12. Dhe kur Xhehenemi të jetë ndezur fort ...
Pas marrjes në llogari dhe shpërndarjes së fletushkave, me destinacionin e fundit të përjetshëm, zjarri i Xhehenemit do të ndizet flakë edhe më shumë, duke u përgatitur për t’i ndëshkuar me flakët e tij të gjithë mëkatarët dhe mohuesit e Njëshmërisë. Disa nga dijetarët kanë thënë se fjala “Xhehim”, nënkupton humnerën apo shkallën e gjashtë të Xhehenemit. Ata këto shkallë të Skëterrës i kanë kategorizuar kështu:
1. Xhehenem;
2. El-Ledha;
3. El-Hutameh;
4. Es-Seiru;
5. Sekar;
6. El-Xhehimu;
7. El Havijetu.
Sidoqoftë, këta të gjithë janë emrat me të cilët është përshkruar Xhehenemi, ndërsa fjala (El-Xhehim) do të thotë zjarri i fortë, i ndezur, me të cilin i Lartmadhërishmi ka kërcënuar pabesimtarët, tiranët dhe mëkatarët. Në Xhehenem, pabesimtarët do të përjetojnë ndëshkim pas ndëshkimi, secili më i rëndë se tjetri. Fjala vjen, ashtu siç na e përshkruan Kur’ani famëlartë, ushqimi i tyre do të jetë pema “zekkum”, rrënjët e së cilës arrijnë deri në fundin e Xhehenemit, kurse kokat (frutat) e kësaj peme u ngjasojnë kokave të gjarpërinjve helmues. Nga shija e hidhur që do t’u lërë kjo pemë, xhehnemlinjtë do të kërkojnë freskim duke kërkuar ujë, por uji që do t’u ofrohet atyre, është ujë i valë, i nxehtë, që do t’ua përvëlojë zorrët dhe organet e brendshme të tyre. Madje, mbi kokat e tyre edhe do të derdhet ky ujë i valë, i cili do t’u shtojë edhe më ndëshkimin e tmerrshëm. Allahu, në lidhje me këtë, thotë: “Kjo pritje (me shpërblim të Allahut) është më e mirë, apo pema e Zekumit? Ne atë e kemi bërë sprovë për zullumqarët. Ajo është një pemë që mbin në fund të Xhehenemit. Pema (fruta) e saj është sikurse koka dreqërish. E ata do të hanë nga ajo dhe do të mbushin barqet prej saj. Pastaj, ata do të kenë kundrejt atij ushqimi edhe ujë të valë.” - (Es-Saffat, 62-67)Emërtimi “Xhehim” është përmendur edhe në suren El-Hakkah, ku Allahu na përshkruan se rojtarët e Xhehenemit janë të urdhëruar që qafirit t’ia lidhin duart për fyti, të prangosin trupin e tij me pranga duke e tërhequr zvarrë për në greminat e tij, për se thotë: “U thuhet zebanive: Kapeni atë, vërini prangat! Pastaj futeni në Xhehenem. Mandej lidheni me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë.” – (El-Hakkah, 30-32)
Për sa i përket ndëshkimit në zjarrin e Xhehenemit, shumë prej dijetarëve janë munduar të bëjnë përngjasime me zjarrin e kësaj bote, i cili ndizet nga drutë ose nga ndonjë materie tjetër, por ne si besimtarë të vërtetë, duhet të kuptojmë se këtu çdo shëmbëllim është i pavend, sepse shqisat dhe njohuritë tona, thjesht nuk mund të dalin përtej kornizave të kufizuara të aftësive njerëzore, prandaj realitetin e këtij zjarri dhe të ndëshkimit në flakët e Xhehenemit e di vetëm Allahu xh.sh. Në lidhje me këtë, transmetohet në dy sahihët (të Buhariut dhe Muslimit) nga Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: “Zjarri juaj (në këtë botë) të cilin e ndezin bijtë e Ademit (njerëzit), është një pjesë prej shtatëdhjetë pjesëve të zjarrit të Xhehenemit...”
13. Dhe kur Xhenneti të jetë afruar ...
Xheneti do të jetë vendqëndrim i përjetshëm dhe i amshueshëm për të gjithë ata që besuan Allahun, të Dërguarit e Tij, Librat e shenjtë, Ditën e Ringjalljes, dhe i atyre që jetën e kësaj bote e kaluan në respektimin e Urdhrave të Allahut xh.sh..
Fjala “uzlifet”, në kontekstin e këtij ajeti do të thotë se Xheneti u afrohet fare pranë besimtarëve, nga malli dhe dashuria që të fusë sa më shpejt në gjirin e tij besimdrejtët, të cilët do të shijojnë në të kënaqësitë dhe dhuntitë e Allahut të Gjithëmëshirshëm.
Atë ditë, njerëzit që do të hyjnë në Xhenet, do të jenë në tri grupe: Një grup që përbëjnë shumicën e banorëve të Xhenetit, do të hyjnë në të duke ecur, e këta janë ata për të cilët Allahu xh.sh. ka thënë: “E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xheneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë: “Selamun alejkum” - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, prandaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.” - (Ez-Zumer, 73). Grupi i dytë do të hyjnë në Xhenet duke kalëruar, në shenjë respekti dhe nderimi ndaj tyre, e këta janë njerëzit e veçantë, me merita të veçanta, ndërsa atyre të grupit të tretë, që janë të veçantët e të veçantëve, do t’u afrohet Xheneti, për të shijuar ndjesinë e kënaqësisë ende pa hyrë në të, në shenjë nderimi ndaj veprave të tyre.
Po ashtu është thënë se banorët e Xhenetit do të hyjnë në të grupe – grupe, duke nxituar. Së pari do të hyjnë “të afërtit” - (el-mukarrebune), pastaj ata do të pasohen nga të devotshmit (el-ebrar), e pas tyre të tjerët. Secili grup do të hyjë me të ngjashmit prej tyre; të sinqertët me të sinqertët, dëshmorët me dëshmorët, pejgamberët me pejgamberët.
Kur të kenë arritur këta pranë dyerve të Xhenetit, atyre do t’u hapen krah e krah dyert e tij dhe do t’u thuhet: Hyni nga cila derë të dëshironi!
Në një hadith është shënuar: “Atij prej jush, i cili merr abdes dhe e kryen atë në formën më të bukur e dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dhe dëshmon se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, do t’i hapen tetë dyert e Xhenetit dhe do t’i thuhet: Hyr nga cila derë të dëshirosh”. Po ashtu në një hadith tjetër ka ardhur që grupi i parë që do të hyjnë në Xhenet, do të hyjnë të zbukuruar me shkëlqimin e Hënës së plotë, ndërsa ata që do të hyjnë pas tyre, do t’u shëmbëllejnë yjeve që ndriçojnë fort, sikur të ishin margaritarë të çmueshëm. Rojat e Xhenetit do t’i presin me mirëseardhje dhe, pasi t’ua hapin dyert e Xhenetıt, do t’u thonë: “Selamun alejkum” - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, prandaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.” (Ez-Zumer, 73)
14. Atëbotë njeriu do të dijë se ç’ka ofruar (të mirë ose të keqe).
Pas dymbëdhjetë përsëritjeve të pjesëzës kushtore “idha”-“kur” në ajetet paraprake, tash ky ajet vjen si përgjigje e të gjitha këtyre shenjave që do të ndodhin Ditën e Kiametit dhe Ditën e Gjykimit. Vetëm pasi të jenë shpërndarë fletushkat e veprave tona në këtë botë, vetëm atëherë njeriu do ta kuptojë se ku është vendi i tij: në Xhenet ose në Xhehenem.
Ashtu siç na e përshkruajnë ajetet kur’anore të sureve mekase, në këtë Ditë do të ketë fytyra të gëzuara, të cilat do të shkëlqejnë nga gëzimi i papërshkrueshëm, sepse fletushkat u kanë ardhur në anën e djathtë ose para tyre, - në të njëjtën kohë do të ketë edhe fytyra të nxira e të pluhurosura, sepse atyre fletushkat u kanë ardhur pas shpine ose nga ana e majtë.
Në të dy sahihët (të Buhariut dhe Muslimit) është transmetuar nga Adij in Hatimi të ketë thënë: Ka thënë i dërguari i Allahut: “Nuk ka askush prej jush që nuk do t’i flasë Allahu dhe në mes Atij dhe jush nuk do të ketë përkthyes (ndërmjetësues). Njeriu do të shikojë në të djathtë të tij, dhe do ta shohë vetëm atë që ka punuar, pastaj do të shikojë në të majtë të tij, e do të shohë po ashtu vetëm atë që ka punuar në këtë botë, dhe para sysh do t’i shfaqet zjarri i Xhehenemit. Ju porosis; ai që ka mundësi prej jush që të ruhet nga zjarri, le të bëjë një gjë të tillë, qoftë edhe me një kokërr hurme (të dhënë lëmoshë)”. (1)
Porosia e këtyre ajeteve (1-14)
- U tërhiqet vërejtja idhujtarëve mekas dhe pabesimtarëve në përgjithësi se kjo botë do ta ketë Ditën e saj të fundit-Kiametin, herët a vonë. Në këto ajete flitet për dukuritë frikësuese dhe të tmerrshme të Ditës së Kiametit-Kataklizmës, të cilat do t’i shohin njerëzit para se të vdesin e të shkatërrohen së bashku me tërë këtë ekzistencë. Ndër këto dukuri, dijetarët kanë numëruar gjashtë para Ditës së Ringjalljes, dhe gjashtë pas Ringjalljes e fillimit të Gjykimit. Gjashtë dukuritë e llahtarshme, që do të ndodhin para Ringjalljes, në momentet e fundit të botës, janë:
1. Mbështjellja dhe errësimi i Diellit si dhe humbja e dritës së tij;
2. shkapërderdhja e yjeve në hapësirë;
3. lëvizja dhe copëtimi i kodrave nga vendi i tyre,
4. lënia e deveve të mbarësuara pa barinj ose tharja e reve që bartin shi;
5. bashkimi i egërsirave të tokës njëra me tjetrën nga frika e këtyre shenjave lemeritëse dhe
6. vlimi i deteve si zjarr flakërues.
Ndërsa gjashtë dukuritë që do të ndodhin pas shkatërrimit të kozmosit dhe pas Ringjalljes, do të jenë:
1. Bashkimi i shpirtrave me trupat;
2. pyetja e vajzave të varrosura për së gjalli në dhé për çfarë mëkati janë mbytur, një moment ky që nënkupton fillimin e marrjes në pyetje të njerëzve për bëmat e tyre;
3. shpalimi i fletushkave në të cilat janë shkruar veprat e njerëzve në këtë botë;
4. heqja dhe mënjanimi i kupës qiellore që njerëzit ishin mësuar ta shihnin sipër kokave të tyre në këtë botë;
5. ndezja e furishme e flakëve të Xhehenemit, duke u bërë gati për të ndëshkuar pabesimtarët, dhe
6. përgatitja e Xhenetit për të pritur në mirësitë e tij besimtarët, të cilët kishin besuar Allahun dhe Ditën e Gjykimit.
- Pas këtyre dymbëdhjetë shenjave të mëdha, njeriu do të shohë se çfarë ka përgatitur për këtë Ditë të vështirë. Vetëm atëherë, pas shpalimit të fletushkave të tij, do ta kuptojë vendqëndrimin e tij të ardhshëm, në Xhenet apo në Xhehenem.
- Një nga porositë më të rëndësishme të këtyre ajeteve është që njeriu të ketë kujdes për veprat e tij në këtë botë, që ato të jenë në përputhje me ligjet e Allahut, sepse, kur të vijë fundi i kësaj bote dhe të jenë shfaqur këto shenja të llahtarshme e të tmerrshme të Kiametit, atëherë do të jetë vonë për pendim. Do të jetë vonë që të këqijat të zëvendësohen me të mira, sepse fundi i kësaj bote do të jetë fare afër dhe njeriu për një çast do ta gjejë veten në kthetrat e vdekjes, pas së cilës do të pasojë ringjallja dhe llogaria...
(vijon)
1. Transmetojnë Buhariu (1413) dhe Muslimi (1016). Shih Tefsirin e Kurtubiut, vëll. 22, f. 107
Sabri Bajgora