Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor islamik, e agjërimi i Ramazanit është një detyrë fetare për çdo mysliman të rritur dhe të shëndetshëm. Agjërimi i Ramazanit respektohet denjësisht çdo vit në të gjithë botën dhe zgjat njëzetenëntë (29) ose tridhjetë (30) ditë. Në Islam, agjërimi është një praktikë e detyrueshme gjatë muajit Ramazan nga agimi deri në muzg. Gjatë kësaj periudhe besimtarët nuk konsumojnë ushqim, përmbahen nga kënaqësitë trupore, sjelljet e papërshtatshme, etj..
Agjërimi i Ramazanit është obligim për çdo të rritur të shëndetshëm. Megjithatë, kur agjërimi mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin e individit ose kur dikush është vërtet i sëmurë, Islami e liron atë nga agjërimi.
"Allahu nuk dëshiron t'ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t'ju pastroj të mirën e Tij ndaj jush e që t'i falënderoheni." (El Maide, 6).
Në Kuran është urdhëruar: "O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (El Bekare, 183).
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shëndeti është një gjendje e mirëqenies së plotë fizike, mendore dhe sociale, e jo vetëm mungesë e sëmundjes ose paaftësisë. Për ne myslimanët shëndeti është një nga bekimet më të mëdha të Allahut që i është dhuruar njeriut nga Krijuesi i Madhërishëm, e i cili sipas mësimeve islame, vjen menjëherë pas bekimit të besimit.
Është e rëndësishme të theksohet, se në vitin 1994, në Kazablanka, Marok, është mbajtur Kongresi i Parë Ndërkombëtar për Shëndetin dhe Ramazanin, në të cilin janë prezantuar rreth 50 punime shkencore mbi etikën mjekësore të agjërimit, e ku të pranishëm ishin ekspertë nga e gjithë bota. Është sugjeruar se agjërimi i Ramazanit do të ishte një rekomandim ideal për trajtimin e sëmundjeve sikur që janë: diabeti, hipertensioni esencial, kontrolli i peshës, ulja e nivelit të sheqerit në gjak, ulja e kolesterolit dhe ulja e niveleve të yndyrës në trup.
Duhet theksuar se qëllimi parësor i agjërimit të Ramazanit është në formimin e sjelljes dhe mënyrën e jetës së praktikuesve të tij, duke u përmbajtur nga dëgjimi, të folurit ose të menduarit keq për të tjerët, duke u shndërruar ata në qenie ideale njerëzore. Për ta arritur këtë, ata duhet të përmbahen nga dëgjimi, të folurit ose të menduarit keq për të tjerët. Ndikimi i procesit të pastrimit duhet të zbatohet dhe të zgjasë edhe në muajt e pas Ramazanit.
Aspekti psikologjik i agjërimit të Ramazanit
Kurani famëlartë është burim udhëzimi për njerëzimin dhe asgjë në të nuk përmendet dhe urdhërohet pa qëllim dhe dobi. Myslimanët besojnë se agjërimi është më shumë sesa përmbajtja nga ushqimi. Agjërimi përfshin gjithashtu largimin nga çdo gënjeshtër në të folur dhe në veprim, largim nga të gjitha fjalët injorante dhe të pahijshme dhe mendimet epshore. Gjithashtu, agjërimi ka efekt qetësues në nerva, largon ankthin dhe tensionin, sjell qejf të mirë dhe kënaqësi shpirtërore. Prandaj, është e pahijshme dhe në kundërshtim me frymën e agjërimit islam që agjëruesi të jetë nervoz, i tensionuar, i padisponushëm dhe i pavullnetshëm. Agjërim forcon kontrollin impulsiv dhe ndihmon në zhvillimin e sjelljes cilësore. Përveç kësaj, agjërimi i Ramazanit nuk ka të bëjë vetëm me disiplinimin e trupit për t'u përmbajtur nga ushqimi. Sytë, veshët, gjuha dhe i gjithë trupi janë po aq të detyruar që të përmbahen. Ky pastrim i trupit dhe i shpirtit harmonizon sferat e brendshme dhe të jashtme të individit. Prandaj, myslimanët përpiqen të përmirësojnë gjendjen e trupit dhe shpirtit të tyre duke zvogëluar marrjen e ushqimit dhe duke mbajtur një mënyrë jetese më të shëndetshme.
Nuk ka dyshim se agjërimi ndihmon në promovimin e pastërtisë dhe të përulësisë, parandalim të mëkatit, shfrenim të epsheve dhe dëshirave të pakontrolluara. Gjatë muajit Ramazan, besimtarët përpiqen të pastrojnë shpirtin dhe trupin e tyre dhe të shtojnë vepra të mira.
Në nivelin moral, besimtarët përpiqen të arrijnë virtytet dhe karakteristikat më të larta duke zbatuar ato në situatat e tyre të përditshme. Ata përpiqen të tregojnë bashkëndjesi, bujari dhe mëshirë ndaj të tjerëve, të arrijnë durim dhe të kontrollojnë egon e tyre. Në thelb, agjërimi i Ramazanit kërkon të rifreskojë dimensionin shpirtëror, të ndërtojë karakterin dhe shprehjet pozitive të individit dhe komunitetit.
Islami i inkurajon myslimanët që në Ramazan të kryejnë vepra devotshmërie, bamirësisë ose studimin të Kuranit. Studimi i Kuranit jo vetëm që kultivon qetësi të zemrës dhe të mendjes, por gjithashtu përmirëson kujtesën. Për më tepër, agjërimi shërben si një mjet për vetëdijesimin tonë për Zotin dhe përforcimin e vetëkontrollit tonë. Përveç të përmbajturit nga ushqimi, agjërimi përfshin gjendjen e ngritur mendore, si dhe zhvillimin e ndjenjave pozitive. Shumë studime tregojnë se shkalla e vetëvrasjeve ulet ndjeshëm gjatë muajit Ramazan.
Aspekti social i agjërimit të Ramazanit
Agjërimi i Ramazanit zhvillon vlerat shpirtërore, morale dhe shoqërore. Ai është një mesazh i barazisë ndërmjet individëve në shoqëri. Vëmendje i kushtohet të varfërve nëpërmjet shpërndarjes së ndihmës, forcohet lidhja e fqinjësisë dhe e mikpritjes. Agjërimi është rregulluar me qëllim që të vendoset barazia ndërmjet të pasurve dhe të varfërve - të pasurit në agjërim përjetojnë urinë, dhe kështu bashkëndjenjë me të varfrit duke i përmbushur detyrimet e tyre financiare.
Një nga dobitë më të mëdha të agjërimit të këtij muaji është se ai te njeriu krijon veprimin për të thënë të vërtetën. Agjërimi i Ramazanit, në fakt, është ushtrim i vetëdisiplinës. Ata që përdorin duhanin duke dëmtuar shëndetin e tyre, por edhe shëndetin e të tjerëve në familjen ose në komunitetin e tyre; ata që vazhdimisht hanë ushqime, ose pinë kafe çdo orë, kanë një mundësi të mirë për të hequr një shprehi të tillë, duke shpresuar se efekti do të vazhdojë edhe pas muajit Ramazan. Për ata që janë të varur nga të lartpërmendurat, Ramazani është koha më e mirë për t'i braktisur veprimet që e dëmtojnë shëndetin, si dhe gjendjen e tyre ekonomike. Meqenëse arrijnë të kontrollojnë veprimet e tyre për një muaj, besimtarët duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe pas Ramazanit.
Aspekti shëndetësor i agjërimit të Ramazanit
Agjërimi i Ramazanit ka ndikim pozitiv në shëndetin dhe në zhvillimin personal. Myslimanët nuk agjërojnë për përfitime shëndetësore, që janë të natyrës dytësore, megjithëse dimensionet shëndetësore Islami nuk i neglizhon. Literatura mjekësore tregon se agjërimi gjatë Ramazanit është i dobishëm për shumicën e njerëzve me diabet. Agjërimi si dietë e ekuilibruar përmirëson kolesterolin në gjak, redukton aciditetin e stomakut, zgjidh problemet e tretjes dhe kontribuon në mënyrën aktive dhe të shëndetshme të jetesës. Agjërimi sjell pushim të shëndetshëm fiziologjik në traktin tretës dhe sistemin nervor qendror, si dhe normalizon metabolizmin. E në pjesën e trurit të hipotalamusit ekziston një qendër që quhet lipostat, e që kontrollon masën e trupit. Kur vije deri te humbja serioze dhe e shpejtë e peshës nga uria, qendra nuk e njeh këtë si normale dhe për këtë arsye riprogramon që të shkaktojë shtim të shpejtë të peshës kur personi ndërprenë dietën. Prandaj, mënyra e vetme efektive për të humbur peshë është e ngadaltë, e vetëkontrollueshme dhe përshkallëzuar, duke modifikuar sjelljen dhe qëndrimin ndaj të ngrënit dhe duke e eliminuar ushqimin e tepërt. Prandaj, Ramazani është muaji i vetërregullimit dhe vetëtrajnimit në lidhje me marrjen e ushqimit.
Shumë studime tregojnë se problemet shëndetësore mund të shfaqen si rezultat i marrjes së tepërt të ushqimit. Një studim që përfshinte 60 vullnetarë në Jordani tregoi se pesha e trupit është ulur ndjeshëm në fund të agjërimit dhe se agjërimi nuk kishte efekt negativ në kortizolin, testosteronin, elektrolitet, kolesterolin ose trigliceridet. Janë evidente efektet e agjërimit të Ramazanit në fiziologjinë e organizmit si dhe në parametra të ndryshëm biokimikë, hematologjikë dhe metabolikë.
Siç u cek më sipër, myslimanët falën pesë herë në ditë, e gjatë Ramazanit falin edhe 20 rekate namazin e teravisë. Kjo jo vetëm që ndihmon në përdorimin më të mirë të ushqimit, por krijon energji dhe është gjithashtu e dobishme për përdorimin dhe shpenzimin shtesë të kalorive.
Mund të thuhet lirisht se agjërimi i Ramazanit është mundësia më e mirë për të përmirësuar shëndetin tonë mendor, shpirtëror dhe fizik.
Hfz. dr. Almir Pramenkoviq
Përktheu nga gjuha boshnjake: Shaban Basha