Hyrje
Në tekste të shumta fetare, virtyteve të moralit u kushtohet rëndësi e veçantë. Kjo për faktin se ato prezantojnë fenë në terren. Pra, janë imazhi më i theksuar i fetarisë së një besimtari. Në hadithin e përcjellë nga Ebu Hurejre r.a., qëndron se Profeti a.s., ka thënë: “Besimtarët me besimin më të përsosur janë ata me moralin më të mirë.”(1) Kjo ndërlidhje ndërmjet tyre tregon se morali i mirë vjen si rezultat i besimit të thellë dhe të fuqishëm, ose besimi vjen si motiv për përsosjen e moralit sepse, duke e ditur se nuk do të ketë besim të përsosur ndryshe vetëm se duke përmirësuar sjelljet, njeriu do të angazhohet që të përvetësojë tiparet e çmuara dhe virtytet e larta, si dhe të braktisë ato të pavlerat.(2) E si të mos jetë kështu kur kryefjalë e misionit të Profetit Muhamed a.s., është pikërisht morali: “Vërtetë, jam dërguar për të plotësuar virtytet e moralit.”(3)
Në këtë punim do të ofrojmë një përmbledhje rreth rëndësisë dhe veçorive për të cilat karakterizohen virtytet e moralit islam.
Rëndësia e vlerave dhe virtyteve morale të Islamit
Virtytet, siç aluduam më lartë, janë kërkesë e parashtruar në Kuran dhe Sunet. Allahu i Madhëruar, në disa vende, në Kuranin fisnik, na urdhëron për moral e sjellje të mira, si p.sh.: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën...” (En Nahl, 90); “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (El Arafë, 199). Nga kjo perspektivë, për një besimtar, rëndësi parësore ka çuarja në vend e një urdhri të Zotit, respektivisht ne duhet të dallohemi për moral të mirë sepse kështu na urdhëron Zoti ynë.
Se morali i mirë ka rëndësi të madhe mësojmë edhe nga ndërlidhja e tij me adhurimet, respektivisht të qenit të tij produkt i adhurimeve. P.sh., për namazin, Allahu na mëson se efekt i tij është largimi i besimtarit nga punët e këqija (Ankebut, 65); për zekatin na tregon se dëlirja shpirtërore është objektivë e tij (Teube, 103); për agjërimin na tregon se synim ka devotshmërinë (Bekare, 183). Po kështu për haxhin na bëhet me dije se qëllime të tij janë largimi nga punët dhe tiparet e urryera (Bekare, 197).
Këtu mbase qëndron shpjegimi pse kriter i vlerësimit të një besimtarit merret fillimisht morali, sepse ai flet edhe për adhurimet dhe besimin. Morali është përfaqësuesi i tyre në terren. Allahu i Madhëruar thotë: “...Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij...”(Huxhurat, 13). Ibën Kethiri, duke e shpjeguar këtë ajet, tregon se kriter i vlerësimit dhe dallimit për të mirë tek Allahu është devotshmëria, jo prejardhja. Ai argumenton edhe me hadithe të regjistruara në koleksionet e Buhariut dhe Muslimit, në të cilat po kështu konfirmohen vlerat si kriter vlerësimi e jo elementet e tjera. Profeti a.s., ka thënë: “...Më i nderuari tek Allahu është më i ruajturi nga mëkatet...”4
Po kështu ka thënë5: “Allahu nuk shikon në pamjet dhe pasuritë tuaja por në zemrat dhe veprat tuaja.”(6) Në fakt, hadithe me këtë tematikë ka shumë. Një prej tyre është dhe hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejre r.a., në të cilin qëndron se Profeti a.s., ka thënë: “Kë e zmbraps puna, prejardhja nuk e shtyn tutje.”(7)
Prandaj virtytet janë edhe dëshmi e dashurisë së Zotit ndaj robit: “...Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” (Bekare, 195); “... Allahu i do të duruarit.” (Ali Imran, 146); “... Vërtet, Allahu i do të drejtët.” (Maide, 42).(8) Pikërisht për shkak të kësaj rëndësie që kanë, virtytet kanë edhe shpërblim të madh në botën tjetër. Profeti a.s., ka thënë: “Vepra më e rëndë në peshojën e besimtarit është morali i mirë.”(9); “Vërtet, njeriu do të arrijë me moralin e mirë të tij gradat e besimtarit që falet natën dhe agjëron ditën.”(10); “...ia premtoi një shtëpi në pjesën më të lartë të Xhenetit atij që ka moral të mirë.”(11)
Për çfarë karakterizohen vlerat dhe virtytet morale të Islamit?
Përgjatë shpjegimeve në pjesën paraprake, ne iu referuam vetëm ajeteve dhe haditheve për virtytet. Kjo nënkupton se bazë dhe themel i virtyteve të moralit islam është vetë feja.(12)
Veçori tjetër e tyre është se ato janë të gjithanshme dhe se përfshijnë çdo aspekt të jetës së njeriut. Më qartë, ato manifestohen në raport me Zotin, vetveten, të tjerët dhe ambientin.
Vlejnë në dhe për çdo kohë.
Ngjallin përgjegjësinë individuale dhe kolektive “...Çdo njeri është peng i veprave të veta.” (Tur, 21); “...Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” (Isra, 36). Sa i përket përgjegjësisë kolektive, Profeti a.s., ka thënë: “Kush sheh një të keqe, le ta largojë me dorë, e nëse nuk ka mundësi, atëherë me gjuhë, e nëse as për këtë nuk ka mundësi, atëherë me zemër. E ky është niveli më i dobët i besimit.”(13)
Mbikëqyrja hyjnore “...Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 1). Nga kjo perspektivë vjen edhe shpërblimi në këtë dhe botën tjetër. Për shpërblimin në këtë botë, Allahu thotë: “...Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi). Dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu.” (Talak, 2-3). Ndërsa për shpërblimin në Ahiret, Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është f itorja madhështore.” (Teube, 72).
Përfundim
Virtytet janë dëshmi e besimit dhe pjekurisë fetare e personale. Nëpërmjet tyre plotësohet kushti i të qenit i nderuar dhe graduar nga Allahu i Madhëruar dhe përfitues i ndërmjetësimit të Profetit a.s.. Virtytet janë dëshmi e besimit të kompletuar dhe adhurimeve të pranuara. Ato kanë këtë rëndësi dhe pozitë për shkak të veçorive dhe përmbajtjes. Kanë burim hyjnor dhe shtrihen në çdo aspekt të jetës së njeriut. Për këtë arsye parashihet shpërblim i madh për to.
__________________
1. Hadithin e shënojnë Ebu Davudi, nr. 4682 dhe Tirmidhiu, nr. 1162.
2. Shih: Muhamed bin Salih el Uthejmin, Mekarim el ahlak, (Rijad: Dar el vatan,), f. 10.
3. Hadithin e shënojnë Bejhakiu, nr. 21301, Ahmedi, nr. 8952 dhe Hakimi, nr. 4221.
4. Buhariu, nr. 4689.
5. Muslimi, nr. 2564.
6. Shih: Ismail bin Omer bin Kethir, Tefsiru el Kur’ani el adhim, (Rijad: Dar Tajjibe, ed. 2, 1999), 7/386.
7. Muslimi, nr. 2699.
8. Shih për rëndësinë e moralit: Grup autorësh, Enciklopedia e moralit islam, versionin elektronik i saj (https://dorar.net/alakhlaq/19/).
9. Sahih el Xhami, nr. 135.
10. Sahih el Xhami, nr. 1620.
11. Sahih et Tergib, nr. 2648.
12. Shih për burimet e moralit islam: Grup autorësh, Enciklopedia e moralit islam, versionin elektronik i saj (https://dorar.net/alakhlaq/19/).
13. Muslimi, nr. 49.