Jam rritur me idenë që ne si popull posedojmë vlera dhe virtyte, e cilësi tjetër karakterizuese jona është se nën kontekstin e tyre jemi shumë unikë. Nuk u deshën shumë vite pas fëmijërisë sime të hershme kur këto bindje filluan të pësonin lëkundjet e para. Një gjë e tillë ndodhi kur para syve të mi pash trajtim jo të dinjitetshëm të një prindi nga fëmija i tij, kur elemente të pakëndshme në sjellje dhe në gjeste i gjeta te një fëmijë, i cili i përkiste një familjeje të fisshme, si dhe kur shitësi i byrekëve para shkollës rriti çmimin e byrekut dhe minimizoi sasinë e gjizës në të. 
Sot të gjitha këto po i rendis pa i përjetuar shumë, por dikur i kam vuajtur me të vërtetë. Arsyeja pse qëndronte pas brengës tjetër që kisha ndërkohë: Pse masa nuk reagon ndaj këtyre elementeve të pahijshme? 
Të gjitha këto i konsideroja në divergjencë me imazhin që kisha unë ose që në realitet duhej të kishte shoqëria jonë. Fakti që sot këto devijime po i rendis kollaj më dhemb akoma më shumë, nga ato ditë kam përjetuar dhe pa diskutim do të përjetojë edhe të tjera shumë më të rënda. Andaj ato të shkuarat mbeten vogëlsira e zhgënjimi i kapërcen limitet. Pra, ka kohë që nuk mendoj më se jemi unikë, përkundrazi, ne jemi kopjacë të përkryer. Këtu sado që të përpiqem të gjej një cilësi të mirë tonën, si p.sh. këtë kopjim ta quaj “Shkathtësi për t’u përshtatur”, në këtë vorbull marramendëse, përsëri mendja e shëndoshë më tërheq vërejtje: - “Po i thërret derrit dajë” - më thotë.


E thjeshtë është arsyeja pas saj: 


Kopjojmë veshjet e të tjerëve, shesim tonat. Njoh njerëz të cilët shitën sexhadet e katragjyshërve për të blerë një tapet, të cilit i doli boja për dy muaj. Kjo u bë nën pretekstin se sexhadja nuk është më “in”. U shit xhubleta e stërgjyshes dhe veç të tjerash me të u ble një minifund, i cili aspak nuk i kishte hije stërmbesës së asaj fisnikeje. U shitën tespitë e gjyshit nga qelibari, me të cilat ai me shumë bindje e me zemër bënte dhikër dhe me to u blenë një pale gota të bukura, të cilat u përdorën për të shërbyer raki. U thye sharkia dhe u kompensua me një zë shurdhues, i cili dilte nga një fytyrë e shpërfytyruar nga botoksi dhe nga një trup minimumi 75% lakuriq. 
Martesa e humbi jo vetëm kuptimin, por edhe funksionin e saj. Kjo çështje degradoi kaq shumë sa nuk dihet më kush është nusja dhe kush është dhëndri. E ky degradim arriti kulmin kur na u hodh ideja e të bërit fëmijë në mungesë të prindit mashkull. Kjo vërtet quhet paturpësi! Sa i madh është ky term, po aq i vogël më duket për ta definuar një çmenduri të këtij lloji.


A të themi diçka për shëndetin?! 


Të flasim për shëndetin në ditët e sotme është njësoj sikur të rrahim ujë në havan. E kemi shndërruar në abstrakt konceptin “shëndet”. Mjedisi në të cilin jetojmë është determinant për statusin tonë shëndetësor duke shkatërruar këtë të parin, automatikisht të njëjtën gjë kemi bërë edhe me këtë të fundit.
Si të flasim për shëndet kur të gjitha kyçet dhe pjesët e trupit ekspozohen ndaj të ftohtit periodikisht? Si të flasim për shëndet kur biem të flemë në tre të mëngjesit dhe zgjohemi në tre të pasdites? Si të flasim për shëndet kur shoqëria jonë ka tre elemente bazë të konsumit: kafe, duhan dhe pije energjike? 
Si të flasim për shëndet kur fëmijët tanë vazhdimisht konsumojnë noodles, chokocream dhe fast food? Një gjë e tillë bëhet sepse mamatë janë në kafene me shoqet, duke bërë scroll në telefon ose sapo kanë rregulluar thonjtë dhe nuk mund të punojnë asgjë me duar. Në këto konditat e fundit ndoshta është më mirë të hanë noodles, sepse sigurisht aty ka më pak mikroorganizma të dëmshëm sesa në thonjtë e mamasë. 


Ekonomia 


Gjendja jonë në aspektin ekonomik na shpjegon qartë arsyen pse ekonomia dikur është quajtur “Ekonomia politike”. Ekonomistët e aftë, me anë të politikave ekonomike nuk na i zgjidhin dot problemet e kësaj sfere. 
Çfarë më shqetëson më shumë është një kontradiksion në rrafshin e konkretes dhe të përditshmërisë. Në asnjë vend të botës nuk ka kaq shumë ankesa mbi nivelin ekonomik sa këtu te ne, por në të njëjtën kohë jemi ndër vendet e pakta në botë që nuk ia mohojmë vetes luksin e të bërit pushime sa herë të na teket, luksin e të ngrënit në restorante luksoze, si dhe luksin e të veshurit sipas një standardi mbi mesataren. E po ashtu nuk ia mohojmë vetes të bërit “outogol” duke u blerë fëmijëve që në moshën 5-vjeçare iphonat më të fundit. Pikërisht këtu qëndron paradoksi, pjesa e parë e paragrafit nuk korrespondon me të dytën. 


Dy arsye e justifikojnë këtë mospërputhje: 


1. Ne si popull (në një masë të gjerë, jo të gjithë) nuk dimë të vendosim prioritete e për rrjedhojë gjërat sekondare i nxjerrim në fillim dhe anasjelltas.
2. Na mungon ndërgjegjja ta pranojmë ose sinqerisht ta deklarojmë realitetin, po ashtu kemi tendencën vetëm të ankohemi, zakonisht pa baza konkrete.


Arsimi 


Numri i shkollave të pa licencuara është aq i madh, sa më askujt nuk i intereson një fenomen i tillë. Sistemi ka dalë totalisht nga kontrolli. Ata të cilët mbase do të mund të paktën ta vinin në dukje këtë gjë janë të zënë duke tentuar të gjejnë mënyrën më të lehtë dhe më të shpejtë për të vjedhur sa më shumë. Të gjithë janë të vetëdijshëm, niveli i arsimit është zero, diplomat janë njësoj të vlefshme për shkak se të gjitha janë të pavlefshme në të vërtetë. Diploma jote e marrë nga fakultete të pa licencuara, sigurisht, diku edhe është më “e denjë” se një diplomë e ardhur si rezultat i përpjekjeve serioze dhe netëve pa gjumë mbi libra. 


E konsekuenca më e rëndë e kësaj të fundit është një ndër sëmundjet moderne: depresioni. Kështu ia kemi vënë emrin, edhe këtë e kemi kopjuar. E kopjuar dhe e vetëshkaktuar me vetëdëshirë, sepse kemi pranuar të pamoralshmen nga e moralshmja, të ligën nga e mira, të padrejtën nga e drejta. E thënë ndryshe, ia kemi krijuar vetes rehatinë për ta shijuar depresionin e shkaktuar pikërisht prej nesh. 


Profesioni 


Të gjithë synojnë të duken profesionalë në një sferë të caktuar. Në një kontakt të shkurtër me ta kupton që ky profesionalizëm në fakt është pseudoprofesionalizëm, për shkak se është sipërfaqësor, nuk shkon më larg se në dukje. Pra imazhi venitet, sepse “lustrat” pa kallaj nuk janë rezistente në kohë - thotë populli. Si mund të denjojmë të flasim për profesionalizëm kur kriteri për të zënë një pozicion në të cilin duhet ta manifestojmë këtë profesionalizëm nuk është më kriter, nuk i plotëson kushtet për të qenë i tillë. Kuptimi i fjalës kriter është parim ose normë në bazë të të cilit jepet një gjykim i caktuar. Për sa kohë një femër dy metra me linja të theksuara, por me CV bosh ka prioritet ndaj një tjetre me fizionomi të pranueshme ama me CV mbresëlënëse, unë nuk shoh aty as parim, as normë, përkundrazi. Pa pikë diskutimi përzgjedhja e individëve të tillë nuk bëhet për hir të kontributit që individi në fjalë mund të japë tek institucioni. Përfitime sa djallëzore, po aq edhe shtazarake janë në diskutim në këtë mes, të cilat për fat të keq janë të pranishme kudo. Një gjë e tillë është aq e përhapur, por edhe lehtësisht e lexueshme nga kushdo, prandaj të rinjtë e të rejat tona në vend se të investojnë në formimin e një bagazhi njohurish, vlerash dhe parimesh, ata preferojnë të investojnë në muskuj, linja dhe lëkurë. 
Kur kam qenë e vogël, libri “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ishte i preferuari im. Tashmë nuk është i tillë, sepse në çdo rresht e shkronjë e shoh të projektuar në të gjitha institucionet publike ose private. Kaq të shumtë janë në numër personat si Shoku Z, saqë nuk ia vlen, por edhe nëse ia vlen nuk do të mundemi më t’i numërojmë as t’i dënojmë. 


Edhe sikur - kush t’i dënojë?! 


Një gjyqtar i korruptuar, i cili nuk di se sa vila posedon në tërësi ose një polic, i cili korruptohet me 5 euro. Lind pyetja: Si t’ia bëjmë të kthehemi aty ku duhet? Ku është ajo “ku duhet”? A ka më persona, të cilët me të vërtetë dinë ta vlerësojnë një gjë të tillë, ose e dinë atë “ku duhet”? Apo interesi për atje ku duhet ka rënë, sepse në këto kohë trazirash, manipulimi, mashtrimi janë më të thjeshtë për t›u ushtruar edhe në rast ushtrimi nuk konsiderohen e nuk gjykohen më si vepra të shëmtuara. 
Sido që të jetë, edhe pse të paktë në numër, të lodhur e të dërrmuar duke luftuar me tiranitë e pafundme të kësaj epoke turpëruese për ne akoma ka perona, të cilët e dinë ku gjendet ajo “ku duhet”. 
Atje ku përvoja ka treguar. Një familje me dy prindër, me fëmijë, të cilët ngjizen në mënyrë natyrale. Të paktën kaq origjinalë mund të jemi, edhe nëse nuk mundemi t’i ofrojmë më shumë shoqërisë sonë, aktualisht - e mjerë.


 


Dituria Islame 407