Kurani fisnik, si burim i pashtershëm i të gjitha njohurive, thekson se çdo individ është përgjegjës për qëndrimet dhe veprat e tij dhe se një nga veçoritë e tij është se ai është një qenie individuale dhe sociale. Kjo kërkon që individët të respektojnë të drejtat e ndërsjella që lindin nga bashkëjetesa dhe të tregojnë respekt ndaj qëndrimeve, besimeve dhe mendimeve të tjetrit, të cilat gjatë historisë, shpeshherë janë injoruar dhe penalizuar nga grupe të ndryshme. Ndërsa në Kuran, të drejtat, përfshirë të drejtën për të menduar, besuar dhe jetuar ndryshe, janë çështje të garantuara. Një ndër kaptinat kuranore që flet në mënyrë të veçantë mbi këto të drejta dhe respektin ndaj besimit dhe qëndrimit të tjetrit është edhe kaptina Kafirun, e cila në radhitjen kuranore mban numrin njëqind e nëntë, është zbritur në Meke dhe përbëhet gjithsej nga gjashtë ajete. Kjo kaptinë përmes didaktikës së saj vërteton një herë e përgjithmonë, se adhurimi është meritë vetëm e një Zoti, se propozimi i idhujtarëve që Muhamedi a.s. t’i adhurojë një vit zotat e tyre, kurse vitin tjetër ata të adhuronin Zotin e Muhamedit a.s., është i papranueshëm dhe se respektimi ndaj besimit dhe mendimit të tjetrit është nga përgjegjësitë elementare të çdo individi. Kështu, me anë të kësaj kaptine theksohet principi i tolerancës fetare në Islam.
Emërtimi dhe shkaku i zbritjes së kaptinës Kafirun
Kjo kaptinë është emërtuar me disa emra si: “Suretu’l-Kafirun” - kaptina rreth mohuesve të besimit të drejtë, emër ky i marrë nga ajeti i parë i kaptinës në të cilin Zoti i Madhërishëm e urdhëroi Pejgamberin a.s. që t’u drejtohej haptazi mohuesve me shprehjen: “Thuaj – “O ju jobesimtarë!” (El Kafirun, 1). Kjo kaptinë në mesin e interpretuesve të Kuranit njihet me emërtimet si: “El Munabedhetu/ shkëputje ose distancim”, “El Beraetu/ pastërti ose çlirim” dhe “El Mukashkashe/mbrojtëse nga shirku dhe mohimi”, po ashtu konsiderohet edhe si një e katërta e Kuranit,(1) meqenëse urdhëron shpalljen publike të Njëshmërisë së Zotit (teuhidit) dhe sinqeritetit, dy koncepte këto që konsiderohen si shpirti i fesë.
Kaptina Kafirun, në përpjesëtim me karakteristikat dhe përmbajtjen e saj quhet dhe “Suretu’l-Ibade/ kaptina e adhurimit” apo “Suretu’l-Ihlas/ kaptina e sinqeritetit”, “Suretu’d-Din/ kaptina e fesë”,(2) kurse së bashku me kaptinën Ihlas, për shkak se të dyja vërtetojnë monoteizmin dhe mohojnë çdo formë të politeizmit janë emërtuar si “suret Ihlasajn”.(3)
Sa i përket shkakut të zbritjes së kësaj kaptine, transmetohet se disa nga paria e idhujtarëve në krye me Velid bin Mugiren, As bin Vailin, Esved bin Abdulmuttalibin dhe Umejje bin Halefin polemizuan me Pejgamberin a.s. duke i thënë: “O Muhamed, eja të bëjmë një marrëveshje mes nesh. Ti ndjek fenë tonë, e ne do ta ndjekim tënden. Ti do të adhurosh zotat tanë një vit, kurse ne do ta adhurojmë Zotin tënd vitin tjetër. Nëse kjo (fe), me të cilën ke ardhur ti, është më e mirë se ajo (fe) që kemi ne, atëherë do të të bashkohemi dhe do të të ndjekim ty, po, nëse del se feja jonë është më e mirë se jotja, atëherë ti do të na bashkohesh neve dhe do ta ndjekësh fenë tonë.” Atëherë i Dërguari i Allahut u tha: “Ruana Zot, kërkoj mbrojtje prej Tij që të mos i bëj shoq Atij!”, pas të cilave fjalë zbriti kjo kaptinë: “Thuaj: “O ju jobesimtarë!” (El Kafirun, 1). I Dërguari i Allahut në mëngjesin e së nesërmes shkoi në Mesxhidu Haram, në Qabe ku ndodhej një grup nga paria e Kurejshëve, u lexoi atyre këtë kaptinë, dhe kështu ata i humbën shpresat për ndonjë marrëveshje apo kompromis.(4) Mevdudi, sjell një shembull për të ilustruar metodën e qasjes së Pejgamberit a.s. ndaj politeistëve duke thënë se nëse një individ i ofron një propozim të papranueshëm një zyrtari, dhe ky e di shumë mirë që nuk mund të pranohet një gjë e tillë, ai në vend që të përfshihet në një debat me të, adreson çështjen te një autoritet më i lartë. Në këtë mënyrë, kërkesa e individit refuzohet dhe shmanget çdo përplasje e mundshme midis zyrtarit dhe individit.(5) Andaj qasja e mos diskutimit të Muhamedit a.s. me politeistët është një shembull i menaxhimit të efikasitetit dhe qetësisë në përhapjen e mesazhit të Islamit, duke ruajtur gjithashtu një respekt të thellë për situatat dhe individët e përfshirë.
Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake el Kevther
Kjo kaptinë për nga përmbajtja ka një lidhmëri të ngushtë me kaptinën kuranore që zë vend para saj në renditjen kuranore, pra Kevther. Lidhmëria në mes këtyre kaptinave është shumë e qëndrueshme, ngase në kaptinën Kevther, Allahu xh.sh. e urdhëroi të Dërguarit të Tij që namazin dhe flijimin t’i bënte vetëm për Zotin, i Cili i kishte dhuruar shumë të mira në këtë botë dhe i kishte bërë nder të lartë në ahiret. Ndërsa në këtë kaptinë, Ai e urdhëron drejtpërdrejt të Dërguarin që t’u thotë qartë jobesimtarëve se ai (Muhamedi) nuk ka qenë, nuk është dhe as nuk do të jetë kurrë adhurues i idhujve që ata adhuronin, po as ata nuk kanë qenë, nuk janë dhe as që do të jenë ndonjëherë adhurues të Atij që adhuron ai. Pra, ky është një distancim i hapur nga besimi i gabuar i idhujtarëve, që fenë e pastër të Ibrahimit a.s. e kishin shndërruar në një fe pagane.(6) Pra, të dy kaptinat janë të lidhura në përforcimin e përkushtimit ndaj adhurimit të pastër dhe mohimit të idhujtarisë.
Respektimi i besimit dhe mendimit të tjetrit në kaptinën Kafirun
Në kaptinën Kafirun, përderisa imani dhe shirku përmenden si gjëra shumë të largëta nga njëra-tjetra, shpjegohet edhe se besimi, adhurimi dhe përkushtimi janë zgjedhje individuale me të cilat merr përgjegjësi individi. Ndërsa përsëritja dhe përforcimi në ajetet e kësaj kaptine tregon se nuk mund të ketë asnjë afërsi ose kompromis midis së drejtës dhe të gabuarës.
Fillimi i kaptinës me thirrjen “O ju jobesimtarë!”(El Kafirun, 1) nuk përkufizon vetëm një grup të jobesimtarëve, ngase në këtë shprehje nuk janë objektiv individë të caktuar, por cilësitë e mosbesimit dhe mohimit. Prandaj, mund të thuhet se kjo thirrje u drejtohet të gjithë atyre që i përshkruajnë shokë Allahut, adhurojnë krijesa të tjera përveç Tij, ose refuzojnë hapur urdhrat dhe dispozitat e Tij, qofshin ata idhujtarë, hipokritë, zjarrputistë, pasues të librit, ose çfarëdo emri tjetër që mbajnë. Këtë interpretim e argumenton dhe përdorimi i përemrit “ma” në vend të “men” në ajetin e dytë.(7) Shevkani thekson se kjo kaptinë lë të kuptohet se liria e besimit, adhurimit, fesë dhe ndërgjegjes janë çështje thelbësore, dhe se nuk duhet të shfaqen reagime negative dhe të paarsyeshme si detyrimi, dhuna apo urrejtja ndaj atyre që kanë mendime dhe besime të ndryshme. Në Kuran, respektivisht në këtë kaptinë nuk ka asnjë urdhër apo dispozitë për të luftuar kundër këtyre njerëzve apo për t’i detyruar të mendojnë dhe të besojnë njësoj.8 Ndërsa sipas Sharaviut, kjo kaptinë ashtu siç përçon mesazhin për respektimin e mendimit dhe besimit të të tjerëve nënkupton dhe shkëputjen definitive të marrëdhënieve ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve.
Përsëritja e serishme pothuajse identike e ajeteve në kaptinën Kafirun: “Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni! As ju nuk jeni adhurues të Atij, që unë e adhuroj! Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni! Por edhe ju nuk do të jeni adhurues të Atij, që unë e adhuroj!” (El Kafirun, 2-5), ka një domethënie të veçantë dhe ashtu siç shërben për të theksuar se ekziston një ndarje e prerë dhe e pa kompromis midis besimit në Zotin e vetëm dhe mosbesimit ose idhujtarisë, tregon për vendosmërinë e Pejgamberit a.s. dhe e pasuesve të tij në besim, për besimin islam i cili është unik dhe nuk mund të përzihet me praktika të tjera fetare, si dhe faktin që adhurimi i idhujtarëve dhe adhurimi i besimtarëve islam ndaj Zotit nuk janë vetëm të ndryshëm në objekt, por edhe në cilësi. Ngase besimtarët e vërtetë e adhurojnë Zotin me sinqeritet dhe përkushtim, gjë që nuk mund të krahasohet me adhurimin e idhujtarëve për idhujve të tyre.
Ajeti i fundit i kësaj kaptine, shpreh butësinë, tolerancën dhe mos imponimin e besimit: “Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time.”(El Kafirun, 6). Sipas disa interpretuesve të Kuranit, fjala “din” në ajet ka kuptimin e shpërblimit dhe ndëshkimit. Pra në këtë këndvështrim sikur thuhet, si unë ashtu edhe ju, të gjithë janë përgjegjës fillimisht për veten e tyre. Askush nuk ka të drejtë t’i imponojë mendimet dhe pikëpamjet e veta dikujt tjetër. Megjithatë, secili prej jush duhet ta ketë parasysh se është përgjegjës për ndëshkimin që vjen si rezultat i mohimit. Edhe pse kjo kaptinë zbriti në një kohë kur myslimanët ishin në një gjendje të dobët në aspektin politik, administrativ dhe ekonomik, ajo krijoi një bazë për ajetet që zbritën në periudhën e Medinës, ku liria e besimit dhe adhurimit ishte e garantuar. Ajo shpalosi parimet themelore të Islamit lidhur me liritë dhe etikën e bashkëjetesës. Gjithashtu, kjo kaptinë vë në pah gjendjen shumë këmbëngulëse të idhujtarëve në sistemin e tyre të rremë të besimit. Prandaj, siç kuptohet nga transmetimet e shkakut të zbritjes së kaptinës, ata madje përpiqeshin ta detyronin Pejgamberin a.s. që i ftonte në Njëshmërinë e Zotit xh.sh., të përfshihej në besimin e tyre të përzier me shirk. Ndërsa ofertat dhe kërcënimet e idhujtarëve për të bashkëjetuar dhe për t’u socializuar në shoqëri ishin të gabuara dhe të papranueshme, pasi çdo njeri është përgjegjës për fenë dhe përgjegjësitë e tij. Në të njëjtën mënyrë, duke marrë parasysh kontekstin social në të cilin zbriti kjo kaptinë, mund të thuhet se ajo qartëson qëndrimin e tolerancës së Islamit ndaj besimeve dhe formave të adhurimit të feve të tjera. Në lidhje me këtë në Kuran thuhet: “Në fe nuk ka dhunë (imponim). Është sqaruar e vërteta nga e kota.” (El Bekare, 256).
Në kuptimin e përgjithshëm kaptina vë në pah faktin se asnjëherë adhurimi i një Zoti të vetëm, pra tevhidi, dhe besimi politeist, shirku, nuk mund të jenë të barabartë. Një mysliman nuk i afrohet shirkut në asnjë aspekt apo moment të jetës së tij dhe nuk ndien simpati për të. Ai është i distancuar nga të gjitha llojet e besimeve që janë jashtë Islamit. Edhe pse mund të ketë dallime midis mosbesimit dhe shirkut, përfundimisht të gjitha fetë që janë përballë Islamit dhe myslimanëve janë një fe dhe popull i vetëm. Zoti i Madhërishëm nuk i ka krijuar dy zemra në gjoksin e një njeriu. Prandaj, në zemrën e një besimtari, besimi dhe mohimi në të njëjtën kohë nuk mund të zënë vend. Ai mund të respektojë format e ndryshme të feve dhe besimeve, sepse janë të pranuara nga njerëzit, por në asnjë mënyrë nuk mund t’i aprovojë ose t’i miratojë ato. Ai i respekton ato, por nuk përpiqet t’u serviloset atyre. Andaj duke thënë “Zoti im dhe Zoti juaj është vetëm Allahu. Feja ime është për mua, dhe e juaja për ju,” Islami e bën të qartë pozicionin dhe qëndrimin e tij parimor të besimit. Pra, “Fe e vetme (e pranuar) tek Allahu është Islami.” (Ali Imran, 19).
_______________________
1. Razi, Mefatihu’l-Gajb, XXXII, 160.
2. Ibën Ashur, et-Tahrir, XXX/579.
3. Alusi, Ruhu’l-Meani, XXX/266.
4. Vahidi, Esbabu’n-Nuzul, 26.
5. Mevdudi, Tefhimu’l-Kur’an, VII/273.
6. Rrazi, Mefatihul Gajb, v. XXXII/137.
7. Mevdudi, Tefhimu’l-Kur’an, VII/278.
8. Shevkani, Fethu’l-Kadir, V/621