuar që t`u printe myslimanëve dhe që të udhëhiqte Ymetin. Ky fakt ishte më se i vërtetë, sepse Jezidi ishte tërësisht injorant dhe nuk mund t`i faleshin krimet dhe veprat e këqija që i njeh historia.
Këto edhe ishin arsyet që Abdulla ibn Zubejri nuk mund t’i jepte betimin këtij njeriu. Ai refuzonte haptazi që ta bënte këtë derisa ishte gjallë edhe Muaviu, po sidomos më shumë kur Jezidi u bë halif. Jezidi kishte vendosur ta dërgonte dikë që ta frikësonte Zubejrin, por ai i ishte përgjigjur: “Nuk do t`i jap betimin një pijaneci”.(5) Selia e Abdullah ibn Zubejrit ishte në Mekë. Ai ishte prijës i besimdrejtëve në qytetin e shenjtë të Mekës. Më vonë Abdullah ibn Zubejri zgjeroi pushtetin e tij në Hixhaz, Jemen, Basra, Kufë, Horasan dhe në Siri, përveç Damaskut. Besimtarët e të gjitha këtyre hapësirave ia kishin dhënë betimin. Mirëpo emevinjtë ishin të pakënaqur. Kur erdhi në fron Abdulmalik ibn Mervani, njeriun më të egër dhe më të pamëshirshëm e urdhëroi ta sulmonte Abdullahun në Mekë. Ai ishte Haxhaxh Thekafiu, të cilin Umer ibn Abdulazizi e kishte përshkruar me këto fjalë: “Sikur të gjithë popujt t`i peshonin mëkatet e tyre, ndërsa ne të kishim ardhur vetëm me veprat e këqija të Haxhaxhit, ana jonë do të rëndonte”.(6)
Haxhaxh ibnu Jusufi e kishte udhëhequr ushtrinë që kishte rrethuar Mekën dhe e godiste me katapulta ndërtesën e Qabesë. Ai ia kishte ndërprerë furnizimin me ujë Abdullahut bashkë me dyqind ushtarë të tij. E Abdullahut i kishin shkuar informacione që, sikur të binte duart e Haxhaxhit, ky i fundit do ta therte, do ta rripte siç rripen të imëtat dhe do ta varte në godinën e Qabesë.(7)
Haxhaxh Thekafiu njerëzve të Abdullah Zubejrit ua kishte ndaluar ushqimin dhe ujin, me qëllim që t`i detyronte që ta braktisnin Abdullahun. Nën presionin e urisë së paparë, një numër i madh i ushtarëve ishin dorëzuar dhe Abdullah ibn Zubejri kishte mbetur i vetëm. Edhe pse ishte vendosur që detyrën e tij ta kryente deri në fund, edhe pse atëbotë kishte mbushur 70 vjeç, megjithëkëtë vazhdoi të luftonte me një trimëri të paparë.
Pamjen e plotë të asaj ndodhie mund ta mësojmë nga biseda ndërmjet Abdullahut dhe nënës së tij, Esmës, që e kishte zhvilluar pak para vdekjes së tij. Ai shkoi dhe ia tregoi gjendjen e tërësishme dhe atë që i dukej si zgjidhje e vetme. Esma i kishte thënë të birit: “Biri im, ti e njeh vetveten më mirë se kushdo tjetër. Nëse je i sigurt se përfaqëson të vërtetën dhe se bën thirrje për të, atëherë duro derisa të vritesh për të dhe mos lejo që fëmijët e Emevinjve ta prekin pragun. Mirëpo, nëse derti më i madh është jeta në këtë botë, atëherë ti je një bir i mjerë që shkatërron vetveten dhe ata që luftojnë në anën tënde”. Abdullah ibn Zubejri ia kishte kthyer: “Pasha Allahun, nuk më ka interesuar kurrë jeta e kësaj bote dhe as që i jam dorëzuar ndonjëherë asaj. Asnjëherë s`kam udhëhequr padrejtësisht. Kurrë me asnjë njeri nuk kam vepruar padrejtësisht e as që kam mashtruar dikë”. Nëna e tij Esma i tha: “Shpresoj se do të kem ngushëllim të mirë nëse ti shkon në xhenet para meje, ose nëse unë shkoj para teje. Allahu i Madhërishëm, i mëshiroftë lutjet e tua të gjata të natës, agjërimin tënd në ditët e nxehta dhe dëgjueshmërinë tënde ndaj meje e babit tënd. O Allahu i Lartësuar, fatin e djalit tim po ta dorëzoj në duart e Tua. Do të jem e kënaqur me atë që e cakton Ti. Më shpërble për sakrifikimin e djalit tim siç i shpërblen besimtarët e Tu falënderues dhe të durueshëm”.(8)
Nënë e bir, të përqafuar për të fundit herë, kishin shikuar njëri-tjetrin. Pas një orë lufte të ashpër e të paparë, shehidi kishte marrë goditjen e fundit. Haxhaxhi i egër, dinak dhe mashtrues siç ishte , insistonte që trupi i tij i pajetë të gozhdohej në kryq. Nëna e Abdullahut që atëbotë ishte 97 vjeç, doli për ta parë djalin e saj të gozhduar në kryq.
Ajo qëndronte fort si një mal i palëvizshëm para tij dhe në atë çast iu afrua Haxhaxhi . I turpëruar e i nënçmuar, i tha: “Oj nënë, prijësi i besimdrejtëve Abdulmelik ibn Mervani më ka porositur që të kujdesem mirë. A të duhet diçka”?
Ajo i tha: “Nuk jam nëna jote, po jam nëna e atij që është gozhduar në kryq. Ti nuk më duhesh. Por, do të ta them një hadith që e kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut. Ai ka thënë: “Do të vijë prej Thekifit, do të jetë kundërshtar dhe i ëgër…”. Ne tashmë e pamë njeriun gënjeshtar dhe të egër. Mendoj se ky nuk është dikush tjetër, përveçse ti”.(9)
Abdulla ibn Omeri iu afrua ta ngushëllonte dhe E luti Allahun xh.sh. ta bënte durimtare. Ajo ishte përgjigjur: “Pse të mos jem durimtare? Vallë, nuk i është dhënë koha e Jahja ibn Zekerijait si dhuratë një kurvari izraelit”?
Sa e dinjitetshme që ishte e bija e Es-Sidikut! A ekzistojnë fjalë më të fuqishme që mund t`u thuheshin atyre që i kishin prerë kokën Abdullahut, e pastaj e kishin gozhduar në kryq?Nëse koka e Abdullahut u ishte dhënë si dhuratë Haxhaxhit dhe Abdulmelikut, atëherë koka e të Dërguarit të Allahut, Jahja ibn Zekerijait a.s. i ishte dhënë Salomit, pra një kurvari të mjerë izraelit. Çfarë krahasimi madhështor! Çfarë fjalësh të vërteta!Abdullahu ka transmetuar nga Profeti a.s. 33 hadithe, të cilat i kishte dëgjuar nga babai, nëna dhe tezja - Aishja. Nga gjërat që i shtojnë vlerat Abdullahut, është se tezja e tij - Aishja shpeshherë quhej si nëna e Abdullahut. Kjo, sepse ai e konsideronte atë si djalin e saj, meqë vetë nuk mund të lindte fëmijë. Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, dikush e pyeti Aishen: “Kush është personi yt më i dashur?”. Aishja iu përgjigj: “Është babi Ebu Bekri.” Pyetësi e pyeti sërish: “Po pas Ebu Bekrit?” Ajo i tha: “Është Abdullahu”.(10)
Abdullahu ibnu Zubejri ishte një nga heronjtë e shumtë myslimanë. Ne na ndodh shpesh që të kërkojmë modele të suksesshme për fëmijët tanë, u blejmë atyre libra me histori, kaseta me filma vizatimorë etj…, me qëllim që të përfitojmë prej personazheve të ndryshme. Po nuk ka modele dhe personazhe më të suksesshme dhe më të përshtatshme për fëmijët tanë, se ç`janë shokët e të Dërguarit të Allahut. Kush mund të jetë model më i mirë se Abdullah ibnu Zubejri dhe dhjetë të përgëzuarit me Xhenet? Kush mund të jetë model më i mirë se shokët e të Dërguarit të Allahut? Secili nga dhjetë të përgëzuarit me Xhenet dhe shokët e të Dërguarit të Allahut, përfaqësonte një shkollë dhe model të mirë për brezat e ardhshëm!
_________________
1. Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit a.s., Shkup, 2008, f. 437.
2. Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me Xhenet, Shkup, 2010, f. 217.
3. Halid Muhamed Halid, Burrat përreth Pejgamberit a.s. f. 439.
4. Po aty, f. 439.
5. Po aty, f. 441.
6. Po aty.
7. Xhasim Mutava, Ibid. f,. 219.
8. Halid Muhamed Halid, Ibid f.442.
9. Po aty.
10. Xhasim Mutava, Ibid. f. 220.
Dr. Fahrush Rexhepi
Dituria Islame 262