Sot, në botën bashkëkohore, ekziston një sistem që thirret në emrin e demokracisë dhe të humanizmit, por i cili në të njëjtën kohë me tiraninë e tij tejkalon çdo masë dhe kornizë të tij.
Në qoftë se ne hedhim një vështrim në parimet e këtij sistemi “demokratik”, ai cili na krijon një bindje shumë pozitive, na jep një përshtypje se gjithçka është mjaft mirë e rregulluar, kur kihet parasysh se me këtë sistem nuk cenohet e drejta e askujt, mirëpo, pasi të thellohemi më tej, vërejmë se tërë kjo është një falsitet i cili nuk të lejon te jetosh gjatë me këtë shpresë e cila, ç’është e vërteta dita-ditës te secili individ por edhe shoqëri të shfaq bindjen se, megjithatë nuk ekziston një sistem i tillë (demokratik).
Përditshmëria është pasqyra më reale nëpërmjet së cilës më së miri e shohim tërë atë se çfarë po ndodh sot, gjegjësisht nëpër çfarë po kalojmë sot, e mbi të gjitha nga po kalon një krijesë e cila me mundësitë e veta po mundohet të arrij që të ruaj dinjitetin e saj, e me këtë të fundit dhe të shoqërisë. Pra, me të drejtë shtrohet pyetja kush është kjo për të cilën po diskutohet aq shumë?!
Pra ajo për të cilën sot ne po diskutojmë është femra muslimane e cila në bazë të bindjes së saj e praktikon një veshje me të cilën njëkohësisht kryen një nga dispozitat e fesë, e që dhe sipas historisë së popullit tonë, por edhe të historisë njerëzore nuk është ndonjë risi. Pra, historikisht, mbulesa daton që nga njeriu i parë në faqe të dheut: Ademi a.s. dhe bashkëshortja e tij Hava, ngase Allahu atyre u dha mundësi dhe udhëzime se si duhet të vishen e mbulohen. Pastaj, është e pamohueshme se edhe te Ithtarët e Librit (të krishterët dhe çifutët) ka ekzistuar mbulesa si dispozitë fetare. Këtë e dëshmojnë shumë citate nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, e po ashtu edhe praktika e veshjes së murgeshave dhe motrave të nderit.
Ka dhe prej atyre që mendojnë se mbulesa islame në trevat tona daton që prej luftës së fundit në Kosovë (1998-1999).
Po ashtu, dhe në trevat tona shamia ka qenë pjesë e jetës se grave gjatë gjithë historisë, dhe këtë më së miri e dëshmon veshja jonë kombëtare. Një fakt i këtillë i jep mbulesës peshë dhe legjitimitet të pakontestueshëm, e këtë e vë në mëdyshje vetëm ai që është i verbër para fakteve dhe argumenteve.
Mbulesa islame (hixhabi) nuk është diçka arabe, pakistaneze, zezake, etj. Por, është një obligim nga Allahu i Madhërishëm, kurse sqarimet për të janë dhënë në Kur’an si dhe në Sunnetin e Profetit Muhammed s.a.v.s., për t’i dhënë gruas mbrojtje dhe siguri. Mbulesa është adhurim i vazhdueshëm e jo zbukurim siç mendojnë njerëzit që fatkeqësisht e gjejmë edhe në skenarët e ndryshëm të filmave.
Parimi kryesor i Islamit është besimi. Besimi është një mesazh, deklaratë apo komunikim me anë të gjuhës, një besim në zemër, i cili manifestohet në çdo pjesë të trupit. Prandaj kur një besimtare muslimane dëshmon për besimin e saj të lirë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij (s.a.v.s.) ai besim i saj dëshmohet me uniformën e hixhabit që ajo mban, vepër kjo e cila dëshmon për Islamin e saj, gjegjësisht është vulë e tërë besimit të saj.
Pra, sot është shumë qesharake kur mendon të futesh në bindjen e secilit individ apo shoqëri, kur kihet parasysh se kjo është një çështje e garantuar me ligjin hyjnor, por gjithashtu edhe me Konventën Evropiane të mbajtur para 50 vitesh (1950), ku miratohet ligji mbi mbrojtjen e lirisë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit…
Mbulesa islame është një nocion që në vete përmban një sërë dispozitash islame shoqërore që janë të lidhura dhe e definojnë pozitën e femrës në shoqëri, posaçërisht nga aspekti i raporteve të saj me ata që nuk e ka të lejuar t’i zbulojë bukuritë e saj para tyre. Në bazë të këtyre konteksteve mbulesa islame është një mburojë e femrës, por njëkohësisht dhe ruajtje e vlerave të sajë.
Për ta kuptuar më mirë mbulesën islame, duhet hulumtuar për arsyet pse është përshkruar si dispozitë, respektivisht cila është urtësia që fshihet prapa obligimit të mbulesës për femrën muslimane. Dihet mirëfilli se aftësia dhe mjeshtëria e parandalimit të të këqijave nuk qëndron vetëm në ndalimin dhe sanksionimin e tyre, por suksesi fshihet edhe në marrjen e masave mbrojtëse për mos-ndodhjen e tyre. Mbulesa e femrës muslimane është një prej atyre masave. Kur femra vishet dhe mbulohet siç duhet, pamja e saj është më pak provokuese, e kur gjithë kësaj i bashkëngjiten edhe rregullat e mirësjelljes të parapara nga Islami, atëherë mundësia për të ndodhur shkeljet dhe çoroditjet e ndryshme morale minimizohet.
Islami gjithnjë ka promovuar vlera dhe ndershmëri. Nderit dhe dinjitetit njerëzor i ka kushtuar rëndësi të veçantë, ndërsa kur është në pyetje femra, kjo rëndësi vjen në dukje edhe më tepër. Madje një prej objektivave madhorë të sheriatit islam është ruajtja e nderit. Dispozitat, të cilat në mënyrë shumë strikte bëjnë të paprekshëm nderin e muslimanes janë të shumta dhe të llojllojshme.
Përmes ajetit kur’anor në vijim shohim se Krijuesi i gjithësisë – Allahu i Madhërishëm – na e bëri obligim mbulesën:
“O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen.” (El-Ahzabë, 59)
Ndërsa i Dërguari ynë Muahmmedi s.a.v.s. thotë: “Gruaja është avret (zbukurim), pra duhet mbuluar atë.”
“Me te vërtetë, Allahu është i turpshëm dhe i mbuluar kështu qe e do turpin dhe mbulimin.”
Kur merren para sysh të gjitha dispozitat që flasin dhe kanë të bëjnë me këtë, pra mbulesën, atëherë kuptohet pozita e institucionit të mbulesës në kuadër të objektivave të larta të Sheriatit, sidomos ajo që ka të bëjë me ruajtjen e nderit. Mbulesa dhe veshja e mirëfilltë gjithmonë gjatë historisë ka qenë sinonim i ndershmërisë dhe moralit të bukur, madje edhe në traditën e popullit tonë kjo ka reflektuar me ndershmërinë e vajzës, gruas dhe femrës në përgjithësi.
Shtrohet pyetja: Pse sot akoma ka nga ato zëra që thërrasin në ruajtjen e vlerave të traditës sonë shqiptare, por pa shami, duke e harruar se kjo e fundit e ka shoqëruar femrën shqiptare gjatë tërë kohës në rrjedhën e shekujve…
Dhe sot situata paraqitet edhe më keq, ngase në kohën kur të gjithë zhurmshëm thërrasin për një shoqëri demokratike me të drejta të barabarta, kjo në fakt edhe nuk ndodh. Nuk ndodh, ngaqë vajzat dhe ato gra të cilat me bindjen e tyre personale kanë arritur të pranojnë dhe të praktikojnë e ligjin të Krijuesit, dhe nëpërmjet kësaj po e shpëtojnë veten dhe shoqërinë nga nënçmimi dhe gjërat e ngjashme me këtë, nuk janë të lira dhe atakohen.
Pra, në pika të shkurta, kjo është mbulesa e femrës muslimane, e cila pa të drejtë po përjeton shtypje dhe cungim të të drejtave të veta legjitime, dhe, për të qenë ironia më e madhe: jo nga ligji, por nga individë e njerëz të caktuar…