Hafiz Musa Haxhi Aliu (Basha)

Hafiz Musa Haxhi Aliu (Basha) lindi në një familje patriotike në Elbasan më 1 mars 1892 dhe vdiq në Tiranë më 3 korrik 1977.

Ai e jetoi periudhën e luftës së konsolidimit të shtetit të ri shqiptar. Mbaroi studimet e larta në degën e teologjisë, jashtë vendit (në Stamboll). Me energjitë e moshës djaloshare, ai u angazhua në jetën politiko-shoqërore të vendit.
Ishte patriot i ndershëm, i drejtë, armik i vendosur i feudalizmit dhe përqafonte idetë përparimtare. Të gjitha këto së bashku bënë që gjatë gjithë jetës së tij Hafiz Musai të merrte dënimin kapital (me vdekje), nga qeveria e Durrësit me në krye Esat Toptanin në pranverën e vitit 1915 dhe së fundi nga qeveria kuislinge e Tiranës në vitet 1943/44. Kudo që punoi ai shpalosi aftësitë e mira administrative, la gjurmë të pashlyeshme dhe u vlerësua me respekt nga bashkëkohësit e tij.
Mirëpo veprat e Hafiz Musait nuk shiheshin me sy të mirë nga feudalët me Shefqet Vërlacin në krye, mbasi preknin interesat e tyre. Me ndërhyrjet e tyre ata e pushuan shpesh, duke e lënë pa punë mjaft kohë. Hafiz Musai ishte klerik i devotshëm dhe e filloi karrierën si myfti i Elbasanit qysh në vitin 1915-1920 dhe mori pjesë si delegat në Kongresin e parë islamik që u mbajt në Tiranë në shkurt 1923, si përfaqësues i krahinës së Çermenikës së asaj prefekture. Kongresi mori shumë vendime mes të cilave ishte edhe ai i shkëputjeve të lidhjeve fetare me Shehul Islamin e Turqisë dhe krijimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë.
Në detyrën e myftiut të Elbasanit Hafiz Musai ka qenë edhe në periudhën 1934 deri më 12 shtator 1943. Ai në këtë detyrë tregoi interes të veçantë për mirëmbajtjen e funksionimin e institucioneve fetare (xhamive), ishte i komunikueshëm dhe i zgjidhte problemet që kishin klerikët e kësaj prefekture. Ai vizitoi xhamitë e dhjetëra fshatrave të krahinës së Çermenikës, bisedoi me imamët (hoxhallarët) dhe i bindi ata për domosdoshmërinë për të marrë pjesë në kurse afatshkurtra të ngritura pranë Myftinisë së Elbasanit për të rifreskuar dhe forcuar njohuritë teologjike; gjithashtu nxiti besimtarët për riparimin e xhamive të fshatrave dhe plotësimin e nevojave që kishin. Me interesimin e tij varrezat e mëdha të qytetit (ish-parku Rinia) u transformuan. Në bazë të një planimetrie u hapën rrugë të brendshme, u mbollën drurë dekorativë si qiparisë dhe bordura me lule, duke i shdërruar varrezat në vende tërheqëse për shëtitje.
Në fushatën e zgjedhjeve të pushtetit vendor (për kryetar bashkie) të Elbasanit, duke patur mbështetjen e zanatçinjve e të shtresave të tjera të mesme e të varfëra, Hafëz Musai fitoi shumicën e votave më 2 prill 1928, por nuk qëndroi deri në fund të legjislaturës së zgjedhur për shkak të ndërhyrjeve, ashtu si në detyrën e myftiut, në postin e kryetarit të bashkisë qëndroi vetëm 2 vjet e gjysmë. Me gjithë periudhën e kufizuar, ai arriti të realizojë pjesën më të madhe të reformave, të cilat ishte e natyrshme që preknin interesat e feudalëve dhe të të pasurve. Si intelektual i formuar dhe me pikëpamje përparimtare e demokratike, Hafiz Musai vuri rregulla në zbatimin e ligjeve, mori masa për përmirësimin e kushteve higjeno-sanitare të qytetit, transformoi tregun, duke ua shkurtuar dyqaneve strehët dhe zëvendësoi tarabatë e vjetra prej dërrase me qepena hekuri, mori masa për ndalimin e abuzimeve, mbajti qëndrim asnjanës ndaj tarafëve (pleqësorë e popullorë) dhe sipas kronikave të shtypit të kohës, Hafiz Musai ishte operativ në ndjekjen e problemeve të bashkisë.
Në bazë të shkresës nr. 27/46 dt.14.12.1931 të Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare, Hafiz Musai emërohet kryetar (komisar) i Odës së Tregëtisë së Elbasanit për një periudhë gjashtëmujore, por edhe në këtë detyrë qëndroi dy vjet për të siguruar vende pune, u përpoq të ngrinte punishte tezgjahu, ku të endeshin stofra të holla leshi për kostume, kështu që do të zbutej papunësia bashkë me pasojat e krizës ekonomike botërore (1928 – 1932) dhe nga ana tjetër shteti kursente sasi të konsiderueshme valute për blerjen e stofrave nga importi, por propozimi nuk u miratua nga Asambleja e Odës së Tregtisë e përbërë nga tregtarë të pasur dhe fajdexhinj. Në detyrën e kryetarit të Odës së Tregtisë së Elbasanit, Hafiz Musai sistemoi në esnafe të gjithë zejtarët, të ndarë sipas profesioneve, si rrobaqepës, tabakët, këpucarët…etj. Secili grup sipas zejes së tij, me raste festash kombëtare parakalonin sipas autoriteteve vendore me flamurin e zejes përpara. Aksioni i organizimin të esnafeve, si dhe provimi përpara komisionit, përpara dhënies së lejes së profesionit, ndihmuan në punën e tyre. Kjo nismë konsiderohet si fillimi i organizimit në sindikata të punëtorëve në Elbasan.
Hafiz Musai nga 12 shkurti 1945 deri në 20 dhjetor 1954 ka qenë Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë. Gjatë kësaj dekade ai u bë mbështetësi e përkrahësi i klerikëve, besimtarëve, i nëpunësve civilë të kësaj administrate si dhe i profesorëve të shkollës së mesme “Medrese e Përgjithshme”, që ishte në vartësinë e Komunitetit. Kudo ai zbatoi parimin e vlerësimit të punës në bazë të devotshmërisë, profesionalizmit, pa marrë parasysh luftën e klasave. Në qendrën e vëmendjes së kryetarit ishin forcimi i punës mësimore-edukative në Medrese dhe forcimi i kësaj shkolle bashkë me administratën e xhamitë e këtij Komuniteti, duke u prerë rrugën formave të ndryshme të korrupsionit. Me propozimin dhe kërkesën e tij drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të këtij Komuniteti më 20.12. 1954 Hafiz Musai doli në pension, por vazhdoi të bëjë jetë aktive si veteran i LANÇ.
Pushtimin e Shqipërisë nga Okupatori fashist Hafiz Musai e priti me urrejtje dhe si patriot ai mendonte se çlirimi i vendit do të arrihej vetëm duke u bashkuar në luftën pa kompromis rreth Frontit Nacionalçlirimtar. Ai iu përgjigj thirrjes së Frontit Demokratik, rezolutës së Konferencës së Pezës dhe asaj të Aleatëve të Mëdhenj: Britani e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik për të luftuar okupatorin. Ai punoi me të gjitha energjitë e tij për Lëvizjen Naiconalçlirimtare. Në realizimin e këtij qëllimi për Hafiz Musanë nuk u bënë pengesë as mosha e madhe, uniforma e klerikut dhe as ekonomia e rënduar familjare. Aktiviteti i tij i gjithanshëm në favor të LANÇ ra në sy të forcave të pushtuesit, të qeverisë kuislinge dhe të bashkëpunëtorëve të tyre të cilët përgatitën arrestimin e tij, por Hafiz Musai u hodh në ilegalitet dhe qëndroi ilegal për 11 muaj (nga 10 dhjetor 1943 deri më 11 nëntor 1944) kur u çlirua Elbasani. Kudo njerëzit e thjeshtë i dëgjonin me vëmendje fjalët dhe këshillat e tij. Ai gëzonte respekt, kudo që shkonte, mbështetej në popull, i cili e ruajti dhe përpjekjet e armikut për ta arrestuar dhe zhdukur fizikisht nuk dhanë rezultat. Hafiz Musai për pjesëmarrjen në Frontin Nacionalçlirimtar dhe ndihmesën e dhënë ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik dhe kreu dhe detyra të tjera si:
- Mbledhja ilegale e mbajtur në shtëpinë e tij më 7 maj 1943, e zgjodhi Musanë Kryetar të Këshillit NÇ të lagjes “Alaydine” (L. Gurakuqi) ku banonte. Në këtë detyrë qëndroi deri më 10 dhjetor 1943, kur u hodh në ilegalitet, dhe detyrat e ngarkuara i kreu me devotshmëri e përpikëri.
- Mbledhja ilegale e organizuar më 12 maj 1943, në shtëpinë e arsimtarit Baki Kongoli në Elbasan, e zgjodhi Hafiz Musanë anëtar të Këshillit Nacionalçlirimtar të Elbasanit dhe mbas ekzekutimit barbar të doktor Xhafer Kongolit nga nazistët e bashkëpunëtorët e tyre; kryetar i këtij këshilli u caktua Hafiz Musa Basha, detyrë të cilën ai e ushtroi deri në mbledhjen e organizuar në Fushë-Kuqe të fshatit Gjinar të krahinës së Shpatit të Elbasanit më 26-28 shtator 1944, në këtë zonë të lirë, ku me unanimitet delegatët e ardhur nga krahinat dhe qyteti i qarkut të Elbasanit e zgjodhën Hafiz Musanë anëtar të këshillit dhe kryetar të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit NÇ të qarkut, detyrë që e kreu deri më 15 shkurt, datë në të cilën iu ngarkua detyra e Kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
- Konferenca e Dytë e Këshillit Nacionalçlirimtar e mbajtur në fshatin Labinot të Elbasanit (4-8 shtator 1943, në të cilën Hafiz Musai qe zgjedhur delegat, megjithë se për arsye shëndetësore nuk kishte mundësi që të merrte pjesë, Konferenca e zgjodhi anëtar të Këshillit të Përgjithshëm.
- Në Kongresin e Përmetit (më 24 maj 1944), përsëri Hafiz Musai qe zgjedhur delegat, për shkak të situatës shumë të rënduar, nuk qe e mundur të marrë pjesë dhe në mungesë, Kongresi e zgjodhi përsëri anëtar të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.
- Hafiz Musai si delegat i zgjedhur mori pjesë në Mbledhjen e Dytë, në atë të Beratit (20-22 tetor 1944). Këtu u zgjodh nënkryetar i kësaj mbledhjeje dhe anëtar i presidiumit për drejtimin e punimeve. Gjithashtu edhe Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të NÇ, detyrë të cilën ai e ushtroi deri në mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese, e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme të 2 dhjetor 1945.
- Hafiz Musai është dekoruar me URDHRIN E FLAMURIT nga Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar, me certifikatën Nr. 28 dt. 9. Korrik 1945. Gjithashtu Bashkia e Elbasanit e nderoi me titullin “Qytetar i Nderuar i Elbasanit (pas vdekjes).



nga Hamdi Basha/Drita Islame/


Artikulli i kaluar
Myderriz Haki Sermaxhaj
Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?