Asnjë gjuhë tjetër nuk mund ta ruajë pastërtinë, poezinë dhe rimën e Kuranit përveç gjuhës së pastër letrare arabe
"Kurani famëlartë transformoi krejtësisht jetën shoqërore, ndriçoi horizontet dhe i mbushi ato me lumturi e vërtetësi; ai shkaktoi një revolucion të madh në shpirtrat dhe zemrat e njerëzve, në mendjet e ty re, në personalitetin e tyre, në jetën sociale e politike. Këtë revolucion arriti ta shkaktonte dhe përjetësonte në një mënyrë të tillë, saqë për katërmbëdhjetë shekuj, në çdo moment, gjashtë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë versetet (ajetet) e tij të lexohen me respekt dhe nderim, nga gjuhët e më shumë se njëqind milionë njerëzve. Duke i edukuar ata, dhe njëkohësisht duke ua pastruar shpirtrat dhe zemrat e tyre. Për sa u përket shpirtrave, për ta Kurani gjithmonë ka qenë mjet i zhvillimit dhe përparimit të tyre; për mendjet ka qenë një orientim e dritë; për jetën, vetë jeta dhe lumturia. Një libër i tillë është i pakrahasueshëm dhe i pashoq, është një çudi, një mahnitje e një mrekulli." (Said Nursi).
Kurani mbi librat e tjerë hyjnorë
Kurani famëlartë është libri i shenjtë i fundit i myslimanëve, i zbritur nga ana e Allahut xh.sh. Pejgamberit më të madh dhe të fundit, Muhamedit as..
Kurani famëlartë posedon shumë veçori, të cilat e dallojnë dhe e ngrenë mbi librat e tjerë hyjnorë.
Disa nga pikënisjet e këtyre veçorive, janë këto
a) Kurani famëlartë ka ardhur deri tek ne ashtu sikur i ka zbritur Pejgamberit a.s., në frymën origjinale pa pësuar asnjë ndryshim. Origjinaliteti dhe përsosmëria e tij do të vazhdojnë të ruhen deri Ditën e Kiametit.
Asnjëri nga librat e shenjtë të mëparshëm nuk e ka ruajtur formën origjinale të zbritur nga Allahu xh.sh.; disa nga këta libra kanë humbur në tërësi, ndërsa disa të tjerë janë deformuar me ndërrime të shumta.
Se Kurani famëlartë do të ruhet i paprekur përsosmërisht deri Ditën e Kiametit, Allahu i Madhëruar na ka siguruar me këtë ajet:
"Ne ta zbritëm ty Kur'anin (o Muhamed) dhe Ne do ta ruajmë atë." Prandaj është e vërtetë se Allahu e ruajti Kuranin deri më sot nga ndryshimet, dhe gjithashtu do ta ruajë deri në Ditën e Kiametit.
b) Kurani i shenjtë nuk zbriti përnjëherë, por në përshtatmëni me kohën dhe ngjarjet që e kërkonin, zbritën ajetet në mënyrë graduale, një pas një, madje herë pas herë edhe një sure e tërë. Zbritja graduale e Kuranit ka mundësuar lehtësime për mësimin për mendsh të Kuranit dhe të kuptuarit e tij.
c) Kurani-Kerimi është libri i fundit hyjnor; pas këtij libri nuk do të vijë më libër tjetër hyjnor. Dispozitat e Kuranit do të vazhdojnë dhe nuk do të ndryshohen deri Ditën e Kiametit, ndërsa librat e mëparshëm ishin të dërguar për një periudhë të caktuar kohore dhe dispozitat e tyre vlenin vetëm për atë kohë, dhe jo deri në Ditën e Kiametit.
d) Kurani- Kerimi është libri i dërguar për mbarë njerëzimin. Ai është i mbushur me të vërteta dhe urtësi, që do t'i plotësojnë nevojat e secilit shekull.
Përkthimi i Kuranitnuk mund të na japë njohuri të plotë të ajeteve kuranore
Që ta kuptojmë drejt dhe mirë domethënien e fjalës kuranore, së pari nevojitet të lexojmë librat e kelamit, fikut dhe ahlakut.
Dihet shumë mirë se këta libra janë të përpiluar nga Kurani dhe Hadithi, ose më thjesht materiali i këtyre lëndëve është nxjerrë nga dy burimet kryesore bazë - Kurani dhe Hadithi. Përkthimi i Kuranit nuk mund të na japë njohuri të plotë të ajeteve kuranore, por ndonjëherë, ruana Zot, bëhet edhe shkaktar që lexuesi të hidhet në mendime, duke mos i ditur lëndët e lartpërmendura, nuk e di shkakun e zbritjeve dhe qëllimin e të shprehurit të tillë, kjo ndikon që ai të futet nëpër labirinte, saqë të dalë nga feja.
Prandaj mund të themi me plot besim, që Kurani famëlartë nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë të botës dhe çdo përkthim nuk është origjinali i tij, Këtë mund ta dimë edhe nga përvoja, se përveçse një komentim i Kuranit (tefsir). edhe një vjershë të vetme bile, nuk mund të arrijmë ta përkthejmë rrënjësisht. Ndërsa, për sa i përket Kuranit, na mbetet vetëm të themi se e kemi shpjeguar deri diku, sepse kuptimi i plotë i Kuranit nuk mund të nxirret nga përkthimet. Të kuptojmë domethënien e plotë të një ajeti, d.m.th. të arrijmë të kuptojmë se çfarë deshi të thoshte Allahu i Madhëruar në këtë ajet. Nëse ndokush e lexon një përkthim të një ajeti, ai nuk ka arritur të kuptojë dhe mësojë dëshirën e Allahut. Ai në këtë rast e ka kuptuar atë që është e përkthyer. Feja nuk mund të mësohet vetëm nga përkthimi i Kuranit. Nëse ia japim ndokujt përkthimin më të mirë të Kuranit, që ta mësojë fenë e tij, është më keq se t'ia ofrojmë dikujt një dërrasë në mes të oqeanit, sepse me atë dërrasë njeriu mund të dalë gjer në bregdet, nëse nuk ia del të dalë, vdes dhe, nëse është me iman, do të shkojë në Xhennet. Kurse ai që mundohet ta mësojë fenë nga përkthimi i Kuranit, mund ta humbë imanin. Ose, më thjesht, i sheh notuesit duke notuar në det dhe thotë se të notosh qenka lehtë, gjithkush mund të notojë, kjo pra i ngjet sikur të hedhim në oqean një të ri që nuk di të notojë, dhe ai, duke i parë të tjerët se kjo qenka e lehtë, hidhet drejt në ujë. Kështu është edhe të mbështeturit vetëm në kuptimin e përkthimit të Kuranit, sepse, duke menduar se ia del notit, ngulfatet në tërësi. Kjo është çështje serioze që të kërcënon me jobesim, sepse t'i japësh kahje të kundërt kuptimit të ajeve, bie në kufër, ndërsa kufri të shpie në Xhehennem.
Madje të mësuarit e fesë nuk arrihet as nga të lexuarit direkt të tefsirit dhe hadithit, sepse, të kuptosh Kuranin dhe Hadithin gabim, ose të kesh dyshim në to, të humbet imani. Hazreti Ebu Bekri, meqë e dinte mirë këtë urtësi, thoshte: "Po të komentoj Kuranin sipas mendimit tim, atëherë mua, cili vend (në tokë) më bart dhe cili qiell më strehon (më qëndro nsipër).
Të kuptosh librat burimor të tefsirit, nevojitet të arrish të kuptosh njëzet shkenca kryesore, ose më thjesht të mësosh një periudhë. Të lexosh hadith dhe tefsir, pa i ditur rrënjët e shkencave fetare, i përngjet sikur ai që është i sëmurë nga lukthi, për t'u forcuar, ha bakllava dhe brumëra. Sa kohë që ky i sëmurë, së pari duhet të mbajë dietë e më pastaj të konsumoj ushqime të rënda, për t'u forcuar. Prandaj, pa i mësuar lëndët kryesore, nuk mësohet feja drejt. Në qoftë se një njeri merr përsipër dhe menjëherë futet në leximin e përkthimit të Kur'anit, tefisirit dhe hadithit, këto s'do mend se i kupton gabim, prandaj humb edhe fenë edhe imanin. Edhe tefsiret burimore, të lexohen nga joprofesionistët, janë të dëmshëm.
Hadithi shpjegon Kuranin
Të kuptosh Kuranin, nevojitet të dish shpjegimet se si i ka bërë Resululluahu s.a.s. Ndërsa, qe të kuptosh Synetin, nevojitet të dish shpjegimet e ashabëve dhe të dijetarëve.
Në ditët e sotme shohim se ka shumë përkthime, bile disa prej tyre përmbajnë edhe mendime personale. Armiqtë e Islamit dhe novatoristët, mezi presin të shfrytëzojnë rastin dhe të prishin kuptimin e Kuranit, prandaj kjo, mund të themi lirisht, është një helm, sepse, kur i lexojnë të rinjtë dhe ata që nuk kanë dituri te thellë, në mendjet e tyre mund të ngjallen dyshime dhe kontradikta.
Komentimin e drejtë të Kuranit dhe dhënien e kuptimit të plotë i bëri vetëm ai të cilit i zbriti, pra Muhamedi a.s. në kohën e tij, ndërsa tek ne u përcoll me anë të haditheve. Këto hadithe i kanë kuptuar vetëm ashabët dhe imamët muxhtehidë, e myslimanët janë mbështetur sipas mësimit të këtyre dijetarëve. Prandaj është e pamundur të mësohet feja nga përkthimi i Kuranit dhe haditheve. Pra, secili mysliman, së pari duhet ta mësojë fenë e vet nga librat e (ilmihalit), të cilët janë përpiluar nga dijetar e Ehli-Synetit.
Me lexim të Kuranit, arrijmë kenaqësinë e Allahut
Disa nga të humburit, thonë: "Nuk ka vlerë leximi i Kuranit pa ia ditur kuptimin e tij, lexoni përkthimin në gjuhën amtare". Imam Gazaliu thotë se Imam Ahmedi, në një hadith kudsi, transmeton se Allahu i Madhëruar thotë: "Ai që lexon Kuran, qoftë duke e kuptuar at, qoftë duke mos e kuptuar, e arrin kënaqësinë Time".
Vlera e leximit të Kuranit famëlartë në gjuhën arabe, është e shumë e madhe.
Tani do të shpalosim disa nga këto vlera.
1. Kush e lexon Kuranin në gjuhën arabe, në këtë rast ai ka bërë ibadet, ky lexim e afron njeriun pranë Allahut; edhe nëse e lexon pa e kuptuar atë, ka fituar sevab. Ndërsa, në qoftë se e lexon dhe e kupton, në këtë rast ai ka fituar shpërblim mbi shpërblim. Allahu i Madhëruar thotë: "Ata që e lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe japin nga begatitë me të cilat Ne i kemi furnizuar, japin fshehurazi dhe haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk u humbet.
Që Ai (Allahu) do t'u plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t'u shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është mëkatfalës dhe shumë mirënjohës". Në ajetin e parë shihet se ata që e lexojnë Librin e Allahut, janë lavdëruar, madje ata që e lexojnë Kuranin, arrijnë një shpërblim të ibadetit sikurse kur e falin namazin, pra shkon deri në atë shkallë, sa që leximi i Kuranit arrin në shkallën sa të krahasohet me një ibadet të rëndësishëm, sikur është falja e namazit, duke u bazuar në atë që përmendet përpara.
Pejgamberi a.s. thotë: "Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, për atë ka një të mirë. Për një të mirë jepen dhjetë sevabe. Unë nuk po them se Elif Lam Mim është një shkronjë (harf), porse them se Elifi është një shkronjë, Lami një shkronjë dhe Mimi një shkronjë". Nga kjo shihet se, ai që lexon Kuran, ka fituar sevabin e ibadetit, dhe kjo është veçanti që e dallon Kuranin, dhe është dhuratë vetëm për ata që lexojnë vazhdimisht, sepse pasurojnë shpirtrat dhe pastrojnë zemrat e tyre.
2. Leximi i Kuranit në gjuhën arabe bëhet, në mënyrë që të ruhet Libri i Allahut nga përshkrimet dhe zëvendësimet, ashtu siç ngjau me librat e mëparshëm hyjnorë. Edhe për ata që nuk e kuptojnë domethënien e fjalëve të Allahut të Madhëruar, është premtuar shpërblim i madh, kjo është një nga mënyrat më të rekomandueshme për ruajtjen dhe ardhmërinë e origjinalitetit të Librit të shenjtë.
Prandaj shumica e njerëzve kanë shprehur dëshirë të madhe për mësimin e leximit të Kuranit, derisa një pjesë e tyre e kanë mësuar përmendsh Kuranin, duke u bërë hafëzë. Shumimi i lexuesve të Kuranit (kiraet), specialistëve të leximit të tij dhe njohësve të thukët të rregullave të tij (kurra), dhe i njerëzve që e kanë mësuar përmendsh (hafëzët), ka ndikuar duke dhënë rezultat që Kurani të përhapet në çdo anë, pra Libri i Allahut të jetë i pranishëm dhe të qarkullojë, të jetë i pranishëm në gjuhët e njerë-zve. Me një fjalë, kjo ka mundësuar që askush të mos marrë guximin për të ndërruar fjalët e tij, ngase njohësit ekspertë të tij (arif) i kërcënuan ash-për se do të jepnin llogari ata që tentuan një mënyrë të tillë. Por, dihet se gjatë historisë nuk u përjashtuan raste kur njerëz injorantë zgjatën gjuhët e tyre të dobëta në Librin e Allahut, dhe në këso rastesh, këta armiq të Islamit, morën përgjigjen dhe u mbyllën gojët e tyre, nga ekspertët e Kuranit dhe shkencave kuranore, nga dijetarët islamë (alimë), nga lexuesit e mirëfilltë të Kuranit (kurra) dhe nga njerëzit që patën nderin dhe e mësuan përmend sh këtë libër madhështor (hafëzët).
3. Krijimi i një gjuhe të vetme në mesin e myslimanëve, të forcuarit e ngeshmërisë fetare, të lehtësuarit e marrëveshjes dhe ndihmës në mes tyre për zbulimin e shkaqeve, shpie në arritjen e forcës së radhëve të tyre, shtimin e fuqisë dhe ngritjen e fjalëve të tyre. Kjo është një politikë e lartë hyjnore, dhe kjo politikë ka treguar sukses.
4. Lexuesve të përhershëm të Kuranit, atyre që e lexojnë dalëngadalë, pa u ngutur, sigurisht që ky lexim u hap rrugën për meditimin e të kuptuarit të tij dhe zgjeron edhe më tej gjokset e tyre në mundësinë e praktikimit të tij gjatë jetës së përditshme. Ai që e lexon Kuranin vetëm duke e lexuar, nesër mundohet dhe e lexon duke medituar kuptimin e tij, pastaj fillon të veprojë sipas urdhrave të drejtë të tij. Nga kjo mënyrë, lexuesi transformo-het prej një shkalle në një shkallë më të lartë.
Ikja nga paragjykimet e gabuara
A mund të parashtrojmë tash këtë pyetje: "A mund t'i mohojnë pikat që ra-dhitëm më parë, ose a mund t'u kundërvihen pikave të mëparshme ata që nuk e duan origjinalin e Kuranit ose e dëshirojnë në gjuhët e tyre, për shembull shqiptarët - në gjuhën shqipe, turqit - në gjuhën turke e boshnjakët - në gjuhën boshnjake? Kur e themi këtë, kemi parasysh faktin që ata janë myslimanë: "A do të mund të thoshin se ne nuk e besojnë se leximi i Kuranit në gjuhën arabe hyn në radhën e ibadeteve dhe nuk presin sevap nga kjo vepër?
Gjithashtu a mund të thonë: "Ne nuk kemi problem se njëshmëria e gjuhës kuranore do të mundësojë që Kurani ynë të ruhet në origjinal deri në Ditën e Kiametit, është larg nga përshkrimet dhe ndryshimet, dhe vazhdimisht e ruan unitetin e myslimanëve?"
Ata që janë myslimanë, nuk mund të kenë një qëndrim të tillë. Duke u bazuar në këtë, se nuk do të mund të thoshin një gjë të tillë, atëherë duhet të pajtohen dhe të jenë zotërues të Kuranit në gjuhën origjinale arabe, sepse të bërët ibadet i secilit popull në gjuhën amtare të tij, të lexuarit e Kuranit në gjuhë amtare, të kënduarit e kametit në gjuhë amtare, - nuk ka asnjë vlerë shkencore dhe fetare, prandaj duhet të ikin nga paragjykimet dhe iluzionet e tilla.
Nuk ka mundësi të refuzosh arshin (fronin) e Librit të shenjtë. Ky fron (Arsh) është origjinali në gjuhën arabe. Ndërsa ai që e zbriti dhe e shkroi Kuranin në atë fron (Arsh), është Allahu i Madhëruar? Sikur mbreti të lëshonte fronin e tij, ç'mbetet nga forca dhe krenaria mbretërore? Ja pra, këtë Kuran Allahu e ka bërë që fjalët e tij të jenë kurora, ia ka veshur atij kurorën e mrekullisë, ndërsa origjinalin e tij në gjuhën arabe, e ka bërë pasqyrë të kësaj mrekullie dhe krenarie.
"Ai është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t'i vishet e pavërteta në asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit".
Është e padiskutueshme se secili nga popujt është përkrahës i gjuhës, traditës, kulturës dhe vlerave të veta. Edhe ne e duam popullin tonë, atdheun dhe shtetin tonë, vlerat tona kombëtare dhe gjuhën tonë të pastër shqipe. Por, në të njëjtën kohë, ne e duam edhe pasurinë tonë më të shenjtë, Fenë tonë, Kuranin tonë dhe gjuhën arabe, në të cilën ka zbritur Kurani.
Kohë pas kohe hasim edhe shumë thënie dhe sjellje të shëmtuara, e se prej nga manifestohet burimi i tyre, nuk dihet, o nga nacionalizmi i tepërt, ose nga armiqësia fetare. P.sh. thëniet e shpeshta: "Përse Kurani zbriti në gjuhën arabe, përse erdhi Pejgamberi a.s. nga mesi i arabëve?" Kjo na kujton ajetin kuranor, ku Beni Israilët i drejtohen Musait a.s., duke i thënë: "O Musa, na e bëj edhe neve një Zot (statujë) si zotat që i kanë ata, sikur që i kanë ata (ai popull)", ndërsa Musa a.s. u tha: "Vërtet ju jeni popull që nuk dini (injorantë- xhahil). Vërtet, ai popull (që po adhuron idhuj), është i shkatërruar në atë (adhurim) dhe ajo që vepruan, është e asgjësuar (nuk sjell dobi)" . Nga kjo shihet se sa e gabueshme ishte kjo sjellje dhe kjo vetëdije e ulët e tyre.
Shtrohet pyetja: A kemi të drejtë ne, një qenie e varfër dhe e dobët, të akuzojmë Krijuesin dhe Zotëruesin e dy botëve, Allahun?
Secili mysliman duhet të përvetësojë gjuhën arabe aq sa ka mundësi
Sikur Allahu të mos ishte i lirë të vepronte atë që dëshiron, dhe të sundojë ashtu sikur dëshiron Ai, - nuk do të ishte Zot. Nëse Ai ka vepruar në këtë mënyrë, patjetër duhet ta dimë se këtu ka një urtësi, pra myslimanit i ka hije që të ulë kokën para kësaj dhe të pranojë Urdhrin dhe Dispozitën e Allahut.
Në Risalen e Imam Shafiiut hasim këto shprehje: "Ata që nuk u përkasin popujve arabë, është e nevojshme t'i përshtaten gjuhës arabe, sepse ajo është gjuha e të Dërguarit të mbarë njerëzimit, Muhamedit a.s., të Dërguarit të Allahut. Ata që e pranuan fenë e tij me plotë dashuri, duhet ta pranojnë edhe gjuhën e tij.
Secili mysliman duhet të përvetësojë gjuhën arabe aq sa ka mundësi, deri në atë masë, sa të ketë mundësi të dëshmojë dhe ta shprehë fjalën e dëshmisë (Shehadetin), se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, ta lexoj Librin e Allahut, Kuranin, ta përmendë Allahun (dhikër) me tekbire (lartësim) dhe tesbihe (lartësim-pastrim)".
Nga kjo kuptojmë se secili besimtar është i obliguar që lutjet e namazit, leximin e Kuranit dhe dhikrin ta mësojë në gjuhën arabe, ngase vetëm kështu arrihet grada e sevabit dhe shenjtëria e ibadetit. Sepse, po të vazhdonte secili popull të pyeste: "Pse Allahu i Madhëruar nuk e dërgoi Pejgamberin nga mesi ynë? Pse nuk e zbriti Kuranin në gjuhën tonë amtare?, - atëherë këto pyetje nuk do të kishin të ndalur njëra pas tjetrës. Prandaj neve na bie të themi se Allahu, çfarëdo që vepron, vepron drejt. Ta përvetësojmë fenë dhe ta përvetësojmë deri diku gjuhën e Pejgamberit të Tij të fundit, ta kuptojmë atë dhe të jetojmë sipas urdhrave dhe porosive të Tij. Pra, e tëra që na takon neve, është vetëm kaq.
Atyre që u munduan ta përkthejnë Kuranin në gjuhën tonë amtare, duke filluar që nga hoxhallarët e vjetër, të cilët i mësuan nxënësit e tyre, e deri tek ata që hodhën me penat e tyre në fletë - kuptimin e Fjalës së Allahut xh.sh., - do t'u jemi gjithmonë mirënjohës duke e lutur Allahun që sa më lart të shpërblejë veprën e tyre madhore. Ata u bënë shkak që Kurani të jetë i kuptuar edhe në gjuhën shqipe. Pika tek e cila arritën hulumtimet e shumta shkencore dëshmon: "Kurani nuk bëhet ndryshe përveçse gjuhën arabe. Kurani i përkthyer në ndonjë gjuhë tjetër nuk zihet Kuran po tefsir, komentim i Kuranit. Prandaj origjinali i tij i pandryshuar deri në Ditën e Kiametit, eshtë në gjuhën arabe. Dijetari famshëm Said Nursi thotë: "Asnjë gjuhë tjetër nuk mund ta ruajë pastërtinë, poezinë dhe rimën e Kuranit përveç gjuhës së pastër letrare arabe".
Mësimi i leximit dhe mësimi përmendsh (hifzi) në traditën shqiptare
Për sa i përket mësimit të leximit të Kuranit në traditën shqiptare, qysh me ardhjen e osmanlinjve dhe kontakteve të popullit shqiptar me këtë popull, janë marrë rregullat e tyre, bile në shumë vise në Maqedoni, në Serbi. Jugore dhe pjesërisht në Kosovë, rregullat kryekëput thuhen nga kjo gjuhë. Nga vitet 1950 në trojet shqiptare përdorej libri abetare, e cila në popull njihej me emrin supare, të cilën e kishte shkruar autort Ali Hajdar.
Kjo metodë nuk ishte e lehtë për përvetësim, por linte gjurme shumë të thella në mendjet e njerëzve, saqë ata që e mësonin, nuk do ta harronin më kurrë, edhe pse shumica e tyre e mbyllnin pas një kohe. Në vitet 1900 ishte traditë që secili prind të dërgonte fëmijën e tij në xhami për të mësuar Kuranin dhe rregullat baze të akaidit, fikhut dhe ahlakut. Këto rregulla mësoheshin në një libërth të vogël, i cili quhej Shiriti Salat. Ishte libër që rrallëkush nga gjeneratat e vitit 1900 të mos e dinte. Ky mësim dhe interesim shfaqej, sepse interesi i prindërve ishte i madh. Madje shumica e tyre vazhdonin të mësonin hifzin. Mësimi përmendsh i Kuranit zakonisht zgjaste 2 vjet, e në fund, demonstrohej nxënia përmendsh pranë kolegjiumit të përbërë nga shumë hoxhallarë eminentë, të cilët e dëgjonin me vëmendje zotërimin përmendsh të Kuranit. Shumë, shumë rrallë tolerohej ndonjë gabim, dhe, kur vinte dita e provimit, mësimi kishte arritur pikën kulmore.
Mënyra e mësimit të hifzit ishte metoda turke, për vite të tëra kishte treguar sukses në këto troje
Kjo metodë aplikohej duke e mësuar çdo të njëzetën faqe (nga fillimi i xhuzit), pastaj prapë riktheheshin dhe mësonin faqen që pasonte, dhe përsërisnin faqen e mësuar më parë, kështu që nuk harronin atë që kishin mësuar, por as nuk lodheshin shumë në përvetësimin e Kuranit. Në të kaluarën kishte pak familje në mesin e të cilave nuk gjendej ndonjë njeri që e dinte Kuranin përmendsh. Me kalimin e kohës, kjo traditë mjerisht u rrallua, këtu ndikuan edhe shkaqet sidomos në periudha komuniste, e cila la vragë të pashlyera në zbehjen e traditës islame. Lusim Allahun që kjo traditë e mësimit të leximit të Kuranit dhe e mësimit përmendsh (hifzit) të rikthehet në mesin tonë, ku të mbjellë patjetër frytet e saj, të cilat, insha-Allah, do t'i korrim në të ardhmen, apo do t' i korrin gjeneratat tona të ardhme, ashtu sikur që u pasuruam ne nga frytet që na lanë trashëgim gjyshërit tanë . Nuk na mbetet tjetër përveçse t'I lutemi Allahut të na zgjerojë njohuritë tona në mësimin e leximit të Kuranit dhe motoja jonë të jetë: "O Zot, ma bëj Kuranin behar të shpirtit dhe nur të zemrës sime, m'i largo dhimbjet dhe ma mënjano deshpërimin me anën e Tij."
Dituria Islame 226