Komentim i i kaptinës “Et-Tekvir” (3)


8. Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla, 9. Për çfarë mëkati ato janë mbytur, 


Tashmë gjendemi në fillimin e Llogarisë, ku do të ndeshemi me një prej pamjeve më të dhimbshme, por njëkohësisht më madhështore, që simbolizon Drejtësinë e përkryer dhe absolute të Allahut.
Pas ringjalljes së njerëzve, do të jetë momenti kur do të pyeten vajzat e gjora, të cilat qenë varrosur për së gjalli nga prindërit e tyre, se për çfarë mëkati ishin mbytur. Është i njohur fakti se në kohën e injorancës, arabët, sidomos ata të Nexhdit, kishin një zakon të mbrapshtë e johuman, që t’i varrosnin vajzat e tyre për së gjalli. Këtë e bënin për dy arsye: 
1. Nga frika e varfërisë dhe skamjes, për se flet dhe ajeti kuranor: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne u sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.” - (El-Isra’ë, 31) dhe: 
2. Nga frika e zënies robër e bijave të tyre dhe shndërrimi në skllave (robëresha) nga ana e armiqve. Ata që i mbytnin bijat e tyre nga frika e varfërisë, bënin një krim të madh, sepse rrësku i tyre është çështje e Allahut, dhe furnizimi vjen vetëm prej Tij. Madje, i Madhi Allah, për hir të fëmijëve, e sidomos të vajzave, furnizon edhe prindërit e tyre. Tregohet se arabët e injorancës, nëse u lindte vajzë, mrroleshin në fytyrë dhe vrenjteshin nga mërzia që i kaplonte. Në lidhje me këtë, flet edhe ajeti kuranor: “Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet për (lindjen) vajzë, fytyra e tij prishet dhe bëhet plot mllef. Fshihet prej njerëzve, për shkak të asaj të keqeje për të cilën ishte lajmëruar (e konsideron bela, e jo dhuratë prej Zotit). Mandej, (mendon) a do ta mbajë atë, ashtu i përulur, apo do ta mbulojë atë (të gjallë) në dhe. Sa i keq është ai gjykim i tyre.” – (En-Nahl, 58-59) 
Në lidhje me këtë, dijetarët kanë cekur edhe faktin se idhujtarët mekas dhe arabët në përgjithësi, melaiket (engjëjt) i konsideronin “bija të Allahut”- i Pastër dhe i Zhveshur është Allahu nga ky cilësim, dhe, me varrimin e tyre për së gjalli, konsideronin se këto vajza i përkasin Atij (Allahut), prandaj sa më shpejt duhej të shkonin tek Ai!!! Fisi “Beni Temim”, ishte më i vrazhdi ndaj vajzave, aq i vrazhdë, saqë njëri prej zotërinjve të tyre - Kajs bin Asimi, kur njëri prej anëtarëve të delegacionit të fisit të vet kishte takuar të Dërguarin e Allahut dhe kur e kishte marrë vesh se Islami kishte ndaluar rreptësisht varrosjen e vajzave të vogla për së gjalli, kishte psherëtirë nga dëshpërimi i madh dhe i kishte thënë Resulullahut a.s..: “O i Dërguar i Allahut. Unë me dorën time kam groposur për së gjalli tetë vajzat e mia, të cilat i kisha në kohën e injorancës. Më thuaj si të shpaguhem për këtë dhe si të veproj”? I Dërguari a.s. i kishte thënë: “Për secilën prej tyre duhet të lirosh nga një rob!”. Ai i kishte thënë përsëri: “O i Dërguar i Allahut, unë kam shumë deve..., e Resulullahu a.s.. i tha: “Për secilën prej tyre flijo nga një deve të madhe, po deshe!”(1) 
Ndërsa grupi i dytë që i mbytnin bijat e tyre, ishin ata që kishin frikë se ato, kur të rriteshin, mund të ziheshin robëresha nga fiset kundërshtare, dhe ashtu si skllave, të shfrytëzoheshin pa mëshirë si një plaçkë e rëndomtë tregu. Arabët e ndienin veten të poshtëruar e të turpëruar, kur u ndodhte ndonjë që dikush t’ua robëronte bijat, prandaj nga injoranca dhe pamëshira e tyre, preferonin që ato t’i mbysnin me dorën e vet e të mos i linin të robëroheshin e të keqtrajtoheshin. Transmeton Imam Amedi nga Hansa’ë bintu Muavije, e kjo nga xhaxhai i saj, të ketë thënë: E pyeta të Dërguarin e Allahut se kush do të hyjë në Xhenet. E ai tha: “I Dërguari i Allahut (të gjithë të dërguarit) do të jetë në Xhenet, dëshmori (shehidi) do të jetë në Xhenet, i porsalinduri (fëmija i cili vdes para moshës së pubertetit) do të jetë në Xhenet dhe vajza e vogël e varrosur për së gjalli, do të jetë në Xhenet”.(2) 
Ndoshta kjo është arsyeja që Islami bëri një revolucion të vërtetë në raport me të drejtat e femrës, duke e ngritur atë në shkallën më të lartë të respektit e nderimit, qoftë si bashkëshorte, qoftë si nënë. Siç dihet, edhe i Dërguari i Allahut, në Haxhin lamtumirës, ka porositur që të sillemi mirë e me dhembshuri ndaj grave. Ka porositur që ato t’i trajtojmë me respekt, dhe ka thënë: “Xheneti është nën këmbët e nënës”. Më pastaj, në një hadith tjetër, kur njëri e kishte pyetur se cilit njeri i kishte më së shumti borxh në këtë botë, i qe përgjigjur “tri herë – nënës, e pastaj babait”. Na mjafton këtu të përmendim edhe shembujt e dashurisë së lartë prindërore të Resulullahut a.s. ndaj bijave të tij, sidomos ndaj Fatimes r.a., pastaj dashurinë dhe respektin ndaj bashkëshorteve të tij-nënave të besimtarëve” etj.... 


10. Dhe kur fletushkat të jenë shpaluar, 


Të gjithë dijetarët myslimanë janë unikë se këto fletushka që do të shpalosen nesër në Ditën e Gjykimit, janë fletushkat me shënimet e veprave tona në këtë botë, qofshin ato të mira a të këqija. Këto fletushka do të shpalosen, pasi qenë palosur me rastin e vdekjes së njeriut në këtë botë. Në to gjenden shënimet e përpikta që kanë regjistruar engjëjt fisnikë, pa shtuar a munguar asgjë nga veprat tona. Njerëzit mëkatarë, mbase, do të shtangen nga habia kur para tyre të shpalosen librat e veprave të tyre dhe (do të) thonë:“Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa përfshirë?” (El-Kehf, 49) 
Ne të gjithë, duke u nisur nga Fjalët e Allahut dhe porositë e Pejgamberit a.s., e kuptojmë se gjatë jetës në këtë botë, secili prej nesh, në të djathtë dhe të majtë, ka një melek, të cilët shënojnë çdo vepër dhe fjalë të thënë nga ana jonë. Ne, të rrëmbyer nga valët e jetës, mbase dhe mund të kemi harruar ndonjë prej veprimeve tona, qoftë e mirë apo e keqe, por ato megjithatë regjistrohen, dhe nesër do t’i gjejmë të shfaqura para nesh, kështu që çfarëdo arsyetimi për mohimin e tyre, do të jetë i kotë. Disa nga tefsirologët kanë dhënë mendime se në Ditën e Gjykimit, në shenjë nderimi, nga poshtë Arshit do të fluturojnë fletushkat e besimtarit dhe do të bien në dorën e tij, në të cilat janë të shënuara ajetet 22-24 të sures “El-Hakkah”: “Në një Xhenet të lartë. Pemët e tij i ka krejt afër. (E thuhet) Hani e pini shijshëm, ngase në ditët e kaluara ju e përgatitët këtë”. Ndërsa pabesimtarëve do t’u bien në dorë fletushkat, në të cilat janë të shënuara ajetet 42-44 të sures “El-Vakiatu”: “Janë në vapë të zjarrit dhe në ujë të valë. Dhe në errësirë nga tymi. As e freskët e as e këndshme”. Është më se e qartë se këto fletushka nuk janë fletushkat e veprave të punuara në këtë botë, por të tjera, të cilat në mënyrë simbolike përcaktojnë fatin përfundimtar të të dy grupeve. Disa nga tabiinët, në lidhje me fletushkat e veprave tona, kanë thënë: Fletushkat e njerëzve do të hapen dy herë e do të mbyllen (palosen) një herë. O njeri, kur të vish në këtë botë, fletushka jote do të jetë e hapur dhe mbushe si të duash me amelet e tua. Pas vdekjes sate ajo të paloset derisa të ringjallesh kur ajo do të hapet sërish e në kopertinat e saj do të shkruajë: “Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot vetë llogaritës i vetvetes”. - (El Isra’ë. 14) Atë ditë gjen shprehjen Drejtësia absolute e Allahut, i Cili askujt nuk do t’i bëjë padrejtësi, por secilin do ta gjykojë në bazë të asaj që ka vepruar. 


11. Dhe kur qielli të jetë hequr, 


Fjala “kushitat” nënkupton heqjen apo ngritjen e diçkaje nga ndonjë gjësend, me të cilin kemi mbuluar diçka përsipër, ose tërheqjen me forcë të diçkaje nga pjesa tjetër, me të cilën kanë qenë të lidhura me lidhje të fortë, ashtu siç rripet e ndahet lëkura e deles së prerë.. Ndërsa në kontekst të këtij ajeti, kjo fjalë nënkupton heqjen dhe largimin e kupës qiellore nga vendi i saj, ashtu siç largohet a hiqet çatia e shtëpisë. Të gjitha këto janë përshkrim përfytyrues i asaj që do të ndodhë nesër në Ahiret, sepse atje çdo gjë do të ndryshojë nga forma e mëparshme e asaj që kemi parë e njohur në këtë botë. As Toka nuk do të jetë më e njëjta, po as qielli nuk do të jetë po ai. Në lidhje me Tokën, nga ajetet e mëparshme mësuam se kodrat e saj do të lëvizin, do të fluturojnë e do të copëtohen duke u shndërruar në thërrmija pluhuri, dhe atë do ta kaplojë flakërima e deteve etj..., ndërsa qielli do të errësohet, Dielli e yjet do të fiken e do të shkapërderdhen... Kur të ringjallen për t’u ballafaquar me veprat e tyre, njerëzit do të çuditen se mbi ta nuk qëndron më qielli që ishin mësuar ta shihnin, po as Toka nuk do të jetë ajo ku kishin jetuar më parë. Allahu xh.sh., në lidhje me këtë, thotë:“(ndëshkon kundërshtarët) Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në të tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para Allahut, Një, Mbizotërues”. – (Ibrahim, 48) 
Më nuk do ta shohin qiellin të zbukuruar me yje, me Diell e me Hënë. Nuk do ta shohin Tokën me malet, lëndinat, detet, lumenjtë dhe natyrën që ishin mësuar të shihnin çdo ditë. Thjesht, çdo gjë është një krijim i ri. Përderisa në këtë botë në mes njeriut dhe hapësirës qiellore, ishte njëfarë mbulese, tash ajo do të hiqet. Ata do ta shohin veten në një botë të re, tërësisht ndryshe nga ajo e vjetra. Tash para njerëzve do të shfaqen dy vendqëndrime, ose Xheneti dhe kënaqësitë e pafundme të tij, si shpërblim nga Allahu i Madhërishëm, ose qëndrimi dhe ndëshkimi në humnerat e Skëterrës...
-vijon-


_______________________________
(1)Transmetojnë El-Bezzari në “Musnedin” e tij (237); Taberaniu në “El Mu’xhemul kebir” (18/863); Shih Tefsirin e Kurtubiut vëll. 22, f. 103. (2) Tefsirul Munir”, vëll. 30, f. 83


Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi