Rreth akuzës mbi metodologjinë e haditheve në vlerësimin e përgjithshëm të ashabëve (1)

 


Akuzat kundër hadithologëve dhe metodologjisë së tyre rrjedhin nga orientalistët me pikëpamje antiislame dhe nga disa njerëz të veshur me petkun islam, që në fakt ishin lojalë të orientalistëve dhe kundërshtarë të Synetit të Pejgamberit a. s..Ata u munduan t’i irritonin dhe skandalizonin shumë pikëpamje të hadithologëve në metodologjinë e tyre. Kundërshtarët e Synetit demagogjinë dhe intrigat e tyre i shprehën në këto forma: 
(a) “Për sa u përket ashabëve, për ta nuk mendojmë ndryshe përveçse ashtu siç kanë menduar ata për vetveten e tyre. ata vetveten e tyre e mendonin si njerëz të ngjashëm me të tjerët, që bëjnë gabime dhe mëkate. Ata akuzonin njëri-tjetrin me akuza të rrezikshme. Disa prej tyre tjetrin e akuzonin për mosbesim (kufër) dhe mëkate të mëdha. Është bërë e ditur se Ammar bin Jasiri Othmanin r. a. e ka akuzuar për mosbesim dhe gjakun e tij e ka konsideruar si të lejuar. Po ashtu ibn Mes’udi, kur ishte në Kufë, gjakun e Othmanit r. a. e ka konsideruar të lejuar. ”(1) 
(b)“Është shumë e qartë se ashabët në kohën kur jetonin, kritikonin njëri-tjetrin, dhe disa prej tyre, për nga pozita dhe autoriteti disa të tjerë i konsideronin më të ulët se të tjerët. Por, megjithatë , ajo që na brengos, është të vepruarit e shumicës së kritikëve (ekspertëve) të hadithit, e në veçanti dijetarët kritikë të mëvonshëm, të cilët në përgjithësi ashabët i vlerësonin me kriter të lartë fetarë pa akuzuar asnjërin prej tyre për gënjeshtër e shpifje të haditheve, ndërsa të tjerët që kishin ardhur pas ashabëve, i akuzuan ashpër. ”(2) 
(c)“Dijetarët kanë vënë si detyrë të domosdoshme hulumtimin e transmetuesve të hadithit, mirëpo ata kanë qenë të kufizuar dhe nuk kanë ndërhyrë në gjendjen e ashabëve, duke i konsideruar të gjithë ata të drejtë e të paprekshëm dhe kanë ndaluar kritikën dhe çdo akuzë ndaj tyre. Prej thënieve të tyre është edhe kjo: ”Dosja e tyre është mbyllur herët”. Ajo që është për t’u çuditur, është qëndrimi i tyre në këtë mënyrë, në kohën kur ashabët edhe vetë kritikonin njëri-tjetrin dhe hidhnin në mosbesim.(3) Ky i fundit nuk u mjaftua vetëm me këtë, por shkoi edhe më larg duke u shprehur në qëndrimin e ehlu suneh: “Në mesin e ashabëve ka pasur të atillë që Pejgamberin a. s. e kanë mashtruar në çështjen e zeqatit. Disa prej tyre e kanë ofenduar e disa prej tyre e kanë ndërtuar mesxhidu darin. Disa prej tyre kanë nxjerrë arsyetim dhe nuk kanë marrë pjesë në betejën e Tebukut. Numri i tyre ka qenë më tepër se tetëdhjetë. Pastaj ata janë penduar dhe Pejgamberi a. s. pranoi haptazi pendimin e tyre. Për ta zbriti ajeti kuranor (Et-tevbe: 95). Për këtë në Kuran është një kaptinë që quhet kaptina e munafikëve. ”(4) Ata thanë kush dëshiron t’i dijë emrat e munafikëve (hipokritëve) të fiseve Hazrexh dhe Evs, le të kthehet në vëllimin e parë të librit “Ensabul Eshraf”, dhe aty do të gjejë dhjetëra faqe të mbushura me emrat e tyre, duke filluar nga faqe 274 e deri në 283. ”(5) Pastaj vazhduan duke thënë: “Nëse shumica absolute e dijetarëve thanë se ashabët në përgjithësi janë të drejtë me kriter të lartë fetar, nuk pranuan kurrfarë kritike dhe akuze ndaj tyre duke i konsideruar të gjithë ata të ruajtur nga mëkati, gabimi dhe harresa, ndërsa transmetuesit e tyre iu nënshtruan kritikës dhe akuzës. atëherë mund të themi se shumica e hulumtuesve .... nuk e pranuan kriterin e lartë të ashabëve në mënyrë globale, por thanë ashtu siç ka thënë dijetari El Mukbilij, se pjesa dërrmuese e ashabëve, dhe jo ashabët në përgjithësi kanë qenë të mbrojtur, dhe lejohet mëkati, gabimi dhe harresa prej tyre, ashtu siç lejohet edhe prej të tjerëve. Madje lejohet edhe pasioni (epshi) për ta. ” 


Allahu e di ku ta vërë mesazhin (risalen) e vet. ” (El En’am, 124) 


Mendimin e tyre e mbështetin në faktin se edhe ata ishin njerëz, tek ata ndodh ajo që ndodh edhe tek të tjerët, e kjo është një gjë që kthehet tek natyrshmëria njerëzore. Dhe vërtet Zotëria i tyre, të cilin Allahu e kishte zgjedhur, ” Allahu e di ku ta vërë mesazhin (risalen) e vet. ” (El-En’am, 124), ka thënë: Vërtet unë jam njeri e qëlloj dhe gaboj. Hulumtuesit vendimin e tyre e mbështesin në ata persona që kanë jetuar në kohën e Pejgamberit a. s. , prej hipokritëve dhe gënjeshtarëve. Dhe një shumicë prej tyre më pastaj kanë dezertuar nga feja e tyre, pasi Pejgamberi a. s. ishte transferuar tek Allahu i Lartësuar. ”(6) Pastaj këtyre f jalëve iu bashkëngjitën disa transmetime; prej tyre ka transmetuar Muslimi “Disa njerëz prej ashabëve që do të vijnë pas meje, do të dezertojnë, e kur do t’i njoh ata, ata do të rrëqethen prej meje. Atëherë do të them (ditën e Kiametit) ku m’i latë ashabët e mi. Atëherë do të thonë: Ti nuk e di ç’kanë shpikur ata pas teje”.(7) Nga kjo që u theksua, mendimet dhe argumentet e tyre mund t’i përmbledhim në këto pika: 
(a) Bindja se ashabët në përgjithësi posedojnë kriter të lartë fetar, është mendim i shumicës së dijetarëve, dhe jo mendim i hulumtuesve të rangut të hulumtuesve El Mukbili, Ahmed Emin, Taha Husejn dhe Ebu reje. 
(b) Bindja se ashabët posedojnë kriter të lartë fetar, bie në kundërshtim me atë që ka ardhur në Kuran për nënçmimin e ashabëve, ngase nga mesi i tyre kishte mynafikë (hipokritë) , gënjeshtarë, kishte prej atyre që Pejgamberin a. s. e kishin ofenduar dhe, në kontekst me këtë, në Kuran zbriti kaptina El munafikun- hipokritët. 
(c) Ashabët veten e tyre nuk e konsideronin të pastër nga kritika dhe akuza. Disa prej tyre i hidhnin në mosbesim disa të tjerë. E disa të tjerë përgënjeshtronin njëri-tjetrin. E si mund t’i konsiderojmë ata ndryshe përveçse ashtu siç e kanë konsideruar veten e tyre. 
d) Kjo bindje (e shumicës së dijetarëve për pastërtinë e ashabëve) bie në kundërshtim me natyrshmërinë njerëzore, ngase ata nuk ishin tjetër përveçse njerëz, tek ata ndodh ajo që ndodh edhe tek tjerët, e kjo kushtimisht i kthen tek natyrshmëria njerëzore, e cila përmban gabim, harresë, mëkat, pasion etj..Këtë e mbështesim në faktin se vërtet Pejgamberi a. s. ka qenë njeri. Ai ka thënë: “Vërtet unë jam njeri, e qëlloj dhe gaboj.” Për të vlerësuar mendimet dhe forcën e argumenteve të tyre, këto pika do t’i shqyrtojmë, polemizojmë dhe replikojmë radhazi njërin pas tjetrit. 
Shqyrtimi dhe polemizimi i pikës së parë: Mendimi se ashabët në përgjithësi kanë kriter të lartë fetar nuk rrjedh nga drejtimi i hulumtuesve. 


Kriteri i lartë fetar i ashabëve dhe kush janë ata që e thonë këtë mendim


Nuk ka dyshim se bindja se ashabët në përgjithësi kanë kriter të lartë fetar, është mendimi i shumicës së dijetarëve të rangut të katër drejtimeve- imamëve, Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut, Ibn Hanbelit, hadithologëve si Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Termidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhe, Ibn Meini, Ibn Elmedini, Ebu Zer’ah, Ebu Hatimi, ibn Hibani, Ibn Tejmiu, ose shkurtimisht të themi se të këtij mendimi janë në përgjtihësi të gjithë dijetarët e Ehlu suneh vel xhemaah. Këtë e përkrahin selefët e Ymetit dhe shumica e jotradicionalistëve. E, nëse këta nuk janë hulumtues, atëherë mund të pyesin kush mund të jenë përveç këtyre? Po, disa grupe kanë kundërshtuar shumicën e Ymetit islam, siç janë mu’atezilët, havarixhët, shi’at dhe disa të tjerë të tipit el Mukbilij, el Mu’tezilij. Po ashtu Taha Husejn, i cili shfrytëzon mendimet e orientalistëve duke i përvetësuar për veten e tij.(8) i tillë është edhe ahmed Emin të cilin me mjeshtëri e ka orientuar Dr. Alij Hasen Abdul Kadir duke i thënë: “Rruga më e mirë për publikimin e mendimeve të orientalistëve është që ato t’i orientosh qartazi tek folësit e tyre, por ato mendime t’i mbrosh sikur të ishin studimi dhe hulumtimi yt dhe vesh petkun e hollë që të mos i shqetësosh ata ashtu siç kam vepruar unë në librin Fexhrul Islami dhe duhal Islami.”(9) I tillë ishte edhe ebu Reje, i cili vazhdimisht është përpjekur për shkatërrimin e kalasë së fortë Synetin duke pretenduar se puna e tij është në mbrojtjen e Synetit. Sa i çuditshëm që është?! Pavarësisht nga këto që u theksuan, mund të themi se ata që kundërshtuan shumicën e dijetarëve, nuk posedojnë argumente vërtetuese në pretendimin tyre.


 Argumentet nga Kurani dhe syneti vërtetojnë kriterin e lartë të ashabëve


Shumë tekste që kanë mbështetje në Kuran, në librat e gjuhës arabe dhe më gjerë, tregojnë se fjala (i drejtë me kriter të lartë fetar), kur ka të bëjë me ashabët dhe tabinëët, përdoret në kuptimin ‘i kënaqur plotësisht’. E kënaqësia është e pjesshme që ndryshon me ndryshimin e kohës dhe vendit. E ashabët në përgjithësi tek Allahu xh. sh. kanë epitetin e kënaqësisë, d.m.th. Allahu ka qenë i kënaqur me veprat, fjalët dhe qëndrimet e tyre në përgjithësi. Në kontekst me këtë, Allahu xh. sh. thotë në ajetet e fundit që kanë të bëjnë me betejën e Tebukut, e që ishte prej betejave të fundit të Pejgamberit a. s. Këtu morën pjesë të gjithë muhaxhirët dhe ensarët. Prej atyre që ishin në Medinë, nuk mbeti askush pa marrë pjesë me përjashtim të të dobëtve ose të atij që i ishte urdhëruar të rrinte, ose të atij që ishte i njohur për hipokrizi (nifak), ose të disa prej tyre që nga përtacia nuk morën pjesë, e që i ka cekur edhe Kurani. Pavarësisht se si ishte gjendja, pjesa dërrmuese e medinasve morën pjesë në këtë betejë. Gjithashtu Allahu xh. sh. i fali ata (ashabët) dhe ishte i kënaqur me ta, ashtu siç ishte i kënaqur me pjesëmarrësit (ashabët) e betejës së Bedrit dhe me zotuesit në Hudejbije. Po ashtu edhe Pejgamberi a. s. ishte i kënaqur me ta. Në kontekst me këtë, ai tha: “Mos i ofendoni ashabët e mi. Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im sikur vërtet ndonjëri prej jush të shpenzonte ar sa kodra e Uhudit, vlera e tij nuk do të arrijë sa një grusht (ar) i tyre dhe as sa gjysma (e grushtit) të tyre. ”(10); “Me të vërtetë më i miri prej jush është brezi im (ashabët), pastaj ata që pasojnë, pastaj ata që pasojnë. Pastaj vijnë njerëz që dëshmojnë pa u kërkuar dëshmia e tyre”.(11) në këtë prizëm kemi shumë hadithe që flasin për rolin, pozitën, vlerën dhe trimërinë e ashabëve. Lidhur me këtë, dijetari El Hatib el Bagdadi tha: “Informatat (hadithet) në këtë drejtim janë të shumta. Këto janë në përputhshmëri me tekstet kuranore. Të gjitha këto (informata) tregojnë për pastërtinë e ashabëve. Në mënyrë të prerë tregojnë për kriterin e tyre të lartë fetar (drejtësinë e tyre) dhe dëlirësinë e tyre. Nuk ka nevojë askush prej krijesave (njerëzve) të merret me fshehtësinë dhe vlerësimin e tyre, përderisa vetë allahu xh. sh. i ka vlerësuar (dhe pastruar) ata. Ata, ashabët, mbeten të tillë (të vlerësuar) përveç nëse konfirmohet se ndonjëri ka bërë ndonjë vepër që nuk ka dimension tjetër përveçse është mëkat, ose ndonjëri prej tyre është mbështetur në komentimin e teksteve që shpien në bashkëngjitjen e kryengritësve (havarixhëve) e pastaj për këtë të gjykohet në tërheqjen e imunitetit të kriterit të lartë fetar, e që Allahu i ka pastruar dhe ka ngritur çështjen e tyre nga kjo. Dhe sikur një gjë e tillë, që e theksuam të mos vinte nga Allahu xh. sh. dhe nga Pejgamberi i Tij për diçka rreth tyre (ashabëve), atëherë gjithsesi ata duhet të vlerësohen në bazë të pozitës që patën në hixhret (migracion), xhihad, në mbështetjen pa rezervë të Pejgamberit a. s. , angazhim dhe shpenzim maksimal të pasurisë, në luftë për hir të fesë edhe kundër të afërmve, kontributin e veçantë e misionin fetar, në forcën e besimit dhe bindjes që kishin. Dhe kështu në mënyrë të prerë të gjykojmë për kriterin e lartë fetar dhe të jemi të bindur për pastërtinë e tyre dhe vërtet ata (ashabët) kanë vlerë dhe pozitë më të vlefshme se të gjithë dijetarët që japin vlerësime dhe konfirmime pas tyre, deri në mbarim (përfundim). ”(12) E në realitet, atë që e ndërtuan dhe realizuan ashabët me Pejgamberin a. s. ,. për këtë Ymet, nuk mund ta bëjë askush tjetër. Mu për këtë arsye, dijetari Ibn Hiban, duke argumentuar në vlerësimin e ashabëve dhe pastrimin e tyre nga akuza në përgjithësi, tha: “Nëse vërtet dikush thotë për se i ke akuzuar ata që vijnë pas ashabëve, ndërsa akuzat rreth ashabëve i ke refuzuar? E harresa dhe gabimi janë pjesë e atyre ashtu siç gjenden edhe pas tyre tek hadithologët, atij i thuhet: Vërtet Allahu xh. sh. ata i ka pastruar nga çdo e metë e mangësi, i ka ruajtur ata nga çdo gabim që ul prestigjin e tyre dhe ata i ka bërë sikur yje që përmes tyre të udhëzohemi. (Shih Ali imran, 68). 
Në një ajet tjetër thuhet: “Atë ditë kur Allahu nuk e poshtëron Pejgamberin e së bashku me të as ata (ashabët) që kanë besuar” (Et-Tahrim, 8). Pra, për ata që Allahu na ka informuar se Ditën e Kiametit nuk do t’i poshtërojë e as nuk do të turpërohen, dhe për ta ka dëshmuar se janë pasardhës të fesë së pastër të Ibrahimit, nuk lejohet që ata të akuzohen për gënjeshtër, ngase vërtet është e pamundshme që Allahu i Lartësuar të thotë: “Atë ditë kur Allahu nuk e poshtëron Pejgamberin, e së bashku me të as ata (ashabët) që kanë besuar” dhe lidhur me këtë Pejgamberi a. s. , tha: “Kush bën gënjeshtër qëllimisht ndaj meje, le ta përgatitë për veten e tij ulësen prej zjarrit. ”(13)
Sipas tekstit të këtij hadithi, zjarri do t’i kap ata për të cilët Allahu na ka lajmëruar se nuk do t’i poshtërojë ditën e kiametit, mirëpo ky tekst i hadithit nuk ka të bëjë me ashabët po me gjeneratat që vijnë pas tyre. E për sa u përket atyre (ashabëve), të cilët e dëshmuan dhe jetuan zbritjen e Kuranit dhe Pejgamberin a. s. , e shoqëruan, - kritika ndaj tyre është e refuzuar, akuza ndaj tyre është në kundërshtim me besimin, mangësia e ndonjërit prej tyre është frymëzim i hipokrizisë, sepse ata (ashabët) ishin njerëzit më të vlefshëm të çdo shekulli pas Pejgamberit a. s. , i cili nuk fliste nga hamendja, por nga inspirimi. Pra, asnjëri prej tyre nuk meriton akuzë, ngase Pejgamberi a. s. atyre (ashabëve nuk ua la trashëgim misionin dhe t’i urdhëronte që ai që është prezantues (në haxhin lamtumirës) t’ia komunikojë atij që nuk prezanton, përveçse ata tek ai ishin të sinqertë e të përgatitur për ta dëshmuar dhe jetësuar misionin. Atë që Pejgamberi a. s. e ka vlerësuar, atij i mjafton ky nder. E ato gjenerata që vijnë pas ashabëve, nuk janë sikur këta, ngase ashabi, kur misionin e përcjell tek tjetri pas tij, mund të jetë hipokrit ose bidatçi i njollosur, që lajmit i shton ose i heq vetëm për të devijuar njerëz pas tij dhe, për hir të kësaj, ne kemi bërë dallime në mes tyre dhe ashabëve, të cilët Allahu i ka mbrojtur nga bidatet (risitë) dhe devijimi. ”(14) 
Pra, me të gjithë ashabët Allahu ishte i kënaqur, po ashtu edhe Pejgamberi a.s. dhe, bazuar në këtë, fjalën të drejtë pa fije dyshimi mund t’ua mveshim ashabëve. 
(Vion)



______________________________
1. Advau ala suneti el Muhamedije, f. 361. 
2. Fexhrul islami, f. 217. 
3. Advau ala sunet muhamedije, f. 342
4. Po aty f. 353 
5. Po aty f. 353 
6. Advau ala sunneti muhamedije, f. 353-354. 
7. Sahihu Muslim, vëll: 15, f. 53-54 
8. Tahte riajetil Kur’anli er-rafij, f. 94. 
9. Es-sunetu ve mekanetuha. Dr. Sibaij, f. 214 
10. Sahihul muslim, vëll. 5, f. 221. 
11. Fet’hul bari, vëll. 6 f. 187. Shih më gjerë: Komentimi i haditheve”, mr. Musa Vila, f. 392-393. 
12. El Kifaje fi ilmi rivaje lil bagdadi, f. 48-49. 
13. Ref’u ve tekmil. 
14. El mexhruhine minel muhadithine li ibn Hiban, f. 11-12



 Dituria Islame 258


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi