Islami është fe e ekuilibrit dhe e maturisë në të gjitha aspektet e jetës së njeriut, përfshirë edhe ushqimin. Teprimi në ngrënie dhe pije është një nga problemet që dëmton si shëndetin fizik ashtu edhe atë shpirtëror të njeriut. Udhëzimet e qarta për ruajtjen e ekuilibrit dhe shmangien e pasojave të teprimit në ushqim i gjejmë si në Librin e Allahut, ashtu edhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, si dhe në praktikën gjeneratave të para të devotshme.
Dëmi i teprimit në ushqim – dëshmi nga Kur'ani dhe hadithet
Allah i Lartësuar thotë: "O bijtë e Ademit! Vishuni bukur kur të falni namazin! Hani dhe pini, por mos e teproni! Vërtet, Ai nuk i do ata që e teprojnë." (El-A'raf, 31) Ky ajet e bën të qartë urdhrin për maturi dhe ndalimin e teprimit.
Na është lejuar të shijojmë ushqimin dhe pijet që na ka dhuruar Allahu, përmes dëshmive të shumta kuranore, si në ajetin: "O besimtarë! Hani nga ushqimet e mira që ju kemi dhuruar." (El-Bekare, 172), megjithatë, duhet ditur kufiri. Teprimi në ushqim çon në plogështi, neglizhencë dhe dëmtim të shëndetit, duke e penguar besimtarin nga kryerja e detyrimeve të tij fetare.
Udhëzime të qarta për sasinë e ushqimit dhe për mënyrën se si duhet të duket një vakt ideal na i ka dhënë mësuesi më i mirë, nutricionisti më i madh, i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Ai ka thënë: "Njeriu nuk e mbush asnjë enë më të keqe sesa stomakun e tij. Mjafton për të disa kafshata që të mbajë shtyllën kurrizore drejt. Por, nëse duhet të hajë më shumë, atëherë le të ndajë stomakun në tri pjesë: një të tretën për ushqim, një të tretën për ujë dhe një të tretën për frymëmarrje." (Tirmidhiu)
Përmes këtij hadithi i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, shpjegon rregullin universal që kontribuon në shëndetin e njeriut. Maturia në ushqim dhe pije jo vetëm që forcon trupin, por edhe pastron zemrën nga plogështia dhe apatia shpirtërore.
Të shohim shembullin e Ibn Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilin e transmeton Nafi, Allahu e mëshiroftë, kur thotë: “Ibn Omeri, nuk hante pa gjetur një të varfër që të hante me të. Një herë e solla një njeri për të ngrënë me të, por ky njeri hëngri shumë. Pas kësaj, Ibn Omeri më tha: "O Nafi’, mos ma sill më këtë njeri, sepse kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Besimtari ha sa për të mbushur një zorrë, kurse jobesimtari ha sa për shtatë zorrë.” (Buhariu e Muslimi). Fakti se ngrënia me masë është e lavdërueshme, ndërsa teprimi është e kundërta e saj. Sa i përket fjalës së Ibn Omerit: “O Nafi’, mos ma sill më këtë njeri...” Ai e tha sepse ky njeri kishte sjellje të josbesimtarëve, dhe nuk është e këshillueshme të shoqërohesh me njerëz që kanë sjellje të tilla pa ndonjë nevojë. Gjithashtu me sasinë e ushqimit që ishte ushqyer ai, mund të ushqeheshin disa njerëz.”
Transmetimi i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, për ngopjen si bidat i parë.
Ebu Hamid el-Gazali në veprën e tij Ihjau ulumid-din, Imam San’ani në veprën e tij Subulus-Salam dhe Ibn Ebu Dunja në veprën e tij El-Xhu'ua, kanë shënuar nga Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ajo ka thënë: “Bidati i parë apo fatkeqësia e parë që u paraqit pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në këtë ummet është ngopja. Kur stomaku është plot, trupi dobësohet, zemra ngurtësohet dhe pasionet ndizen”. Ky transmetim, edhe pse ka një zinxhir të dobët transmetimi, tregon për rrezikun e të ngrënit të tepërt, i cili u bë zakon në gjeneratat e mëvonshme të muslimanëve, përkatësisht menjëherë pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.
Teprimi në ushqim sjell pasoja të shumta, si:
Dobësimi i trupit – Edhe pse mund të duket se ngrënia e tepërt sjell forcë, në realitet, një stomak i mbushur shkakton plogështi dhe dembelizëm. Një person i shëndoshë e ka të vështirë të kryejë adhurimet që nga shkuarja në xhami, tek falja e namazit, e deri te çdo ibadet tjetër që kërkon lëvizje të trupit.
Ngurtësimi i zemrës – Një zemër e preokupuar me kënaqësitë e stomakut bëhet më pak e ndjeshme ndaj dhikrit - përmendjes së Allahut, dhembshurisë dhe devotshmërisë. Ngopja shkakton verbim të zemrës, ndërsa stomaku bosh nxit njeriun për dhikër dhe adhurim, siç thotë fjala e urtë: "Kush ka uri, i shtohet mendimi dhe i zbutet zemra.".
Rritja e epsheve – Kur stomaku është plot, epshet bëhen më të fuqishme. Për këtë arsye, Pejgamberi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka rekomanduar agjërimin si mënyrë për të zbutë dhe zvogëluar euforinë e epshit. Siç thuhet në hadithin e shënuar nga imamët Buhariu e Muslimi nga Abdullah ibn Mesudi i cili transmeton se I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "O të rinj! Kush ka mundësi të martohet, le të martohet, sepse kjo ndihmon për të ruajtur shikimin dhe nderin. E kush nuk mundet, le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje."
Rrëfimi i Aishes, i cili është edhe tema kryesore e këtij teksti, na jep një mësim të rëndësishëm për obligimin e kontrollit të ngopjes, sepse Islami na inkurajon të jetojmë thjesht dhe mesatarisht, dhe të mos hamë tepër dhe të kënaqemi me ushqimin e tepërt, gjë që shpesh i shpie njerëzit në veprat të këqija, imoraliteti, sëmundjet e përgjithshme mendore, si zilia, mburrja dhe mendjemadhësia. Prandaj, nuk është për t'u habitur që arabët e lashtë thoshin: " Stomaku është shtëpi e sëmundjeve, ndërsa dieta është bazë e çdo ilaçi".
Njeriu është i detyruar të përmbahet nga dëshirat e shpirtit të tij, herë pas here edhe nga ato që janë të lejuara nëse përfundimisht do ta dëmtojnë atë, si p.sh. të konsumojë gjithçka që dëshiron. Le të dëgjojmë këshillën e Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilën e ka shënuar Imam Ahmedi në veprën e tij Zuhd, drejtuar Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilin e pa me një copë mish që donte ta blinte, kështu që Omeri i tha: "O Xhabir, a do të blesh çdo gjë që dëshiron? A nuk ke frikë se do të përfshihesh në ajetin e të Madhëruarit: " Ju i shfrytëzuat të mirat në jetën e Dynjasë dhe i përjetuat ato ..." (El-Ahkaf, 20)
Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se është e ndaluar të gëzojmë mirësitë e kësaj bote që i ka lejuar Allahu, por na bën të kuptojmë se duhet të jemi të matur në të gjitha këto.
Shëndeti si amanet dhe bekim
Allah i Lartësuar na ka dhënë trupin si amanet dhe shëndetin si bekim të madh. I Dërguari i Allahut ka thënë: "Dy janë begatitë që shumë njerëz nuk i shfrytëzojnë siç duhet: shëndeti dhe koha e lirë." (Buhari)
Ky hadith tregon qartë përgjegjësinë që kemi ndaj trupit dhe shëndetit tonë. Besimtari duhet të kujdeset për shëndetin e tij përmes ushqimit të duhur, maturisë dhe aktivitetit fizik.
Ka shumë transmetime se si dijetarët islamë janë kujdesur për shëndetin e tyre, si dhe për dietat e tyre, nga të cilat për mua personalisht një nga dietat më të kompletuara, natyrisht pas agjërimit është: “Hani vetëm kur jeni të uritur, dhe kur hani - hani me maturi." Dietë që pasqyron më së miri Sunetin dhe praktikat e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Islami nuk inkurajon asketizmin, por sigurisht thekson nevojën për të shmangur ekstremet - si në ekzagjerim ashtu edhe në përmbajtje të tepruar. Kjo është arsyeja pse dijetarët islamë kanë thënë se i gjithë ilaçi gjendet në ajetin: “Hani dhe pini, por mos e teproni”. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët edhe pse në secilin prej tyre ka të mira.” (Muslimi) Ky hadith, ndonëse ka kuptimin e besimit, apo forcës shpirtërore, gjithashtu i nxit besimtarët që të kujdesen për trupin e tyre, sepse forca fizike është ajo që i mundëson trupit të kryejë më mirë ibadetet, si fizike ashtu edhe shpirtërore.
Pasojat e të ngrënit të tepërt
Ngrënia e tepërt ka pasoja të shumta, si fizike ashtu edhe shpirtërore:
• Pasojat fizike. Marrja e tepërt e ushqimit çon në obezitet, diabet, sëmundje të zemrës dhe sëmundje të tjera që dëmtojnë cilësinë e jetës. Mjekësia moderne konfirmon se maturia në ushqim kontribuon në shëndet dhe jetëgjatësi.
• Pasojat shpirtërore. Ngrënia e tepërt çon në letargji dhe pamundësi për të kryer namazin, agjërimin dhe ibadetet tjera. Një stomak plot zë vend në një zemër që duhet të jetë e mbushur me dashuri për Allahun e Plotfuqishëm. Ibn Kajjim el-Xhevziu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ngrënia e tepërt shkakton sëmundje të zemrës dhe të trupit, ndërsa maturia siguron forcën, shëndetin dhe pastërtinë e zemrës”.
Praktika e të Dërguarit të Allahut
Profeti Muhamed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ishte shembull i thjeshtësisë dhe i maturisë në ushqim. Ai kurrë nuk hante deri në ngopje dhe nuk i kushtonte rëndësi të tepruar kënaqësive të kësaj bote. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: "Familja e Muhamedit nuk është ngopur me bukë elbi dy ditë rresht deri në vdekjen e tij." (Muttefekun alejhi)
Njeriu më i mirë në botë, në shtëpinë më të mirë, me familjen më të mirë, i uritur, por i kënaqur dhe mirënjohës. Pejgamberi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, shpesh agjëronte, gjë e cila njëherit është edhe dieta më e mirë, për të pastruar trupin dhe zemrën e tij. Ushqimi i tij ishte i thjeshtë, i përbërë kryesisht nga hurmet, elbi, uji, qumështi dhe mjalta. Nuk ka dyshim se ngrënia e tepërt është e dëmshme dhe e padëshirueshme. Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, na kanë mësuar se maturia është çelësi për një trup të shëndetshëm, një zemër të pastër dhe një jetë të plotë. Transmetimi i Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me të, për ngopjen si bidat i parë na paralajmëron fuqishëm që të shmangim teprimet që çojnë në dobësi fizike dhe shpirtërore. Shëndeti është bekimi dhe besimi më i madh për të cilin do të na kërkohet. Maturia në ushqim, zakonet e shëndetshme dhe mirënjohja ndaj Allahut të Plotfuqishëm për bekimet që kemi janë themeli i një jete islame të përmbushur. E lus Allahun që të na bëjë të devotshëm dhe të kënaqur, të na dhurojë një jetë të shëndetshme e cila është çelësi i përmirësimit të shëndetit tonë, fizik dhe shpirtëror.
Prof. Adis Memić