Myftiu Raif Kadiu në kujtesën e popullit dibran

Ky 100 vjetor i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë shërben edhe për të përkujtuar me nderimin e duhur personalitete që kontribuuan për fenë, popullin dhe vendin. Kanë kaluar më shumë se 60 vjet qëkur ndërroi jetë myftiu i Dibrës, Raif Kadiu. Populli i Dibrës e ruan në kujtesën e tij si të ishte bashkëkohës i brezave që erdhën pas vdekjes së tij e, kështu do të vazhdojë, sepse ai jetoi e punoi si pjesë e popullit e populli i Dibrës kurrë nuk i lë në harresë vlerat e tij.
Lindi rreth vitit 1883 në qytetin e Dibrës Madhe. Fillimisht u arsimua në qytetin e lindjes dhe atje u formua me traditat aq jetike e të fuqishme njerëzore dhe patriotike shqiptare. Në vitin 1913, kur Raifi do të merrte detyrën e myftiut të Dibrës, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi copëzimin e tokave shqiptare për të kënaqur oreksin e serbëve, grekëve e malazezëve. Edhe Dibra pati të njëjtin fat. E ndanë në dy pjesë, ku njëra, së bashku me qytetin e Dibrës Madhe, i mbetej Serbisë, ndërsa tjetra, e quajtur Dibra e Vogël, u bë pjesë e pandarë me truallin shqiptar. Në këto kushte aq të rënda për kombin tonë, i riu Raif Kadiu zgjodhi të punonte, të jepte vlerat më të mira për popullin shqiptar, vlera që, në Dibrën shqiptare, drejtoheshin nga vlerat e fesë Islame.
Më parë, atëherë dhe sot, myslimanët shqiptarë, si edhe Raif Kadiu, kanë dhënë maksimumin për interesat e kombit tonë shqiptar. Më kot janë lodhur e lodhen ata që përpiqen të ndryshojnë kufijtë e kombeve e, në veçanti, ndërgjegjen tonë kombëtare. Ata nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm se i forcojnë bindjet kombëtare. Kështu ndodhi edhe me Raif Kadiun. Erdhi në Shqipëri të flasë në gjuhën shqipe, të japë mësimet e fesë Islame në gjuhën shqipe dhe të ndikojë fuqishëm në formimin e ndërgjegjes së njerëzve në të mirë të atdheut. Raif Kadiu hapi dyert e xhamisë në Peshkopi për të filluar për herë të parë të mësuarit e gjuhës shqipe me alfabet shqip nga Haki Sharofi. Ai krijoi mundësitë që feja Islame të jepej në gjuhën shqipe. Ai, në ato ditë shumë të vështira, punoi për pritjen e mijëra dibranëve të dëbuar nga serbi dhe luftoi me tërë mundësitë gjakmarrjen.


Myftiu Raif Kadiu (1883 -1943)

Raifi kishte trup mesatar e të shëndetshëm. Mbante mjekër, çallmë e xhybe, që ia hijeshonin pamjen. Mosha që e njohu e kujton me shumë respekt. Edhe më të rinjtë, të tërë, edhe pse nuk e kanë parë kurrë, e njohin si të kishin jetuar me të. Edhe tani, pas 60 vjetësh, flitet për Raif Kadiun: “Kadiu i Vjetër kështu ka thënë …”, “Kadiu i Dibrës ishte njeri i ditur”, “Kadiu i dha këso zgjidhje këtij apo atij problemi të vështirë…”. Jeta e tij është e mbushur me zgjuarsi, dashuri njerëzore, trimëri, guxim e patriotizëm. Myftiu Raif Kadiu përcolli me kujdes të madh tek populli dibran vlerat e fesë Islame. Atë e njihnin dhe e respektonin intelektualët, qeveritarët, qytetarët e thjeshtë, fshatarët, gratë dhe fëmijët, të varfrit dhe të pasurit. Edhe tani, pas 60 vitesh, nëpër mexhlise dëgjon “Ka thënë Kadiu i Vjetër …”, “E ka nda Kadiu i Vjetër …”. Ku ishte i pranishëm Kadiu, matej të jepte mendim kushdoqoftë e, kur fliste ai, i vihej vula muhabetit a problemit për zgjidhje. Pas tij nuk fliste kush.
Raifi kurrë nuk nëpërkëmbi normat fetare Islame, as prej presioneve, qofshin ato prej qeveritarëve, pushtuesve, apo prej njerëzve të çartur. “Një burrë i shëndetshëm, trup madh e me kobure në brez, futet në zyrën e Kadiut. Ishte i martuar e donte të merrte edhe një grua tjetër. Kadiu e dëgjon me vëmendje dhe në fund e pyet: A e ke marrë pëlqimin e gruas dhe të gruas që do të marrësh? Fshatari i kapardisur se do t’i bënte dy gra, iu përgjigj se nuk i kishte pyetur dhe nuk do t’i pyeste. Myfti Raifi, me qetësi të plotë, i tha se nuk do të lidhte kësi kurore të dytë. Malësori i çartur vuri dorën mbi kobure. Kadiu e vërejti lëvizjen e tij dhe i tha se duhej të priste dy-tre minuta, sa të merrte regjistrin në zyrën tjetër. Doli jashtë. Shkoi në zyrën tjetër, mori çka iu desh dhe për një çast u fut në zyrën e parë e u ul përballë fshatarit. Lëvizi pak majtas xhyben, sa shihej dukshëm një armë brezi e madhe që kishte shenjat “AZ”. Fshatari e pa dhe, si duket, gjykoi se me Kadiun e Dibrës nuk bëhej shaka. U ngrit në këmbë e zbriti shkallët. Ecte me shpejtësi. Në oborr e ktheu disa herë kokën pas, se mos e ndiqte kadiu i mençur e trim.” Qeveritarët kërkuan t’i bëhej dua një ushtaraku italian. Myftiu Raif urdhëroi: “Pushtuesve nuk u bëjmë dua!” Dhe nuk u bë. Myftiun për 6 muaj e internuan në Tropojë.
Nga fshatrat e largëta udhëtonin njerëz me orë të tëra për të takuar kadiun e për ta pyetur për halle familjare, për probleme bashkëjetese apo edhe shoqërore. Ata e dëgjonin me kujdes kadiun dhe vepronin sipas këshillave të tij. Ai gjithmonë i mbështeste zgjidhjet e problemeve në ajete kuranore, hadithe dhe zgjidhje praktike nga jeta e profetit Muhamed (a.s.).
Kadiu Raif kishte marrëdhënie të mira me fshatarët dhe agallarët, me qytetarët dhe qeveritarët. Qeveritarët dhe intelektualët e respektonin më tepër se çdo njeri tjetër. Kryet e vendit gjithmonë ishte i Kadiut.
Në vitet 1920-1930, Peshkopia, qendra e Dibrës shqiptare, kishte jo më shumë se 5000 – 6000 banorë. Dy xhamitë e vogla nuk i plotësonin kërkesat e popullsisë në rritje. Njëra ndodhej pranë përroit, tek furra e Isa Vleshës e hani i Seferit, ndërsa tjetra, po aq e vogël, ishte aty ku është sot xhamia e vjetër, ngjitur me shtëpinë e Besim Shehut (sheh Besimit). Për të zgjidhur këtë kërkesë, kadiu, Raifi, mblodhi të parët e fiseve e shumë burra të mençur dhe u parashtroi kërkesën. “Peshkopisë i duhet një xhami më e madhe” – u tha ai grupit të zgjedhur. Kërkesa e kadiut u pranua pa asnjë kundërshtim dhe diskutuan për nevojat në lëndë dhe para. Banorët e qytetit dhe të fshatrave përreth i sollën drurët sipas nevojës nga malet, ndërsa lekët nga tregtarët dhe të pasurit i mblodhi një komision i ngritur në mbledhjen e parë. Për xhaminë e Peshkopisë ndihmuan edhe fshatrat.
Raif Kadiu, për 30 vjet me radhë (1913 – 1943), drejtoi popullin e Dibrës me vlerat e pakrahasuara të fesë Islame, për tri dekada e ushqeu këtë popull me dashuri e bindje për Krijuesin e gjithësisë dhe në veçanti për qenien shqiptar e banor të këtyre viseve të pasura e të bukura, të buta e të egra, e me një popull krenar për historinë e tij.
Raif Kadiu, myftiu i Dibrës në kohë shumë të vështira, ushqeu, rriti dhe drejtoi shpirtin e shqiptarëve të Dibrës në luftë për mbrojtjen e trojeve tona, për bashkimin e dibranëve edhe atëherë kur mungonte pushteti, me parullën “për din e iman, të mbrojmë vatan!”. “Vatani” dhe “Imani” u rritën në të njëjtën zemër të dibranëve, më shumë se në çdo kohë, në periudhën që drejtoi myftininë Raif Kadiu. Ai diti të afrojë, ushqejë, mobilizojë e të bashkojë tërë popullin e Dibrës, tregtarin dhe agallarët, diti të afrojë fshatarin dhe intelektualin, mblodhi dhe vuri në jetë më së miri përvojën dibrane në të gjitha fushat dhe e përjetësoi atë. Ai u bë i dashur e i respektuar prej tërë popullit të Dibrës.
Edhe pasardhësit e tij në atë detyrë, e kanë respektuar e nderuar ish myftiun që drejtoi në ato tri dekada shumë të vështira dhe, të tërë, popull e drejtues, e mbyllin bisedën për të.



Revista Drita Islame, Gusht 2012


Artikulli i kaluar
Hafiz Musa Haxhi Aliu (Basha)
Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?