Qëndrimi i së drejtës islame ndaj tatuazheve

 


Hyrje 


Sipas parimeve islame, njeriu është krijesa më e bukur dhe e krijuar në formën më të përsosur. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer.” (Et Tin, 4). Andaj, çdo revanshizëm në këtë aspekt është i pa pranueshëm dhe i dështuar thellësisht. Prandaj njeriu që ka mendjen e shëndosh duhet të jetë vigjilent nga pasojat negative që mund të vijnë në të gjitha aspektet e jetës, qoftë aspekti fetar, shëndetësor, shoqëror etj.. Myslimanit i kërkohet që të mos lëshohet në veprime dhe sjellje të pa kontrolluara dhe me pasoja të mëdha negative. Po ashtu, ne si myslimanë jemi të urdhëruar që ta çmojmë dhe ta ruajmë njeriun si në aspektin fizik ashtu edhe në atë shpirtëror. 


Gjeneza e fenomenit të tatuazheve 


Fenomeni i tatuazhit është i njohur që në kohërat e vjetra dhe ka prejardhje pagane. Tatuazhet janë përdorur qysh prej kohës së faraonëve dhe po ashtu janë përdorur edhe nga asirianët dhe kinezët qysh nga kohërat e hershme.
Një praktikë e këtillë ka qenë e përhapur edhe tek arabët në periudhën para-islame për qëllime zbukurimi, ose ka shërbyer për identifikimin e përkatësisë së klanit përkatës. 
Pa dyshim, në kohën bashkëkohore, kur shkenca ka arritur në shkallë të lartë, risitë shkencore mundësojnë që njeriu të fus në praktikë traditat dhe zakonet e paganizmit, duke u munduar që të ndërroj emërtimin, por që thelbi është i njëjtë. 
Rreth fenomenit të tatuazhit janë bërë shpjegime të hollësishme nga dijetarët myslimanë, qofshin ata klasikë apo bashkëkohorë. 
Në këtë punim do të përcaktohemi vetëm në aspektin fetar, çfarë thotë e drejta islame për fenomenin në fjalë, e sa i takon aspektit shëndetësor, nëse këto tatuazhe janë të dëmshme ose jo, nuk na takon neve të shprehim mendim për faktin se kjo është kompetencë e ekspertëve të mjekësisë, dhe janë ata që duhet të shfaqin opinionet e tyre profesionale për këtë dukuri. 
Kur shohim reagimet e Pejgamberit a.s. ndaj këtij fenomeni, do të kuptojmë qartë se ky fenomen është i ndaluar në mënyrë shumë të qartë dhe të prerë. Në bazë të asaj që transmeton Ibën Umeri r.a., Pejgamberi a.s ka thënë: “Allahu e ka mallkuar një zonjë të tillë që i zgjat flokët (e saj apo të dikujt tjetër) në mënyrë artificiale ose i zgjat, si dhe një zonjë që bën tatuazhe (veten apo dikë tjetër) ose e bën veten tatuazh.”(1) Mallkimi i shprehur në hadith përfshin të dy gjinitë, si femrat ashtu edhe meshkujt. 


Urtësitë e ndalesës së tatuazhit 


Sa u përket urtësive të ndalesës së tatuazhit ato mund të jenë të shumta, por thelbësore është se me tatuazh bëhet për pjekje për të ndryshuar krijimtarinë e Allahut të Madhërishëm, andaj një përpjekje e atillë është e ndaluar rreptësisht. Këtë e kuptojmë qartë nga fjala e Allahut: “Do t’i shmangë (nga e vërteta), do t’i bëjë të shpresojnë në gjëra të kota; do t’i urdhëroj dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t’i urdhëroj dhe ata do të shëmtojnë krijesat e Allahut. E kush e bën mik djallin, e jo Allahun, ai ka dështuar sheshazi.” (En Nisa, 119). Po ashtu mund të përmendim edhe këto urtësi të ndalesës së tatuazhit që i kanë përmendur disa nga juristët myslimanë: 
E para: tatuazhi është një lloj mashtrimi dhe ndryshim i asaj qe ka krijuar Allahut, 
E dyta: në vendosjen e tatuazhit ka dhimbje, ngase futet gjilpëra poshtë lëkurës dhe më këtë ka mundim të trupit, e që dihet se në aspektin fetar është e ndaluar rreptësisht dëmtimi i vetës apo tjetrit pa nevojë të domosdoshme.
E treta: tatuazhi është një veprim që e ngjason njeriun me njerëz mëkatar dhe injorantë. Dijetari i mirënjohur, Mulla Alij el Kariji ka thënë: “Është e ndaluar bërja e tatuazhit për shkak se konsiderohet si vepër e mëkatarëve dhe injorantëve dhe se më këtë bëhet ndryshim në atë që ka krijuar Zoti.”(2)
E katërta: tatuazhi shkakton papastërti në vendin ku bëhet, ngase përzihet me gjakun ngjyra e atillë. Imam Neveviu ka thënë: “Sipas nesh (shafiitëve) vendi ku është bërë tatuazhi është vend i ndyrë.”(3) 
Rreth qëndrimit islam për këtë dukuri, dijetarët kanë shprehur mendimet dhe qëndrimet e tyre. 
Në parim, të gjithë dijetarët janë të mendimit se të bërit tatuazh është vepër e ndaluar rreptësisht, duke u mbështetur në hadithin e Pejgamberit a.s., të cilin e përmendem më lartë, ku përmendej mallkimi për atë që bënë tatuazhe, si për të tjerët ashtu edhe për vetën. 


Tatuazhi ndahet në dy lloje: 


Tatuazhi që është i përhershëm, dhe Tatuazhi i përkohshëm.
Sa i përket llojit të parë të tatuazhit, që të gjithë dijetarët klasikë dhe bashkëkohorë janë të një mendimi se është vepër e ndaluar. Bile disa nga juristët myslimanë të medhhebit maliki dhe shafi, e konsiderojnë tatuazhin prej mëkateve të mëdha.(4) Po ashtu, disa nga dijetarët, fenomenin e të bërit tatuazh e ndajnë në dy situata: 
a. kur bëhet vetëm për dëshirë të personit, kjo është e ndaluar rreptësisht (haram), dhe 
b. kur ndodh që të bëhet tatuazh si formë e shërimit nga sëmundja, në këtë rast mendojnë se lejohet duke u bazuar në rregullën e sheriatit “nevoja e jashtëzakonshme e bënë të lejuar atë që është e ndaluar”. 
Ndërsa sa i përket tatuazhit të përkohshëm, që me këtë nënkuptohet të bërit tatuazh që mund të fshihet dhe eliminohet pa kurrfarë problemi dhe se nuk është i atillë që futet brenda nën lëkurë. Bile ky lloj i tatuazhit nuk duhet të emërtohet si tatuazh, por të konsiderohet një lloj vizatimi sikur që është rasti më kanën,(5) dijetarët për këtë lloj tatuazhi janë të mendimit se lejohet nëse i plotëson kushtet me sa vijon: 
Që vizatimi të jetë i përkohshëm dhe që eliminohet lehtë; 
Që të mos vizatohen pamje të gjallesave që kanë shpirt; 
Që këtë formë të zbukurimet të mos ia shpalosë femra askujt, pos burrit të saj; 
Që në vizatime të atilla të mos kihet ngjashmëri me mëkatarët dhe jo besimtarët; 
Që në këto vizatime të mos përdoren llojet e ngjyrave që mund të jenë të dëmshme për lëkurën dhe shëndetin; 
Që vizatimet të mos përmbajnë në vete përmbajtje që madhështojnë ritualet e ndonjë besimi tjetër apo ndonjë programi devijues; 
Vizatimi te femra duhet ta bëjë vetëm femra dhe se vizatimet e tilla të mos bëhen në pjesët e turpshme.
Po që se plotësohen këto kushte, ne nuk shohim ndonjë pengesë për këtë dhe se këtë lloj të tatuazhit, gjegjësisht vizatimit, e konsiderojmë të lejuar.(6)


Qendra për fetva elektronike Al Azhar ndaloi tatuazhet për burrat dhe gratë 


Fetvaja i përshkruan tatuazhet si “një nga mëkatet e mëdha”. 
Qendra, e cila është një nga organet fetva të lidhura me Al Azhar, përjashtoi vetëm dy raste nga kjo: kur tatuazhi është një trajtim për një sëmundje, ose kur vizatohet me materiale që hiqen lehtë, si këna. 
Fetvaja, e cila u publikua në një deklaratë në Facebook, thoshte: “Forma bashkëkohore e tatuazhit konsiston në futjen e ngjyrave në shtresat e brendshme të lëkurës, duke shpuar me një gjilpërë të lidhur me një pajisje të vogël që mban një tub, i cili përmban një ngjyrë dhe kur gjilpëra futet në pjesën e tatuazhuar, një pikë e vogël boje hyn në trup. Shtresat e brendshme të lëkurës përzihen me gjak dhe më pas efekti i këtij procesi mbetet për gjithë jetën, ose zgjat 6 muaj ose më shumë.” 
Deklarata shpjegoi se vendimi për tatuazhet në Islam është “ndalesë e prerë (haram)”. Po ashtu kjo deklaratë thotë: “Disa juristë i konsiderojnë tatuazhet si një prej mëkateve të mëdha” dhe theksoi se vendimi juridik islam “përfshin njësoj burrat dhe gratë”. 
Deklarata shtoi: “Tatuazhet transmetojnë sëmundje të transmetuara nga gjaku si virusi i hepatitit C dhe HIV AIDS, nëse makinat e përdorura janë të kontaminuara.” 
Arti i tatuazhit ka filluar të përhapet kohët e fundit në botën arabe, veçanërisht te të rinjtë, megjithëse shumë shoqëri, veçanërisht ato konservatore, e konsiderojnë atë të ndaluar, madje disa vende kanë nxjerrë ligje dhe legjislacion që e ndalojnë atë. 
Periudha e fundit ka dëshmuar hapjen e shkollave për mësimin e tatuazheve në disa vende arabe, pasi disa prej tyre kërkojnë një certifikatë akademike për të marrë leje për ushtrimin e profesionit. 
Shoqëritë arabe i kanë njohur tatuazhet që nga kohërat e lashta. Disa gra në zona të ndryshme të fshatrave arabe, disa fise dhe klane, si dhe komunitetet e shkretëtirës, përdornin tatuazhe në fytyrë për dekorim, për të treguar bukurinë dhe ndonjëherë për trajtim. 
Qytetërimet e lashta, si persët, asirianët dhe kinezët, përdorën tatuazhe për qëllime të shumta, duke përfshirë trajtimin, dekorimin, mbrojtjen nga shpirtrat e këqij dhe gjithashtu për të treguar guxim. 
Kohët e fundit u zbulua se njerëzit e parë që përdorën tatuazhet ishin faraonët, pasi tatuazhi më i vjetër piktural në botë u gjet në një palë mumie egjiptiane që janë pesë mijë vjeçare.
“Tatuazhi më i vjetër” në botë u zbulua në një mumie egjiptiane 5000-vjeçare.
A do të bëhen të pranueshme tatuazhet në trup në vendin e punës? 
Tatuazhet janë përdorur kohët e fundit si pjesë e trajtimit psikologjik për pacientët me kancer gjiri, pasi tatuazhet vizatohen te femrat dhe meshkujt të cilëve u është hequr gjoksi. 
Mund të mendohet se vendet ku tatuazhet janë të zakonshme do ta pranonin më shumë këtë art, por nuk është gjithmonë kështu. Hulumtimi i kryer nga Christine Broussard dhe Helen Harton për Universitetin e Iowa-s Veriore, tregoi se edhe në Shtetet e Bashkuara, tatuazhet që mbulojnë të gjithë krahun mund të lidhen me stigmën sociale.(7) 


Fetvaja për tatuazhin 


Nëse dikush pyet: A janë të ndaluara tatuazhet, apo a është mëkat i madh ai, si dhe a do të hyjë në Xhenet ai që ka tatuazh dhe cila vepër mundëson shlyerjen e këtij mëkati? 
Përgjigjja është: 
Tatuazhi është i ndaluar dhe është prej mëkateve të mëdha, sepse Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, e mallkoi atë që e bën atë, si në hadithin e Abdullah bin Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, i cili tha: “I Dërguari i Zotit, lavdia dhe paqja e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu e mallkoftë atë që bën tatuazh dhe atë që është bërë në të tatuazh.” Transmetohet nga Buhariu. 
Imam Dhehebiu – dhe të tjerët – tatuazhin e konsideruan si një mëkat të madh, si një mëkat që mbart një dënim në këtë botë ose një kërcënim në jetën e përtejme me mallkime ose ndëshkime e të ngjashme. 
Kushdo që e bënë tatuazhin, duhet të pendohet te Zoti i Madhëruar dhe kushdo që e bën këtë, duhet të nxitojë për ta hequr atë, përveç nëse i frikësohet dëmtimit serioz të trupit nga heqja e tij, në këtë rast mjafton pendimi i sinqertë. 
Sa i përket hyrjes në Xhenet, nëse ai që bën një mëkat të madh pendohet prej tij, Zoti ia pranon pendimin, e nëse vdes para se të pendohet, puna e tij i takon Zotit, nëse do, do ta dënojë, nëse do, do ta falë, por ai nuk do të mbetet përgjithmonë në Xhehenem nëse vdes, duke mos i bërë shok Zotit nëse është monoteist. 
Zoti e di më së miri!(8) 


Tatuazhi është ndyrësirë, por a e pengon kryerjen e namazit? 


Pasi tatuazhi konsiderohet si ndyrësirë (nexhaset), atëherë lind pyetja se çfarë duhet të veprojë personi që e ka bërë tatuazhin në rastin e faljes së namazit? Juristët myslimanë ndajnë mendimet e tyre rreth kësaj çështje. 
Të gjithë fukahatë janë të mendimit se tatuazhi që është përzier me gjakun është ndyrësirë, ndërsa për atë se a duhet eliminuar tatuazhin, shumica e fukahave janë të mendimit se nuk është e domosdoshme heqja e tatuazhit nëse shkakton dëme dhe sjell mundime. 
Hanefitë janë të mendimit se duhet larë vendi i tatuazhit dhe se nuk kërkohet të eliminohet për shkak se shkakton mundim dhe dëmtim të trupit, por që pas pastrimit të vendit të tatuazhit, namazi është i vlefshëm.(9) 
Malikitë janë të mendimi se nuk është obligim largimi i tatuazhit, por konsiderohet si ndyrësirë që lirohet personi nga ajo, dhe namazi me te është i vlefshëm. Shafiitë janë të mendimi se tatuazhi është ndyrësirë që duhet doemos të eliminohet nëse nuk shkakton dëme në trup, e nëse ekziston frika e dëmtimit, atëherë duhet penduar për këtë veprim dhe se namazi është i vlefshëm. 
Ndërsa hanbelitë janë të mendimit se nuk kërkohet të largohet tatuazhi, ngase në këtë mënyrë ruhet dëmtimi i gjymtyrëve të trupit.(10)


Marrja e shpërblimit për bërjen e tatuazhit 


Të gjithë juristët myslimanë janë të mendimit se marrja e shpërblimit për bërjen e tatuazhit të përhershëm është haram dhe konsiderohet mëkat. Këta mendimin e tyre e mbështesin në hadithin e Pejgamberit a.s. ku thotë: “E ka ndaluar që dikush t’i bëjë tatuazh dikujt dhe që të bëjë tatuazh në vetën e tij.”(11) 


Përmbyllje 


Të gjithë juristët myslimanë, si klasikët po ashtu edhe ata bashkëkohorë janë të një mendimi se tatuazhet e përhershme janë të ndaluara dhe se konsiderohen si mëkat i rëndë. 
Ndërsa sa u përket vizatimeve të përkohshme, që mund largohen shpejt dhe pa pasoja, lejohen duke i plotësuar kushtet e përmendura më lartë. Ky lejim për këto lloje të vizatimeve të përkohshme bazohet në analogjinë e bërë në zbukurimet me kanë. 
Po qe se është e mundur të largohet tatuazhi nga trupi, por duke mos shkaktuar pasoja në trup apo brenda në organizëm, duhet të eliminohet i njëjti, njëkohësisht personi duhet edhe të kërkoj falje tek Allahu i Lartësuar duke u penduar për gabimin e bërë. 
Pasi që Allahu i Madhërishëm në Kuran sinjalizon se krijimi i njeriut është në formën më të bukur dhe më të përsosur, atëherë myslimani duhet të jetë vigjilent nga pasojat negative në aspektin fetar, po ashtu edhe në atë shëndetësor, duke u ruajtur kultivimi i traditave dhe veseve për të cilat feja slame me kohë është distancuar. 
Myslimanit i mbetet të jetë i kujdesshëm duke mos i lejuar vetës që në asnjë mënyrë të lëshohet në veprime të pakontrolluara dhe të dëmshme. 


_____________________ 
1 Buhariu, Kitabul-Libas hadithi nr. 5937. 
2 Mulla Alij el- Kariji, Mirkatul Mefatih, boton Darul Fikr, pa vit botimi, vëll. V, fq. 1895. 
3 En Neveviju, El Minhaxh Sherhu Sahihi Muslim, boton Daru Ihjai Turathil Arebij, vëll. XIV, fq. 106. 
4 Grup autorësh, El Meusuat El Fikhijetu El Kuvejtijetu, boton Ministria e Vakëfit të Kuvajtit, viti 2007, fq. 158-159. 
5 Këna ose kana (Arabisht: ءانح ) është një ngjyrë e përgatitur nga bima Lawsonia inermis. 
6 https://islamqa.info/ar/answers/99629 
7 https://www.bbc.com/arabic/art-and-culture-58213924 
8 https://www.islamweb.net/ar/fatwa/26402 
9 Ibën Abidin, Ed Durrul Muhtar ve Haxhijet Ibën Abidin, boton Alemul Kutub, 2007, fq. 424 
10 Mahmud es Subkij, Ed Dinul Halisu Eu Irshadul Halki Ila Dinil Hakki, boton El Mektebetul Mahmudijetu es Subkijetu, 2006, fq. 231. 
11 Buhariu, Kitabul Buju, hadithi nr. 2086.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi