Namazi, institucioni i parë në Islam


Njëmend, asnjë institucion tjetër nuk është përsëritur dhe nuk është theksuar e urdhëruar aq shumë sa namazi. Prej 67 herëve, sa është përmendur në Kuran, 25 herë përmendet në formë të imperativit (emrit), në suren Bekare përmendet nëntë herë në ajetet 3, 43, 45, 83, 110, 153, 177... Ta studiosh këtë normë nëpërmjet Kuranit, do të thotë të studiosh njeriun dhe historinë e tij, të studiosh natyrën dhe ligjshmërinë e saj dhe rrjedhat e posaçme. Do të ishte gabim i madh që kjo normë të përcillet prej shpalljes së Kuranit e të lihet pas dore periudha e gjatë që i ka paraprirë. Frymën e namazit e ndiejmë në pendimin e sinqertë të njeriut të parë në Tokë, Ademit a.s.(1) Në duanë e vet të njohur, në vendin më të shenjtë të globit tokësor, te Bejtullahu, Ibrahimi a.s.. E lut Allahun xh.sh. për shpëtim dh fat të gjeneratave të ardhshme. Fati i tyre është kushtëzuar me kryerjen e namazeve.(2) E njëjta gjë është përmbajtja e duasë që bëri Ibrahimi me të birin, Ismailin, në momentin e rindërtimit të Bejtullahut.(3) 
Normën e namazit e shohim edhe në Sheriatin e pasardhësve të tij, Is’hakut a.s. dhe Jakubit a.s..(4) Shuajbi a.s. u ishte ekspozuar sulmeve të mëdha nga bashkëvendësit e tij, të cilët i pengonte namazi i tij, nëpërmjet të cilit madhërohet dhe lavdërohet Ai Që nuk ishte në besimin e baballarëve të tyre.(5) Në testamentin e Llukmanit, t cilin ia lë të birit, namazi është palca e testamentit.(6) Në luginën e bekuar Tuva, Musai a.s. i dëgjon parimet themelore të Shpalljes: “Unë jam, njëmend, Allahu, përveç Meje nuk ka zot tjetër, për këtë falmu vetëm Mua dhe kryeje namazin, që të jem gjithmonë ndërmend”.(7) Në kohën e terrorit të madh dhe gjenocidit që u bëhej izraelitëve në Egjipt, Musai a.s. urdhërohet që armikut të këtillë të fuqishëm dhe brutal t’i kundërvihej me fenë, me armën më efikase. Norma themelore e fesë së tij ishte namazi(8) Më në fund, Isai a.s., qysh në djep, e paralajmëroi namazin si obligim jetësor deri në vdekje.(9) 
Kjo histori e namazit, të cilën na e parashtron Kurani, ka rëndësi shumë të madhe, sepse na udhëzon në Njësinë, e namazi, pra, nuk është vetëm normë themelore e Islamit, por edhe e Shpalljes në tërësi. 
Është shumë me rëndësi të ceket se namazi është institucioni i parë i jetësuar në Islam (në vitin e tretë sipas hixhrit), si dhe të gjitha ibadetet janë bërë obligim në tokë, përveç namazit. 


Namazi nder i njerëzimit dhe iu dha mëshirë dhe begati 


Këtë normë Muhamedi a.s. e prano në shpirtin dhe zemrën e vet në qiell, kur ndodhi Miraxhi i vet i madh, sikur ndihej nevoja që Pejgamberi të ishte sa më afër burimit për ta pranuar këtë urdhëresë. Me këtë iu bë nder atij, e njerëzimit, nëpërmjet normës së namazit, iu dha mëshira e madhe dhe begatia. 
Duke mos dashur të largohem nga tema, deri këtu i bëmë një vështrim historikut të namazit në Kuran. Tas është radha të diskutohet për esencën dhe rolin e namazit në jetën e njeriut dhe për qëllimet që arrihen me të. Së pari, për shkak se, nëse njeriu me namaz nuk i arrin qëllimet e caktuara, atëherë ky nuk është ai namaz që e ka bërë obligim dhe e ka urdhëruar Kurani. 
Duhet pranuar se pamja e namazit nëpërmjet praktikës të një numri të madh të myslimanëve është plotësisht në kundërshtim me obligimin e namazit nga ana e Kuranit. Mu për këtë arsye, shpeshherë formohet një pasqyrë e gabuar ndaj normës themelore të Islamit. Pasqyrimet e këtilla të deformuara, mund të shërohen vetëm me Kuran. 
Shikuar nga aspekti islam, njeriu është krijuar për t’i bërë ibadet Allahut xh.sh..(10) Qëllimi i namazit është që njeriu ta kujtojë Krijuesin e vet, vendin dhe rolin e vet që Ai i ka caktuar. Njeriu gjithmonë është në ibadet, kur punon në arë, në fabrikë; kur komunikon me njerëz apo me rrethinën. Islami të gjitha këto i konsideron si ibadete, nëse njeriu të gjitha këto aktivitete të veta i drejton nga e mira, gjegjësisht, ua nënshtron qëllimeve tek të cilat e ka udhëzuar Allahu xh.sh., mirëpo, namazi është forma specifike, më e përsosur e ibadetit. Këto nuk janë vetëm fjalët e shqiptuara me gjuhë, lëvizjet e trupit, pa praninë e shpirtit dhe vetëdijes. Nuk ka namaz të duhur pa angazhimin e plotë të vetëdijes. Pa këtë as që ka njeri të shëndoshë. Në ajetin 43 të sures En-Nisa, ndalohet hyrja në namaz në gjendje të dehur: “O besimtarë , mos e kryeni kurrsesi namazin të dehur, derisa të mos e dini se çka flitni”. 
Vetëm vetëdija e shëndoshë mund të të vërë në kontakt me Krijuesin dhe botën, vetëm vetëdija e pastër dhe e shëndoshë mund të shohë të vërtetën dhe botën. Nuk e sollëm pa arsye këtë tekst të Kuranit, me të cilin paralajmërohet ndalimi i pijeve alkoolike në Islam. Kjo ndalesë, në mes të tjerash, fizikisht është e lidhur edhe me normën e namazit. Roli themelor i namazit është që “të largojë nga pasionet dhe nga çdo gjë e keqe”.(11) 
Falë namazit, pati sukses ndalimi i pijeve alkoolike menjëherë në fillimet të Islamit. Ende mund të pohoj se ky është prohibicioni i vetëm i suksesshëm i kësaj të keqeje të rrezikshme njerëzore në histori. Kishte shumë orvatje në këtë drejtim, por të gjitha përfunduan pa sukses, të gjitha përveç atyre kuranore. Të kujtojmë orvatjen e prohibicionit të pijeve alkoolike në SHBA-në viti 1919. Njëri prej shteteve më të fuqishme të botës së sotme, i përdori të gjitha mjetet që kishte në dispozicion. Me qëllim që të kishte sukses kjo ndërmarrje, ndalesa ishte publikuar në të gjitha mjetet e informacionit publik, janë burgosur 532, 330 persona, janë varur 300 persona, është konfiskuar pasuria në vlerë prej 400 milionë funtesh... mirëpo ky ligj mbeti në fuqi vetëm 14 vjet, për t’u anuluar në vitin 1933. Pas këtij viti, jo vetëm që njerëzit iu kthyen konsumimit të mëparshëm të pijeve alkoolike, po situata u keqësua edhe më shumë, dhe kështu shoqëria amerikane, e papërmbajtur, marshoi në “epokën” e drogës. 
Është normale që të parashtrohen pyetjet për suksesin e prohibicionit islam në Medinë, i cili i parapriu atij amerikan para afër 15 shekujsh; përveç dallimit të madh në kohë, këtu ka dallim të madh edhe në shkallën e kulturës, arsimit dhe vetëdijes. Sipas mendimit tim, fshehtësia e suksesit të këtij prohibicioni të vetëm të alkoolit në historinë e njerëzimit, shihet në faktin që ajo është çështje kuranore, hyjnore. Kryerja e namazit 5 herë në 24 orë, e përjashton edhe konsumimin më të paktë të alkoolit. Më parë thamë se namazi është një gjendje në të cilën njeriu duhet të jetë i përqendruar sa më shumë që të jetë e mundur, që të jetë plotësisht i vetëdijshëm për atë që shqipton. 
Kur është fjala për namazin, ashtu siç e sqaron Kurani, duhet të theksojmë se njeriu mund të dehet edhe me diçka tjetër përveç me alkool. Sa ka të tillë që nuk e dinë se ç’kanë thënë në namaz, e nuk e kanë shijuar asnjë pikë të alkoolit. I dehur me padituri, me pakujdesin ndaj namazit, me dashurinë ndaj pasurisë ose dynjallëkut. Kurani kërcënon me dënim të ashpër atë që në namaz nuk është i pranishëm me vetëdije,(12) at që me veshtirësi dhe përtaci hyjnë në namaz; ata që e kryejnë për të rënë në sy të të tjerëve se janë në namaz.(13)


Namazi është lidhja me Krijuesn, botën tjetër


Kjo lidhje patjetër duhet të jetë e përhershme. Kjo është theksuar posaçërisht: “Besimtarëve namazi u është bërë obligim në kohë të caktuar”.(14) Kjo lidhje kuranore e namazit me kohën, i ka shtyrë një pjesë të ulemave që të pohojnë se namazet e lëshuara nuk mund të kompensohen. 
Ata që lejojnë zëvendësimin-kompensimin e namazit të lëshuar, njëzëri pajtohen në mendimin se kjo nuk është mirë (kerahet). 
Namazi është rregullator i zemrës së njeriut. Njeriun e stolisin virtytet dhe natyra e melekëve, por ai nuk është imun as nga epshet shtazarake dhe as nga shprehitë e këqija. Në të gjithmonë zhvillohet beteja e madhe dhe e përhershme, në mes të këtyre shprehive. Qëllimi i jetës së njeriut synon që në njeriun të triumfojë ajo që është humane dhe madhështore. Megjithatë, toka e tërheq fuqishëm, kështu që ekziston rreziku që në të të sundojë ajo që është e ulët, shtazarake, mëkatare dhe epshore nga pikëpamja islame; nuk është çudi që njeriu të gabojë, secili njeri është i gabueshëm. Mirëpo, është e çuditshme nëse ai nuk i përmirëson gabimet e veta, nëse bie në nivelin shtazarak, bile edhe nën këtë nivel.(15) Këtu qëndron funksioni i qëndrueshmërisë së namazit, ai nuk lejon që në njeriun të zotërojnë fuqitë destruktive.
 Me namaz akumulohet ajo pjesë e njeriut e cila mund të kënaqet plotësisht edhe sipas kritereve të çfarëdo shkence ose filozofie apo arti. Ky është përjetimi kur ai ngrihet prej tokës në qiell dhe kështu i hapen dyert, kështu ai bisedon me Krijuesin e vet, pa përkthyes e ndihmës e sheh veten kështu dhe ndien natyrën dhe funksionin e vërtetë . Namazi është e vetmja normë në Islam e cila parashihet në të gjitha rrethanat dhe situatat, është rregulluar me përpikëri mënyra e kryerjes së tij, kur njeriu është i shëndoshë ose i sëmurë, në paqe dhe në luftë. Udhëtarit (mysafirit) i lejohet ta shkurtojë namazin. I sëmuri mund ta kryejë namazin pa kiam, ruku, sexhde, kurse i sëmur tërësisht edhe me shenja. Një kaptinë të posaçme Kurani ia kushton kryerjes së namazit në luftë. Namazit të këtillë i jepet roli dhe dimensioni i posaçëm. Mendojmë se këtu është me rëndësi të theksohen dy momente. para, gjendja e luftës dhe e përleshjeve nuk do të thotë anulim i namazit. Namazi është arma më e fortë si në paqe ashtu edhe në luftë . Ata, para të cilëve Muhamedi a.s. ishte falur si imam në luftë, këtë gjë e kanë lënë argument të qartë dhe të saktë . E dyta, kryerja e namazit gjatë luftës shoqërohet me të gjitha masat dhe preventivat e mundshme, ku bën pjesë edhe falja e namazit në grupe, mbajtja e rojave deri në kryerjen e namazit me anë të ngjeshura etj..(16) Natyrisht , një disiplinë dhe vendosmëri e këtillë në kryerjen e namazit, për shumë njerëz ishte dhe mbetet e papranueshme. Praktikimi i namazit në rrethana të këtilla shpesh është lidhur me mossuksese. Edhe në këtë rast ne duhet t’u besojmë vetëm fakteve dhe historisë, e ato na dëshmojnë se myslimanët kanë ngecur prej se ia kanë kthyer kurrizin kësaj norme. 
Nëse mendojmë pak mbi normat e namazit në luftë dhe me sëmundje, atëherë qëndrimi mbi mospranimin e kompensimit të namazeve na bëhet shumë më e qartë. Për të ardhur në situata që të lihet patjetër namazi, që të të kompensohet më vonë dhe ky kompensim të jetë i arsyeshëm dhe i pranuar tek Allahu xh.sh., - konsiderojmë që për këtë duhet të ketë patjetër arsye të mëdha.


Humbja e kontaktit me Zot mbjell frikë, dëshpërim dh pasiguri


Sidoqoftë , nuk janë këto ato arsye dhe situata për të cilat dhe në të cilat ne sot e kemi bërë shprehi ta lëmë për ta kompensuar më von namazin! Mënyra bashkëkohore dhe ritmi i jetës gjithsesi imponojnë edhe probleme në kryerjen e namazit në disa rrethana. Mirëpo, Islami ka lënë edhe mundësi për zgjidhjen e dilemave të këtilla. Ulemaja në këtë rast nuk janë përgjegjës vetëm para një detyre të madhe, por edhe para një përgjegjësie të madhe para njeriut dhe Allahut xh.sh.. Më në fund, a thua më shumë ka mundur të vërejë dhe të arrijë njohuri mbi Allahun xh.sh. beduini në shkretëtirë para 15 shekujve, apo njeriu i sotëm, i cili udhëton me automobil, avion apo raketë. A thua ai duhej të binte në sexhde për Allahun xh.sh. para njeriut të sotëm? A thua kalorësi me devenë e vet, i ndjekur nga shkretëtira dhe era, kishte kushte më të mira për namaz sesa udhëtari i shekullit XXI? A thua nuk jemi të papërcaktuar kur themi se jetojmë në epokën e të arriturave të mëdha dhe aksioneve, dhe a thua kjo nuk është epoka edhe e mëkateve të mëdha? Nuk ka dyshim që roli themelor i namazit është që të formojë personalitet të shëndoshë dhe të fuqishëm. Personalitet i cili do ta kuptonte esencën e jetës së njeriut, i cili nuk do të kapitullonte asnjëherë para vështirësive dhe problemeve jetësore. Nuk është vështirë të vërehet se njeriu bashkëkohor lëngon mu nga kjo mungesë. Njerëzit gjithnjë e më shumë janë të mbushur me frikë, shpirtngushtësi e dëshpërim, dhe është e qartë se njeriu duke e humbur kontaktin me Zotin, e ka humbur lidhjen edhe me jetën. Më parë thamë se bash namazi krijon atë lidhje. Me hyrjen në namaz me tekbir (Allahu Ekber), njeriu dëshmon dhe beson se nuk ekziston ndonjë problem që ai, me vullnetin dhe ndihmën e Allahut, nuk do ta përballojë dhe ta zgjidhë . Kjo ndjenjë që njeriut mund t’ia ofrojë vetëm namazi , ka ndikim të madh në jetën e personalitetit.
Namazi është manifestim i fesë, ai u jep tonin ndjenjave, sjelljeve dhe mendimeve të besimtarit, i tregon se si duhet jetuar. Ai është barrë e edukimit islam, me ndihmën e tij mund të realizojmë shumë, pa të asgjë. Kjo është orvatje e shpirtit njerëzor që të shpëtojë nga shkatërrimi, e shpëtimin e ka që të vijë nën hijen e Krijuesit të vet. Nëse nuk ka një kontakt të tillë shpirtëror, atëherë nuk ka as namaz. 
Me namaz arrihet qetësia dhe siguria shpirtërore, e ky prapë është pushimi më i mirë për trurin dhe sistemin nervor. Tomas Hajslub, duke folur për namazin, thotë: ”Ka bindje të thellë në praktikën e tij shumëvjeçare, se qetësia dhe rehatia me asgjë nuk mund të arrihen si me namaz. Asgjë si namazi nuk mund t’i qetësojë nervat e tij”. 
Nuk ka nevojë të theksohet posaçërisht se sëmundjet shpirtërore janë dukuri të shekullit XX. Këto janë sëmundje të rënda. Edhe mjekësia bashkëkohore në këtë lëmë ofron fare pak shpresë e kurajë. Si metodë më e suksesshme e shërimit të këtyre sëmundjeve, deri më tash janë treguar reaksionet dhe qetësimet e ndryshme të këtyre sëmundjeve tek të sëmurët. Nëse i qasemi me kujdes kësaj metode të shërimit, nuk do ta kemi vështirë të vëmë re se kjo është orvatje e krijimit të atmosferës, të cilën ia ofron njeriut pikërisht namazi. Islami qysh moti u ka caktuar pasuesve të vet relacionin shpirtëror dhe fizik. 
Rëndësi të posaçme Kurani i kushton kryerjes së namazit me xhemat. Bile disa namaze, si ai i xhumasë dhe i bajrameve, mund të kryhet vetëm së bashku, me xhemat. Dihet se Muhamedi a.s. rekomandonte që në namazin e bajrameve të merrnin pjesë sa më shumë xhematlinj meshkuj e femra. Bile u lejohet edhe femrave që nuk mund ta kryejnë namazin. Ato do të marrin pjesë gjatë mbajtjes së hytbes dhe duasë, meqë nuk mund ta kryejnë namazin. Për një grua i ishte thënë Muhamedit a.s. se nuk mund të vinte në xhami, sepse nuk kishte rroba të duhura, e Muhamedi a.s. kishte thënë: “Litelbitheha uthutuha fi xhibabiha”. Le ta mbulojë motra e saj me pelerinën e vet ! Shtrohet pyetja, si dhe me çfarë të drejte pothuaj i kemi izoluar gratë nga xhamia, madje prania e tyre në namazin e xhumasë dhe bajrameve, sipas disave, është mëkat! Me namaz të përbashkët krijohen marrëdhënie të shëndosha shoqërore në mes njerëzve, lidhen miqësi dhe krijohet dashuria midis njerëzve. Në këtë drejtim, sidomos namazi i xhumasë ka rol të rëndësishëm. Duket paradoksale, po është e vërtetë se njeriu bashkëkohor është mjaft i vetmuar. Nuk mbahet në mend se njeriu ka vuajtur nga vetmia sikurse vuan sot. Në kohët e tashme psikologët orvaten që shërimin e njerëzve të vetmuar ta bëjnë në kolektiv. U mbahen ligjërata, me të cilat u ndihmohet të sëmurëve që ta tejkalojnë problemin e tyre. Ky lloj i shërimit na kujton hytben e namazit të xhumasë , me ndryshimin se me hytbe i drejtohemi njeriut të shëndoshë , duke iu përmbajtur gjithmonë rregullit se parandalimi është më i mirë se shërimi.


Abdesti nuk është vetë pastrim fizik


Tashmë e theksuam se namazi, në radhë të parë, është ibadet shpirtëror (ibadetun rruhijetu), por kushtëzohet nga pastrimi i rrobave, trupit dhe vendit ku do ta kryhet namazi. Sipas nevojës duhet të kryhet edhe gusli (larja), është e obliguar marrja e abdestit, për xhami rekomandohen rrobat më të bukura.(17) Përgatitjes materiale për namaz i jepet rëndësi e madhe(18), kështu që edhe nëpërmjet normave të namazit na paraqitet koncepcioni i vërtetë i Islamit. Ai paraqitet në lidhje të fortë në mes së kaluarës dhe të ardhmes, dynjallëkut dhe Ahiretit, materiales dhe shpirtërores. Kjo lidhje është e pranishme në të gjitha normat islame. Abdesti nuk është vetëm pastrim fizikisht, sepse musaliu e ndien edhe efektin shpirtëror të këtij riti, të përgatitjes në namaz. 
Larja e pjesëve të caktuara të trupit, pesë herë në ditë, i ka efektet e veta në shpirtin e njeriut, në relaksimin e muskujve dhe në enët e gjakut. Kështu thotë dituria njerëzore, e të dëgjojmë edhe fjalët e Pejgmberit a.s.: “idha gadibte theteveda” (Kur të hidhërohesh, merr abdest!). Namazi është bashkëngjitje në harmoninë e natyrës dhe kozmosit, në ligjshmëritë që mbretërojnë këtu. Njeriut i mjafton që vetëm t’i hedhë një shikim natyrës dhe të përfundojë se nuk është vetëm. Është i rrethuar me jetën dhe lëvizjen, e e para gjë që heton, është se në tërë këtë mbretëron një harmoni dhe saktësi e përsosur. 
Kurani flet për këtë dhe shpjegon se ky është namazi i natyrës, namazi i botëve, i qenieve të gjalla. Pra nuk është vetëm njeriu që I bie në sexhde Krijuesit; këtë “e bën çdo gjë që ka në qiej dhe në Tokë ”(19); “...yjet dhe drunjtë i bëjnë sexhde”(20); “Edhe murmurima E madhëron dhe lavdëron Atë e edhe melaiket nga respekti ndaj Tij...”(21) “Nuk ekziston asgjë që nuk E madhëron Atë , po ju nuk e kuptoni madhërinë e Atij”.(22) Kurani me këto ajete ia ha sytë dhe vetëdijen njeriut, e ndihmon që ta gjejë vendin dhe rolin e vet në këto hapësira të mëdha të Allahut, që ta njohë se sa mund të jetë i madh dhe sa mund të jetë i ulët. Njeriu është e vetmja qenie në këto botë që e ka vullnetin të lirë . Njeriut i mbetet të zgjedhë se ç’do të bëjë , se a do t’i bjerë në sexhde Allahut xh.sh., sikurse yjet shkëlqyese, sikurse Dielli e Hëna sikurse zogjtë, lartësitë dhe bukuritë qiellore, sikurse bleta buburreci, sikurse babai Ademi a.s., - ose ndoshta do të mohojë cicërimën e zogjve, shkëlqimin e yjeve dhe shndritjen e rrufesë , kështu që ta tradhtojë Ademin a.s. dhe të shkojë në botën e Iblisit. Pra, njeriut i mbetet të zgjedhë prej këtyre dy rrugëve. Secilit dhe çdo gjëje i është dhënë vetëm një rrugë , kurse njeriut dy. Çfarë mund të përfundojmë nga tekstet e cituara të Kuranit më parë, është se namazin e kryejnë të gjitha krijesat e Allahut, me përjashtim të një pjese të gjinisë njerëzore. 
Njeriu mund të jetojë edhe pa namaz. Kurani tërheq vërejtjen bile edhe parasheh ardhjen e gjeneratave, të cilat do ta braktisin namazin: “Këta janë ata pejgamberë të cilët Allahu i ka mbuluar me mëshirën e Vet, pasardhësit e Ademit dhe atyre të cilët i kemi mbajtur me Nuhun dhe pasardhësit e Ibrahimit dhe izraelitët, dhe ata të cilët i kemi udhëzuar dhe zgjedhur. Kur i lexoheshin ajetet e të Madhërishmit, ata binin me fytyrë në tokë dhe qanin. E ata i nderuan pasardhësit e këqij, të cilët e lëshuan namazin dhe shkuan pas pasioneve; ata me siguri do të kalojnë keq”.(23) 
Nuk dëshiroj të hyj në çështjen sa janë dukuri në kohën tonë këto parashikime të Kuranit, por është një dukuri gjithmonë e më tepër, që po lihet pas dore namazi dhe më shumë po ndiqen pasionet. Për njeriun do të duhej të mjaftonte që Allahu xh.sh. t’ia tërhiqte vërejtjen për këto dy dukuri dhe rreziqe. Namazin gjer më tani e kemi trajtuar dhe kundruar nëpërmjet të Kuranit, mirëpo të provojmë dhe ta kundrojmë namazin nëpërmjet shtëpive tona, të cilat Kurani i lavdëron, dhe ata që jetojnë në to: “Në shtëpitë të cilat ngrihen me dëshirën e Atij dhe në të cilat përmendet Emri i Tij, edhe në mëngjes edhe në mbrëmje. Në to janë njerëzit që nuk i pengon shitblerja, nuk i pengojnë që ta përmendin Allahun, ta falin namazin, ta japin zekatin dhe frikësohen nga dita kur zemrat dhe shikimet do të shqetësohen”.(24) Në shtëpitë tona me qindra vjet është bërë sexhde në mëngjes e në mbrëmje, vetmas dhe me xhemat. Kështu është edhe sot, kështu do të jetë edhe në të ardhmen, mirëpo në të ardhmen në shumë shtëpi tona më nuk do të jetë kështu. Tash edhe vetmas edhe me xhemat në kohën e namazit, në shtëpitë tona, në vend që të kthehemi nga kibla, kthehemi nga idhujt tanë, nga pasionet tona. Nuk ka dallim në mes shirkut të shekullit të shtatë dhe shirkut të shekullit të njëzetë. Detyrë e Islamit është që të luftojë kundër shirkut në çdo kohë. Namazi është pa dyshim arma më efikase e Islamit në këtë luftë, por ai duhet të ruhet, para së gjithash në familjet dhe në shtëpitë tona. Ajo është qeliza e gjallë, prej së cilës lind shkëndija e Islamit dhe e namazit dhe ruhet, po gjithashtu edhe shuhet. 
________________
1. El -Bekare, 37. 
2. Ibrahim, 40. 
3. El Bekare, 127. 
4. El-En-Bija, 73. 
5. Hud, 87.. 
6. Llukman, 17. 
7. Taha, 14. 
8. Junus, 87. 
9. Merjem, 31. 
10. E-dhâriat, 56. 
11. El-Ankebut, 45. 
12. El-Maun 5. 
13. En-Nisa, 142. 
14. En-Nisa, 103. 
15. El-Aë raf, 179. 
16. En-Nisa, 3. 
17. El-Aeraf, 31. 
18. El-Maide, 6. 
19. Er-Ra’d, 15. 
20. Er-Rahman 6). 
21. Er-Ra’d 13.
22. El-Israë 44. 
23. Merjem, 59.
24. En-Nur, 36)


Rrustem Spahu
Dituria Islame 230