Autoritetin mund ta përkufizojmë në disa mënyra, sipas fushës së sovranitetit, brendisë dhe burimit të legalitetit. Por, në përgjithësi, autoritetin mund ta cilësojmë si një dëshirë ose vullnet të lartë, legjitim, që ka fuqinë sanksionuese. Pa marrë parasysh përkufizimin, autoriteti nxjerr në pah gjithmonë çështjen e legalitetit. Tani shtrohet pyetja prej nga e merë autoriteti, që është shprehje e dëshirës superiore, të drejtën për të deklaruar se është i drejtë, i vërtetë, legal, prej nga e merr fuqinë sanksionuese? Përgjigjja qëndron në klasifikimin specifik të autoritetit. Në kuadër të mësimeve, ekzistojnë tri lloje të autoritetit legal(1):
1. autoriteti absolut dhe transhendental
2. autoriteti fetar
3. autoriteti njerëzor.
Autoriteti absolut dhe transhendental
Ky lloj autoriteti I takon vetëm Allahut xh.sh. dhe për këtë arsyeja është shumë e qartë. Të besosh Allahun, do të thotë t’i njohësh atributet e Tij të përsosmërisë, që janë të detyrueshme e të domosdoshme lidhur me ekzistencën e Tij të lartë, si dhe atributet e lejueshme; ta besosh ashtu (sipas atyre atributeve) dhe ta quash të lartë e larg atributeve që shprehin mangësi. Allahu është i cilësuar me të gjitha atributet e përsosmërisë, të denja për Emrin e Tij, dhe s’ka të bëjë me atributet e mangësisë.(2)
Dhe për këtë arsye, më tutje, Ai është Krijues i Vetëm i qenieve, i gjërave të dukshme e të padukshme, i gjërave të gjalla e të vdekura. Shkaku i ekzistencës së çdo gjëje të gjallë, është Ai; Ai ua jep atyre fuqinë. Ai është absolut, i pavarur, transhendental, është superior mbi të gjitha gjërat, është i patëmetë. Çdo gjë jashtë Tij, çdo gjë në gjithësi - është e lidhur dhe varet nga Ai. Jashtë dëshirës, fuqisë dhe diturisë së Tij, nuk ekziston asnjë qenie, vend ose subjekt.(3) Argument për këtë është vetë Fjala e Allahut xh.sh.: “Allahun e lartëson me adhurim ç’ka në qiej e në tokë dhe Ai është i gjithëfuqishmi i urti. I Tij është pushteti në qiej e në tokë, Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, dhe Ai ka fuqi për çdo send. Ai është i pari që s’ka fillim, dhe i fundit që s’ka mbarim, i dukshmi e i padukshmi, dhe Ai është më i dijshëm për çdo gjë. Ai është që krijoi qiejt e tokën vetëm për gjashtë ditë, pastaj mbisundoi Arshin. Ai e di ç’hyn në tokë dhe ç’del prej saj, ç’zbret prej qiellit dhe ç’ngrihet lart, dhe Ai është me ju kudo që të jeni, Allahu është përcjellës i asaj që punoni. Vetëm i Tij është sundimi i qiejve dhe i tokës, dhe vetëm tek Allahu kthehen të gjitha çështjet. Ai ngërthen (e zgjaton) natën në ditë dhe ngërthen (zgjaton) ditën në natë, dhe Ai është që i di të fshehtat në gjokse”.(4)
Është Allahu Ai Që u ka dhënë jete sendeve, objekteve qenieve trupore dhe shpirtërore, i Cili ka krijuar gjithësinë dhe ka vënë një rend të funksionimit, i cili ka vënë ligje kozmike, ka vënë një lidhshmëri zinxhirore ndërmjet jetës dhe vdekjes. Allahu është Ai të Cilit I përkasin cilësitë - i përhershëm pa fillim, dhe i përhershëm pa mbarim. Njëkohësisht, argument për këtë është se sikur Allahu të ishte i paraprirë nga mosekzistenca, atëherë një gjë e tillë do të zhdukte faktorin, i cili ka bërë që ai të ekzistojë, kështu që atëherë është e pamundur, që duke qenë ai kështu, të jetë zot i Allahut xh.sh., është e pamundur që ndonjëherë Qenia e Allahut t’i nënshtrohet mosekzistimit... kjo për arsye se, siç nuk mund të parafytyrohet mundësia që, ai të ketë qenë më parë, dhe bëri që ky tjetri të jetë dhe të ekzistojë. Pra, doemos Ai (i pari) është ai që nuk ka fillim. Gjithashtu, rreth përhershmërisë të pambarim të ketë ndonjë faktor ndikues në krijimin e Atij që është vaxhib’ul-vuxhud (që ekziston vetvetiu); po ashtu nuk mund të imagjinohet që të ekzistojë ndonjë faktor që ta zhdukte Atë, se përndryshe Ai nuk do të ishte Që ekziston vetvetiu.(5)
Nga kjo edhe mund të kuptojmë se asnjë qenie, person ose forcë nuk mund t’i bëhet ortak Atij, dhe nuk mund të ketë autoritetin e Tij. “...vendimi (në çështjen e adhurimit) nuk i takon askujt përveç Allahut...”(6)
Këto dhe shumë rregulla të tjera, Allahu ua sqaron njerëzve nëpërmjet të Dërguarve të Tij, madje për këtë është edhe kjo thënie uranore, ku Allahu xh.sh i drejtohet Pejgamberit a.s. me fjalët: “Thuaj: “Unë i përmbahem së vërtetës (që më erdhi) nga Zoti im. Ju e gënjyet atë, e për shkak se ju nguteni (dënimin), nuk e bëj unë, vendimi I takon vetëm Allahut; Ai e rrëfen të vërtetën; Ai është më i miri gjykues”.(7) Gjithashtu në ajetin vijues, Allahu xh.sh. autoritetin e Tij na e përkujton kështu: “...Këto janë dispozita të Allahut, me të cilat Ai gjykon ndërmjet jush; Allahu është më i dijshmi, më i informuari”.(8) “A nuk është Allahu më i urti gjykues?”(9) Njohuria absolute e së vërtetës I takon vetëm Allahut, pra, dituria e njeriut është relative. Njeriu mund të arrijë shumë të mira materiale në tokë, por edhe kjo është nga ana e Allahut; sepse kjo përsëri mbetet relative tek njeriu, meqë fuqia e njeriut është e krijuar dhe e vdekshme, po edhe e kufizuar. Pra, çdo pushtet - krahas pushtetit të Allahut, është relativ dhe brenda suazave kohore. Autoriteti absolut dhe transhendental mund t’i atribuohet vetëm Allahut xh.sh., dhe krahas kësaj, nuk mund të jetë ndonjë rival shtesë ose dualizëm në këtë autoritet.
Autoriteti fetar
Ky lloj autoriteti, për nga karakteri që ka, është i kufizuar me Pejgamberin dhe është specifik vetëm për të Dërguarit e Allahut, të cilët, për nga cilësimi, janë të zgjedhur nga Zoti, janë nën mbrojtjen e Tij, dërgohen si emisarë.
Meqë që të tri këto cilësi zgjidhen drejtpërdrejt nga Allahu, atëherë pejgamberia nuk është punë e thjeshtë dhe as që mund të ketë hamendje në shpalljen e misionit, si e tillë Shpallja hyjnore dhe të dërguarit përfaqësojnë autoritetin absolut të Allahut xh.sh. dhe nga kjo del se ky autoritet merr legjitimitetin nga burimi hyjnor dhe gjërat që kumtohen nga të dërguarit, nuk janë produkt i hamendjeve të tyre, por menaxhim i projektit të Krijuesit dhe dërguesit të tyre - Allahut xh.sh.: “Ai (Kurani) nuk është përveçse shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi, Ai fuqiploti (Xhibrili)”.(10) Së këndejmi, është Allahu Që udhëzon, dhe është Xhibrili që dërgon Shpalljen tek ai që ka përcaktuar Allahu xh.sh., njohuritë e sjella nga Xhibrili, - që të gjitha janë të shkruara në Levhi Mahfudh, në Pllakën e Ruajtur, që më pastaj emisari i Tij, Xhirili a.s. i përcjell tek të zgjedhurit e Tij në tokë, të Dërguarit a.s., që më pastaj të përcillen tek njerëzit në mënyrë të drejtë dhe të sigurt. Por, Pejgamberi nuk është vetëm kumtues, ai është edhe kulmi i urtësisë, Shpalljen ua kumton njerëzve sipas direktivave të Allahut xh.sh. (rreth kësaj shih Kuran, suret: En-Nahl: 64, 44, pastaj Ez-Zuhruf: 63). Prandaj besimtarët janë ata që janë të obliguar të zbatojnë atë që urdhëron i Dërguari i Allahut. Për këtë Allahu xh.sh. thotë: “...çka t’ju jep Pejgamberi, atë merreni, e çka t’jua ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër”.(11)
Nga ajetet e mësipërme, kuptohet se ajo që rekomandon i Dërguari, është urdhër për ne, ngase këta urdhra të Pejgamberit janë autorizime të Allahut xh.sh., prandaj ndër parimet bazë të të Dërguarve është pagabueshmëria. Parimisht, të Dërguarit e Allahut ishin të mbrojtur nga gabimet, dhe nëse ndodhte që (i Dërguari) ndonjëherë të jepte ndonjë vendim jo të qëlluar rreth një çështjeje të caktuar, menjëherë i tërhiqej vërejtja nga Shpallja hyjnore dhe e përmirësonte atë. Nisur nga kjo, edhe shumë nga orientalistët nuk ngopen me fyerjet e tyre pikërisht duke u nisur nga qortimet që i janë bërë Pejgamberit Muhammed a.s.,(12) Musait a.s.(13) dhe Pejgamberëve të tjerë. Duke u mbështetur në këtë ajet uranor: “...kërko falje për mëkatin tënd...”(14), që aludon gabueshmërinë e Pejgamberit Muhammed a.s., po edhe të tjera, janë disa dëshmi të orientalistëve sikur shpallja e Pejgamberit a.s. nuk është aq e sterilizuar nga gabimet e tij njerëzore. Por, ashtu si thonë ata, ne themi pak më ndryshe dhe shumë më thjesht: Sikur Pejgamberi a.s. të manipulonte Shpalljen dhe të mohonte të qenët e tij njeri, - me siguri edhe këto ajete do t’i fshinte nga Kurani, sepse afërmendsh që asnjë projekt njerëzor nuk do të dëshironte ta injoronte apo ta qortonte veten. Me siguri, secili autor e proklamon projektin si një nga më të përsosurit dhe pa gabime. Më tutje, gjithmonë duhet pasur parasysh që pejgamberi të mos ngrejë më lart statusin e vet. Ai është një njeri që merr frymë si njerëzit e tjerë, ha, pi, e merr uria, sëmuret dhe vdes. Kur mbyllet kanali i revelatës, ai nuk mund të arrijë me aftësitë e veta deri të Pllaka e Ruajtjes... ai është autoritet i lartë shpirtëror, që ua komunikon dhe ua mëson të tjerëve fenë; personaliteti i tij është i shenjtë. Ka një status i cili e dallon nga statusi i njerëzve të tjerë, por megjithëkëtë, është rob i Zotit dhe i Dërguar i Tij.(15)
Autoriteti njerëzor
Autoriteti i kësaj kategorie nuk ka kurrfarë veçorie hyjnore ose transcendentale, po është i pranueshëm, legjitim dhe meriton të respektohet. Rrjedhimisht, ky autoritet, për nga karakteri që ka, përkufizohet tek njeriu, dhe askush nuk mund ta shpallë hyjnor, të shenjtë apo transhendental. Përgjithësisht ky autoritet që i është dhënë njeriut, përfshin edhe disa sfera të tjera të autoritetit, si atë shpirtëror, juridik etj.
a) autoriteti shpirtëror; pjesëtarët që ndjekin këtë metodë të qëlluar dhe që, duke menduar rreth krijimit të qiejve e tokës, thellohen në dituri. Këta persona Allahu xh.sh. në Kuran i cilëson me emërtimin rasihun, që ka kuptimin e njerëzve të urtësisë dhe të mendimit të madh. Allahu xh.sh. thotë: “Ai është që ta zbriti librin ty e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë (muteshabih). E ata që në zemrat e tyre kanë anim nga e shtrembra, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre. Po përveç Allahut askush nuk e di domethënien e tyre të saktë. Dijetarët e pajisur me dituri thonë: “Ne u kemi besuar atij (atyre që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes”.(16)
Po ashtu, nëse për ndonjë gjë nuk kuptojmë, t’i konsultojmë ehlu’dh-dhikrin, përkujtuesit. Thotë Allahu xh.sh.: “Ne as para teje nuk dërguam tjetër, përveç burra, të cilëve u dhamë shpallje. Ju (idhujtarë) pyetni pra dijetarët (e Tevratit dhe Inxhilit) nëse ju nuk dini”.(17) Ky ajet aludon nevojën për t’ua kujtuar njerëzve, dhe në këtë rast Allahu xh.sh. më të zgjedhur pas Pejgamberëve si udhërrëfyes, ka përmendur dijetarët, që i cilëson si ehlu’dh-dhikri.
b) autoriteti juridik; këtë formulim mund ta quajmë edhe fusha e ixhtihadit. Normat e veta Zoti ua përcjell njerëzve përmes Pejgamberëve të Tij, të cilët i udhëzojnë njerëzit se si t’i vënë në praktikën e tyre jetësore. Por, që këto ligje para së gjithash të ruajnë vitalitetin dhe freskinë e argumentimit në rrethana dhe kohë, të cilat mund të jetë të ndryshme, - ka nevojë që dijetarët e zgjuar dhe të pajisur me dije të lartë, të marrin këtë pozitë, pra pozitën juridike, apo thënë ndryshe, ixhtihadin e ndonjë çështjeje të caktuar. Në këtë rast ixhtihadi është një fushë juridike me rëndësi jetike. Po ashtu, përmes ixhtihadit të dijetarëve, njerëzit mund të realizojnë më lehtë objektivat e caktuar në jetë, për të cilët nuk janë në gjendje të kuptojnë dispozitat që janë bërë urdhër për ta. Rrjedhimisht, duhet përmendur se çdokush nuk mund të jetë muxhtehid, por para së gjithash ai duhet të jetë i pajisur më dijen më të lartë të mundshme dhe të bëjë përpjekje maksimale për zgjidhjen e ndonjë situate të caktuar; në fakt edhe vetë kuptimi i fjalës Ixhtihad është ky: përpiqem, mundohem. Duhet pasur parasysh edhe fakti që ky autoritet nuk mund të jetë absolut. Dituria e muxhtehidit nuk është absolute dhe 100% e saktë, por koniunkturale, supozicioniste, sepse bazohet në një koment specifik, që krijon marrëdhënie midis jetës dhe Kuranit e Synetit.(18) Këtë e ilustron më së miri hadithi i Pejgamberit a.s.: “Edhe nëse myftinjtë të japin fetva, t’i prapë pyete dhe konsultoje zemrën tënde (kërkoje fetvanë prej saj, verifikoje në zemrën tënde).(19)
_____________________
Fusnotat:
1. Ali Bullaç, Koncepte dhe sisteme bashkëkohore. Shkup, 2005. fq. 279-280
2. Kumuniteti Musliman i Shqipërisë, Besimi I-II (Akaidi), Stamboll, 2003. fq. 63
3. Ali Bullaç, op cit, fq. 280
4. Kurani: El Hadid: 1-6
5. Prof. Dr. Muhammed Seid Ramadan El-Buti, Të vërtetat e patundshme të besimit Islam (Detyrimet e njeriut ndaj krijuesit), Tetovë, 2004 fq. 92-95
6. Kurani: Jusuf: 40
7. Kurani: El En'amë: 57
8. Kurani: El Mumtehine: 10
9. Kurani: Et Tinë: 8
10. Kurani : En Nexhm: 3-4
11. Kurani: El Hashr: 7
12. Krahaso; Kurani: El Israë: 74-75
13. Krahaso; Kurani: E A'rafë: 150-154
14. Kurani: Gafir: 55
15. Ali Bullaç, op cit fq. 283
16. Kurani: Ali Imran: 7
17. Kurani: En Nahl: 43
18. Ali Bullaç, op cit. fq. 289
19. Ahmed Ibn Hambel, El-Musned, vëll.IV, fq.228
Dituria Islame 206