Rinia- periudha e vlerave, vitalitetit dhe fuqisë

Rritja psikologjike e moshës rinore është tepër e dukshme në të gjitha drejtimet. Në fillimet e saj, si rregull, nisin e kristalizohen bazat e botëkuptimit, merr rrugë formimi i bindjeve. Ato marrin edhe ngjyrime emocionale e volitive, lidhen me idealet, me motivet e me veprimtarinë.

Zhvillimi intelektual është tepër intensiv dhe ecën shpejt drejt pjekurisë. Rritet fuqia e vrojtimit, e meditimit, e abstraksionit, e pavarësisë së mendimit. Studimi bëhet më këmbëngulës, me ritëm më të shpejtë e më dinamik, me rendiment më të frytshëm. Diferencohen më qartë interesat e prirjet. Pasurohet bota emocionale, shtohen përjetimet. Romantika e pasur rinore gërshetohet edhe me ndjenja realiste. Vullneti fuqizohet. Njeriu bëhet më këmbëngulës. Mbi të gjitha tashmë formohet karakteri. A nuk e shohim kështu një shpalosje të vrullshme e të vërtetë të personaliteti njerëzor, të anëve më pozitive të tij?
Periudha e rinisë është, njëmend, koha lulëzimit dhe e shkëlqimit jetësor, nën ndikimin e së cilit edhe bota është më e freskët dhe më e bukur. Kështu, lirisht mund të themi se bota pa rininë nuk është asgjë tjetër vetëm se një varrezë. Veçantitë dhe karakteristikat sikurse janë entuziazmi, përpjekja, emotiviteti, kriticizmi, animi nga e bukura, dinamizmi, aktivizmi, gjurmimi pas risive dhe ripërtëritjes janë të sinkronizuara me këtë periudhë jetësore. E personi i ri me këto karakteristika, me punën dhe përpjekjen e tij, i palodhshëm lëviz drejt qëllimit të vet.
Rinia, periudha jetësore më intrigante dhe më pretenduese. Askush si i riu nuk i qaset jetës me gjithë ato pyetje, pritje të dridhshme, kërkesa këmbëngulëse. Dhe askush sikur ai nuk di të ndjejë eksluzivitetin dhe të shprehë rezignacionin (pajtim me fatin). Vetëm ai di të të befasojë me rezervuarin e energjisë jetësore që edhe rrethanat më negative t’i shndërrojë në përfundime pozitive.
Ruajtja e eliksirit të vlefshëm të rinisë dhe përdorimi i dobishëm i këtij procesi kohëshkurtër jetësor ka kërkesa, ilaçi i së cilave gjendet në të menduarit dhe kujdesin ndaj tyre. Derisa je i ri ke shëndet dhe për çdo dëshirë ka zgjidhje. Derisa je i ri bota është e jotja. Shko rrugës derisa sa të mbajnë këmbët.
Mosha e rinisë është periudha e fuqisë, e cila gjendet ndërmjet dy periudha të dobësisë: fëmijërisë dhe pleqërisë. Kjo është në të vërtetë, periudha e aktivitetit dhe e gjallërisë më të madhe dhe rinia këtu ka një detyrë dhe obligim të madh që t’u ndihmojë këtyre dy grupeve të dobëta dhe të pafuqishme: më të rinjve dhe më të vjetërve. Në këtë kuptim, Pejgamberi (s) paralajmëron në hadithin e tij dujke thënë: “Kush nuk ka respekt ndaj pleqve dhe kush nuk ka mëshirë ndaj të rinjve, ai nuk i takon Ummetit tonë.” (1)
Rinia, si pjesa mesatare e jetës, është në shenjë të jetës së plotë, energjisë dhe vrullit. E mesi si në të gjitha gjërat, është pjesa më e fuqishme – sikurse Dielli që është më i fuqishëm në mes të ditës. Prandaj prej rinisë priten të realizojë rezultate të mëdha, duke synuar dhe duke e lartësuar veten drejt qëllimeve fisnike.
Pejgamberi i All-llahut – Muhammedi (s) në hadithin e transmetuar nga Abdullah Ibn Mesudi thotë:
“Në ditën e Gjykimit, i biri i Ademit nuk do ta bëje as edhe një hap përpara për derisa të merret në pyetje për katër gjëra: për vitet e tija ku i ka kaluar, për rininë e vet si e ka shfrytëzuar, për pasurinë tij si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar, dhe a ka punuar sipas asaj që e ka mësuar.” (2)
Kur ndalemi dhe mendojmë pak rreth këtij hadithi vërejmë disa gjëra: Njëra prej tyre është ajo që njeriu në ditën e Gjykimit nuk do të merret në pyetje për dijen e tij, as për pasurinë tij, veç se gjëja e parë për të cilën do merret në pyetje janë vitet e tija. Urtësia e kësaj është që njeriu gjatë jetës së vet fiton dije, pasuri, pastaj punon dhe mundohet në punën e tij, duke bërë mirë ose keq. Sikurse thotë Pejgamberi (s) në hadithin, të cilin e shënon Ebu Malik el-Esh’arij: “Të gjithë njerëzit, që në mëngjes, i shesin shpirtrat e tyre, dhe me këtë ose i shpëtojnë ose i shkatërrojnë.” (3)
Këto vite që na janë dhënë, i nderuari vëlla, në të vërtetë janë provim, test për ne. Nëse kalon testin do të kesh sukses në të dyja botët. Por nëse bjer nga testi, ke dështuar në dynja dhe Ahiret. Do të arrijë të shpëtoje ai cili e përmbush kohën e vet me ato gjëra që i do All-llahu (xh. sh.), dhe do të shkatërrohet ai cili e kaloi kohën vet në ato gjëra të cilat nuk i do All-llahu (xh. sh.)
Zoti ynë Krijues, na paralajmëron në Kur’an, që njeriu, për shkak të largimit nga mënyra e organizimit të jetës sipas dispozitave të Zotit, do të ketë jetë të vështirë. Në një ajet All-llahu (xh. sh.) thotë:
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër. (Ta Ha, 124)
Rinia është pasuria më e madhe e një populli. Ajo është guximi i së kaluarës, shpresa e së sotmes dhe e ardhmja e së nesërmes. Rinia është pasqyra reale e një populli dhe fuqia shkencore, ekonomike dhe politike e tij. Para zërit të saj joshen të gjithë. Vizioni se do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, i bën ata të fuqishëm dhe të sigurt në çdo gjë që e duan.
Pasuria e një populli nuk është thesari nëntokësor, as prodhimet e Tokës. Pasuria nuk është në ari dhe argjend, as llogaritë në bankë nuk mund të cilësohen si pasuri. Nuk janë vetëm këto pasuri siç mendojnë disa. Pasuri e vërtetë është njeriu. Njeriu është pasuria më e madhe, e rinia është segmenti më i rëndësishëm i atij thesari njerëzor. Prandaj, nëse dëshiron ta dish të ardhmen e një populli, atëherë pyet për gjendjen e rinisë në të. Pyeti çfarë bën rinia e tyre, me çka merret, çfarë i intereson, kë e kanë model, cilët janë qëllimet e tyre jetësore, çfarë bëjnë, për çka mendojnë, për çka ëndërrojnë, çfarë ndodhë në ndejat, mbrëmjet dhe seminaret e tyre?
Në të gjitha periudhat e historisë të rinjtë kanë qenë, janë dhe do të jenë forca kryesore, lëvizëse e kombeve të tyre, bazë e progresit të popujve. Ata janë nderi i kombit, garanci për të ardhmen, pasuria më e mirë dhe kapitali më i dobishëm për pozitën e vendeve të tyre në botë. Kjo mjafton për të vërtetuar faktin se rinia është e njohur për shpirtin e saj guximtar, për kurajën dhe përkushtimin, për arsyen dhe intelektin e saj të kulluar e të padjallëzuar, për aftësinë dhe energjinë e tyre tepër të madhe. Ata me të drejtë janë kualifikuar si pjesa më e gjallë e kombit dhe bashkë me inteligjencien përbëjnë strukturën trup dhe tru të shoqërisë. Këta faktor i bëjnë ata edhe më shumë përgjegjës për t’i shërbyer kombit për t’i prirë dhe për ta formuar plotësisht atë.
Rinia është e ardhmja e fesë dhe e atdheut, ata janë shpirti i shoqërisë në të cilën bëjnë pjesë. Ata janë nervi i jetës dhe gjaku që rrjedh nëpër arteriet e shoqërisë. Shoqëria mund të përparojë vetëm me përpjekjet e tyre. Kur një shoqëri ka rininë e saj është e siguruar, prandaj nuk duhet as prindërit dhe as shteti të kursejnë asgjë për mësimin dhe edukimin e tyre, se në krahët e mendjet e tyre varet e ardhmja e çdo familjeje, kombi dhe mbarë njerëzimit. Kur rinia të jetë e pajisur me cilësi të larta morale, besim të paluhatshëm dhe mësim të përshtatshëm, shoqëria do të zhvillohet e do të përparojë pa pengesa.
Rinia është pjesa më e shëndoshë dhe më produktive e çdo shoqërie, prandaj, edukimit të rinisë duhet t’i qasemi me kujdesin më të madh dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Rinia është fuqia e cila nesër do të mbajë mbi shpatullat e veta fenë islame, atë amanet të cilin na e kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.
Njeriu është tjetër në vitet e fëmijërisë dhe tjetër në vitet e rinisë, kështu me radhë derisa ikën nga kjo jetë. Allahu në Kuran thotë:
“Allahu ju krijon, pastaj jua merr shpirtin. Disa prej jush jetojnë aq gjatë, sa arrijnë një moshë, ku nuk kuptojnë më asgjë nga ajo që kanë ditur. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm.” (En-Nahl 70)
Është e vërtetë se mosha rinore është moshë kur mendimet janë të thukëta, gjaku është i nxehtë dhe shpresat janë të shumta. Ajo është moshë e dhënies, shpenzimit e sakrifikimit, si dhe moshë e pranimit, impresionit dhe emocionit.
Nga e gjithë kjo, mosha rinore, në logjikën islame ka pozitë, përgjegjësi dhe vlerë të posaçme.
Rinia vetëm me Islamin paraqet diçka, ndërsa pa të nuk është asgjë. Me të vërtetë, rinia me Islam është dhënie, është mirësi dhe përparim, kurse pa të është humbje dhe bela. Rinia është fuqi, të cilën Islami e shfrytëzon për ndërtimin e tokës, kurse të tjerët mund ta nënshtrojnë atë në zhdukjen e njerëzimit. Shoqëritë njerëzore sot janë përplot me rini, por ajo rini është e padobishme, e humbur dhe e degjeneruar.
Një poet bashkëkohor iranian, Gejser Emin Pur, në një libër të tij me titullin “Njerëzit dhe Librat” thotë: "Njerëzit janë si librat, disa botohen, disa ribotohen, kurse disa fotokopjohen. Disa duhet marrë shembull e disa jo, disa “njerëz” duhen lexuar disa herë për t’i kuptuar, kurse disa nuk duhen lexuar, duhen hedhur. Disa njerëz janë "librat' që i nevojiten të rinjve e disa nga to janë libri që i nevojiten të mëdhenjve. (4)
Vallë, në cilin grup të tyre bëjmë pjesë ne?
“Janë tri rrugë përmes të cilave mund të arrijmë te urtësia.
E para: nëpërmjet përvojës – kjo është rruga më e vështirë.
E dyta: nëpërmjet imitimit – kjo është rruga më e lehtë.
E treta: nëpërmjet meditimit – kjo është rruga më fisnike”. (5)

(Vazhdon)
• Shënim: Shkrimi i mësipërm është shkëputur nga libri me titullin: “Sfidat e rinisë bashkëkohore në kohën e globalizmit” (Mr. Muhidin Ahmeti).



1. Ebu Davudi, Termidhiu – HZP, 1726.
2. Termidhiu – HZP, 1880.
3. HZP, 364
4. www.revfamilja.org
5. Konfuçio


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi