"Nëse Ne e vonojmë ndëshkimin për një kohë të shkurtër kundër tyre, ata thonë: "Çka po e pengon atë?" Le ta dinë se ditën kur t'u vijë, ai nuk zmbrapset prej tyre, ata do 'i rrethojë ai (dënimi) me të cilin talleshin. Po nëse Ne i japim njeriut ndonjë begati nga ana jonë, e pastaj e tërheqim atë prej tij, ai do të jetë shumë i dëshpëruar dhe përbuzës. E nëse pas të keqes që e pati goditur atë, Ne i dhurojmë të mira, ai do të thotë: "Kaluan të këqijat prej meje!" Vërtet, ai është i shfrenuar dhe mendjemadh. Përveç atyre të cilët kishin durim dhe bënin vepra të mira, të tillët kanë falje (të gabimeve) dhe shpërblim të madh". (Hud, 8-11)
Lidhshmëria me ajetet paraprake
Kaptina Hud fillon me paraqitjen e madhështisë së fjalëve të Allahut xh.sh. të radhitura në ajete, dhe kjo radhitje paraqitet në mënyrë shumë të përpiktë duke argumentuar për shpalljen hyjnore të Kuranit nga Allahu Fuqiplotë, i Cili di çdo gjë në gjithësi. Të adhurohet vetëm Krijuesi dhe vetëm prej Tij të kërkohet falje dhe pendim, ngase përfundimi i mirë është për vepërmirët, ndërsa përfundimi i keq është për refuzuesit e ligjit të Tij. Allahu është i vetmi Krijues i qiejve dhe Tokës dhe i çdo sendi në gjithësi, dhe para të Cilit njerëzit do të ringjallen për të dhënë llogarinë përfundimtare, gjë të cilën e mohojnë dhe kundërshtojnë pabesimtarët duke thënë: "Kjo që po na e thoni, nuk është tjetër përveçse një magji e qartë”.(1) Ndërsa në ajetet vijuese Allahu i Madhërishëm sqaron disa nga cilësitë e njerëzve, të cilët në të gjitha situatat bëhen kryeneçë, mohues dhe refuzues të hapur të cilët me tallje kërkojnë shpejtimin e ndëshkimit ndaj tyre dhe të gjitha sukseset ia atribuojnë vetvetes duke vepruar me mendjemadhësi, përbuzje dhe shfrenim. Nga kjo bëjnë përjashtim vetëm besimtarët, të cilët në çfarëdo situate janë falënderues, durimtarë dhe vepërmirë, prandaj edhe kanë shpërblim. Allahu xh.sh. i krijoi njerëzit për ta adhuruar Atë, dhe përgjatë sprovimit të tyre të dallohet kush është vepërmirë e kush vepërkeq, dhe në bazë të kësaj të pasojë shpërblimi ose ndëshkimi.
Komentim:
Pabesimtarët me tallje kërkojnë shpejtimin e ndëshkimit
"Nëse Ne e vonojmë ndëshkimin për një kohë të shkurtër kundër tyre, ata thonë: "Çka po e pengon atë?" Le ta dinë se ditën kur t'u vijë, ai nuk zmbrapset prej tyre, ata do t'i rrethojë ai (dënimi) me të cilin talleshin".
Allahu xh.sh. dërgoi të dërguarin e Tij me udhëzim dhe fe të vërtetë, duke e bërë myzhdedhënës dhe qortues, prandaj ai u drejtohet pabesimtarëve me fjalët: "Unë po frikësohem për dënimin që ju godet në një ditë të madhe", mirëpo ata talleshin me fjalët e tij, dhe kërkonin shpejtimin e ndëshkimit duke e mohuar atë me përqeshje, ndërsa Allahu xh.sh. u përgjigjet: "Nëse ua shtyjmë dënimin deri në një kohë të shkurtër e të caktuar, e cila është në dijen Tonë, ligjin dhe përcaktimet Tona që caktojnë vdekjet e njerëzve, ata thonë: "kush dhe çfarë po e pengon ndodhjen e këtij dënimi"?! Ata me këto thënie mohonin edhe ardhjen e dënimit dhe përfshirjen e tyre në të, mirëpo ditën kur do t'i përfshijë ndëshkimi, s'ka kush që e largon atë prej tyre, një fakt i vërtetuar edhe në ajetin tjetër, ku Allahu xh.sh. thotë: "Është e vërtetë se dënimi i Zotit tënd do të ndodhë patjetër. Atë nuk ka kush që mund ta largojë”.(2) Ky dënim, të cilin e përqeshnin ata, do t'i përfshijë në tërësi dhe nga të gjitha anët e ata nuk do të kenë shpëtim nga ai. Zoti i Madhërishëm thotë: "që t'ju sprovojë, se cili prej jush është më vepërmirë”(3), në të cilin ajet sqarohet gjendja e njeriut në zgjedhjen që i ka bërë Krijuesi i tij.(4)
Popujt e mëparshëm, kur kërkonin nga pejgamberi përkatës mrekulli, të cilat ua sillte me lejen e Allahut xh.sh., e më pastaj ata refuzonin dhe i mohonin ato, atëherë Allahu i shkatërronte ata në tërësi. Kështu, meqë pejgamberët e mëparshëm ishin të dërguar për një kohë të caktuar dhe për një popull, gjithashtu edhe mrekullitë e tyre nuk i shihte dhe as përjetonte kush përveçse ai popull. Ndërsa misioni i fundit, i Muhamedit a.s., ndryshon nga të mëparshmet, ngase është për të gjitha kohët dhe për të gjithë njerëzit, prandaj edhe mrekullia e tij mbetet përgjithmonë dhe atë kanë mundësi ta shohin e përjetojnë gjeneratat vijuese deri në Kiamet. Për këtë arsye urtësia kulmore e mëshirës së Allahut xh.sh. nuk i ndëshkon më njerëzit në këtë botë me shkatërrim masiv, por i ndëshkon vetëm disa prej tyre në kohë të caktuara. Kjo vlen edhe për ithtarët e Librit, të cilët nuk i përfshin ndëshkimi masiv në këtë botë.
Idhujtarët ishin injorantë dhe nuk kuptonin urtësitë dhe mrekullitë e Allahut xh.sh. në krijimin e njeriut me mundësi zgjedhjeje, dhe krijimin e qiejve e të Tokës duke i mundësuar njeriut të veprojë dhe të organizohet në to, po, megjithëkëtë, ata mohonin ringjalljen. Me injorancën e tyre ndaj ligjeve të Allahut xh.sh. rreth dërgimit të pejgamberëve, mrekullive të tyre dhe ndëshkimit, ata pyetnin përse u vonua dhe u shty ndëshkimi ndaj tyre dhe ç'e pengonte atë? Ata nuk kuptonin mëshirën dhe urtësitë e Allahut xh.sh., meqë ajo ditë do të vijë dhe ata nuk do të mund të ikin nga ajo për se talleshin. Shpejtimin e dënimit të Allahut xh.sh. nuk e kërkon njeriu besimtar dhe ai që logjikon vëmendshëm; dhe nëse ai vonohet, kjo paraqet mëshirën e Allahut, në mënyrë që t'u jepet shans të besojnë ata që anojnë nga besimi dhe dëshirojnë të udhëzohen. Dhe pikërisht në kohën kur Zoti i Madhërishëm largoi ndëshkimin masiv ndaj idhujtarëve të Mekës, shumë njerëz besuan dhe hynë në Islam, e shumë gjenerata nga trashëgimtarët e idhujtarëve u rritën në Islam. Këto janë disa nga urtësitë që duken, e ka edhe shumë të tjera që vetëm Allahu xh.sh. i di, kurse njerëzit nuk i dinë.(5)
Popujt e mëparshëm, për shkak të refuzimit të tyre, Allahu xh.sh. i ndëshkonte me shkatërrim masiv, sikur e përshkruan në Kuran: "Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet, disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krisma nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. Allahu nuk u bëri atyre ndonjë të padrejtë, veçse ata i bënë padrejtë vetes së tyre".(6)
Nga ana kuptimore ajeti fillon me betimin e Allahut në veten e Tij, meqë konfirmon edhe ndodhjen e asaj për çka betohet, për të vërtetuar ndodhjen e tij, sepse kishte të atillë që dyshonin në të.(7)
Allahu xh.sh. deshi të privilegjonte Ymetin e Muhamedit a.s. nga të gjithë popujt e tjerë të pejgamberëve të mëparshëm, por bëri që të ndëshkojë disa prej tyre nëpër beteja të luftës. Muhamedi a.s i kërcënonte ata me ndëshkim nga Allahu, mirëpo për çdo ndëshkim ka kohë përcaktuese, dhe shtyhet me qëllim që njerëzit të shohin krimet e tyre, dhe kur t'i godasë ata ndëshkimi, të mos shqetësohet askush nga njerëzit dhe të mos u dhimbsen. Allahu xh.sh. atyre të padrejtëve u dha afat dhe ua shtyu ndëshkimin, ndërsa ata shtonin edhe më tutje krimet dhe padrejtësitë e tyre dhe njerëzit që e përjetojnë atë, i urrejnë njerëzit e tillë, dhe, kur u vjen ndëshkimi, nuk ndiejnë dhembshuri për ta.(8)
Allahu i Madhërishëm i sqaron Muhamedit a.s. se i kishte premtuar për ndëshkimin e tyre, por po u jepte afat atyre dhe po ua shtynte ndëshkimin, mirëpo atyre ajo u dukej tallje dhe e përqeshnin, prandaj pyesnin ku ishte ndëshkimi? Allahu xh.sh. përshkruan fjalët e tyre, për se thotë: "Ata thonë: "O Zoti ynë, shpejtona pjesën tonë (të dënimit) para Ditës së Llogarisë!(9)
Kurani edhe në shumë ajete të tjera ka përshkruar fjalët e tyre të çuditshme, si: "Dhe (kujto) kur thanë: "O Allah! Nëse është ky (Kurani) vërtet prej Teje, lësho gur nga qielli kundër nesh, ose sillna ndonjë dënim të hidhur".(10)
Nuk ka dyshim se njeriu nuk ka dëshirë dhe nuk shpreson ta godasë ndëshkimi, por ata këto fjalë i thoshin në shenjë sfide, talljeje dhe përqeshjeje. Allahu xh.sh. deshi të mos i ndëshkonte pabesimtarët e kohës së Muhamedit a.s. ashtu siç i kishte ndëshkuar popujt e mëparshëm, ngase Ai thotë: "Po Allahu nuk do t' i dënojë ata, derisa ti (Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t'i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfar)."(11) Kështu, ngase kishte njerëz të cilët mbanin fshehur besimin e tyre, për shkak se nuk mund të ballafaqoheshin me pabesimtarët me të cilët edhe jetonin, dhe nuk mund të emigronin tek besimtarët. Prandaj besimtarët, po të donin të sulmonin pabesimtarët në Mekë me rastin e marrëveshjes së Hudejbijes, atëherë do të goditnin tërë banorët e Mekës, e në mesin e tyre edhe ata që mbanin fshehtë besimin e tyre, dhe s'do të mund t'i dallonin.(12)
Pyetja e pabesimtarëve përse të shtyhej dënimi të cilin u pat premtuar i dërguari i Allahut, bëhet në formë talljeje dhe përqeshjeje, ngase njeriu natyrshëm nuk dëshiron diçka që e dëmton. Ndërsa përgjigjja ndaj tyre paraqitet në formën e tërheqjes së vëmendjes, prandaj Allahu xh.sh. thotë: "Le ta dinë se ditën kur t'u vijë, ai nuk zmbrapset prej tyre", që konfirmon dhe vërteton se ndëshkimi doemos do t' i përfshijë në botën tjetër, mirëpo njerëzit gjithnjë janë të ngutshëm, e Allahu xh. sh. nuk shpejton derisa të arrihet ajo që dëshiron. Çdo gjë e ka kohën e vet dhe atyre do t'u vijë ndëshkimi që e kërkonin me të shpejtë, ngase Allahu në vijim thotë: "ata do t'i rrethojë ai (dënimi) me të cilin talleshin". Nëpërmjet kësaj Krijuesi Fuqiplotë konfirmon se pabesimtarët do t'i godasë dhe t'i përfshijë patjetër ndëshkimi hyjnor në një ditë të madhe në botën tjetër.
Njeriu është përbuzës dhe mendjemadh
"Po nëse Ne i japim njeriut ndonjë begati nga ana Jonë, e pastaj e tërheqim atë prej tij, ai do të jetë i dëshpëruar dhe përbuzës. E nëse pas të keqes që e pati goditur atë, Ne i dhurojmë të mira, ai do të thotë: "Kaluan të këqijat prej meje!" Vërtet, ai është i shfrenuar dhe mendjemadh."
Në kuadër të paraqitjes së dobësive të njerëzve pabesimtarë, të cilët kërkonin shpejtimin e ndëshkimit, në vijim flitet edhe për vetitë e këtyre njerëzve të cilët me të vërtetë janë të çuditshëm, prandaj ata nuk mund të stabilizohen në jetë përveçse me besim-iman.
Në këtë kontekst paraqitet gjendja reale e këtij njeriu të ngutshëm dhe mendjelehtë, i cili jeton dhe asnjëherë nuk ndalet e të kujtojë të kaluarën e tij apo të mendojë për të ardhmen. Paraqiten cilësitë jo të mira dhe dobësitë e tij, ngase ai bëhet mohues, përbuzës dhe shpresëhumbur, kur i dalin nga dora shumë begati që ia kishte dhuruar më herët Furnizuesi Fuqiplotë. E nëse i jepen dhunti, ai bëhet i shfrenuar, e tepron me gëzim dhe bëhet mendjemadh. Nëse Allahu xh.sh. i jep nga mëshira e Tij begati të manifestuara në shëndet, prosperitet, siguri dhe furnizim, e më pastaj ia heq nga dora këto dhunti në bazë të zbatimit të ligjeve hyjnore që funksionojnë vazhdimisht, dhe i ndodhin sëmundje, sprova të ndryshme, vdekje dhe humbje të pasurisë, i tashti ai bëhet shumë i dëshpëruar dhe përbuzës ndaj mëshirës hyjnore, duke humbur shpresën gjithashtu për kthimin e dhuntive dhe begative hyjnore tek ai. Ai nuk është i durueshëm dhe mirënjohës, pavarësisht nga dhuntitë e Krijuesit ndaj tij, të cilat nuk mund të numërohen assesi, një fakt i vërtetuar në Kuran, ku Allahu i Madhërishëm thotë: "edhe në qoftë se përpiqeni t'i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t'i përkufizoni (në numër).”(13)
Allahu xh.sh., ashtu si edhe në ajetin paraprak, betohet në Veten e Tij, se nëse atij njeriu i japim begati pas të këqijave që e patën goditur, ai gjithsesi do të manifestojë shfrenim dhe mendjemadhësi, duke thënë se iu hoqën të këqijat dhe nuk do të kthehen më tek ai. Kjo ndodh dhe realisht, sepse me të vërtetë njeriu e tepron me gëzime, bëhet i shfrenuar dhe mohues, dhe nuk bëhet mirënjohës dhe falënderues ndaj begative hyjnore.
Në gjuhën e Kuranit shprehja e përdorur "i dëshpëruar apo shpresëhumbur" është përdorur në formën më të lartë që tregon pikën më të lartë të dëshpërimit dhe humbjes së shpresës(14) nga njeriu, kur t' i merren begatitë dhe të ndodhë përballja e tij me sprova.
Besimtari asnjëherë nuk duhet të humbë shpresën në Krijuesin e tij, ngase Ai thotë: "E mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, sepse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun".(15)
Shpresën e humb dhe dëshpërohet vetëm ai që nuk beson në Krijuesin Fuqiplotë dhe që nuk ka ku të mbështetet, sa kohë që Allahu xh.sh. është Ai ku gjejmë mbështetje të fuqishme dhe të qëndrueshme, prandaj besimtari, nëse humb diçka nga ndonjë sprovim, thotë: "Allahu do të ma kompensojë me më të mira se kjo". Ndërsa ai që nuk beson në Allahun Krijues, thotë: "Kjo befasi le të mos përsëritet më".
Njeriu të cilit dikush i vjedh një dinar - lek, pikëllohet, mirëpo nëse në shtëpi i ka edhe dhjetë dinarë - lekë të tjerë, atëherë ai pikëllohet shumë më pak për dinarin - lekun e humbur. Njeriu besimtar nuk humb shpresën përveçse kur nuk ka bindje të fortë në burimin që mund t'i sjellë çfarë dëshiron ai, prandaj nëse e ka këtë besim të qëndrueshëm, atëherë asnjëherë nuk e humb shpresën. Nëse ka begati, besimtari është mirënjohës ndaj tyre, e nëse i largohen ato, ai e di se Allahu xh.sh. ia ka larguar për ndonjë urtësi. Transmetohet nga Suhejb Errumi se Pejgamberi a.s. kishte thënë: "Është e çuditshme çështja e besimtarit, ngase e tëra është në të mirën e tij, dhe kjo nuk ndodh përveçse tek besimtari, - nëse i dhurohen begati, ai bëhet mirënjohës, dhe kjo është në të mirën e tij, dhe nëse e godet ndonjë vështirësi, ai bëhet i durueshëm, prandaj edhe kjo është në të mirën e tij."(16)
Shprehjen: "E nëse pas të keqes që e pati goditur atë, Ne i dhurojmë të mira, ai do të thotë: "Kaluan të këqijat prej meje!", - po të ishte autori i kësaj besimtar, do të thoshte: "Allahu hoqi nga unë të këqijat", mirëpo autori i kësaj shprehjeje është pabesimtar dhe për këtë arsye kalon në shfrenim dhe mendjemadhësi të tepruar, prandaj Allahu xh.sh. në vijim e cilëson me të tilla fjalë: "Vërtet, ai është i shfrenuar dhe mendjemadh".
Besimtari tërë suksesin e tij ia dedikon dhe kthen dhuruesit të suksesit, Krijuesit të dhuntive dhe begative të tij. Shembull për këtë kemi ajetin kuranor ku përshkruhet fjala e shoqëruesit(17) të Musait a.s., i cili veprimet e tij të suksesshme ia lë Allahut xh.sh., prandaj, duke shprehur veçoritë e modestisë së tij, thotë: "Dhe unë nuk e punova tërë atë sipas bindjes sime (po sipas udhëzimit të Zotit)".(18)
Ndërsa ata që janë mendjemëdhenj dhe të shfrenuar e nuk përfillin ligjin e Allahut xh.sh., të tillët në Kuran përshkruhen kështu: "Ai (Karuni) tha: "Më është dhënë vetëm në saje të dijes sime",(19) që ka për synim pasurinë e tij me të cilën e kishte furnizuar Krijuesi, dhe pretendonte se pasurinë e kishte fituar vetëm në bazë të diturisë së tij, prandaj përbuzi dhe mohoi begatitë e Allahut, dhe meritoi ndëshkimin hyjnor. Lidhur me këtë Allahu xh.sh. thotë: "Po Ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë dhe, veç Allahut nuk pati ndonjë që ta mbrojë, as vetë nuk pati mundësi të mbrohet."(20)
Mbështetur në këtë, themi me bindje se, nëse besimtari do që t'i ketë begatitë e dhuruara nga Krijuesi Furnizues, duhet të jetë mirënjohës dhe falënderues për to e të thotë: "Me emrin e Allahut, çfarë dëshiron Allahu". Kështu të kujtojë se begatitë nuk janë rezultat personal i tij, por janë të dhuruara nga Krijuesi, e nëse E harron Atë, atëherë edhe begatitë dalin nga dora e tij. Në anën tjetër, vërejmë se Allahu xh.sh. nuk na e ka ndaluar të gëzohemi për dhuntitë e Tij, madje ka kërkuar një gjë tillë nga ne, për se thotë: "Thuaj: "Vetëm mirësisë së Allahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen ... "(21), por Allahu kërkon që ky gëzim të mos shoqërohet me shfrenim dhe mendjemadhësi.(22)
Përveç besimtarëve durimtarë dhe vepërmirë
"Përveç atyre, të cilët kishin durim dhe bënin vepra të mira, të tillët kanë falje (të gabimeve) dhe shpërblim të madh".
I Madhërishmi Allah këtë ajet e ka filluar duke përjashtuar nga gjykimi vlerësues i mësipërm vetëm besimtarët, ngase në dy ajetet paraprake Allahu xh.sh. i cilësoi njerëzit përbuzës dhe mendjemëdhenj për shkak të mosmirënjohjes dhe mosfalënderimit nga ana e tyre, meqë, po të mos u bëhej ky përjashtim, atëherë në këtë kuadër do të hynin të gjithë njerëzit. Mirëpo Allahu Mëshirëplotë deshi të veçonte nga njerëzit e tillë besimtarët durimtarë dhe vepërmirë, të cilët do të mëshirohen dhe shpërblehen për devotshmërinë e tyre. Nga kjo kuptojmë se njerëzit kanë vese materialiste duke qenë humbës të shpresës në mëshirën e Allahut, mohues dhe përbuzës të begative hyjnore, shfrenues dhe mendjemëdhenj, prandaj këto sëmundje të rrezikshme i shëron vetëm durimi dhe morali i ndërtuar mbi besimin-imanin dhe veprat e mira në përgjithësi.
Besimi i sinqertë që manifestohet me vepra të mira, është ai që në raste ballafaqimi me sprova, ruan dhe mbron besimtarin nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës, si dhe nga shfrenimi e mendjemadhësia në raste posedimi të begative. Besimi në Zotin Fuqiplotë është ai që bën baraspeshën ndërmjet këtyre dy situatave dhe në të dy rastet njeriun besimtar e lidh me Krijuesin e tij. Me të vërtetë njeriu në përgjithësi, për shkak të mosbesimit tij, është përbuzës dhe mendjemadh, mirëpo nga të tillët bëjnë përjashtim besimtarët që i ka veçuar Allahu xh.sh., një fakt i vërtetuar edhe në shumë ajete të tjera në Kuran, si: "Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan dhe bënë vepra të mira .... "(23)
Me të vërtetë, nëse njeriu nuk zbaton ligjin hyjnor, ai pëson humbje, meqë zbatimi i këtij ligji pozicionon pasionet dhe ndjenjat e tij në përputhje me këtë ligj të zgjedhur nga Krijuesi.
Ajeti, "Përveç atyre, të cilët kishin durim ... " sikur do të thotë: përveç atyre që kanë durim dhe janë falënderues, apo siç e komenton Zemahsheriu (komentues i Kuranit), me fjalët: "përveç atyre që kanë besuar", ngase kur kanë begati, ata falënderojnë, e kur nuk kanë, bëjnë durim, prandaj është e qëlluar ndërlidhja me besimin-imanin, ngase gjysma e tij është durim dhe gjysma tjetër falënderim me vepra të mira.(24)
Kur jemi te durimi, duhet theksuar se durimi ndryshon nga një gjendje në një gjendje tjetër, varësisht nga lloji i sprovës, si: sëmundje apo në raste të ndonjë armiqësie dhe sulmi nga dikush, sepse me rastin e padrejtësisë që i bëhet, manifestohet dëshira për hakmarrje, dhe kështu e kuptojmë se me ekzistimin e dëshirës për hakmarrje për shkak të padrejtësisë së bërë, gjendja e durimit ndryshon nga gjendja e durimit me rastin e ndonjë sëmundjeje apo ndonjë të vdekjeje të natyrshme. Për këtë arsye Allahu xh.sh. durimin e ka paraqitur në varësi nga këto gjendje, si: rasti i Llukmanit kur i drejtohet të birit me fjalët: "Përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet këto janë nga çështjet më të preferuara",(25) d.m.th në këtë rast nuk ekziston shkaku i durimit nga ndonjë armiqësi apo sulm, ndërsa në një ajet tjetër thuhet: "Kush bën durim dhe fal, s'ka dyshim se ai është virtyti më i lartë (i lavdishëm)".(26) Këtu kërkohet durim më i madh, sepse ka armiqësi dhe sulm, prandaj Allahu xh.sh. kërkon nga besimtari që të falë, meqë, kur besimtari është sulmuar, i vjedhur apo i është bërë padrejtësi, - kjo kërkon prej tij durim më të madh sesa në rastin e parë.
Mirëpo, në raste padrejtësish nga njerëzit, Zoti xh. sh. paraqet tri faza alternative, që ka besimtari para vetes: E para është kur Allahu xh.sh. i ka lejuar besimtarit të hakmerret ndaj atij që i ka bërë padrejtësinë, dhe kjo në raste se hidhërimi dhe urrejtja kanë arritur kulmin dhe e pengon besimtarin në kryerjen e adhurimeve, prandaj Allahu xh.sh. gjykon me drejtësi dhe thotë: "Pra, kush ju sulmon ju, kthejani sulmin edhe ju po në atë masë.”(27) Mirëpo ka besimtarë që e përmbajnë mllefin në vete, për këtë arsye Allahu xh.sh. thotë: "dhe që e frenojnë mllefin",(28) dhe frenimi i mllefit është nga cilësitë e besimtarit të sinqertë, ndërsa falja është shkalla më e lartë dhe largon në tërësi mllefin, prandaj në Kuran thuhet: "që u falin (të keqen) njerëzve".(29)
Kthimi i së keqes nuk mund të realizohet njësoj në tërësi, si: ai që të godet me një shuplakë, nëse ia kthen, si mundesh t'i shkaktosh të njëjtën dhimbje?! Shkaku i kthimit të armiqësisë është hidhërimi, e ai, përderisa s'mund të kthehet në shkallë të njëjtë, atëherë s'mund të arrihet drejtësia e kërkuar, për këtë arsye Krijuesi Fuqiplotë ka shpjeguar se durimi është zgjidhja më e mirë, mbështetur në fjalën kuranore: "e nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë".(30) Nëse frenoj më mllefin dhe i falim besimtarët, arrijmë dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut, ngase Ai në vijim të ajetit paraprak thotë: "Allahu i do bamirësit". Nëse dikush nga myslimanët të bën ndonjë të keqe, përpara vetes ke tri alternativa: ose t'ia kthesh me të njëjtën masë, ose ta frenosh mllefin, ose t'ia falësh dhe të bëhesh nga bamirësit, dhe nëse zgjedh faljen, e ke të falur ndonjë mëkat tëndin nga Krijuesi dhe, sa kohë që e di që Allahu xh.sh. ta fal ty atë mëkat, atëherë a nuk ndihesh i lumtur?! Prandaj, nëse dëshiron që Allahu xh.sh. të të falë ndonjë mëkat, përse nuk ia fal edhe ti gabimin dikujt tjetër? E Allahu thotë: "Po le t'ua falin (gabimin) dhe mos t'ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t'u falë ju”?!(31)
Dikush mund të thotë: Përse feja urdhëron që njerëzit të jenë bamirës ndaj atyre që bëjnë keq, duke u arsyetuar me mendimin se kjo bie ndesh me anën shpirtërore? Ne themi, sepse: Bamirësia ndaj tyre dhe falja nuk është obligim i domosdoshëm nga Allahu xh.sh., por shkallë e lartë devotshmëri e, ngase Ai ka lejuar të keqen ta kthejmë në masë të njëjtë, e më pastaj ka bërë thirrje për frenim të mllefit ose edhe për falje, dhe kjo paraqet devotshmërinë e lartë. Të tillët do të kenë falje gabimesh nga Allahu xh.sh., sepse bën durim ndaj sprovave
dhe të këqijave, dhe falën ata që u bënë keq, ndaj Allahu i Mëshirshëm jo vetëm që u fal mëkatet, por edhe i shpërblen me shpërblim të madh.
Porositë e ajeteve
- Nuk duhet mashtruar në afatizimin që u jep Allahu xh.sh. mëkatarëve, ngase dënimi u vjen atyre befas dhe nuk e kuptojnë.
- Njeriu pa besim-iman dhe pa vepra të mira, është shumë i dobët dhe gjendet në depresion shpirtëror.
- Ndalohen humbja e shpresës, përbuzja dhe dëshpërimi.
- Ndalohen shfrenimi dhe mendjemadhësia.
- Sqarohet ngritja e lartë shpirtërore e besimtarit në raste durimi dhe falënderimi ndaj Krijuesit, dhe sqarohet shpërblimi për të me falje dhe Xhenet.(32)
Fusnotat:
1. Hudë 7
2. Et-Tur 7-8
3. Hudë 7
4. Et-Tefsir El-Vadih, Muhamed Mahmud Hixhazi, vëll. i dytë, faqe 105. viti i bot. 1992, Egjipt.
5. Sejjid Kutub, Fi Dhilal El-Kuran, vëll. i katërtë, faqe 1859, viti i bot. 1996, Bejrut.
6. El-Ankebut 40
7. Tefsir Esh-Sharavi, Muhamed Muteveli EshSharavi, vëll. i dhjetë, faqe 6331, pa vit botimi, Kajro.
8. Po aty, faqe 6333
9. Sad 16
10. El-Enfal 32
11. El-Enfal 33
12. Tefsir Esh-Sharavi, 6336
13. Ibrahim 34
14. Tefsir Esh-Sharavi 6345
15. Jusuf 87
16. Transmeton Muslimi në sahihun e tij, faqe 2999. Version i ngjashëm i hadithit të transmetuar në të dy sahihat përmendet edhe në tefsirin e Ibni Kethirit, vëll. i dytë, faqe 449, viti i bot. 1991, Kajro.
17. Njeriut të dijshëm dhe të mirë- Hidrit, ngjarja e të cilit me Musain a.s. shpjegohet në suren El-Kehf
18. El-Kehf 82
19. El-Kasas 78
20. El-Kasas 81
21. Junus 58
22. Tefsir Esh-Sharavi, faqe 2354-2355
23. El-Asr, 1-3
24. Ruhul Meani fi Tefsir el- Kuran el -Adhim ve Sebu'l Methani, Imam Alusi, xhuzi i 12 nga Kurani, faqe 16, boton "Ihja turath el Arabi", Bejrut.
25. Lukman 17
26. Esh-Shura 43
27. El-Bekare 194
28. Ali-Imran 134
29. Ali-Imran 134
30. En-Nahl 126
31. En-Nur 22
32. Ebu Bekr El-Xhezairi, Ejseru Et-tefasir, faqe 526, bot. Mektebetu ulum vel hikem, Medinë.
Dituria Islame 223