Falënderuar qoftë All-lahu i Lartësuar që e bëri Diellin të ndriçojë ditën dhe Hënën të ndriçojë natën. Ai çdo gjë në gjithësi e krijoi dhe e bëri me urtësi duke ofruar shenja të qarta për njerëzit që kuptojnë. Në ndërrimin e natës e të ditës dhe në çdo gjë që All-llahu e krijoi në qiej dhe në tokë, ka argumente për njerëzit që janë të vetëdijshëm për fuqinë e Tij.
Plagët tona vazhdojnë (një retrospektivë plagëve dhe dhimbjeve të luftës...)
Ngado që të shkosh nëpër botë, do të dëgjosh gjëmë njerëzish, do të shohësh hidhërim, vuajtje, rrënime e djegie, do të shohim dhëmbje e boshllëk në sytë e shpirtat e njerëzve, në sytë e njerëzve që janë tharë nga derdhja e loteve dhe janë ngrirë nga hidhërimi e mërzia. Në këtë tokë, shkelën kalorsit e apokalipsës, të etshëm për gjak njerëzish dhe të uritur për trupat e shpirtërat e tyre. Po të shikosh në thellësinë e syve e të shpirtërave të tyre do të shohësh se mbi ta është shkallmuar bota, se tek ata është vrarë shpresa, është zhdukur nocioni drejtësi, e kanë humbur ndjenjën për kohën, meqë u janë shuar ndjenjat dhe se luten vetëm nga Krijuesi i Madh për pak mëshirë e dashuri.
Shiko pak, o udhëtar i botës, mbi shpirtërat e atyre që mbeten në errësirë të përjetshme dhe ata që nuk do të ecin më me këmbet e veta dhe mbi ata që nuk e shohin më drtitën e Zotit dhe mbi ata që nuk bëjnë më me dorë për të përshndetur. I lutemi të Lartësuarit që t’u japë fuqi që ta kthejnë besimin në jetë, që të mendojnë për dashurinë dhe lumturinë, që ta ndjejnë të paktën minimumin e fatbardhësisë, pafajësisë e çiltërsisë. Shumë njerëz do ta kenë vështirë t’i mbledhin e t’i bëjnë bashkë grimcat e shpirtit të thyer, t’i përthjanë plagët e nxehta dhe të mposhtin hidhërimin për prindërit, për vellëzërit, për motrat, për shokët dhe të dashurit. Për shumë njerëz, kjo botë, në të ardhmen do të jetë rrugë e vështirë, rrugë sprovash e vuajtjesh, e Golgota e tyre do të jetë paralajmërimi i përjetshëm për njeriun dhe civilizimin. A do ta kuptojë ky civilizim e ky njerëzim peshën e këtij apokalipsi, a do të jetë e qartë ndonjëherë, se sa e rendë është nëma dhe mallkimi i mbledhur në shpirtin e thyer të njeriut musliman.
Një ditë kur, njeriu i bastarduar, t’i vendosë krimet e veta ne terazi, nën mbikqyrjen e Krijuesit të Madh, këto fjalë zjarri të mallkimit do të jenë ndër shtrëngimet (gjynahet) më të rënda. Atëherë do të shihen qartë prapësitë e çdokujt, e lotet e të vuajtërve do të djegin si gaca.
Çdokush do të dënohet – as më pak as më shumë- vetëm sa e ka merituar. Nëse i Lartësuari, këtë kohë dhe këtë njeri do t’i vë në vuajtje të përjetshme, nuk do të jetë e pa merituar. Po që se do ta bëjë pluhur e hi çdo gjë që është nën yllin e Tij, ai do të jetë dënim i drejtë për njeriun arrogant, kapriçioz e mosmirënjohës të këtij civilizimi. Gjithë ata qindra mijëra njerëz shqiptarë, boshnjakë e muslimanë në përgjithësi që me dhunë shkuan nën dhe në kapërcyllin e dy shekujve, janë paralajmërim deri në gjykimin e Tmershëm.
Dhe përsëri kjo kohë apokaliptike na shpie drejt atyre shtigjeve nga të cilët lindi njeriu i besimit, nga të cilat ai mori fuqitë e veta, të cilat janë “arsyeja përse ekziston universi”! Kudo ku u zbulua “njeriu i varrosur”, atje ishte besimi, ishte shpëtimi. Ne, mbase, me shkurtpamësinë tonë nuk e shohim tërë shkuarjen e kësaj jete, të gjitha arsyet e vërteta të të gjitha dukurive të së keqes dhe së mirës, mosbesimit dhe besimit. Por ka një shfaqje ricikluese që i paraqitet njerëzimit duke u kthyer dhe duke marrë distancë ndaj vetes. Ajo vazhdon një kohë, mbetet dukshmëria e asaj distance dhe më pas ajo bëhet gjithnjë e më e zbehtë dhe e parëndësishme vetëm aq sa për të mos u shuar...
Një botë e tërë, tashmë jo e Treta, por e Dyta ngjitet në baticën e renesansës që buron nga vetë bërthama, nga thellësia e qenies vetanake. Por, ky nuk është revolucion, ai është evolucion i qetë, i pahetueshëm. Azia shkon në shkollë, Afrika shkon në shkollë, por gjithnjë e më shumë përgjohen hapat e tyre nëse vazhdojnë në rrugën e vet. E ky nuk është gjynah i vogël. Kjo është herezi – rrugë që çon në anatemim nga tempulli i religjionit të profitit. Sepse modeli i dhënë duhet patjetër të ndiqet, duhet të prodhohet sa më shumë e sa më shpejt, të harxhohet sa më shumë e sa më shpejtë, e të mos pyesësh përse. Duhet ndjekur këshillat e misionarvë të religjionit të profitit: të marrësh borxh, të blejsh, e pastaj të paguesh kamatën duke mos pyetur sa, duke mos prekur në dogmë, sepse çdo gjë tashmë është caktuar e rregulluar dhe çdokush që i del përpara realizimit të modelit global, duhet eliminuar. Bota e Dytë, e prapambetur është fajtore, është pengesë në rrugën e progresit, asaj i ofrohet dora e shpëtimit, por nëse nuk e pranon pa asnjë kusht dhe në mënyrë mirënjohëse, nëse nuk do të jetë e matur dhe e nënshtruar edhe për misionarin arrinë fantazmat.
E tërë tragjedia e kohëve të shkuara, shfaqet në mospranimin e asaj të vërtete, të cilën e ofroi Zoti, dhe fjalët “një Zot a më shumë” kanë qenë ato që karakterizuan tërë vëndosjen e islamit në realitetin e atyre hapësirave të lashtësisë. Dhe asnjëherë mos të habitemi që Kur’ani flet shumë për shpirtërorësinë dhe etikën njerëzore, që çdo kataklizmë të lashtësisë e sjell si kataklizmë të frymës (shpirtit), që merr figura na e kaluaraja, të cilët “moren guximin të thonë se ata janë perëndi”, se kafshët janë poashtu perëndi, se “edhe gurët e drunjt janë të fuqishëm”. Çdo hixhret, çdo i dërguar deri te Muhammedi (s) nuk kanë pasur rekonstituime tjera përveç që popujve, në radhë të parë, t’u hapin shpirtërorësinë , të dëgjuarit për ekzistencën e Një të Vërtete, All-llahut. E çdo i dërguar është një hixhret i islamit nga shpallja në histori dhe realitet. Njeriu i kaluar këtë nuk e ka kuptuar, nganjëherë etja për pushtet këtë nuk ia ka lejuar- sepse të bësosh – do të thotë të kesh pushtet mbi veten, mbi subjektivitetin tënd, e të sundosh do të thotë të kesh pushtet mbi të tjerët dhe mbi subjektet e tyre, liritë e tyre. Si është e mundur që vetëm njeriu historik i kundërvihet pushtetit të Zotit, e shih si e shkelin pushtetet njerëzore! Në këtë paradoksalitet u gjet njeriu i kohëve të shkuara, kohëve parakur’anore dhe iu ofrua hixhreti i fundit – më i madhi nga të gjithë të kaluarit – islami
Realizimi i pavarësisë së Kosovës
Çdo popull në historinë e vet ka momente të kthesave të mëdha, kur vendoset për fatin se do të hyjë apo nuk do të hyjë ai popull në histori, me fjalë tjera, kur vendoset se do të jetojë ai popull me dinjitet e krenari apo do të jetë i detyruar të eliminohet nga skena e jetës dhe historisë. Ato janë momente historike që jetojnë përgjithmonë në kujtesën e atij populli, bëhen burim i gjallë i frymëzimeve të reja. Janë momente kur shpirti kolektiv i atij populli, nxjerr nga gjiri i tij bijtë më të mirë për t’i bërë urëlidhëse dhe urëkaluese ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes dhe për t’i siguruar po atij shpirti kolektiv të popullit, vazhdimësinë e mbamendjes në shërbim të së ardhmes.
Më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë dhe me këtë hyri në histori me meritë, krenari e dinjitet.
Këto ditë anembanë Kosovës po përjetohen momentet e Trevjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Njëqind vjet sakrifica, vetëmohime e luftë të vazhdueshme për liri, megjithatë nuk u mposht shpirti i shqiptarit të Kosovës. Njëqind vjet rezistencë të pathyeshme përballë pushtuesit që në gjenet e veta kultivoi urrejtjen dhe militantizmin antishqiptar, megjithatë shqiptarët nuk u përkulen, nuk u gjunjëzuan. Periudhë e gjatë në të cilën shqiptarët përjetuan male të këqijash dhe u persekutuan, u rrahën dhe u maltretuan, u keqtrajtuan dhe u plaçkitën, u torturuan dhe u dergjën me vite të tëra nëpër burgje, qindra mijëra u pushuan nga puna duke lënë familjet e tyre pa kafshatën e bukës, qindra mijëra u deportuan dhe u shpërngulen me dhunë nëpër te gjithë globin, iu dogjën shtëpitë dhe iu përvëluan fëmijët, u vranë dhe u masakruan, vetëm në luftën e fundit u vranë rreth 15 mijë shqiptar dhe u hapen mbi 600 varre masive, megjithatë ky popull nuk u dorëzua dhe gjithmonë doli fizikisht edhe më i fuqishëm, shpirtërisht edhe më i pasur e moralisht edhe më i qëndrueshëm, por nuk u dorëzua dhe nuk e humbi substancën e identitetit kombëtar. Zoti Madh deshi që ky komb të kalojë nëpër zjarrin e madh të sakrificave për të kalitur shpirtin dhe vullnetin e tij kolektiv. Individët bëhen të lavdishëm e të pavdekshëm vetëm nëpërmjet sakrificave e vetëmohimeve, e popujt të mëdhenj e të fuqishëm vetëm nëse janë të gatshëm për sakrifica për të mirën e kombit, për të mirën e përgjithshme.
Mirëpo, sot nuk është koha të vajtojmë për të kaluarën tonë të hidhur, por të festojmë të sotmen tonë të pavarësisë dhe të shikojmë përpara, sepse e ardhmja jonë do të jetë më e mirë se e kuluarja jonë. Sot, pra kemi festë, kremtojmë njëqindvjetorin e pritjes për liri dhe trevjetroin e realizimit të pavarësisë. Një qind vjet në pritje për këtë ditë të madhe. Le të gëzohemi të gjithë të mëdhenj dhe të vegjël, burra e gra, të gjithë shqiptarët ku do qofshin ata. Le të gëzohemi të gjithë sepse me pavarësinë e Kosovës të gjithë shqiptarët fitojnë, por jo vetem ata, sepse tani po bëhemi faktor në Evropë. Evropa po ndërron fizionominë e vet duke ia kthyer këtë të drejtë natyrore Kosovës të cilën ia kishte marrë një qind vjet më parë. Evropa, më në fund po e ndërron edhe hartën e vet më shtetin më të ri në kontinentin e saj.
Ne nga ky vend i nderuar dhe në këtë ditë të nderuar i ftojmë fqinjët tanë, njerëzit e vullnetit të mirë, që të mblidhemi rreth të vërtetës dhe drejtësisë për hir të paqes, për të ardhmen më të mirë të fëmijëve tanë, për hir të ndihmës së Zotit për ta ndërtuar besimin mes njerëzve, për të përhapur paqen dhe mirëkuptimin mes popujve, për të vendosur dialogun dhe tolerancën mes feve dhe kulturave. E kjo arrihet vetëm duke besuar në Një Zot të Vetëm dhe duke respektuar njëri tjetrin. Kjo është më mirë për ne nëse ia duam të mirën secilit njeri. Ky është shpëtim nga e keqja. Për këtë na obligon fati i përbashkët dhe shpresa e përbashkët për një të ardhme më të mirë.
Atdheu është i shtrenjtë...
Të nderuar vëllezër, atdheu është vendi ku kemi lindur dhe jemi rritur. Për të na lidhin ndjenjat, malli dhe emocionet. Ai është e drejta jonë. Atdheu nuk është çështje e dorës së dytë në jetë dhe kujdesi për të nuk mund të lihet në dorë të huaj. Atdheu është përgjegjësia ime dhe e jotja, çështje e rëndësishme në jetën tonë të përbashkët dhe kujdesi ynë prej të cilit nuk mund të heqim dorë duke ia lënë në dorë dikujt tjetër. Për Kosovën 17 shkurti i 2008-ës nuk ka alternativë. Ajo ditë është shenjë e luftës sonë shekullore kundër pushtuesit të pamëshirshëm dhe ajo është e vetmja festë që s’ka alternativë. 17 shkurti tregon se shqiptarët në mënyrë të pakthyeshme i dhanë lamtumirën robërisë. Pas 17 shkurtit definitivisht edhe ajri mbi territorin Kosovës do të jetë i pastër dhe shqiptarët tash tutje do të marrin frymë në liri. Edhe fushat e punuara e arat e mbjella ushqim i pastër për çdo të ri. Edhe lumeje të kulluar ujë për të pi, edhe malet e lira prej të cilave mund të shikohet bota në largësi.
Të kesh atdheun tënd, do të thotë të kesh shtëpinë tënde, e të mos kesh atdheun tënd, do të thotë të mos kesh shtëpinë tënde. I lirë është ai që i robërohet vetëm Zotit, e rob i vërtetë është ai që i robërohet njeriut. I lirë është ai që ka vatanin e vet, e i varur është ai që s’ka vatan. Me 17 Shkurt definitivisht Shqiptari i Kosovës fitoi lirinë dhe pavarësinë e tij, sepse përmbi vete nuk do ta ketë më padronin njeri, por Krijuesin – Zotin e gjithësisë. Bartësit e pushtetit në Kosovë duhet të kenë parasysh dhe të jenë të vetëdijshëm se Kosovën e kanë amanet prej popullit dhe prej Zotit që ta udhëheqin me drejtësi dhe ta orientojnë drejtë duke e bërë atë një shtet normal me qytetar të mirë dhe të ndershëm.
Kosova do të funksionojë si shtet normal vetëm nëse do të kultivojë vlerat e vazhdueshme objektive sikurse janë: Drejtësia, e Vërteta, Mirësia, e Bukura, E shenjta. Këto janë vlera universale, të cilat nëse do të respektohen, do ta bëjnë Kosovën bashkësi të vlerave. Si garanci për të vazhduar qëndrueshmëria e shtetit më të ri, është e nevojshme që njerëzit e mëdhenj të tij ta konceptojnë Kosovën jo si shtet juridik, por juridiko – moral, jo si instrument sundimi, por si përgjegjësi dhe privilegj i rrezikshëm i pushtetit që për devizë ka maksimën: “t’i sundosh të tjerët dhe të mos e sundosh vetveten, të kesh pushtet mbi të tjerët dhe të mos kesh pushtet mbi veten”, t’i kontrollesh të tjerë e të mos kontrollosh vetveten”. Kjo është ajo që e shpie vendin në shkatërrim dhe i lëkund themelet e tij të brishta. E kundërta e kësaj është besimi, i cili pengon që njerëzit e pushtetit të përkohshëm tokësor të shndërrohen në despot dhe zotë të rrejshëm të shpirtrave njerëzor. Besimi, me idealin e tij më të madh, i cili në maje të sistemit të vlerave ka Zotin që është më i Madhi, relativizon çdo pushtet, çdo dituri, çdo pasuri...
S’ka dyshim se pjesëmarrja në pushtet sjell privilegje të shumnumërta, duke filluar nga fuqia, përfitimet materiale dhe ndikimi, e deri tek imuniteti, i cili pjesëmarrësit në pushtet i bënë të paprekshëm. Prandaj, nuk duhet të habitemi nga rrëmuja e madhe për pushtet që zotëron në këto hapësira, sidomos nëse kihet parasysh sistemi i komplikuar i pushtetit në vendin tonë, i cili ofron një numër të madh vendesh me pozita të larta në këshilla, parlamente, ministri, etj. Nga ana tjetër, shumë pak i kushtohet rëndësi, sa është efikas ai i njëjti pushtet që kushton jashtëzakonisht shumë.
Gjakimi për pushtet nuk është diçka që befasisht është paraqitur në gjininë njerëzore. Do të vërejmë që të folurit për të e përdor edhe vetë Iblisi (Djalli), kur e bind Ademin (a. s.) të hajë frytin e pemës së ndaluar.
“E Ne i thamë: "O Adem ky është armik yti dhe i bashkëshortes tënde, pra mos t'ju nxjerrë kurrsesi nga Xhenneti, e t'ju vë në vështirësi (për të siguruar mjetet e jetesës)".
“Ti aty (në Xhennet) nuk ke për të qenë i uritur e as nuk ke për të mbetur i zhveshur. Aty nuk ke për të pasur etje e as nuk do të kesh vapë.” Por, atë e ngacmoi djalli duke i thënë: "O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të përjetshëm!"
“Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e ia nisën ta mbulojnë veten e tyre me gjethe që mblidhnin nëpër Xhennet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi.” “Mandej Zoti i vet atë që e zgjodhi, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë (të vendosur)”
Gjithnjë duhet të jemi të vetëdijshëm për dobësitë dhe sprovat njerëzore, veçanërisht tek ata që kanë fuqinë dhe pushtetin. Domethënë, ata që kanë pushtetin, duhet të kenë zemër që t’i ndjejnë nevojat e njeriut dhe duhet të kenë mendjen që t’i japin të drejtën njeriut të jetojë në dinjitetin e tij. Jo vetëm për shkak se i vizitojnë vëzhguesit tokësor, por për shkak se i përcjellin regjistruesit jashtëtokësor – kiramen katibin.
Nuk ka dobi të vërtetë nga tregimi se a ka, a nuk ka në pushtet dhe në shoqëri korrupsion. Dobi e vërtetë është të kuptojmë faktin që asnjë pushtet në histori nuk ka mbijetuar me korrupsion, i cili abuzon me të drejtat e të varfrit, jetimit, invalidit dhe të plakut.
Një shtet do të jetë i mirë, nëse në të sundon rendi dhe drejtësia. Rendi dhe drejtësia mbështeten mbi lirinë dhe ligjin. Liri s’mund të ketë pa rend, rend ka pa liri. Me anë të demokracisë dëshirohet të tërhiqet linja e ndarjes së lirisë nga joliria (tiranisë dhe anarkisë). Rendi pa liri është tirani, liria pa rend është anarki. Sipas Aristotelit, shteti më i mirë është ai, qytetarët e të cilit janë njerëz të drejtë. Që njerëzit të jenë të drejtë, vetëdija e tyre duhet të jetë e frymëzuar me përmbajtje të vlerave të vazhdueshme universale, e jo me përmbajtjen e varfër të shekullarizimit (laicizmit). Vetëm ajo vetëdije që është formuar nga përmbajtjet e këtyre vlerave mund të jetë në gjendje të dallojë shtetin normal nga ai jonormal dhe njëmendësisht mund të participojë në moralizimin e kësaj bashkësie. Nëse duam që shteti ynë të jetë bashkësi e vlerave, atëherë arsimimit për drejtësi duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë. Drejtësia është më afër dëlirësisë (devotshmërisë) njerëzore. Edukimi për drejtësi, në kuptimin moral, është kërkesa themelore e shtetit si bashkësi e vlerave. Këtë e kuptojmë jo vetëm nga teoria mbi shtetin, nga historia apo nga shkenca, por edhe nga religjioni. Kur’ani, për shembull, njeriut i dërgon porosinë dhe mësimin vijues: Jini të drejtë, ajo është më afër devotshmërisë. (5,8). “Drejtësia është ideja që ne e konsiderojmë bërthamën morale të bashkësisë shtetërore, bërthamë morale e shtetësisë së Kosovës”. Të drejtat e njeriut janë njëkohësisht edhe ide morale edhe koncept politik. Prandaj, drejtësia jeton vetëm në atë bashkësi ku e drejta vlen njësoj për të gjithë dhe ku ekzistojnë mundësi që ajo e drejtë të realizohet. “Bashkimi i njerëzve nën ligjet e së drejtës”, siç e quan Kanti bashkësinë shtetërore, mund të jetë bashkësi e vlerave po qe se drejtësia si lidhje morale përfshinë të gjithë qytetarët, d.m.th. nëse drejtësia do të jetë drejtim, aspiratë dhe qëllim i rendit juridik të asaj bashkësie. Për këtë arsye, drejtësia është bërthama morale e bashkësisë shtetërore, e jo shekullarizmi (laicizmi).” Logjika dhe esenca e shekullarizmit nuk është edhe logjika dhe esenca e drejtësisë.
T’i përkujtojmë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës
Në këtë ditë të madhe historike, nuk duhet t’i harrojmë ata të cilët u flijuan dhe e dhanë jetën për lirinë e atdheut dhe për këtë ditë të madhe të pavarësisë. Ata janë dëshmorët, të cilët derdhen gjakun e shenjtë për tokën Kosovës. Të cilët dhanë atë më të shtrenjtën për lirinë tonë. Ata të cilët u dogjën vetë si qiriu për t’ na bërë drite ne.
Fjala është, pra, për luftën e fundit të Kosovës dhe për ata të cilët u flijuan, u bënë kurban dhe dhanë jetën dhe shpirtin e tyre që ne të jetojmë të lirë, të qetë e në paqe në vendlindjen tanë. I pari prej tyre ishte dëshmori dhe heroi më i madh i kombit Adem Jashari, i cili flijua me tërë familjen e farefisin e vet, duke u bërë legjendari i kombit dhe njëkohësisht edhe garancia më e madhe për kthimin në vendlindje të atyre njerëzve që ishin larguar me dhunë nga vendi. Këta njerëz, por edhe shumë të tjerë nga e gjithë Kosova, luftuan dhe me veprën e tyre u bënë dëshmorë, heronj të vendit, të cilët do të përkujtohen sa të jetë jeta, e përkujtimi i tyre më i mirë është shpërblimi i Zotit në ahiret për shpirtrat e sakrifikuar ne dynja dhe për atë që realizuan vendosjen e atdheut të dyfishtë : atdheut hapësinor dhe atij shpirtëror.
A ka kënaqësi më të madhe se të vdesësh, të japësh shpirtin e ëmbël për popullin, vatanin, besimin, lirinë, atdheun dhe të ardhmen... Mendimtarët zhvillojnë filozofinë e kësaj, dijetarët përpiqen ta shpjegojnë. Poetët shkruajnë epope për të, politikanët bëjnë oratori nëpër podiume dhe e mbrojnë nëpër tavolinat e bisedimeve. Por janë ushtarët, janë vetë ata që ballafaqohen me vdekjen, që bëjnë realitet fjalët dhe shkrimet.
Ushtarët janë ata që sakrifikojnë gjumin e tyre në mënyrë që një popull i tërë, burra e gra, të mëdhenj e të vegjël, të dobët e të fuqishëm, ta shijojnë të qetë gjumin, ata që e konsumojnë veten me qëllim që populli të jetojë pa frikë dhe që e bëjnë mburojë ekzistencën e vet për sigurinë e të tjerëve. Ja, këta janë të denjë për t’u kujtuar me respekt.
Të luftosh për mbrojtjen e vlerave themelore, sikurse janë: mbrojtja e jetës, e nderit dhe e moralit, dinjitetit e krenarisë, besimit e atdheut dhe çdo gjëje që është fisnike, e drejtë dhe madhështore, d.m.th. të bësh rezistencë aktive kundër atij apo atyre që mbjellin urrejtje, shkaktojnë krime e dhunë dhe të japësh jetën tënde në mbrojtje të atyre vlerave, do të thotë të jesh shehid, dëshmor, dëshmitar edhe i kësaj bote edhe i botës tjetër (shehidu’d-dunja ve’l-ahireh) – dëshmor i dynjasë dhe i ahiretit. Dëshmor që dëshmon për kalueshmërinë e dynjasë dhe përjetshmërinë e ahiretit; dëshmon për zhbërjen e trupit dhe pavdekshmërinë e shpirtit.
Dëshmori apo heroi, i cili bjer në luftë dhe me vetëdije e flijon jetën e vet për atdheun, shkatërron impulset themelore që janë të lindura në ne. Njëri nga ato impulse është që njeriu ta ruajë veten, të shpëtojë jetën e vet. Por, ja që heroi e flijon, e flak të vetmen jetë që ka, duke u bërë martir, jep diçka që nuk mund ta kthejë asnjëherë: jetën e vet të shtrenjtë.
Mirëpo, shehidi – dëshmori lufton që të jetojë e jo që të vdes, d.m.th. ai nuk e lakmon vdekjen në mënyrë të verbër, as nuk e jep kokën në mënyrë të verbër për “kënaqësitë e xhennetit”... Jo, por vdekja e tij është e qëllimtë, e vetvetëdijshme, ka kuptimin dhe domethënien e saj më të thellë. Ajo e bën të vdekurin të gjallë dhe paralajmërues për të tjerët se ekziston edhe një jetë pas vdekjes. Dëshmori beson se njëherë vdes e dy herë jeton. Ai me vdekjen e tij të vetëdijshme, dëshmon për ekzistencën e jetës pas vdekjes, për ekzistencën e jetës më të mirë, më të drejtë më të lartë, më të lumtur dhe më cilësore në botën tjetër. Përndryshe ai nuk do ta flijonte jetën e vet. Dëshmori e jep jetën e vet me vetëdije, jo se nuk ka frik nga vdekja, por për shkak se motivi i tij për se e jep jetën është më i fuqishëm se vetë jeta. Jetën njeriu mund ta flijojë vetëm në emrin e atij, i cili i garanton përjetshmërinë, pavdekshmërinë dhe të gjitha ato që i përmendem më lartë, e këto kush mund t’i garantojë njeriut përveç Krijuesit të tij – Zotit të gjithësisë – All-lahut (xh. sh.).
Dëshmorët e Kosovës, janë dëshmitarë e shembuj të gjallë për të tjerët, për mirësinë dhe vetëflijimin për të mirën, drejtësinë, të vërtetën, humanitetin, por njëkohësisht edhe për ta dëshmohet se janë xhennetlinjë. Në vdekjen e tyre janë të pranishme melaqet, ata do të jenë te All-llahu në shkallën më të lartë, bashkë me pejgamberet dhe me të dashurit tjerë të All-llahut (xh. sh.). Të jesh dëshmor do të thotë të jesh nën mëshirën e përjetshme të më të Mëshirshmit, nën begatitë e përjetshme të më të Pasurit, i Cili të mirët i shpërblen e zullumqarët i dënon.
Ka shumë kategori shehidësh, por vetëm grada e parë e shehidit, d.m.th. ai që i del në mbrojtje të hapur jetës, nderit pasurisë, besimit dhe pragut të shtëpisë, meriton që gjaku i tij të jetë zëvendësim për larjen e kufomës së xhenazes e rrobat e tij janë zëvendësim për çarçafët e bardhë të qefinit. Sepse shehidi, dëshmori nuk e përjeton periudhën e jetës në varreza, nuk kalon nëpër berzah, as nuk del për të dhënë llogari, përkundrazi atë ditë, në ditën e Gjykimit kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit për t’u gjykuar, dëshmori do të paraqitet me plagët e tij dhe me gjakun e tij, me fytyrë të shndritshme e me sy të gëzuar duke thënë: “T’ kish dhënë Zoti të kisha vdekur dhjet (10) herë si dëshmor dhe po aq herë të isha ringjallë.”
Për ata që kanë rënë në rrugën e drejtësisë, Muhammedi (s) ka thënë:
“Mos ua lani xhenazet (dhe mos i mbështillni me qefinë), sepse çdo plagë dhe i tërë gjak i tyre, në ditën e Gjykimit do të lëshojnë aromën e miskut më të mirë.”
Prandaj të nderuar lexues, duhet t’i kujtojmë sot dëshmorët tanë, dëshmorët e Kosovës, e përkujtimi ynë më i mirë është, në radhë të parë, të paraqesim gjendjen e atyre që kanë mbetur të jetojnë pa kujdesin e më të dashurve të tyre dhe pastaj të tregojmë në praktik shpirtin tonë solidarizues e sakrifikues ndaj tyre.
Nga sa u tha më lartë kuptojmë se të gjitha këto janë sprova të mëdha për ne, nëpër të cilat duhet të kalojë çdo popull, e edhe populli shqiptar. Këto janë mjete që i përdor Krijuesi për të kalitur shpirtin dhe vullnetin kolektiv të një kombi. Individët bëhen të lavdishëm e të pavdekshëm vetëm nëpërmjet sakrificave e vetëmohimeve, e popujt të mëdhenj e të fuqishëm vetëm nëse janë të gatshëm për sakrifica për të mirën e përgjithshme.
Kështu, para nesh janë obligime të mëdha që na presin dhe për të cilat jemi përgjegjës edhe si individë edhe si kolektivitet. Janë obligime e përgjegjësi, para të cilave nuk mund t’i mbyllim sytë. Ka shumë të sëmurë e të plagosur në mesin e vëllezërve tanë. Shumë familje të shtypura, të diskriminuara që kanë mbetur pa kurrfarë përkujdesje, në mënyrë të veçantë familje të dëshmorëve të luftës, individë të gjymtuar, fëmijë jetimë e të përvuajtur. Duhet të jemi të vetëdijshëm për ta. Lufta e tmerrshme që na ndodhi para afër dhjetë vitesh, la pas vete pasoja të rënda dhe trauma ndër njerëz. Një nga ato është edhe numri i madh i jetimëve dhe grave pa burra. Ata janë një sprovë e madhe për ne, janë provim i pjekurisë sonë, besimit tanë, ndërgjegjes sonë, sprovë të cilën duhet ta kalojmë sikurse edhe shumë të tjera më herët. Është një shkallë edhe më e madhe e përgjegjësisë, për shkak se ata janë fëmijë, janë krijesa të pastra të Zotit, janë fëmijët e shehidëve – dëshmorëve tanë, atyre që me jetët e tyre mbrojtën atë që sot e kemi, mbrojtën vendin, atdheun tanë. Të harruarit e shehidëve – dëshmorëve dhe fëmijëve të tyre, është të harruarit e vetvetes, gjë që nuk duhet të ndodh sepse kjo do të ishte rrugë për një gjenocid tjetër mbi ne. Kujdesi ndaj tyre është kujdes ndaj vetes tanë. Ata janë tash vija jonë e parë e frontit, dhe sikur baballarët e tyre nuk e lanë dushmanin të kalojë, ashtu edhe ne nuk duhet të lejojmë që fëmijët e tyre të vuajnë e ta ndiejnë mungesën e prindërve. Jetimët janë si njeriu pa çadër në shi, çadrat dhe mbrojtja e tyre jemi ne.
Pejgamberi ynë tha : “Kush kujdeset për dy vajza të vogla që kanë mbetur pa prindër, derisa të rriten e të bëhen të afta për vete, unë dhe ai do të jemi së bashku në xhennet sikur këta dy gishta (duke bashkuar gishtin tregues me gishtin e mesëm)”.
Të nderuar lexues, sikur e shihni, në këtë sprovë të madhe, që na ka rënë për hise, xhnnetin e kemi në duart tona, sepse ndihma dhe kujdesi ynë ndaj tyre është rrugë për lumturinë tonë në të dyja botët.
Besimi dhe qëndrushmëria në sprovë
Njeriu lind në kohën kur i duhet ta gjejë vendin e vet dhe në vendin ku i duhet ta gjejë kohën e vet. Ka rëndësi shumë të madhe që njeriu të dijë të jetojë me kohën dhe të jetë në gjendje të shfrytëzojë hapësirën. Gjendja më e keqe që mund t’i ndodhë njeriut është kur humbet në kohë dhe hapësirë. Koha më e lumtur (më e mirë) është koha e lirisë; hapësira (vendi) më i lumtur (më i mirë) është hapësira e atdheut.
Janë tri periudha (kohë) të rëndësishme që i ka kaluar çdo komb dhe i kalon edhe sot ndonjë popull i botës, pra edhe populli i Kosovës: Ato janë: 1- koha e robërisë; 2- koha e luftës; 3- koha e lirisë. Ç’na sjellin këto tri periudha?
Koha e vështirë e robërisë shkakton largimin e njerëzve në vendin e padëshiruar të mërgimit. Koha e luftës – çliron energji të paimagjinuara më parë dhe nga vetja nxjerr dëshmorët – shehidët e dynjasë e të ahiretit. Ndërsa koha e pasluftës (më e vështira), koha e realizimit të lirisë, sjell egoistët, interesgjinjtë, indiferentët, sjell qetësinë personale në pasuri dhe fëmijë.
Urtësia e All-llahut e ka bërë që shpesh t’i sprovojë njerëzit dhe popujt duke ua përsëritur kohë pas kohe tri periudhat e përmendura në forma të ndryshme e me qëllim të zgjimit, ruajtjes së identitetit dhe përmirësimit të tyre. Dy ajetët e më poshtme tregojnë për një nga llojet e shumtë të sprovave që All-llahu ua dërgon njerëzve:
“Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe shpresa më e mirë” (El-Kehf, 46)
“Dhe dine mirë se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se te All-llahu është shpërblimi i madh.” (El-Enfal, 28)
Sejjid Kutbi në tefsirin e tij thotë: Shumë njerëz me durim e përballojnë luftën dhe lëndimin, por janë të pakët ata që janë të durueshëm në paqe dhe rahati dhe të cilët nuk i godet ambicia që përçmon qafat e njerëzve dhe indolenca (përtacia) që paralizon synimet dhe shfrenon epshet. Sprovimi në vështirësi mund të zgjojë krenari, të nxisë rezistencën e t’i mobilizojë nervat dhe atëherë të gjitha forcat janë të gatshme për pritjen e vështirësisë dhe qëndrueshmërisë në të. Ndërsa bollëku i shkreton nervat, i vë në gjumë dhe ua merr aftësinë e syçeltësisë dhe rezistueshmërisë.
Shumë njerëz me sukses mbizotërojnë periudhën e vështirësisë, por kur vjen ajo e mirëqenies bien nga provimi. Të tillë janë njerëzit, përveç atyre të cilët i ruan All-llahu, e ata janë për të cilët Pejgamberi (s) ka thënë: “Është e çuditshme situata e besimtarit, çdo gjë dhe çdo gjendje e tij është e mirë, kjo s’i ndodh askujt përveç besimtarit. Nëse është në mirëqenie, është mirënjohës dhe kjo është mirë për të, por nëse e godet ndonjë fatkeqësi, duron edhe kjo është mirë për të... e ata janë të paktë.”
Syçeltësia e shpirtit kur sprovohet me të mirën është më e mirë se syçeltësia e shpirtit kur sprovohet me të keqën. Vetëm lidhja me All-llahun është garanci për të dyja rastet.
Prandaj, syçeltësia e shpirtit tonë në kohën dhe atdheun tonë është: me të vërtetën të luftojmë për të vërtetën. D.m.th., të besosh dhe të luftosh për vendin tënd nën Diell është detyrë e çdo shqiptari e dhe shqiptareje, muslimani e muslimaneje. Në botën e interesave të ngatërruara, liria nuk falet. Për të duhet luftuar me fuqinë e së vërtetës, me fuqinë e së vërtetës për veten dhe vlerat tua. Në botën e njerëzve egoistë, të drejtat njerëzore nuk dhurohen. Ato duhet fituar me mund e dije. Në botën e sundueseve të fuqishëm s’ka mëshirë për të dobëtit: “Po të mos ishit ju, ne me siguri do të kishim qenë besimtarë – do t’u thonë ata që kanë qenë të shtypur atyre që kanë qenë mendjemëdhenj. “Vallë, a mos ju kemi larguar ne nga rruga e drejtë, pasi që u është treguar ajo? Jo, ju keni qenë vetë gabimtarë’, - do t’u thonë ata që kanë qenë të fuqishëm atyre që kanë qenë të dobët.
Kjo është logjika e zullumqarit: të përdhunosh, të vrasësh dhe t’ia lësh gjynahun të dobëtit vetëm pse është i dobët dhe i paaftë. Në botën e gënjeshtrave dhe të shpifjeve, feja dhe morali nuk dhurohen. Për këto vlera muslimanët duhet patjetër të luftojnë me fjalën e vërtetë dhe punën kualitative.
Ne e dimë se gënjeshtara s’mund të jetë e vërtetë edhe po të përsëritej publikisht njëqind herë. Ne e dimë që e keqja nuk mund të jetë e mirë edhe po të qëndronin pas saj më të fuqishmit e botës. Ne e dimë se padrejtësia nuk është drejtësi edhe po të imponohej me forcë.
Dhe së fundi: ne duam të shkojmë drejt së ardhmes. Por nuk duam që në ardhmëri të na vishet e kaluara e rrejshme për shkak të së cilës të dobëtit përsëri do të jenë të përdhunuar, të persekutuar, të vrarë vetëm pse janë të dobët, e xhelatët e tyre zullumqarë e të pashpirt. Prandaj, nuk mundemi dhe nuk do të tërhiqemi nga e vërteta që këtu dhe tani të jetojmë si muslimanë, dhe që këtu dhe tani secili ta ketë të drejtën e jetës, besimit, lirisë, pasurisë dhe nderit. Dhe për këtë garancia më e madhe për ne është besimi. Besimi është mbrojtësi më i mirë i lirisë personale në kohën dhe hapësirën ku ekziston rreziku që ajo të humbet, përkatësisht që njeriu të humbë identitetin e vet personal. Vetëm pasi te kemi besim të fuqishëm në Zotin, mund të kemi siguri të fuqishme në vete, sepse Zoti është me ata që janë të vetvetëdijshëm.
Dhe së fundi të përmbyllim këtë shkrim me lutjen:
O Zot i Mëshirshëm: të sëmurëve jepu shëndet, të varfërve furnizim, të burgosurve liri, mbrojtësve tanë ndihmë, dëshmorëve shpërblimin më të mirë, jetimëve përkujdesje e ngrohtësi, atdheut tanë paqe e liri. (Amin)