Namazi i vitrit dhe falja e tij gjatë Ramazanit

 


Hyrje


Çështja e faljes së namazit të vitrit si dispozitë dhe numri i rekateve të tij do të jetë diskutim brenda këtij punimi, pa anashkaluar edhe faljen e vitrit me theks të veçantë gjatë muajit të bekuar Ramazan. Ndonëse për numrin e rekateve, mënyrën e faljes dhe disa dispozita të tjera, ka debate që nuk përfundojnë, megjithatë fokusi do të jetë brenda shkollës hanefite dhe pa u stërzgjatur shumë.


Norma e tij


Namazi i vitrit sipas mendimit zyrtar të shkollës hanefite është vaxhib, përkundër që brenda kësaj shkolle ka mendime se ai është sunet, sikurse që ka edhe mendime se ai është farz. Megjithatë mendimi zyrtar dhe i njohur është ai që dominon brenda kësaj shkolle se vitri është vaxhib dhe i ka tri rekate.(1) 


Namazi i vitrit - tri rekate


Namazi i vitrit i ka tri rekate dhe ato tri rekate falen pa ndërprerje, me vetëm një selam në fund. Tahaviu në lidhje me polemikën se sa rekate i ka vitri shprehet: "Ai (vitri) ose është farz (përfshinë edhe vaxhibin) ose është sunet. Nëse është farz, ose i ka dy rekate, tre apo katër, e ulemaja janë dakorduar se vitri nuk mund t'i ketë as dy e as katër rekate, andaj është vërtetuar se i ka tri rekate. E nëse është sunet, prej sunetit nuk mund të gjejmë ndryshe, veçse ngjasim të plotë me farzin, e prej farzit vetëm akshami është tek, pra i ka tri rekate, andaj edhe nga kjo perspektivë po dëshmohet se vitri i ka tri rekate."(2) Hasan el Basriu kishte thënë se konsensusi dijetarëve është ndërtuar mbi opinionin se vitri i ka tri rekate.(3)
Tahaviu përcjell mendimin e Ebu-l Alijeh, i cili thotë: "Shokët e të Dërguarit të Allahut na mësonin se vitri është sikurse akshami (tri rekate), ky është vitri i natës e ai është i ditës."(4)
Edhe pse ekzistojnë mendime të ndryshme sa i përket numrit të rekateve të namazit të vitrit, megjithatë mendimi më popullarizues është ky që e kemi sjellë këtu, gjegjësisht tri rekate. Madje, edhe pse Ibën Omeri përcjell se i Dërguari i Allahut falte një rekat vitër, kur është pyetur ai dhe Ibën Abasi nga Amir Shabiu se si ishte namazi i natës i të Dërguarit të Allahut, ata i janë përgjigjur: "Namazi i të Dërguarit të Allahut ishte trembëdhjetë rekate: tetë (namaz nate), vitër tre, dhe dy rekate të namazit të sabahut?"(5) Madje, përcillet se Ibën Omeri falte tri rekate vitër, jepte selam pas dy rekateve, kryente apo urdhëronte të kryhej ndonjë punë dhe pastaj e falte edhe një. Me fjalë të tjera, kishte arsye për dhënie selam pas dy rekateve, e më pas e plotësonte edhe një.
Problematika e numrit të rekateve të vitrit që pasqyrohet përmes transmetimeve të ndryshme, është nga fakti se transmetimet rreth tij, në të shumtën flasin për namazin e natës që falte i Dërguari i Allahut, duke përfshirë këtu edhe namazin e vitrit, ku në disa transmetime thuhet se ai falte tetë rekate namaz nate e një vitër, në disa të tjera tetë rekate namaz nate e tri vitër, e në disa tjera trembëdhjetë rekate, tetë namaz nate, tri vitër e dy rekate të tjera sunet të sabahut. Zakonisht shumica e këtyre transmetimeve përcillen nga disa sahabë, si Ebu Selemeh ibën Abdurrahmani, Sad ibën Hishami etj., të cilët e kanë pyetur Aishen rreth namazit të natës dhe vitrit që bënte i Dërguari i Allahut. Meqë në shikim të parë mund të duken se këto hadithe kanë kontradikta mes vete, në realitet ato nuk kanë kundërthënie dhe duhet kuptuar një gjë, se i Dërguari i Allahut ndonëse falte gjithnjë namazin e natës, numri i rekateve të tij mund të ndryshonte, sikurse që në disa transmetime përmenden edhe dy rekate namaz të sabahut, e në disa të tjera nuk përmendet, ngase koha ishte e shkurtër për faljen e tyre. Kjo komentohet varësisht prej gjendjes së tij, prej kohës që kishte në dispozicion, si dhe dallimi mes kohës kur me shëndet ishte mirë dhe kohës kur kishte problem me shëndet,(7) ku në disa transmetime përmendët se një pjesë e kishte falur në këmbë, e pjesën tjetër ulur.
Bedrudin Ajniu në lidhje me këtë jep këtë shpjegim: "...Arsyeja e këtij dallimi apo mospajtimi (i transmetimeve) nga Aisheja rreth numrit të rekateve të namazit të natës të Resulullahut ose vjen nga transmetuesit prej Aishes, ose nga lajmi i saj për gjendjet e ndryshme, ku disa prej veprimeve të tij janë më të shpeshta,(8) disa më të rralla,(9) e disa varësisht nga dispozicioni i kohës që kishte(10)"(11).
Përfundimisht mund të themi se mendimi më i pranuar, më i qëlluar dhe më i dëshmuar është mendimi se vitri i ka tri rekate, ngase hadithet më tepër e synojnë atë numër. Problematika në tekste qëndron në faktin se vitrin i Dërguari i Allahut e falte vonë (natën), ku së pari falte namazin e natës e pastaj vitrin, e në disa transmetime përmendet edhe falja e sunetit të sabahut, e nga këtu kemi transmetime me shifra të ndryshme të rekateve, gjë që është qartë e kuptueshme, sepse kemi të bëjmë me namaz nate, vitër, e ndonjëherë edhe me sunetin e sabahut.


Si falet namazi i vitrit


Forma e faljes së namazit të vitrit është falja e tre rekateve me një selam në fund, ku në rekatin e parë lexohet Fatihaja me një sure, në të dytin Fatihaja me një sure tjetër, bëhet ulja në teshehud, por pa dhënë selam, më pas ngrihet për rekatin e tretë ku lexohet Fatihaja me një sure dhe para rukusë, ngrihen duart dhe lexohet duaja e kunutit, e pastaj teshehudi dhe selami e përmbyll namazin e vitrit. Është e preferuar që në rekatin e parë krahas Fatihasë të lexohet kaptina El A'la, në të dytin El Kafirunë, përderisa në të tretin El Ihlas.(12)


Argumentet për të


Sipas medhhebit hanefi, namazi i vitrit duhet të falet tri rekate me vetëm një selam në fund. Ky qëndrim është i bazuar në argumentet në vijim:
"Aisheja transmeton se i Dërguari i Allahut vitrin e falte tri rekate dhe jepte selam vetëm në fund të tij?"(13) Në një transmetim tjetër po ashtu nga Aisheja, thuhet: "Asnjëherë nuk jepte selam pas dy rekateve të vitrit."(14)
Ebu Selemeh e kishte pyetur Aishen rreth namazit të natës që bënte i Dërguari i Allahut, e ajo ia ktheu: "...Ai i falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e atyre rekateve, e më pas falte edhe katra tjera, po ashtu mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e atyre rekateve, e pastaj falte tri rekate (vitër)...(15) Në këtë hadith përmendet namazi i natës nga katër rekate dhe tre rekate që aludohet namazi i vitrit, e që as në këtë transmetim nuk përmenden se janë ndarë me selam pas rekatit të dytë, por që përmenden se ishin tre rekate. Sido që të jetë, edhe ky hadith e përforcon atë paraprak se namazi i vitrit i ka tri rekate. Madje ky hadith është argument i Ebu Hanifes se namazet nafile gjatë natës janë katër rekate me një selam, sikurse që është argument se namazi i vitrit është tri rekate.(16)
Transmetimet prej sahabëve të ndryshëm që përcjellin namazin e vitrit të të Dërguarit të Allahut janë të shumta, si nga Ebu Musa el Eshariu, Sadi, Amrete e bija e Abdurrahmanit nga ensarët, etj.
Përveç Aishes, edhe Ibën Abasi përcjell se i Dërguari i Allahut vitrin e falte tri, rekate dhe tregonte edhe për kaptinat që i lexonte për secilën rekate.(17)
Dikush e kishte pyetur Ebu-l Alijeh për vitrin, e ai i qe përgjigjur: "Shokët e Muhamedit a.s. na mësonin se vitri është i ngjashëm me namazin e akshamit, me përjashtim se në rekatin e tretë lexohet, e ky është vitri i natës e ai është vitri i ditës."(18)
Namazi i vitrit falet pas namazit të jacisë deri në kohën e namazit të sabahut. Namazi i akshamit përmbyll ditën dhe koha e tij mbaron atëherë kur fillon koha e namazit të jacisë, andaj përmendet në tekste se akshami është vitri i ditës e namazi i vitrit është vitri i natës, ndonëse edhe në falje dallojnë, gjegjësisht në rekatin e tretë, ku në namazin e akshamit lexohet vetëm Fatihaja, përderisa në vitër krahas Fatihasë i bashkëngjitet edhe një kaptinë dhe më pas bëhet duaja e kunutit.
Ubejj ibën Kabi përcjell se i Dërguari i Allahut lexonte kaptinën El A'la në rekatin e parë të vitrit, kaptinën El Kafirun në rekatin e dytë dhe kaptinën El Ihlas në rekatin e tretë, dhe ai (i Dërguari i Allahut) nuk jepte selam pos në fund të këtyre rekateve.
Pra, ekzistojnë argumente të shumta që tregojnë dhe dëshmojnë se i Dërguari i Allahut e ka falur vitrin tri rekate me një selam, e kjo tregohet përmes Aishes dhe shumë sahabëve të tjerë. Vlen të përmendet se Omer ibën Abdulazizi kishte urdhëruar që namazi i vitrit të falet me tri rekate me vetëm një selam në fund, e këtë e kishte bërë në bazë të verdikteve të fukahave (juristëve). 


Praktika e sahabëve rreth faljes së vitrit


Përcillet në transmetime të ndryshme se Ebu Bekri, Omer ibën Hatabi, Aliu, Abdullah ibën Mesudi, Ubej ibën Kabi, Zejd ibën Thabiti, Enes ibën Maliku dhe shumë të tjerë, e falnin namazin e vitrit tri rekate, duke dhënë selam vetëm në fund të rekatit të tretë.(19) Përderisa djali i Omerit, Abdullahu dhe një grup tjetër, kryesisht të rinj, e falnin po ashtu tri rekate, por me dy selame, në rekatin e dytë dhe të tretë. Sigurisht se Abdullah ibën Mesudi ishte prej të parëve që pranuan Islamin dhe e kishte shoqëruar gjithnjë të Dërguarin e Allahut dhe ishte i njohur në praktikën ndaj sunetit të të Dërguari të Allahut. Gjithashtu edhe Omeri dhe të tjerët, nga sahabët e vjetër që faleshin gjithnjë pranë të Dërguarit të Allahut, ishin të njohur për praktikën e të Dërguarit të Allahut. Habib el Mualimi përcjell se dikush e kishte pyetur Hasan Basriun se i biri i Omerit (Abdullahu) po jepte selam pas faljes së dy rekateve të vitrit, e ai tha: "Omeri ishte më i ditur (fekih) se ai, e ai (Omeri) ngrihej në rekatin e tretë me tekbir."(20)
Përveç sahabëve, të njëjtën praktikë se vitri i ka tre rekate me një selam në fund, e kishte edhe Omer ibën Abdulazizi, shtatë juristët e njohur të Medinës,(21) Alkame, Xhabir ibën Zejdi, Seid ibën Xhubejri, Mekhuli, Hamadi, Ibrahim Nehaiu dhe shumë të tjerë.(22) Në të vërtetë, këta kishin gjetur banorët e Medinës që vitrin e falnin në atë mënyrë, pra një falje e tillë ishte trashëguar nga koha e të Dërguarit të Allahut. Ibën ebi Shejbe përcjell opinionin e Hasan Basriut i cili thotë: "Myslimanët janë dakorduar se vitri i ka tri rekate, selam jep vetëm në fund të rekatit të tretë.”(23)


Falja e vitrit me imam gjatë Ramazanit


Gjatë muajit Ramazan, namazi i vitrit falet kolektivisht me xhematë. Imami i prin xhematit dhe e fal vitrin me zë. Kjo e bën vitrin akoma më të fuqishëm dhe i jep edhe më tepër rëndësi dhe vlerë. Ai që falet me imamin derisa ta përfundojë imami, i llogaritet sikur të ketë falur namazin e natës. Për këtë i Dërguari i Allahut tha: "Nëse njeriu falet bashkë me imamin, derisa ai (imami) të largohet (përfundojë), i llogaritet atij si (të ketë falur) namaz nate."(24)
Pothuajse ngjashëm me këtë hadith është edhe ky: "Kush falet me imamin derisa ai të përfundojë (namazin), atij i shkruhet (se është falur) namaz nate."(25)
Hadithi është inkurajim i qartë për faljen e komplet namazit së bashku ma imamin, derisa imami të përfundojë nga namazi. Ky është suneti dhe kushdo që pretendon se ia ka qëlluar sunetit me faljen e disa rekateve duke lënë pjesën tjetër, vetëm e mashtron veten dhe ia ka huq sunetit. Praktika e disave që falin vetëm disa rekate namaz teravie dhe pastaj largohen në emër të "sunetit" dhe e lënë imamin me një pjesë tjetër, është praktikë e gabuar, e paqëlluar dhe bie në kundërshtim me hadithet e mësipërme. Përderisa hadithet që i solla, tregojnë më së miri se ai që falet me imamin, derisa imami ta përfundojë, atij i llogaritet sikur ta ketë kaluar natën me namaz. Po këta që largohen pas katër apo tetë rekateve, çfarë fitojnë?
Transmetimet që flasin për caktimin e Ubeje ibën Kabit dhe Temim ed Darit për t’ju prirë njerëzve në namaz, tregojnë se njerëzit faleshin pas tyre derisa ata e përfundonin namazin e teravive prej njëzet rekateve, e nuk ka transmetim që dikush largohej.
Andaj, kjo praktikë e re që dalin disa pas rekateve (pa arsye) duke lënë imamin me një pjesë tjetër, nuk është e arsyeshme, është shmangie nga kolektivi (xhemati) dhe humbje e madhe e shpërblimit.


_________________
1. Bidajetu-1 Mubtedi, f.20; El Hidajeh fi sherh Bidajetu-l Mubtedi, v.I, f. 66.
2. Bedrudin el Ajni, Sherh sunen ebi Davud, bot. I-rë, Mektebetu Rrushd, Riad, 1999, v.V, f. 331.
3. Ibën ebi Shejbe në Musannef, v. II, f. 90, nr. 6834.
4. Alij el Karij, Mirkatu-l Mefatih sherh Mishkatu-l Mesabih, bot. I-rë, 2002, Daru-1 Fikr, Bejrut, v.III, f. 949. 
5. Ibën Maxheh në Sunen, v. III, f. 380, nr. 1360. Hadithi është autentik, ndonëse për Ubejd ibën Mejmunin kanë folur dijetarët.
6. Buhariu në Sahih, v.I, f. 135, nr. 991.
7. Shumica e këtyre transmetimeve flasin për kohën kur i Dërguari i Allahut ishte i shtyrë në moshë dhe kishte probleme shëndetësore. Madje për këtë kohë ka transmetime se gjatë namazit të natës ishte falur më pak. Shih Nesaiu në Sunen, v.I, f.249, nr. 1708.
8. 11 rekate përmendet më së shpeshti.
9. 15 rekate përmendet më rrallë. 
10. 7 rekate përmendet shumë pak.
11. Bedrudin el Ajni, Nuhabu-l efkar fi tenkih mebani-l ahbar, bot. I-rë, 2011 Dar-1 Minhaxh, Xhide, v.VI, f. 395. 
12. E-Mevsilij, El Ihtijar litalili-l muhtar, Matbeatu-1 halebij, Kajro, 1937, v.I, f.55.
13. Hakimi në Mustedrek, v.I, f.447, nr. 1140, dhe thotë se ky ishte vitri i prijësit të besimtarëve, Omerit, e nga ai e morën këtë praktikë banorët e Medinës.
14. Hakimi në Mustedrek, v.I, f.446, nr. 1139, dhe thotë se hadithi është autentik sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit.
15. Buhariu në Sahih, v.IV, f.504, nr. 3565; Maliku në Muveta, v.I, f.115, nr. 293; Ahmedi në Musned, nr. 24073. 
16. Bedrudin el Ajni, Nuhabu-l efkar fi tenkih mebani-l ahbar, bot. I-rë, 2011 Dar-1 Minhaxh, Xhide, v.VI, f. 402. 
17. Ahmedi në Musned, v.III, f.215, nr. 2720. Senedi i hadithit është autentik.
18. Tahaviu në Sherh meani-1 Athar, v.I, f.293, nr. 1743. 
19. Bedrudin el Ajni, Nuhabu-l efkar fi tenkih mebani-l ahbar, bot. I-rë, 2011 Dar-1 Minhaxh, Xhide, v.VI, f. 356, 496, 508.
20. Hakimi në Mustedrek, v.I, f.447, nr. 1141.
21. Seid ibën Musejjeb, Urvetu ibën Zubejri, El Kasim ibën Muhamed, Ebu Bekr ibën Abdurrahmani, Harixheh ibën Zejdi, Sulejman ibën Jesari, dhe Ubejdullah ibën Abdullah ibën Utbeh.
22. Po aty, fq. 506-509.
23. Ibën ebi Shejbe në Musannef, v.II, f.90.
24. Ebu Davudi në Sunen, nr. 1375. Hadithi është autentik. 
25. Tirmidhiu në Sunen, nr. 806. Hadithi është autentik.


 


Artikulli i kaluar
Kadri, nata e paqes

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

KBIGJ priti për urime të Fiter Bajramit përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe politike (video)