E para: Llojet e moralit nga aspekti:
të lindura ose të fituara
Nga ky këndvështrim morali ndahet në dy pjesë: moral i lindur dhe moral i fituar.
E para: Një pjesë e moralit të njerëzve është e lindur. Te ata ai shfaqet që nga fillimi i zhvillimit të tyre. Ndërsa një pjesë është edhe i përfituar nga ambienti, nga ndjekja e praktikave, përvojave dhe të ngjashme.
Morali i lindur mund të zhvillohet, të orientohet dhe të modifikohet, sepse ekzistimi i moralit të lindur sinjalizon në ekzistimin natyror të zhvillimit të tij përmes trajnimit, mësimit dhe përsëritjes së përvojave.
Për shembull: Ne mund ta gjejmë çështjen e frikës te disa njerëz më të theksuar se te disa të tjerë. Gjithashtu mund ta gjejmë lakminë e lindur më të theksuar te disa njerëz sesa te disa të tjerë, apo mund të gjejmë disa njerëz që hidhërohen shumë shpejt, e edhe të tjerë që hidhërohen më ngadalë, e kështu me radhë. Këto variante i vërejmë edhe te fëmijët e vegjël ndaj të cilëve ambienti ende nuk ka ndikuar në zhvillimin dhe rritjen e tyre.
Disa thënie profetike konfirmojnë këtë variant të natyrshëm mes njerëzve në sjelljet e tyre, e prej tyre edhe thënia e Pejgamberit a.s., ku thotë: "Pasardhësit e Ademit janë krijuar prej shtresave të ndryshme, prej tyre ka që hidhërohet ngadalë dhe pajtohet shpejtë, që hidhërohet shpejtë dhe pajtohet shpejt, që hidhërohet ngadalë dhe pajtohet ngadalë(1), gjithashtu prej tyre ka që pajtohen ngadalë dhe hidhërohen shpejt, e më i miri prej tyre është ai që hidhërohet ngadalë dhe pajtohet shpejt, dhe më i keqi është ai që hidhërohet shpejt dhe pajtohet ngadalë.”
Gjithashtu kemi edhe hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejre, se Pejgamberi a.s., ka thënë: "Njerëzit janë sikurse metali i arit dhe argjendit: më i miri prej tyre gjatë kohës së injorancës është më i miri edhe në Islam, nëse arsimohet.”(2) Gjithashtu hadithi tjetër ku Pejgamberi a.s., thotë: “Allahu xh.sh. e krijoi Ademin një grumbull (pjesë) të cilin e ka grumbulluar nga e tërë toka, prandaj edhe pasardhësit e Ademit janë sikurse toka, prej tyre është i kuqi, i bardhi, i ziu dhe ata mes tyre, e gjithashtu prej tyre është i lehti dhe i vështiri, i miri dhe i keqi.”(3)
Thënia e Pejgamberit a.s., "Njerëzit janë sikur metali (xeheja)”, është argument për dallueshmërinë e dhuntive të lindura. Përmes këtij hadithi Pejgamberi a.s., vërteton se njerëzit më të mirë në formësimin natyror janë njerëzit më të moralshëm, ky formësim i lindur njeriun e shoqëron gjatë gjithë jetës. Nëse shikojmë një grup njerëzish jo të arsimuar a të edukuar, ose një shoqëri injorantësh, atëherë patjetër se në atë mes do të dallohen ata që janë më të moralshëm, sepse ata janë pjesa më e mirë dhe njerëzit më të sjellshëm në atë shoqëri. Pastaj, nëse e marrim atë grup njerëzish dhe e edukojmë, e arsimojmë dhe e shpëtojmë nga shoqëria e injorancës, e më pas prapë i shikojmë, do t'i vërejmë ata më të mirët, sepse patjetër se do të dallohen gjatë vështrimit tonë, pra ata që ishin dalluar edhe më herët, sepse dija, edukata dhe besimi përforcojnë atë që në brendësinë e tij që nga lindja e tij, është i moralshëm.
Gjithashtu, në një hadith tjetër Pejgamberi a.s., thotë: "Vërtet Allahu xh.sh. e ka ndarë moralin për ju ashtu siç e ka ndarë furnizimin .”(4'5)
E dyta: Llojet e moralit nga aspekti i lidhshmërisë - marrëdhënies së tij
Morali, shikuar nga aspekti i lidhshmërisë-marrëdhënies së tij, ndahet në katër lloje:
Lloji i parë: Që ndërlidhet me format e lidhjes së përqendruar mes njeriut dhe Krijuesit të tij. Mirësia e moralit në kufijtë e këtij lloji ia imponon njeriut disa lloje të ndryshme të mirësjelljes: prej tyre besimi-imani në Të sepse Ai është realitet; njohja dhe pranimi i atributeve absolute të Tij, besimi në atë që na lajmëron rreth saj, pranimi absolut i gjykimit të Tij të cilin e sjell ndaj nesh, sepse Ai është pronar i të vërtetës dhe mund të gjykojë ashtu siç do.
Të gjitha këto lloje të mirësjelljes janë çështje për të cilat thërret dhe fton virtyti i moralit të mirë.
Ndërsa arsyet që dërgojnë deri te mohimi i Krijuesit pas qartësimit të argumenteve mbi ekzistimin e Tij sigurisht se janë arsye që mbështetën në një grup sjelljesh jo të mira, prej tyre mendjemadhësia, dëshira për kundërshtim ndaj atij që duhet të respektohet dhe dëgjohet, ndjekja e egos dhe epshit, si dhe mohimi i të mirave dhe refuzimi i realitetit.
Lloji i dytë: Që ndërlidhet me format e lidhjes së përqendruar mes njeriut dhe njerëzve të tjerë. Format e mirësjelljes dhe moralit të mirë në kufijtë e këtij lloji janë të njohura dhe të shfaqura: prej tyre: vërtetësia, ndershmëria, dëlirësia, drejtësia, mirësia, falja, shoqërimi me njerëz, përmbushja e obligimeve, pranimi i të drejtës para pronarit të saj, bujaria, e të tjera sjellje që janë të dobishme edhe për njerëzit e tjerë.
Ndërsa format e sjelljes jo të mirë dhe moralit jo të mirë në kufijtë e këtij lloji janë të njohura dhe të shfaqura si: gënjeshtra, tradhtia, padrejtësia, agresioni, koprracia, të qenët jo i shoqërueshëm, mospërmbushja e obligimeve, mohimi i të mirave, mospranimi i të drejtës pronarit të saj, e të tjera sjellje të këqija që janë të dëmshme edhe për njerëzit e tjerë.
Lloji i tretë: Që ndërlidhet me format e lidhjes së përqendruar mes njeriut dhe vetes së tij.
Format e mirësjelljes dhe moralit të mirë në kufijtë e këtij lloji janë të shumta, e prej tyre mund të përmendim: durimin ndaj fatkeqësive, sistemimin dhe përpikërinë në punë, mosngutjen në gjëra para ardhjes së momentit etj., që futen nën ombrellën e menaxhimit të mirëfilltë të njeriut ndaj punëve të tij dhe urtësisë së tij në rregullimin e punëve të tij.
Ndërsa format e sjelljes jo të mirë në kufijtë e këtij lloji vijnë në të kundërtën e atyre që u përmendën më lart.
Lloji i katërt: Që ndërlidhet me format e lidhjes së përqendruar mes njeriut dhe gjësendeve.
Mjafton të parafytyrosh si mirësjellje dhe moral të mirë në kufijtë e këtij lloji mëshirën, butësinë gjatë kontaktit dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj njerëzve dhe gjësendeve. Ndërsa padrejtësia, vrazhdësia dhe privimi nga të drejtat e secilit janë sjellje të ulëta dhe të këqija, e lidhur me këtë Pejgamberi a.s., thotë: "Një grua është ndëshkuar për shkak të një maceje që e kishte izoluar derisa kishte ngordhur, dhe për shkak të asaj ishte futur në zjarr. Ajo as nuk e kishte ushqyer e as nuk e kishte lënë të lirë për të ngrënë nga gjësendet në tokë.”(6)
Vlen të theksohet se shumë lloje të moraleve kanë ndërlidhje në disa lloje. Për këtë arsye te shumica e llojeve mund të gjendet diçka nga ndonjë lloj tjetër, e që mund të jetë e dobishme për vetë njeriun, por në të njëjtën kohë edhe për të tjerët.(7)
________________________
(1) Transmeton Imam Tirmidhiu (2191) dhe Imam Ahmedi (3/19).
(2) Transmeton Imam Buhariu (3383) dhe Imam Muslimi (2638).
(3) Transmeton Imam EbuDavudi (4693), Tirmidhiu (2955) dhe Ahmedi (4 / 400).
(4) Transmeton Imam Ahmedi (1/387) dhe Hakimi (1/88).
(5) El-AhlakEl-Islamije ve Ususuha, Abdurrahman Hasen HabennekeEl-Mejdanij, Darul Kalem, botimi i pestë, Damask 1999.
(6) Transmeton Imam Buhariu (3482) dhe Muslimi (2242).
(7) El-AhlakEl-Islamije ve Ususuha, Abdurrahman Hasen HabenekeEl-Mejdanij, (1/55), Darul Kalem, botimi i pestë, Damask 1999.